Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Islanda dhe Irlanda, vendet më paqësore të botës (2024)


(ars poetica blog, mars 25 – pak fjalë)

Duke u bazuar në “The Global Peace Index” (i cili indeks qenka nisur në v. 2008, e që është një sistem listimi i miratuar nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen – IEP) autorja Julie Peasley i paska renditur 12 vendet më paqësore gjatë 5 viteve të fundit.
Islanda qenka vendi më paqësor i botës, e paska mbajtur vendin e parë që nga fillimi i indeksit në v. 2008 (anise islandezët janë pak, pothuaj një qytet ~390.000 banorë (pothuaj sa Prishtina + Durrësi së bashku), duken të “vegjël” për ta kërcënuar paqen – mirëpo nëse të merreshin me kontrabandë armësh – bie fjala, kjo statistikë do ta prishte “pasqyrën” e tyre paqësore, Indeksi i matka plot 23 metrika të ndryshme).

Dhe diç mjaft interesant si detaj nga lista qenka se 9 nga 12 vendet më paqësore të botës i takuakan Evropës, dmth. në njëfarë mënyre Evropa u përshfaqka si rajoni më paqësor në përgjithësi.
Mua s’do më kishte shkuar mendja, ehuuu Evropa paqësore, tingëllon mjaft “kontradiktore” – do thosha : ) Madje, sipas meje, lista e paska “harruar” Shqipërinë fare, vendin më paqësor të botës. Shqipëria është vend që kurrë s’e ka sulmuar askend, s’e ka nisur asnjë luftë (përveç luftrave kundër okupatorëve, gjatë historisë), kurrë s’e ka kërcënuar akëcilin vend, kurrë s’e ka pushtuar asnjë ishull që nuk i takon, asnjë rajon, asnjë provincë, asnjë fshat… vend i cili nuk është rritur madje as duke u “zgjeruar” në det, duke e zaptuar detin e vet me tokë (si Holanda psh., si Kina etj).

E saktë se dhe Islanda shembullore, njësoj paqësore, edhe Zvicra ka mbi 700 vjet rehat, neutrale, s’e ka sulmuar askend, s’ka si më bukur nëse paqja zotëron, nëse në kokat e njerëzve pacifizmi dominon… por deshëm të themi se dhe Shqipëria njësoj, 100% shembullore. Sipas nesh listës së paqes do duhej t’i printe edhe Shqipëria ndonjëherë – herë Shqipëria e herë Islanda, 1 vit njëra vitin tjetër tjetra, dy zonjat krenaroshe të Evropës, edhe Shqipëria edhe Islanda të dyja faqebardha : )

Lista për v. 2024 qenka si vijon [ 2024 ] 1 – Islanda / 2 – Irlanda / 3 – Austria / 4 – Zelanda e Re / 5 – Singapori / 6 – Zvicra / 7 – Portugalia / 8 – Danimarka / 9 – Sllovenia / 10 – Malajzia / 11 – Kanadaja / 12 – Republika Çeke.

“The Global Peace Index” i identifikuaka dhe i përcillka 23 metrika të ndryshme sa i përket paqes, në 163 vende të botës. Çdo vit, Indeksi i krahasuaka 163 vende bazuar në faktorë të tillë si shpenzimet ushtarake, importet dhe eksportet e armëve, shkallëzimet e terrorit politik, vdekjet nga konfliktet e brendshme dhe të jashtme, armët e rënda dhe ato bërthamore, përceptimet e kriminalitetit, shkallëzimet e vrasjeve, paqëndrueshmëritë dhe luhatjet politike, krimet i dhunshme dhe demonstratat etj.

(burimi dhe referencat: voronoi, visual capitalist, 2024)

Please follow and like us: