Albspirit

Media/News/Publishing

Uvil Zajmi: Historia e bankierit që takoi Albert Ajnshtajnin në Tiranë!

Atë njeri e kam njohur nga afër. Falë miqësisë me fëmijët, me të afërmit e tij. Veçanërisht Hajati Begën, fisnikun, bankierin me famë të Tiranës.

Aftësia në profesion, mbi të gjitha për atë çfarë përfaqësonte, reflektonte intelektualin absolut të kohës, burrin modern, për elegancën, ndërsa shëtiste, një “borgjez” i kryeqytetit, siç edhe e kanë cilësuar. Me pochettein e pandarë, pak brilantinë, mustakë të bardha, i veçantë në estetikë, veshje me xhaketat disangjyrëshe “doppio petto”. Me një kulturë, shkollim, paraqitje, qëndrim perëndimor, një sfidë e hapur ndaj sistemit, regjimit, censurës, mbylljes. Bankieri që pati takuar Albert Ajshtajnit, që kundërshtoi njehsimin e lekut shqiptar me dinarin jugosllav dhe si ruhej nga Sigurimi i Shtetit. Miqësia me doktor Kristidhin, takimi me vëllain e motrën pas 40 vitesh, deri te garderoba si askush tjetër. Me një dëshirë të kahershme për t’ua risjellë e rrëfyer lexuesve, këtë personazh unik kryeqytetas ma ofroi Banush Bega, djali i dytë i tij. I ardhur nga Greqia ku jeton prej vitesh bashkë me familjen, më telefonoi për një kafe. Biseda me Banushin, përveç, rikthimit në vitet e kaluara, ishte shumë interesante edhe për çfarë ai kujton, tregon për të atin e tij.

hajati bega

Z. Banush, cili ishte Hajati Bega?

Babai ka lindur në Janinë, më 1905. I ati Riza Bega ishte bej. Kur dilte me pajton, të gjithë njerëzit çoheshin në këmbë. Emrin e gjyshit, Riza, e ka vëllai i vogël. Ata ishin katër fëmijë, dy djem e dy vajza: Rexhai, i madhi; Hajatiu dyti dhe dy motrat, Hidu dhe Kadrija. Filloren e kreu në shkollën e Medresesë, pasi i ati dëshironte ta bënte hoxhë, por Hajatiu nuk pranoi, duke vazhduar të mesme, Zosimen, në Janinë. Pasi e kreu, u nis në Napoli ku përfundoi universitetin në degën për Ekonomi-Tregti.

Në Itali, ku ka edhe vëllain?

Në Romë, prej vitesh jetonte me vëllain e madh, Rexhaiun. Me nënshtetësi italiane, diplomat, si ambasador, kishte në Turqi, Bullgari, Zvicër. I kishin propozuar të vinte edhe në Shqipëri, por e pati refuzuar, pasi janë vitet kur këtu është Ahmet Zogu Mbret.

Shumë i shpejtë në sistemin financiar shqiptar?

Pasi mbaroi shkollimin, Hajatiu nuk u kthye në Greqi nga frika se do e merrnin të kryente shërbimin ushtarak. Për këtë arsye zgjodhi të vinte në Shqipëri. Kanë qenë fundvitet 1920, kur ai është 25 vjeç. Fillimisht nisi punë në bankën e Vlorës. Pastaj erdhi në Tiranë. E emëruan drejtor të Thesarit, në Bankën Qendrore, ku drejtor i përgjithshëm ishte italiani Aracini. Shtëpinë e kishte të Rruga e Elbasanit, një ndërtesë pak më sipër sa kalon Liceun Artistik. Beqar, prindërit, i ati, nëna ishin ndarë nga jeta. Motrat në Janinë, vëllai në Romë. Jetonte vetëm, mbante një qen të bukur, që e shoqëronte, e përcillte, e priste kur shkonte e vinte nga banka.

Njohja me gruan, martesa

Sulejman Starova, ministër i Financave në atë kohë, kishte katër fëmijë: Dritën, Petritin, Pelashin dhe Xhixhikon, që vdiq 24 vjeç. Banush Abdiu, një pasanik i njohur dhe doktor Rifat Frashëri. Banushi nuk kishte fëmijë dhe gruaja e tij i kërkoi motrës t’i jepte vajzën, Dritën, që e vogël shëtiste me pajtonin. Deri 14 vjeç nuk e dinte se ishte e adaptuar.Pikërisht me Dritën u martua Hajatiu. Dasmën e kanë bërë në Tiranë, më 1935.

Lind fëmija e parë, shoqëruar edhe me një transferim?

Më 1936 lindi Orhani, fëmija i parë, ndërsa jetojnë ende me banim te Rruga e Elbasanit. Në ketë kohë, familja e babait, merre shtëpi, duke u transferuar te vila dykatëshe, që është edhe sot, në sheshin “Avni Rustemi”, pranë ndërtesës së Demnerëve. Kati i parë me dyqane. Më 1946, linda unë.

Banoni në një shtëpi të bukur, që pëlqehet nga të tjerët?

Më 1947, një gjykatës i njohur i Tiranës, shpreh dëshirën që shtëpinë tonë ta përdorë si Prokurori. Na morën, na hoqën, na çuan te rruga “Hoxha Tahsim”, në një banesë pranë xhamisë. Në tarracën e saj ku kishim mbledhur limonë, portokallë dhe para se të iknim, Orhani mori një sëpatë dhe nga inati i preu të gjitha. Nevrikoset ky prokurori, thërret Hajatiun dhe Dritën t’i fuste në burg. E merr vesh Petrit Strarova, në atë kohë, prokuror në Krujë, e takon dhe i thotë: “Motrën time do të arrestosh?”. Kaq mjaftoi dhe Drita me Hajatiun shpëtuan. Te shtëpia ku shkuam lindi Rizai, vëllai i vogël.

Z. Banush, flitet edhe për një takim të Hajati Begës me Ajnshtajnin?

Sa e vërtetë është Ne fëmijët e dinim këtë histori, pasi babai e kujtonte, pa pasur asnjë frikë edhe ta tregonte. Rreth vitit 1930, në Tiranë kanë ardhur doktorë, profesorë të huaj, për të marrë pasaportën shqiptare, me të cilën mund të shkoje kudo. Nuk kishte nevojë as për viza. Edhe për paranë ishin napoloni, floriri monedhë dhe kartë. Midis tyre dhe Ajshtajni. Gjatë qëndrimit në Tiranë, ai shkon në bankë, te sporteli, duke i kërkuar babait të bënte një transfertë me para, të ardhura nga një bankë gjermane në emrin e tij. Duke qenë se ishin veprime për një person të panjohur, një emër jo dëgjuar për të, babai takoi drejtorin.

Dhe si vijoi me klientin e shfaqur në sportel?

I tregoi se një qytetar gjerman me emrin Albert Ajnshtajn kërkonte të bënte një veprim financiar, që nuk ishte praktikuar më parë. Drejtori, italiani Racini, i befasuar pati reaguar menjëherë, duke e sqaruar si ai njeri ishte një nga filozofët, shkencëtar në të njohur: “Bega mbaroi punë – e kishte urdhëruar. Mos harro t’i marrësh firmën”. Pas pak ditësh, Ajnshtajni mori pasaportën shqiptare dhe iku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më thatë edhe për një detaj, që lidhet me Ahmet Zogun? Bëhet fjalë kur pas çlirimit, qeveria komuniste e akuzonte Mbretin Zog që ka vjedhur, ka marrë me vete arin e bankës kur u largua. Sipas babait, Zogu mori vetëm 135 mijë franga, napolona ari që kishte në bankë dhe që ishin kursimet e tij. Asgjë më tepër. Babai e njihte mirë Thesarin. Këtë nuk e tregonte, ndërsa ne në shtëpi e dinim.

Një propozim që pasohet me ndëshkim?

Deri më 1953-‘54 ishte drejtor i Thesarit të bankës. Në këtë periudhë i propozuan të bëhej anëtar partie. “Unë nuk kam qenë as në kohën e Italisë i angazhuar politikisht, jam nëpunës, profesionist”, – iu përgjigj. E hoqën e çuan kasier i parë, ai që priste njerëzit. Me cigare në gojë numëronte u jepte klientëve paratë. Shkoja unë nganjëherë, pse ke ardhur më pyeste. Ka ndodhur ndonjë gjë?

 Cili ishte rituali ditor i Hajati Begës?

Ngrihej herët, donte një orë të lahej, rruhej, rregullohej. Kontrollonte këmishët, xhaketat, kravatat, këpucët. Çdo ditë vishte diçka ndryshe dhe të ishte para orës 8 në bankë. E llogariste hapin, ecjen, kur ishim me banim te “Hoxha Tasim”, kohën që i duhej për ta bërë në këmbë distancën. Deri kur doli në pension, nuk ndryshoi. I rregullt sistematikisht, vishej shumë mirë. E thërrisnin në bankë kur kishte ndonjë problem.

Një kafe me një mik, doktor të njohur?

Në orën 3, kur mbaronte orari zyrtar, në kthim ndalonte te “Kafe fshatari”, te sheshi “Avni Rustemi”. Aty priste deri sa të mbaronte vizitat doktor Kristidhi, që i kishte shtëpinë pak më poshtë e të dy bashkë qëndronin deri nga ora 6, e shoqëronin me një gotë raki. Pastaj në shtëpi. Shtrihej, kërkonte qetësi, dëgjonte radio, italisht. Edhe në shtëpi ishte shumë i rregullt në komunikim, veshje.

Vjen arrestimi i një miku, si e përjetoi?

Kishte një mik, Haver Haverigu, ish-përfaqësues i Fordit në Tiranë. Shpesh në darkë vinte në shtëpinë tonë se banonte afër, babai kishte një hartë të madhe e hapnin dhe diskutonin. Një ditë Haverigun e arrestuan, i pyesnin ku i ke fshehur paratë. Gjatë torturave me gozhda në këmbë, nuk mundi të duronte, i kam në bankë në Angli i thotë, duke i dhënë numrin sekret. I transferuan lekët sikur i kërkonte ai. Pas 6 muajve, e çuan në Shkodër si internim. Babai u mërzit shumë, e përjetoi gjatë, por pa bërë asnjë koment me askënd. As me ne në shtëpi.

Cilat ishin raportet e Hajati Begës me qeveritarët komunistë?

Ishte shumë korrekt, tejet i kujdesshëm. Baba e njihte Enver Hoxhën nga koha e luftës, dyqani “Flora”, shërbimin financiar që i bënte në bankë gjatë luftës. Më 1957 Enver Hoxha bëri një takim me intelektualët e Tiranës. Ndër ata ishte edhe im atë. Ishte habi tek të gjithë se, si ka mundësi që e kanë thirrur edhe Hajati Begën, atë borgjezin, komentonin?

Kundërshtar, në një proces financiar për kohën?

Kur u propozua njehsimi i dinarit me lekun, babai ishte kundra, “mos e bëni këtë gabim”, u thoshte. U vendos që të bëhej. Në hotel “Dajti” u organizua një darkë, ku ishin edhe përfaqësues të bankës jugosllave, asaj shqiptare, midis tyre edhe im atë. Kishte një zakon që nuk dilte në foto, gjithmonë me kurriz. Çohet përfaqësuesi jugosllav, “të ngremë një dolli për kryetarin Tito”, – thotë. Ndërhyn Hajatiu: Më përpara një dolli do ta ngremë për komandantin tonë thotë. Jemi në vitin 1947, ende nuk jemi prishur me ta.

Mungon një arkë me para, tentohet të fshihet?

Paratë shtypeshin në Jugosllavi dhe në Shqipëri i sillnin me avion. Për t’i marrë në dorëzim shkonte babai me dy oficerë të Ministrisë së Brendshme. Në aeroportin e Rinasit nisën t’i shkarkonin. Në procesverbal ishte shkruar për 7 arka të mëdha, ndërsa dorëzuan gjashtë. “Jemi në rregull – pyetën. – Jo – kundërshtoi Hajatiu. – Duhet të jenë shtatë arka, nuk ua firmos”, – u tha. Reaguan menjëherë, duke kërkuar të falur e nxjerrë nga avioni arkën e shtatë.

Ka refuzim për një apartament në qendër të Tiranës, pse?

