Vaid Hyzoti: I vogël në Nju Jork
Me bindjen universale, instiktive të çdo prindi,
Me dashurinë e përbotshme, se fëmija im
është më i miri,
Me ëndrrën e kahershme që fshihja në veten time,
Erdha në Nju Jork për rritjen e tim biri.
*
Erdha,
Ndonëse e kisha lexuar disa herë porosinë e Markesit,
Latinit të çmendur pas të vërtetave e magjive,
Se në këtë qytet vijnë ata që vendosin për të vdekur…
E kush s´do lumturohej të vdiste për ëndrrat e fëmijëve!
*
Erdha të zvogëlohem, të shtrydhem,
veç djali të rritej shpejt
Dhe kurrë të mos ankohem se po më bie takati.
Ani pse gjunjët më dridhen aq shpesh,
Ani pse shpesh më dhemb i gjithë shtati.
*
Dhe djali (Zot, ma ruaj!) sa shtat ka hedhur,
Krejt gjuhën e këtij vendi mori për vete.
Më përkëdhel, llaston, më mban si të vogël,
Kur them diçka anglisht, shpërthen në buzëqeshje…
*
Më mëson të sillem, nuk më lë të nxehem
Kur bosi pa shkak më largon nga puna…
Duhet t´i them “sër” një zezaku të dehur,
Që kalamendet dhe s´gjen ku është udha;
*
Dhe kuçkës së droguar polake në hyrje të apartamentit,
Që tërë natën bërtet, qesh e kakaris,
Duhet t´i lutem plot edukatë:
Jam në punë nesër, ule pak zërin…miss!
*
Dhe unë bindem.
Si manar, unë i vogli bindem
Para urdherave të tim biri me… edukatë shtetërore.
Më gëzon që më llaston, kujdeset për mua.
Ka merak dhe ende më mban përdore.