“Arsye pa arsye. Nëse do kishim arsye, s’do kishim poezi” – Alfons Zeneli
(senad guraziu – ars poetica, m 25 – pak fjalë)
…më poshtë, një poezi nga Czeslaw Milosz [ Poloni-ShBA, 1911-2004 – Çmimi Nobel për Letërsi, 1980 ] – “Ars Poetica”, poezi e përkthyer – SG, 2013
…e lexova një intervistë me Alfons Zenelin (ripostuar tek AlbSpirit)… në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafirit, shkrimtarit Alfons Zeneli ia kishin shtruar pyetjen: A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”? – dhe ai ishte përgjigjur:
“Është një pyetje e cila në forma e ngjyra të ndryshme, i shfaqet secilit poet. Poezia vjen si një nevojë, si një urdhëresë e brendshme nga ato zona të shpirtit ku ne nuk kemi asnjë kontroll. Poezia krijohet vetvetiu atje në thellësitë e kaltëra të shpirtit dhe kumbon, ulërin e qan sepse do të dalë. Sepse të duhet ta nxjerrësh, ta lindësh. Përndryshe pëlcet, shpërthen, vdes. Prandaj arsyeja se “përse shkruaj” është një arsye pa arsye. Nëse do kishim arsye, nuk do kishim poezi” : )
…aq e thjeshtë dhe aq simpatike përgjigja e z. Zeneli – po jua nis një poezi të përkthyer të Czeslaw Milosz, i cili po ashtu (se mos vetëm ai : ) pati “pyetur” pse shkruajmë, edhe ai sikur e pati lidhur arsyen me paarsyen: cili njeri i arsyeshëm do dëshironte të jetë një qytet demonësh, vallë si shpjegohet krenaria e poetëve se gjoja për poezinë meritat i takuakan ndonjë “engjëlli” (brenda nesh), çfarë nëse poezia diktohet nga demonët… : )
…sipas Milosz, “qëllimi i poezisë është që t’na e përkujtojë sa e vështirë është të ngelesh vetëm një person (si poet, si krijues, si qenie skajshmërisht e ndieshme, poetët shpesh dhe turpërohen nga ekspozimi i brishtësisë së tyre), meqë shtëpia jonë është e hapur, nuk ka çelësa në dyert dhe vizitorët e padukshëm hyjnë e dalin sipas dëshirës.”…
“…me të drejtë thuhet që poezia diktohet nga një demonion, anise është ekzagjerim të pohohet se ky duhet t’jetë një engjëll. E vështirë t’ia qëllosh ku i ka rrënjët kjo krenari e poetëve, kur aq shpesh turpërohen nga ekspozimi i brishtësisë së tyre. Cili njeri i arsyeshëm do dëshironte të jetë një qytet demonësh, të cilët sillen si në shtëpinë e vet, flasin në shumë gjuhë dhe të cilët nuk janë të kënaqur me vjedhjen e buzëve a të dorës, tek merren me ndryshimin e fatit të tij sipas rehatisë të tyre?”
***
ARS POETICA?
Czeslaw Milosz [ Poloni-ShBA, 1911-2004 ]
Gjithmonë kam aspiruar për një formë më të gjerë
që do ishte e lirë nga pretendimet e poezisë a të prozës
dhe e cila do t’na lejonte ta kuptojmë njëri-tjetrin,
pa i ekspozuar agonitë sublime të autorit a të lexuesit.
Në vetë thelbin e poezisë ekziston diç e pahijshme:
lind diç që nuk dinim se e kishim brenda,
kështu që i pulitim sytë, sikur një tigër të kishte dalë
dhe tani në dritë, duke fshikulluar me bishtin e tij.
Ja pse me të drejtë thuhet që poezia diktohet nga një demonion,
anise është ekzagjerim të pohohet se ky duhet të jetë një engjëll.
E vështirë t’ia qëllosh ku i ka rrënjët kjo krenari e poetëve,
kur aq shpesh turpërohen nga ekspozimi i brishtësisë së tyre.
Cili njeri i arsyeshëm do dëshironte të jetë një qytet demonësh,
të cilët sillen si në shtëpinë e tyre, flasin në shumë gjuhë
dhe të cilët nuk janë të kënaqur me vjedhjen e buzëve a të dorës,
tek merren me ndryshimin e fatit të tij sipas rehatisë të tyre?
Është e vërtetë, diç që është ngjethëse vlerësohet shumë sot,
kështu që mund të pandehni se jam vetëm duke bërë shaka,
apo se e kam shpikur dhe një mjet tjetër më shumë
për ta lavdëruar Artin me ndihmën e ironisë.
Ishte një kohë kur vetëm libra të mençur lexoheshin,
na ndihmonin rreth peshës së dhimbjes e të mjerimit tonë.
Në fund të fundit, kjo s’është pothuaj e njëjta gjë me gjethërimin
e njëmijë veprave të freskëta nga klinikat psikiatrike.
Megjithatë bota është ndryshe nga ç’duket të jetë,
dhe ne jemi ndryshe nga si e shohim veten në përçartjet tona.
Njerëzit, pra, e ruajnë integritetin e heshtur,
duke fituar kështu respektin e të afërmve dhe të fqinjëve.
Qëllimi i poezisë është që t’na e përkujtojë sa e vështirë
është të ngelesh vetëm një person, meqë shtëpia jonë
është e hapur, nuk ka çelësa në dyert dhe vizitorët
e padukshëm hyjnë e dalin sipas dëshirës.
Ajo që po thosha këtu, jam dakord, nuk është poezi,
pasi poezitë duhet të shkruhen rrallë dhe pa dëshirë,
nën presion të padurueshëm dhe me shpresën se vetëm
shpirtrat e mirë, jo të ligët, na zgjedhin si instrument të tyre.
Berkeley, 1968
– – –
© 1988 Czeslaw Milosz Royalties, Inc. – Burimi: The Collected Poems: 1931-1987 (The Ecco Press, 1988)
© përkthyer në anglisht nga Czeslaw Milosz dhe Lillian Vallee, në shqip S. Guraziu – Ars Poetica, 2013