DAILY HERALD, 1930:“Ç’BËRA HERËN E PARË KUR ERDHA NË ANGLI MË 1910…” — INTERVISTA ME ALEKSANDËR MOISIUN NË LONDËR
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2025
“Daily Herald” ka botuar, të shtunën e 24 majit 1930, në faqen n°7, intervistën ekskluzive asokohe me Aleksandër Moisiun në Londër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Mbërriti aktori i famshëm gjerman
Zoti Moisi tregon për romancën e tij

Zoti Moisi, aktori i njohur gjermano-italian, i cili do të shfaqet në “The Living Corpse — Kufomën e Gjallë” dhe më pas në “Hamletin” në Teatrin Globe, mbërriti dje në Londër.
“Hera e parë që erdha në Angli — ishte romantike”, tha ai për “Daily Herald”.
“Ishte viti 1910. Unë isha një italian, banoja në Gjermani. Unë do të martohesha. Por ishte shumë e ndërlikuar — kaq shumë dokumente, kaq shumë burokraci! Pra, zonja që tani është gruaja ime dhe unë — u vendosëm në heshtje në Londër dhe u martuam këtu”.
“Herën e fundit që isha në Londër kishte të bënte me punën time — kështu që ishte gjithashtu romantike. Erdha për të parë ‘Journey’s End — Fundi i Udhëtimit’, sepse do të luaja Stanhope në Gjermani dhe Austri“.
“Dhe tani kjo vizitë është realizimi i një ëndrre. Kam dashur gjithmonë të luaj në Angli. Unë e dua “Hamletin”. E kam luajtur një mijë herë, por do të jetë interesante ta luaj në vendin e Shekspirit”.