Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Alois Gurakuqit prej at Gjergj Fishtës  

    

PENG  NDERIMI 

Zani i kangvet të para të Lahutës mori dheun e trandi zemrat e Atdhetarvet të vertetë. Këte bindje dhe këte vlersim ndaj Poetit desht t’a shprehte edhe letrari i ri Luigj Gurakuqi, i cilli në vitin 1906 i kushtoi Vargënimin, bashkë me nji vjerrshë safike me titull Pengu i nderimit. Edhe Fishta në shenjë evarije i kushtoi në vitin 1909 veprën Pika Voeset bashkë me këte poezi. Nji notë njomsije, përshkue prej ndjesishë mirënjohtjeje plot ambëlsi, e shquen ketë kangë: Fjala e mikut asht ma terhjekse se gurgullimi i gurrave e flladi i ambël prendveror. Ajo kallë zemrat e ndritë mendën, tue nxitë kah punët e mbara.

Komentet janë nga At Viktor VOLAJ O.FM. tek “LIRIKA” Botue 1941.

  1. I kandshem â e plot shije

    Nja’ i lehtë zhumhur, qi gurra

    Ep tue gurgullue nper hije

    E neper rrajë e curra,

    Ka’ e argjantë lugjeve ulet

    E puthë permallshem lulet,

    Qi si n’ pasqyrë – rrijn m’amë t’ asaj tu’ u kqyrë. 

    2. Asht edhe i butë e i kandshem

    Nja’ i ambëli fllad eret,

    Qi ka’ i qetët e i erandshem

    Fryn neper ag’ prendveret;

    Me landë shkon tue zhablluem

    Ase me gji t’ rituem

    Prej voeses s’qielles – të ndonji drandofilles.

    3. Ma e ambel, por, asht fjala

    E njaj miqsis s’ vertetë,

    Qi, kur t’ na marrë vala

    E pellgut t’ zi t’ ksaj jetë,

    Tue na ngushtue nder gjire,

    E ndiejm, e qi fatmire

    Zemrat na i kallë – me nji shpëresë të gjallë.

    4. Po, o Gurakuq, per mue

    E larta fjala jote,

    Qi me Vargnim m’ ké çue,

    Kur zemra ‘i herë m’ ankote,

    Per mue kjé ajo pêng beset

    E kjé per mue hyll shpreset,

    Qi shpirtin m’ shndriti. – Zemëren m’a flladiti.

                  _____________________________________________________________________

    1. zhumhur: zhurmë e lehtë, gurgullim. –curra: shkrepa, shkambij. –ka e argjantë lugjeve: tue zbritë shkumbuese nëpër lugina të vogla. –permallshëm: mallëngjyshem, – amë: vendburimi ku buron gurra e mandej shtrati kah dikohet (shtrihet, rrjedhë).

    2. Qi ka…fryn: qi kur frynë – ag: agim. –zhublluem: fërshlluem, fjalë onomatopeike qi tregon zhurmen e gjethit kur e lëvizë era. – Ase me gji t’rituem: me fletza të shpërthyeme, të njomuna prej veset.

    3. Qi , të cillën…: Grimcim peremnuer e zëvendsueme prej meje në na, ndoshta gabim shtypi, mbasi nuk gjeta dorëshkrimin. Fishta nuk i ka qortue vetë gati kurr botimet.

    4. E larta: fisnike, bujare. Vargnim: Titull i vertetë, botue në Napoli në 1909, me pseudonim L.Gruda. Iu desht me vuejtë shumë. E luftuen pse nuk e kuptonin ketë revolucionarë ideshë, por edhe pse kuptuen gjeniun e udhëheqësit. Të gjitha kundërshtime të mbrendshme.

    5, Oh! Po: Ajo fjalë ngushllimit

    N’ zemer njashtu m’ ka ardhë

    Si voesa prej agimit,

    Qi bjen m’ nji lil të bardhë;

    E atëbotë, si kah prendvera

    Bîjn vjollca e lule tjera,

    Njashtu mendimet – paten n’ mue burimet.

