Albspirit

Media/News/Publishing

KRISTAQ KOLA-AGRONOM ME DIPLOMË TË ARTË, POR ME “CEN” NË BIOGRAFI

nga: Agr. Koço MOSKO
Boston, SHBA

Agronomi Kristaq Kola lindi në qytetin e Gjirokastrës në 20 tetor të vitit 1933, në një familje tregtarësh artizanë. Baba i tij,Thomai, kishte në ‘Qafën e Pazarit” një dyqan me emrin “Arbërore”,  ku përgatiste e tregëtonte veshje shajaku të traditës si: kostume popullore, sharqe, guna, etj. Origjina e familjes “Kola” si shumë familje të tjera ortodokse të Lagjes “Varosh” është nga  fshati i martirizuar i Hormovës, që ndodhet në skain verior të faqes lindore të malit të Lunxhërisë. U detyruan të shpëngulen nga fundi i viteve 1700, pas masakrës  së tmerëshme që bëri Ali Pashë Tepelena në këtë fshat. 

Gruaja e Thomait, nëna e Kristaqit, Aspasia, rridhte nga fisi Mosko nga lagjia Pazar i Vjetër, ndënë kala. Edhe kjo ishte një familje tregtarësh terezinj. Thomai me Aspasinë lindën katër fëmijë, dy djem e dy vajza. Kristaqi ishte fëmija i fundit, më i vogli ndër ta. Ai në fëmijerinë e tij u end në kalldrëmet e rrënuara të rrugeve të lagjeve “Varosh”, “Palorto” e “Hazmurat”. Pati një fëmijëri të trazuar, plot me frikë e pasiguri. Ishte kohë luftrash. Qytetin e gurtë në një kohë shumë të shkurtër e shkelën tri ushtri të  huaja:  ajo italiane, greke e gjermane.

 Shkollimi 

Ishin vitet 1939-1944 kur Kristaqi duhej të shkonte në shkollë.  Arsimimin  fillore dhe atë shtatëvjeçare e morri në shkollën “Koto Hoxhi” që ndodhej në lagjen e tij “Varosh”. Që në fillore ai u dallua për shkathtësi e zgjuarsi. Para së gjithash ra në sy talenti dhe aftësia e tij improvizuese si aktor. Këtë e vunë re mësuesit e talentuar: Koço Kostaqi, Ferhat Kërri e Urani Zhupa, të cilët ishin edhe organizatorët e aktiviteteve artistike të shkollës.

Për herë të parë që në vitin 1945, kur ishte në klasën e katërt të shkollës  fillore, u aktivizua me sukses në shumë aktivitetet artistike të shkollës.  Këtë dhunti të tij ai do ta ushtronte gjatë gjithë jetës, në vitet e shkollës shtatvjeçare, gjatë gjimnazit si dhe kur mbaroi shkollën e lartë e punonte agronom. 

Në vitin 1949 filloi studimet në gjimnazin “Äsim Zeneli”. Edhe këtu u shqua për rezultate të mira në mësime si dhe veprimtaritë artistike, megjithëse stafi drejtues i këtij gjimnazi, nuk tregohej shumë dashamirës ndaj tij. Nga vitet e gjimnazit, që ai i quante të bukura, ruante si kujtim disa fotografi me miqtë e tij si:  Ismail Kadarenë, Agim Shehun, Bekim Harxhin, etj. Në një nga këto fotografi dallohet edhe “Mësuesi i Popullit”  Thoma Papapano. 

Në përfundim të maturës, ëndërra e Kristaqit ishte ndjekja e një shkolle arti. Por, në fakt drejtimi që morri në jetë ishte krejt tjetër. Ai u dërgua për studime në Institutin e Lartë Bujqësor,  Kamzë, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. 

Në fillimin të studimeve të larta, familja Kola goditet nga një ngjarje e rëndë. Në 8 shtator të vitit 1953, babai i tij, Thoma Kola, dënohet me dhjetë vjet burg me akuzën për “Agjitacion e Propagandë”. Gjendja ekonomike e familjes u rrëndua së tepërmi, pasi të ardhurat bazë për familjen siguroheshin nga puna e babait në rrobaqepsinë  e dyqanit “Arbërore”. Arsimimi i Kristaqit u rrezikua ndjeshëm, por duket se ndërhyrja e familjarëve dhe kushërinjve të tij, bënë që pavarësisht kushteve të këqia ekonomike, ai ta fillojë vitin e parë në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës. Një dokument i asaj kohe vërteton më së miri gjëndjen e vështirë ekonomike të kësaj familjeje. 

Kërkesat dhe lutjet e Kristaqit drejtuar autoriteteve lokale  për t’u mbështetur me bursë u pasuan nga heshtja. Gjithsesi, pavarësisht degës që i dhanë dhe vështirësive të mëdha ekonomike, ai i mbaroi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera, me medalje ari.

