Sakip Cami: Rruga e Arbrit
Poemth
E moçme sa vetë Arbri
Mbi trupin tënd karvanë pambarim
Kaluan shekuj, emri mbeti
Se mbretërit të çuan në harrim
Është rrugë e shkurtër për hasmin
Na mbin në derë menjëherë
Prandaj të mbyllet u muar vendimi
Mos hapet asnjëherë.
Rrugën e Arbrit, rrugën e Dibrës
Nuk e bllokoi dot asnjë qeveri
Nëpër ura të larta edhe tunele
Rruga për te zemrat çau çdo kufi.
Hej ju dibranë të përtej Drinit
Për një orë ejani në Tiranë
Dibra u bashkua në dy anët e Drinit
Tunelet dhe urat ja dolën an’e mbanë.
Te Ura e Vashës flet historia
Malin e Murrizit mposhti drita e Diellit
Te Ura e Drinit, zemrën ka Shqipëria
Djathtas në Shehër, lodra në kupë të qiellit
Te Ura e fshatit drejt në tunel
Nga ura e Vashës prapë në tunel
Nga tuneli në tunel
Vargu i makinave hyn edhe del
Shkallë e Tujanit, kreshnikja shkallë
Sa shumë karvane përcolle me sy
Sa shumë armiqve u bëre ballë
Por jo rrugës së re, rrugës Arbërisë
Moj Ura e Vashës
Më e larta në Ballkan
Dikur varri i pashës
Sot na bën krenar
Moj Ura e Fshatit
S’je më për një fshat
Sot ti lidh dy shtete
Ëndrrat tona zgjat.
Moj Ura e Drinit
Drinit që shëndrrin
Tiranë – Peshkopi
Për një orë mbërrin
Hej more tunel
Tuneli i Murrizit
Të lodhëm, na lodhe
Ta shtruam kurrizin
Rruga e Planit Bardhë
Gjarpëron n’luginë
Ca e mbajnë në Tiranë
Ca në Bulqizë, shtëpinë
Akull, ujë i ftohtë
Gurrat pa mbarim
Shijojeni o njerëz
Pëllëmbë e blerim
Ta gëzojmë Rrugën e Arbrit
Ta gëzojmë ditën e verës
Mbaroi dimri i ashpër
Shëndrrit lulja e pranverës.