Premierë e kompozitorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Thoma Simaku me Orkestrën London City Philharmonic

Ditën e shtunë më 8 Mars 2025 orkestra London City Philharmonic e drejtuar nga Olsi Qinami dha koncertin “Simfoni Pranverore” në sallën e mbushur plot të katedrales Holy Trinity Sloane Square në Londër, ku perveç kompozitorëve Çajkovski dhe Rahmaninov, u interpretuan dhe dy vepra shqiptare: Suita nga opera “Mrika” e Prenkë Jakovës, orkestruar për harqe nga Gjon Simoni, që u interpretua me shumë ndjenjë dhe emocion nga Kuarteti i Harqeve i Orkestrës Simfonike të Radio-Televizionit të Shqipërisë drejtuar nga Blerta Ristani dhe premiera botërore e veprës “The Nightingale” e kompozitorit shqiptar me banim në Angli Thoma Simaku, që u interpretua nga harqet e orkestrës London City Philharmonic nën batonin e dirigjentit Olsi Qinami.
Siç e përshkoi gazetarja Anila Kadija në artikullin e saj për Gazetën e Diasporës, “Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte prania e kompozitorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Thomas Simaku, i cili ka ndërtuar një karrierë të shquar jashtë Shqipërisë.
Ai ndau me publikun emocionet e tij për interpretimin e një prej veprave të tij të para, të shkruar në vitin 1976, kur ishte ende në fillimet e tij si kompozitor. Ishte një çast reflektimi mbi rrugëtimin e tij artistik, duke e lidhur të shkuarën me të tashmen nëpërmjet muzikës”.
Duke folur për veprën “The Nightingale”, që është e bazuar mbi këngën popullore shqiptare “Bylbyli”, dirigjenti Olsi Qinami shpjegoi për spektatorët: Sonte kemi “tre të para” në një koncert:
Së pari, kjo është vepra e parë e kompozitorit Simaku të cilën e shkroi kur ishte stuident në vitin e parë në Konservatorin e Tiranës;
së dyti, kjo ishte gjithashtu, vepra e tij e parë e ekzekutuar në Britaninë e Madhe që kur kompozitori u vendos në këtë vend me 1991 dhe së treti, ky është ekzekutimi i parë i kësaj vepre në versionin për orkestër harqesh.