 Vitet e punës 

Pas mbarimit të studimeve, përmes një dokumenti lëshuar nga Instituti i Lartë Bujqësor Kamëz, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës, vihet re se karakteristika e tij ndryshon ndjeshëm nga ajo me të cilën e përcolli qyteti i lindjes, përmes drejtorisë së gjimnazit katër vite më parë.  Në karakteristikën qe lëshoi Instituti Lartë Bujqësor  thuhej: “Është shumë inteligjent dhe përpiqet t’i shtojë njohuritë shkencore. Mund të punojë në ç’do degë të bujqësisë, pasi është kuadër i përgatitur mirë.” Kjo bëri që ai të emërohet në Shkodër, një rreth bujqësor i rëndësishëm, me probleme të shumta e të mprehta në atë kohë, që kërkonin  zgjidhje. Ministria e Bujqësisë e emëroi agronom në Seksionin e Bujqesisë të  Komitetit Egzekutiv të këtij rrethi. Atje punoi me përkushtim për mbarvajtjen e bujqësisë të këtij rrethi për tre  vjet.

Në fillim të vitit 1960, transferohet në rrethin e Gjirokastrës. Fillon punë në ish Fabrikën e Duhan Cigareve. Kjo  punë ishte e veçantë. Kërkonte të zgjidhje mirë linjat e proçeseve teknike e teknollogjike të grumbullimit, përpunimit e fermetimit të duhanit. Përveç kësaj Kristaqi ndiqte  nga afër edhe kultivimin  e duhanit nëpër ekonomitë bujqësore të rrethit, që nga kujdesi për farishtet, vjelja në kushte teknike dhe  tharja  e përpunimi i tij nëpër hangare.

 Kur isha me punë agronom në ish kooperativën bujqësore “Asim Zeneli”, rreth një muaj mbikqyrja dorëzimin e duhanit  të kooperativës tonë në ish Fabrikën e Duhan-Cigareve, për kontraditat  që krijoheshin gjatë dorëzimit. Aty e njoha Kristaqin. Ishte shumë serjoz  në punë të cilën e bënte me pasion.  Vërejta një teknollogji fermentimi e përpunimi  të duhanit si dhe një staf  të mirëpërgatitur.  Kur më pas isha inspektor i mbrojtjes së bimëve të rrethit, asistoja në dezinfektimet e pervitshëm të duhanit dhe  mjediseve të fabrikës, që kryhej ndaj dëmtonjësve të duhanit.  Kristaqi ishte gjithmonë në krye të punëve. Ky proçes nuk lejonte gabimin më të vogël se ishte me pasoja të rënda.

 Puna në ish Ndërmarjen e Duhan Cigareve siç  përmenda më lart, kërkonte përgjegjësi, përgatitje shkencore e  përkushtim. Kristaqi e përballonte me një punë e disiplinë shembullore e me orare të zgjatura. Për rezultatet e aritura, ai u bë shpesh edhe objekt i kronikave të mediave lokale dhe qëndrore. Duhanit i kushtohej kujdes pasi ishte një e ardhur  e mirë për ekonomitë emiirëpër ekonomitë  bujqësore të rrethit Gjirokastrës. Mbilleshin rreth njëmijë ha.  e prodhoheshin rreth një mijë ton duhan  në  vit, vetëm në këtë rreth. 

 Ne vitin 1961 Kristaqi gjen shoqen e tij të jetës, martohet me Angjelina Papazisin nga lagjia “Varosh”.  Lindën, rritën e edukuan tre fëmijë: Mimozën, Almën dhe Dritanin, të cilët kanë krijuar familjet e tyre. 


Falë rezultateve të aritura, në vitin 1965 agronom Kristaqi  emërohet krye agronom dhe zv. shef i Seksionit Bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv te Rrethit. Edhe këtu punoi me përkushtim, por  “ceni” në biografi i qëndronte si shpata e Demokleut mbi kokë. Në mënyrë paradoksale atmosfera e luftës së klasave, sikur po rikthehej në Gjirokastër. Dosja e tij do të niste sërish nga faqja e parë ku me të kuqe ishte nënvizuar qëndrimi i familjes gjatë luftës dhe sigurisht më vonë dënimi me burg i babait të tij.

Si rrjedhojë e kësaj, pas një viti pune në Seksionin e Bujqësisë, në vitin 1966, u dërgua në ish kooperativën bujqësore “Partizani” të Lazaratit. Mësuesi dhe ish drejtori i shkollës së mesme të Lazaratit,  Zija Basha,  e kujton kështu: 

“Agronom Kristaq Kola mbahet mend në Lazarat si  agronom i zoti, njeri i përsosur e punëtor i madh që i rinte punës përherë tek koka, me dituri e përkushtim! Qe shumë komunikues me njerzit e për çdo problem thoshte:“Ejani ta bejmë bashkë!” Dallohej  puna e tij pasionante  jo vetëm me duhanin, por dhe me kulturat e tjera bujqesore. Së bashku me agronomin tjetër, Orest Qirko, pëgatitën teknikë për farishtet e duhanit e perimeve si dhe dhe teknikët në hangaret e duhanit që i duheshin kohës. 

