Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Një tufë me lule

Tek hapja ngadalë derën e dhomës, vështroja vazon e luleve mbi tavolinë. Kishin filluar të thaheshin. I preka ngadalë… Era e mirë nuk ndihej më, gjethet kishin filluar të binin një e nga një.

I nxorra me kujdes dhe u ndërrova ujin, e teksa pastroja vazon, mendoja se duhej ta zëvendësoja buqetën me një tjetër të re.

Punët e ditës më prisnin njëra pas tjetrës. Fillova të vishem pa u nxituar. Duhej të përgatitesha për takimin e rradhës në zyrë. Vishesha dhe mendoja, se cilën punë duhej të mbaroja më parë: “Sikur të nisja ditën me një tufë me lule”?

Pranë shtëpisë ndodhej një dyqan me lule të freskëta. “Po shkoj të zgjedh një tufë, e më pas po nxitoj për në zyrë”, mendova.

Dola, dhe tek mora rrugën drejt dyqanit, ndesha me një grua të moshuar që mundohej të kapërcente trotuarin. E shihja tek ecte me mundim duke menduar: “Përse ke dalë e vetme moj nënë”?

Vazhdova rrugën, por mendjen e kisha tek ajo. E vështrova deri sa kaloi në anën tjetër, por për çudi, ndaloi dhe ktheu kokën pas si të priste dikë. Kureshtja nuk po më linte të qetë, kë priste vallë? Papritur një djalë pak a shumë i rritur, po vraponte drejt saj me një tufë lulesh në dorë. E përqafoi, dhe duke i puthur duart i dhuroi tufën me lule. Vështroja e nuk ngopesha. Më preku ajo dashuri, ajo tufë me lule në duart e djalit të rritur, ajo tufë me lule në duart e nënës së moshuar, ai përqafim i ngrohtë, ai vrapim i ëmbël drejt dashurisë dhe mendova: “Një tufë me lule, një tufë me dashuri, një tufë me përqafim, një tufë me puthje… Sa shumë, brenda një tufe me lule”! I shihja tek largoheshin të përqafuar me gëzimin e dashurisë, brenda simbolit të tufës me lule që përcillte gëzimin e shpirtit brenda tyre, por edhe brenda shpirtit tim, si spektatore e dhuratës së dashurisë.

Nuk u mendova gjatë. U futa në dyqan, dhe tek shihja ngjyrat e luleve, zgjodha tufën më të bukur. Porosita, dhe tek prisja paketimin mendoja: “A do të gëzohet vallë”?

Dola me gëzimin që vraponte drejt shtëpisë që më kishte rritur, që më priste çdo ditë me thirrjen e gëzimit dhe të përqafimit të shpirtit. Nuk më mbetej dhe shumë rrugë për të mbërritur tek ajo dëshirë që më tërhiqte për të dhuruar gëzim, për të dhuruar dashuri.

Ngjita shkallët, dhe u gjenda përballë portës më të dashur. I rashë tingullit të ziles, sinjalit që njihej në kohë mes meje dhe nënës. Nuk vonoi, dhe tek pragu u shfaq fytyra më e dashur, prarimi më i ëmbël i shpirtit, ngjyra e diellit, rrezja e hënës, me sytë që shkëlqenin nën vezullimin e dritës, fytyrë që rrezatonte copëza yjesh, buzëqeshje e shpirtit që formonte fjalë habie dhe lumturie. Fliste çudia dhe jo fjala. Zgjata tufën me lule drejt saj dhe i fola: “Janë për ty”! Çudia u formua në shprehje që foli me gjuhën e dashurisë: “Nuk i prisja”! E fjala u bë përqafim, u bë puthje rrëmbyer dhe dhuruar nga dashuria nënë e bijë, dashuri që tregohet kohërave, që lind dhe nuk vdes brenda shpirtit!

Please follow and like us: