Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: Gjeografia shpirtërore në poezinë e Elmaz Qerretit

Përmbledhja poetike më e fundit e poetit, prozatorit, shkrimtarit për fëmijë Elmaz Elmas Qerreti, titulluar “Kam një ishull”, vjen për lexuesin e rritur si një shportë e vogël me yje. E mendova një krahasim të tillë sepse të vjen spontan një mendim i tillë që ti quash krijimet e tij poetike si të tilla, si ca yje fshehur në shportë, në këtë rast si shkronja të ndritshme brenda faqeve të një libri. Një shportë që lexuesit apo shtegtarit i dhurohet dhe kur të ulet diku buzë rruge nga lodhja të freskojë shpirtin me “yjet” poetike sikur të ishin fiq të ëmbël mjaltë.

Dhe e meriton poeti Elmaz Qerreti një vlerësim të tillë, sepse ai kurdoherë ka qenë dhe është një krijues i palodhur dhe çdo vit i është ofruar lexuesit shqiptar me vepra të reja si në prozë, me tregime të shkurtra apo romane, po ashtu edhe në poezi, me kompozime çasti, duke qenë një vëzhgues i thellë i natyrës dhe botës njerëzore. Ajo që konstatojmë nëpër faqet e librit është se ka shumë ndjenjë në poezinë e Elmazit, ka meditim, finesë dhe një lloj melankolie e lehtë që se dëmton poezinë, përkundrazi i jep elegancë sikurse në poezine haiku japoneze. Kur nuk ka mall e melankoli, vargjet përshkohen nga mençuria dhe humori i lehtë që karakterizon këtë autor në të gjithë veprën e tij.

Si një përçues i poezisë më të mirë shqipe dhe sidomos asaj lushnjare, duke ecur nën gjurmët e Faslli Halitit, Fatbardh Rustemit, Visar Zhitit e të tjerëve, Elmazi ka sjellë frymën e tij origjinale, botëkuptimin e tij të gjerë për jetën, mirësinë dhe altruizmin për njerëzit.

Ai është ” një fotograf” i shpirtit, fikson me shumë vemendje çfarëdo sheh dhe përjeton dhe e bën këtë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ja si shprehet Elmazi në poezinë ” Vetmi”:

“Oborri im sot qënka i shurdhët.

Të shurdhta dhe foletë te qershia.

Trokas në folenë e një zogu,

më përgjigjet vetëm vetmia.

Të gjithë paskan ikur,

nuk e di se ku.

Ndoshta edhe unë nuk jam këtu”.

Në një tjetër poezi , me meditime dhe sentenca filozofike ai na përcjell edhe mēnyrën sesi e kupton ai jetën dhe të jetuarit.

“Dhe kur ikim nga kjo jetë,

jemi si avionët:

vetë shkojmë përpara,

zhurma na vjen pas”.

Përtej meditimit për jetën përreth, Elmazi nuk ka sesi të mos jetë i pavëmendshëm ndaj bukurisë, në këtë rast bukurisë së femrës. Nëpërmjet poezisë “PIKA ATYRE”, ai na jep një tabllo të qartë të tundimit, një tundim që turbullonte edhe vetë shenjtorët.

“Ajo mbërthente dhe zbërthente kopsat e bluzës

dhe shihte sa bukur vareshin dy ftonj.

Pastaj thoshte me vete:

“Pika ju rëntë!

Nuk dini të shijoni një frut.

Ju thafshin ato duar,

ju thafshin ata thonj”.

Sa bukur e përshkruan poeti femrën! Sa intime dhe e ngrohtë është kjo poezi! Me një forcë të pakrahasueshme tek ato mollë ” të ndaluara” me shije prej Edeni!

Por Elmazi po aq sa bukur  përshkruan ndjenjat erotike, di të përshkruajë edhe dhimbjen, një dhimbje e heshtur, e pagojë, që nëpërmjet vargjeve të poezisë “LYPËSI NË TROTUAR”, na bën të reflektojmë:

“Unë përgjumem në trotuar,

ju kaloni shtrembër, indiferent,

me nxitim apo ngadalë.

Më gjuani të paktën me këmbë,

të kuptoj që akoma jam gjallë”.

Një denoncim i indiferencës njerëzore, i shpirtvogëlsisë e meskinitetit, janë në këto pak vargje që përshkruajnë mjerimin dhe gjendjen shpirtërore të lypësit.

Por poeti me stil të veçantë dhe këndvështrim origjinal na jep përmes vargjeve të poezisë “SHTEGTARËT” edhe dramën e emigracionit:

“Një lejlek,

pa pyetur fare,

e ngriti folenë në plepin tim.

Unë mund ta pres plepin,

t’ia hedh përtokë folenë,

por s’ka kuptim.

Edhe unë,

përtej detit,

e kam ngritur një fole,

ku e strehoj trupin vit pas viti.

Pa le pastaj,

nga ikën e nga shtegton shpirti”.

A mund të thuhet më bukur se kaq dhe me pak fjalë ” fenomeni i ikjes” nga njëri vend në tjetrin? Protagonisti ynë që e ” pranon lejlekun ” që “zapton” plepin e tij , sepse edhe ai diku me familjen jashtë atdheut ” ka zaptuar një copë tokë” që të jetojë me siguri dhe dinjitet.

Të gjitha poezitë e Elmazit janë testamente të jetës njerëzore. Shkruar thjeshtë, me sinqeritet dhe me gjuhë të kursyer, duke evituar në këtë mënyrë ta lodhë lexuesin. Një libër i vogël që mund ta lexosh brenda dy orësh, por me peshë dhe i madh në gjeografinë e shpirtit.

Please follow and like us: