Nexha Gjema: Shkolla e parë shqipe u hap më 1258 në Ulqin
Shkolla shqipe ka një traditë të gjatë. Nga hulumtimet e deritashme që kanë gjetur dhe publikuar studiuesit e gjuhës shqipe, shkollës shqipe dhe historisë së shqiptarëve vërtetohet se shkollat shqipe kanë një histori prej së paku 8 shekullore dhe nga të dhënat e deritashme, ato janë hapur kryesisht nga priftërinj katolikë të ritit françeskanë dhe kryesisht në Shqipërinë bregdetare ndërmjet Kotorrit e Durrësit.
Këto shkolla janë hapur pra disa shekuj përpara “Formulës së Pagëzimit” (1462, i pari dokument shqip që deri tash e njohim) dhe botimit të librit të parë shqip që e njohim deri tash “Mesharit” të Gjon Buzukut më 1555. Prandaj, dëshmitë e ndryshme si ajo e murgut Brokard se shqiptarët kanë librat e tyre me shkrim latin duhet të jetë e saktë dhe iu mbetet studiuesve të ardhshëm të hulumtojnë në këtë fushë.
Madje besohet se shqipja mund të jetë shkruar edhe disa shekuj më herët (dhe të ketë pasur shkolla para kësaj të Ulqinit) me shkrim biblik në Jug dhe Juglindje të tokave shqiptare, që përkon me periudhën e Bizantit dhe me Kishën e Lindjes, të cilës Kishë i përkisnin një pjesë e madhe e shqiptarëve.
Nga të dhënat e hulumtimeve të deritashme nga studiues shqiptar kemi këtë kronologji për ekzistimin e shkollave shqipe:
– Shkollën shqipe në Ulqin (1258)
– Shkollën në Durrës (1278), dy shkolla;
– Shkollën shqipe në Shkodër (1345 dhe 1395);
– Shkollën shqipe në Tivar (1349), Pult (1367),
– Shkollën shqipe në Drisht (1396).
– Në vitin 1584 u themelua shkolla shqipe nga klerikë katolikë në Stubllë (afër Gjilanit- fshat i Malësisë së Karadakut) i njohur si Kolegji i Shën Lukës në Kosovë.
– Në vitin 1632 – Hapja e shkollës shqipe të Kurbinit nga Imzot Gjon Kolesi.
– Në vitin 1638 – Etërit Françeskanë hapën një shkollë në Shkodër dhe në Pllanë.
– Në vitin 1639 – Fretërit e Troshanit hapën shkolla në Blinisht dhe në Zadrimë.
Arqipeshkvi Pjetër Mazreku nga Prizreni në raportet e tij (të shkruar në vitet 1632-1633) thekson rolin e shkollës dhe nevojën e shkollimit të shqiptarëve.
Në vitin 1664-hapet shkolla shqipe në Janjevë, afër Prishtinës me kërkesë të Andrea Bogdanit dhe me mësues të parë Pjetër Mazreku.
Më 1698 – Padër Filip Shkodra çelë shkollë në familjen Kamsi, në Shkoder.
– Në vitin 1885 në Prizren, gjejmë një shkollë fillore shqipe për vajza.
– 1858 – Kushë Micja çelë shkollën për vajza shkodrane.
– Në vitin 1861 françeskanët hapën një shkollë fillestare publike në Shkodër.
– Në vitin 1874 në Shirokë hapet një shkollë , ku mësohet gjuha shqipe dhe aritmetika nga Dom Zef Ashta dhe disa e konsiderojnë si shkollën e parë laike.
Në 1879 në Shkodër Motrat Stigmatine hapin një shkollë fillore për vajza.
Shkolla e parë shqipe në Korçë e hapur me 7 mars 1887 me mësues Pandeli Sotiri është shkolla e parë laike në trojet shqiptare, por që ishte vazhdim i një tradite të mëhershme mbi 600-vjecare, por pa të drejtë, herë nga mosdija e herë nga interesa të caktuara pansllaviste është heshtur kjo traditë mbi 800-vjecare që e njohim e ekzistencës së shkollës shqipe brenda hapësirës shqiptare.
Kjo iu ka kushtuar shqiptarëve pasi në literaturën dhe në propagandën antishqiptare, shqiptarët janë paraqitur si njerëz dhe si popull pa tradita kulturore dhe jo rrallë edhe si popull endacak, apo edhe si mbetje osmane dhe konglomerat popujsh e kulturash.
Prandaj, së paku më 7 mars, kur e shënojmë Ditën e Mësuesit Shqiptar mësuesit dhe përfaqësuesit e institucioneve që shënojnë këtë ditë me rëndësi është mirë dhe e domosdoshme të tregojnë se edhe para 7 marsit të vitit 1987 shkolla shqipe kishte një traditë mbi 600-vjeçare para se të hapej kjo shkollë.
https://zeri.info/…/shkolla-e-pare-shqipe-u-hap-me…