Unë kur punoja  ne ish Kooperativën Bujqësore  “Asim Zeneli” vërejta se në sektorin e Lazarat kishte një staf shumë të përgatitur për farishtet e duhanit dhe perimeve si dhe teknikët e përpunimit të duhanit në hangare. Kjo tregonte se kolegët e mi paraardhës kishin punuar me përgjegjësi. 

Zija Basha gjithashtu kujton: “Unë agronom Kristaqin e njoh edhe si aktor të Teatrit të Gjirokastrës. Ruaj kujtimet më të mira për ditët që kalova me të në xhirimin e filmit “Malet me blerim mbuluar”, ku spikati edhe talenti i tij aktorial, në filmin e regjisorit Dhimitër Anagnosti.

 Me sa duket ish Fabrika e Duhan-Cigareve nuk bënte dot pa agronom Kristaqin, po dhe agronom Kristaqi pa fabrikën. E kthyen sërisht në fabrikë. Me plot pasion dhe përkushtim vazhdoi në këtë ndërmarje punën që e la në mes.  Agronomi Thanas Xhumba kujton : “Njohjen e parë me Kristaqin e pata në ish Fabrikën e Duhan-Cigareve. Ishte një djalë i gjatë, simpatik dhe i sjellshëm.  Ish Kooperativa e Tipit të Lartë Grapsh  ku unë isha krye agronom, mbillte shumë duhan, rreth 250-300 hektarë. Në ish Fabrikën e Cigareve duhanin e dorëzonim gjatë vjeshtës. Shpesh teknikët tanë të duhanit kishin mosmarveshje me teknikët marjes në dorëzim të  fabrikës, për cilësinë, parametrat e lagështisë, kualitetin, etj. . Jo rrallë makinat ktheheshin mbrapa pa e dorëzuar duhanin. Në këto rraste ndërhynte Kristaqi për të  zgjidhur mosmarveshjet. Ai ishte  komunikues e ndërhynte gjithmonë me takt e mirkuptim, për t’i dhënë  zgjidhje kontraditave që krijoheshin. Kristaqi kishte prirje edhe për aktor.

Por, njerëzit që merëshin më biografitë, vazhdonin të gërrmonin. Sikur të mos mjaftonte babai, në biografi shtohet edhe dënimi për politikë i djalit të xhaxhait. Tani hijenat e biografive do ta sulmonin ndryshe.  Dhjetë ditë përpara provës së përgjithëshme në teatër, e thirrën në drejtorinë e ndërrmarjes për t’i komunikuar se duhet të ndërpriste provat me teatrin, pasi në fabrikë kishte shumë punë. Ky në fakt ishte vetëm preteksi. Dikush u rikujtua ta hapë edhe një herë nga faqja e parë dosjen e tij. 

Plot pas 10 vjetësh, e rikthejnë edhe njëherë në koperativën “Partizani” të Lazaratit. Ky “transferim” me sa u faktua më vonë, nuk ishte thjesht një qarkullim i zakonshëm kuadri që ndodhte rëndom në atë kohë. Për këtë njeri të zotin në punë dhe të apasionuar, thellë në skutat e errta dikush  po përgatiste për Kristaqin  një të arthme tjetër, të arthme të errët. Rregjimi nuk jetonte dot pa armiq. Dhe aty ku armiku mungonte, ai e sajonte . 

Përkushtimi i tij në punë dhe aftësia profesionale bënë që Kristaqi të rikthehet përsëri nga Lazarati në fabrikë, madje të vijojë të japë edhe mësim në shkollën teknologjike e cila ishte hapur për kualifikimin e puntorëve të saj.

Në vitin 2018, në kuadër të 50 vjetorit të themelimit të teatrit profesionist të Gjirokastrës ai u nderua nga Këshilli bashkiak me titullin ” Qytetar Nderi”, me këtë motivacion:
“Për kontributin e dhënë  në lëvizjen e teatrove para dhe pas krijimit të  Teatrit Profesjonist të qytetit, duke u bërë një nga amotorët më të talentuar të tij.  Intelektual dhe drejtues me vlera të spikatura që e nderon qytetin e Gjirokastrës.“

Pas gjithë këtyre përpjekjeve në punën e tij si agronom dhe aktor ne teatër e kinema, i vëmendshëm ndaj njerëzve të dosjeve, pas rreth 40 vjet punë, në vitin 1998 del më pesion. Ndërroi jetë më 4 gusht të vitit 2008.

Rugëtimi përmes dosjes së Kristaq Kolës, nuk është një përallë, por  një e vërtetë e hidhur e të kaluarës

Ne kooperativën e Lazaratit
https://bota-bujqesore.blogspot.com/2025/03/kristaq-kola-agronom-me-diplome-te-arte.html?fbclid=IwY2xjawI9nZ9leHRuA2FlbQIxMQABHZwa5JZxCRiBuHySCXgZnwwZwU60hk1jbngsAqstgtcpTIp9PT-Vm2StcQ_aem_S8rnSXzeFZNXbF669iSHqQ
Please follow and like us: