Dr. Neki Dredha: Dashuria për vendlindjen, Labërinë
Isha ende fëmijë kur im atë, Jaupi, më merrte pranë vetes, më ledhatonte dhe më fliste me mall të madh për vendlindjen e të parëve tanë, Nivicën. E dëgjoja me ëndje të madhe. E pieta njëherë: Përse nuk vemi në Nivicë? Ai më pa me dashuri dhe, duke më shpupurisur flokët e kokës, më tha: Nivicën, ҫatinë e Kurveleshit, e lamë atje lart, midis malesh blerimplotë. Kur të rritesh edhe ca do të tregoj arsyen e largimit nga Nivica. Po tani mëso arithmetikën dhe bëj detyrat.
Një ditë tjetër e pyeta gjyshin, Sinan Dredha: Përse ikën të parët tanë nga Nivica? Ai më pa i habitur dhe, duke më mbështetur kokën në gjoksin e tij të ngrohët, më tha: Ikëm, or bir ikëm, e lamë Nivicën me arra, qershi dhe me bukuritë natyrore mahnitëse. Lamë shtëpitë me mure të larta, lamë mall e prokopi. Në Nivicë lamë shpirtin dhe morëm me vete dhëmbjen, brengën e pashërueshme. Atje ngopesh me ajër të pastër e të freskët. Atje sapo ëngjëllon dita dielli ledhatar futet shtëpi më shtëpi. Kudo shikon lëndina, lugare dhe livadhe bleroshe me lule të larmishme dhe aromatike. Bariu kullot bagëtinë në shpatinat e Këndrevicës, ku bleron bari, tërfili, trëndelina dhe ҫaji me aromë të këndshme. Bariu, mbështur pas një sfake shullëri i bie culës dyjare dhe sytë i mban në krye të tufës, atje ku kumbojnë byqet e deshëve përҫorë. Midis gëmushave ҫapiten e këndojnë thëllëzat, laureshat dhe vigjëlojnë shqiponjat shkëmb më shkëmb. Në qiell shikon kalin e Qyqes që përgjon ndonjë lepur të gjorë, që ta rrëmbejë me kthetra dhe ҫaponj.
Në Nivicë, or bir, mahnitesh nga kanionet dhe ujëvarat me pikla të ndritshme ylberore. Nën hijen e rrapit fletëgjerë mblidhen kuvende dhe jehojnë këngët labërishte. Atje, or djalë, lindin burra trima, që të marrin gjak në vetullë. Ata i dalin zot vatanit. Po, kur të rritesh do njihesh më mirë me historinë e lavdishme të Labërisë dhe do ҫmallesh me hijeshitë e atij vendi të bekuar nga zoti. Me kaq e mbylli fjalën gjyshi dhe u kumbis mbi nënkresë. Fjalët e tij m’u ngjitën në tru si urdhja për lisi.
Im atë, Jaupi më recitonte, herë pas here, poezi nga Naimi, Ҫajupi, Gjergj Fishta e të tjerë. Me Patër Gjergj Fishtën ishte takuar disa herë në Shirokë, kur shtrinte linjat telefonike nga Maja e Hekurave deri te Tre Urat, në Përmet. Hirësia e tij i fliste me ëndje të madhe për Kaninën e lashtë e lavdiplotë. Kanina, thoshte Gjergj Fishta, ka qenë dhe është djepi i urtësisë dhe trimërisë kombëtare. Ajo u ndesh me hordhitë osmane qysh në betejën e Maricës (1371) e të Savrës (1385), ku ra heroikisht Duka i Abërisë, Balsha II. E shoqja e tij, Komita Muzaka, amazona e Labërisë, dhe vajza e saj, Rugjina Balsha ishin dhe mbeten heroinat dhëmbjeplotë të trevës labërore.
Gjergj Aranit madhështori, në vitet 1431-1436, vërshoi me furi nga Kanina e Sopoti dhe korri fitore të shkëlqyera kundër hordhive sulltanore. Ai dolli nga kështjella e Kaninës dhe u sos, me mendim të prerë në Kuvendin e Lezhës, ku mbështeti fuqishëm kryetrimin e Arbërisë, Gjergj Kastriotin.
Në Kaninë lindi dhe u rrit Donika Kastrioti, mbretëresha mëndjendritur e Arbërisë. Nga Kanina janë dhe Angjelina Araniti, shënjtorja e Arbërisë, shën Lefteri, shën Danakti, shën Parasqevia e të tjera figura të shquara kaninjote.
Ismail bej Vlora dhe djali i tij, Mahmut bej Vlora, organizuan dhe udhëhoqën kryengritjet kundër reformave të tanzimatit dhe mbrojtjen trojet e Shqipërisë së Jugut (1828-1852) nga grekët dhe Emin Pasha. Në këto luftime të përgjakshme, krah për krah me Rrapo Hekalin, Zenel Gjolekën, Dervish Aliun, Cane Miftrarin, Zoto Mahmutin, Balil Nezhën, Hodo Nivicën, Selim Hasanin, Shako Xhakën, Sokrat Lekën, Ҫobo Golemin, Jano Kumiun, Halim Ҫaparin e shumë të tjerë, luftuan heroikisht edhe shumë kaninjotë, si Seit Dalani, Dalan Seiti, Beqir Velo I, Hadër Sulo, Mustafa e Nuri Bimo dhe të tjerë.
Në Lidhjen e Prizrenit (10 Qershor 1878) Mustafa Pashë Vlora ishte krahu i djathtë i Abdyl bej Frashërit.
Kanina or bir, vijonte Patër Gjergj Fishta, është djepi, që përkundi profetin e shpalljes së Pavarësisë së kombit Shqiptar, Ismai Qemal bej Vlorës. Atij që shpalosi Flamurin Kuqezi në Vlorë, më 28 Nëndor 1912. Atij që i dha lirinë e shtrënjtë kombit Arbëror. Këtu i dha fund bisedës së këndshme poeti atdhetar, Patër Gjergj Fishta.
Te kulla e Vebi Nurit, në lagjen “Madhaj”, në Kaninë, u hap mësonjëtorja e parë e gjuhës shqipe, më thoshte Jaupi, qysh në vitin 1902. Kurse në vitin 1908 u rihap mësonjëtorja në sarajet e Arshi Selfos, nga Jani Minga. Aty Ismail Qemali përgëzoj vogëlushët e Kaninës, që cicëruan poezi atdhetare para tij. Po aty Ismail Qemali takoi djaloshin mëndjendritur Mustafa Begën, të cilin e dërgoi të studionte në Korfuz, për mësuesi.
Zini Abaz Hamzarai ishte një nga firëmtarët kryesor të Shpalljes së Pavarësisë. Abaz Nuri, Elmas Xhaferi, Hamdi Dervishi, Beqir Velua, Ydai Myftiu, Arshi Selfo, Brahim Xhindi, Muhamet Bedini, Arshi Halili, Idris Sadiri, Myqerem Hamzarai e të tjerë, vazhdonte rrëfimin im atë, ishin përhapës këmbëngulës të gjuhës shqipe në trevat labërore e më gjerë. Ata ishin njëkohësisht krahu i fuqishëm i Ismail Qemalit, për shpalljen e Pavarësisë dhe luftëtarë trima në epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës, më 1920.
Habibja, e shoqja e kushëririt të tim eti, me recitonte herë pas here vargje nga Hanko Halla e Ali Asllanit. Ato më joshnin pamasë. Gjatë shkollës 7-vjeҫare mësova shumë poezi nga Naimi, Ҫajupi dhe këngë atdhetare të kohës.
Këgët labe i mësova në rrjedhën e viteve shkollore në Kaninë, Dukat e në Tragjas, ku mbarova shkollën 7-vjeҫare.
Në Gjimnazin “Ali Demi”, në Vlorë, ku bëra vetëm vitin e parë, mësova shumë poezi greko-latine.
Në Politeknikumin Mjekësor pata fatin e mirë, që lëndën e letësisë e bëra me Prof. Petër Elezin. Ai më ndalonte të thurja poezi për dashurinë. Thur poezi për Atdheun dhe për mëmëdhetarët, më thoshte herë pas here. Kurse në rrjedhën e historisë e të mitologjisë më futi mësuesja e ndritur, Elima Libohova. Ajo ishte diplomur në Francë. Kur vuri re, që isha i dhënë pas letërsisë e historisë, më binte libra të ndryshme, si Historinë e Aleksandrit të Madh, me autor Ilio Mitk Qafzezin, Piro Mollosit, Skënderbeut, tragjeditḗ e Shekspirit e të tjera.
Me ndihmën bujare të Prof. Petër Elezit dhe Elima Libohovës mësova shumë gjëra nga oqeani i letërsisë, historisë, mitologjisë. Po ashtu më joshnin pamasë Visaret e Kombit të Thimi Mitkos dhe këngët që mblodha në disa fshatra të Labërisë, me kërkesën e Prof. Petër Elezit të madhërishëm.
Me këtë thesar letraro-historiko-mitologjik u ktheva i diplomuar ndihmësmjek në Vlorën time shpirtërore.