Viti 1961-‘62 nisën ndërtimet e pallateve pas Bankës. Për të marrë një apartament aty, shkak u bë martesa e vëllait të madh Orhanit. Ishte krushqia e gruas së tij që ndërhynë dukë i siguruar një apartament me tri dhoma e një kuzhinë, pasi ne ishim tre djem, ndër ta Orhani i martuar. Por babai kundërshtonte, kishte frikë. “Nuk dua të jetoj në qendër të Tiranës, kur nga mëngjesi në darkë, ky borgjezi, ky borgjezi, erdhi edhe ky aty ku janë gjithë familjet, njerëz të partisë, qeverisë. Sidoqoftë, nisur nga vështirësia, pranoi. Edhe nga fakti se kishte afër bankën.

Itali, një përqafim pas një kohe shumë të gjatë?

Në Itali shkoi më 1970. Nuk kishte tentuar asnjëherë më parë. I bëri ftesë vëllai nga Roma, i dhanë vizën për 1 muaj, qëndroi gjashtë, duke shtyrë në ambasadë. Pas 30 vitesh, bashkë me vëllain, aty u takua me motrën, Hidun e ardhur nga Greqia, se tjetra, Kadria kishte vdekur.

Televizorët bardhezi, që tronditën një kryeqytet

Kur u kthye, solli 17 televizorë, bardhezi, 24 polce. Është koha kur Tirana ka pak të tillë, vetëm disa familje. Ua dhuroi të afërmve, miqve. Ndër të cilët familjes Starova që ishin vëllezërit e Dritës, mamasë, pra dajave, një tjetër doktor Adnan Këlliçit që e kishim edhe komshi. Bëri bujë, si mundet që një person, të sjellë kaq shumë televizorë, si një sfidë edhe për shtetin. E thirrën në Degën e Brendshme, siç veprohej asokohe.

Pse kaq shumë, si munde t’i blije, ku i gjete paratë, për cilët i ke sjellë?

Mendonin se do t’i shiste. Edhe te komshinjtë, qytetarët e Tiranës diskutohej: “Hajati Bega, ai bankieri, që ka sjellë shumë televizorë nga Italia”. Një miqësi e kufizuar, jo me të tjerë Ditë e diel, ora 10, poshtë shtëpisë vinte doktor Kristidhi. Edhe ai tashmë në pension. Rrinte te vajza, artistja Bebi Kristidhi, bashkëshortja e kineastit të Pirro Milkani, bashkëshortë shumë të njohur dhe që banonin te Rruga e Durrësit. E thërriste nga poshtë: “Bega, Bega”. Babai ishte bërë gati, zbriste dhe dalëngadalë shkonin te Kisha e Shën Prokopit, te lokali aty lart. Pinin diçka, zakonisht vetëm raki, zbrisnin, dhe në drekë në shtëpi. Kishin edhe një shok, Leandro Lefterin, punonjës në bankë. Nuk shoqërohej me njeri tjetër dhe nuk frekuentonte lokale të tjetra.

Një shëtitje, ka kureshtje rreth një burri tejet elegant?

Kishte raste të dielën paradite, kur ishte kohë e bukur, shëtiste i vetëm gjithmonë nga krahu tjetër, ai përballë hotel “Dajtit”. Me pochette- in e pandarë në xhepin e vogël të xhaketës, një detaj estetik jo shumë i njohur në masë. Me pak brilantië, mustaqet e bardha, xhaketën “doppio petto”, varej nga koha, periudha, pranverë. Të gjithë shëtitësit kthenin kokën duke e parë cili është ky burrë kaq elegant. Deri tek universiteti, e kthehej. Mund të takonte dikë, rastësisht, por i rezervuar, pasi nuk i jepte mundësi askujt, edhe për biseda pa rëndësi, se ia interpretonin. Kjo e ka ruajtur, nuk kishin ku ta kapnin.

Një fundvit në hotel “Dajti”?

Ishte shumë i kujdesshëm, ia njihte agresivitetin dhe konsideruan si një borgjez, u shmangej vendeve publike, lokaleve të njohura e të kontrolluara. Vetëm Vitin e Ri, bashkë me mamanë, doktor Kristidhin me të shoqen e kalonin në hotel “Dajti”. Jo miqësi me njerëz publikë, të njohur midis tyre artistë, këngëtarë, aktorë. As shkrimtarë. Ruhej kudo dhe për çdo gjë. Operat i dëgjonte në radio. Kur erdhi nga Italia, solli një magnetofon profesional me shiritit. I pëlqenin tangot. Me zë të ulët, ruhej edhe nga lagjja, por nuk e ngacmonin. I respektonte të gjithë.

I veçantë edhe për një aftësi profesionale unike?

E njihte paranë, sasinë, mjafton ta kapte pakon e parave me dorë, duke përcaktuar sasinë, pa i numëruar, kaq para janë thoshte. Nuk gabonte asnjëherë. Në bankë ia dinin, njihnin të gjithë këtë aftësi. Ai bankieri që e di sa para janë edhe pa i numëruar, kështu e kishin cilësuar, vlerësuar. Mjafton ta prekte kartën, e dallonte menjëherë cila ishte false.

Kishte preferenca? Ku qethej, kujdesej për anën estetike?

Sigurisht. Ka qenë një berber prapa Pazarit të Vjetër, te Rruga e Dibrës, ku shkonin të gjithë sportistët. Berberë ishin dy vëllezër. Aty qethej. Çdo ditë rruhej, kishte kutinë e tij që nuk ia prekte askush nga ne fëmijët. Kishte raste edhe dy herë në ditë. Në mëngjes, dhe kur do të shkonte i ftuar në mbrëmje diku. Linte bakshishin, e respektonin, e ftonin edhe pa rrallë, por jo, nuk pranonte.

Cila ishte garderoba e Hajati Begës?

E kishte shumë merak dhe për të kujdes vetë. Rrobaqepësi ishte një mik i tij ku qepte këmishët, të cilat i konsideronte të rëndësishme dhe për to tregonte kujdes të veçantë. Kravatat gjithashtu, duke i vlerësuar si të parat e një burri, aq më shumë të një zyrtari, një bankieri. Xhaketat, veshjen ia sillte vëllai nga Italia.  Një garderobë e pasur dhe që askush nuk mund t’ia prekte.

Sa ishte i pranishëm në familje?

Nuk merrej me problemet tona. Ishte vëllai i madh, Orhani, që kujdesej për ne dy vëllezërit, shkollimin e lartë, gjithçka. Ndryshe nga im atë, ishte i rreptë. Sa ishte gjallë gjyshja, në shtëpi flisnim turqisht. Bashkë me Bedihanë, gruan e Sulejman Starovës, që ishte mamaja e nënës sime, i priste për drekë në shtëpinë kur ishim te “Hoxha Tahsimi”. Vinin ngadalë, flisnin vetëm turqisht. Babai fliste edhe greqisht, italisht, frëngjisht. Edhe Drita, mamaja komunikonte turqisht, anglisht, italisht, frëngjisht.

Me Petrit Starovën, avokatin e njohur si dhe Pelashin, që ishin dajat e mi, Hajatiu kishte shumë miqësi. Po sportin e pëlqente, kishte dëshirë ta ndiqte?

Pati një periudhë që nisi të shkonte në stadium. E ndiqte në televizor më shumë. Ishte tifoz modest i futbollit. Kishte kënaqësi kur në shtëpi na vinin miq, komshinj për të ndjekur ndeshjet, “Sanremo”-t, programet që transmetonte Rai, pasi vetëm ne kishim televizor. Me Andon Xhaçkën, drejtorin e bankës të Tiranës, tifoz i “17 Nëntorit” të viteve ‘70-të nisi të shkonte në stadium, bashkë me mjekun Adnan Këllici. Biletat ia siguronte Orhani si punonjës i “Qemal Stafës”, në tribunën A. Por, për një kohë të shkurtër.

Po Sigurimi i Shtetit tregonte interes për të?

Shumë vite më vonë e ka marrë vesh se ka qenë i ndjekur dhe se persona të veçantë, deri edhe në bankë, ishin të udhëzuar të qëndronin qëllimisht pranë tij duke e provokuar, e dëgjuar çfarë bisedash bënte ai, mendimet që kishte, çfarë diskutonte me miqtë e tij të afërt.

Z. Banush, si i kujtoni vitet e fundit të jetës së babait tuaj, Hajati Bega?

Jetë normale, asnjëherë të abuzonte. Pak radio, televizor, i sjellshëm, i edukuar, mikpritës, shumë i rregullt edhe në shtëpi. Dy herë ndërruam apartament, nisur nga vështirësia, tre djem të martuar, që kërkonin sistemim. U nda nga jeta më 1989, para se të vinte demokracia, i rikthyer në apartamentin e parë, atë të vitit 1963./ Gazeta Panorama

Please follow and like us: