Dr. Neki Dredha: Atje është rrënja
Ҫështë ky dimër, tha, imë,
Mos të janë mbytur gjemitë?
Apo te thanë ndonjë gjë,
Ndonjë lajm që të mërzit?
*
Në Ramicë – më thanë –
Të kemi emëruar.
Lajmi, që më dhanë,
Më la të trishtuar.
*
Ik, ik, më tha nëna,
Ik, mos kundërshto,
Atje është rrënja,
Kucka qysh në kohë.
*
Atje janë malet,
Vatrat stërgjyshore,
Zilet dhe ҫokalet,
Sazet baritore.
*
Atje është kërraba,
Ҫetelja e bariut,
Atje është zhgaba,
Zemra e Kuqeziut.
*
Atje jehojnë gurrat,
Ujërat pranverore,
Vedrat dhe ҫeturat,
Enët bulmetore.
*
Atje zgjidhen burrat,
Urtët e kuvendit,
Të dëlirë si ujërat,
Burimet e shkëmbit.
*
Atje mbrujtën virtytet,
Dhuntitë njerëzore,
Atje zhduken huqet,
Sjelljet djallëzore.
*
Atje plot nderim
Të thonë ‘si u gdhive’?
Me një vërshëllimë
Kthejnë ballin e dhive.
*
Atje baret stanarja,
Faqja rrëmba-rrëmba,
Ku e ndjell dyjarja,
E ҫon edhe këmba.
*
Atje ia thotë thëllëza,
Këngës mirë e shtruar,
Që josh tej në rrëza
Synë e prushëzuar.
*
Atje njihet jeta,
Vuajtja dhe gëzimi,
Atje e vërteta,
Ndrin si diell agimi.
*
Kaq nëna më tha,
Zemra, shpirtit im,
Mëdyshje s’më la,
Më ngjalli besim.
*
Vajta me ta bashkë,
Si vala drejt limanit,
Më pritën me ashk,
Veshkë në mes të dhjamit.
*
E kujtoj ҫ’më tha
Nëna shpirtfisnike:
-Fshati është usta,
Kudhër profetike.