    6. Po, atëbotë per Atme e Fé,

    Per punë të hijshme e t’ mbara

    Zemra ma fort m’u xé;

    E ma fort se perpara

    Me shpirt un Zanës iu trova,

    Edhe njatë burrë këndova,

    Qi n’ flakë t’ barotit – mbet per tokë t’ Kastriotit.

    7. Pra, i drejtë në kjoftë se moti

    Krejt zâ’n s’ m’a qet n’ harresë

    Fjalës s’ ate. (E cilla m’ ploti

    Zemren ma t’ ambel shpresë

    Se ‘i kohë dikur ma e bardhë

    Shqypnis ka per t’i ardhë).

    Un me evari – per nderë, po, do t’ ia di.

    8. Prandej, per peng miqsijet

    Kam da me t’i kushtue

    Kto ushtrime poezijet,

    Qi ti, (due me shpresue),

    N’ kurrsend s’ ké per t’i ba,

    Sado qi  s’ duhen gja:

    Pse m’ to pa da –mue mik ti ké me m’ pa.

    _______________________________________________________________

    5. lil: zambak. –bijn: çilin, dalin. – paten n’mue…: xune fill në menden  t’eme.              

    6. Atme e Fé: Binom qi u përdor shumë, po duhet theksue se Atme kje qitë e përdorë prej  Shoqnisë  “Bashkimi”. – mbara: të mira, fisnike, qytetnije e përparimi. – zemre ma fort…: mora zemër edhe ma shumë. Fishta ç’prej vjetve të para të aktivitetit të vet, paraqitet me nji program jete të caktueme, prandej edhe ia hin punës pa ngurrue, por si çdo i rinj kishte nevojë për nxitje. Fjalët e mikut kjenë me të vertetë nji nxitje e fortë për té. –me shpirt i u…: iu kushtova me të gjitha fuqitë e shpirtit. –njat burrë këndova..: Luigj Gurakuqi në vjerrshë qi i kushtoi shpreh vlerësimin për blenin e parë të Lahutës, Té Ura e Rrzhanicës. Nji vjet mbrapa (1907) boton blenin e dytë, Vranina, qi kishte protagonist Oso Kuken, tue krijue pranë tipit të burrnisë dhe t’urtisë, qi paraqitet në Marash Ucin, edhe tipin e herojit të ri e të pathyeshem, qi ban jetën fli, por s’bjen kurrsesi në dorë t’anmikut, pra, vetëflijohet.

    7. Pra, i drejtë…: Koha e ardhëshme gjyqtare e drejtë, nuk ma mohon, nuk e humbë vleren e meritueme me veprat e mija…Pra, qyshë në fillim Poeti ka besim në vleren e punës së vet. Viti 1907 kjé viti ma i frutshem i tij. Përveç blenit të dytë të Lahutës, prodhon shumë poezi satirike me rendësi, qi diftojnë nji shkak të merituem lavdrimi. Prandej fjala e yte m’ploti: më mbushi plot, nji verb me të vertetë poetik. E përdorë edhe tjera herë Fishta ketë verb

    8. Kam da me t’i kushtue: Kushtesa kjé kjo: SHQYPTARIT  TË  VJEFSHEM – ZOTIT  LUIGJ  GURAKUQIT  –  NDERËS  SË  DJELMNIS  SË  SHKODRËS  –  KTO  VJERRSHA  TË  PERVÛJTA  – AUKTORI  KUSHTON – Kto ushtrime poezijet : Kështu e quen me modesti veprën Pika Voeset, botue në Zader, në 1909. Libri përmbledhë: 12 vjerrsha lirike, dy satira, Ius Gentium, Dredha e Djallit dhe nji shfaqje të vogel, Odisea. – n’ kurrsend s’ké per t’i ba…: Nuk ké për me i perbuzë.

    Melbourne, 8 Mars 2025.

    Please follow and like us: