Albspirit

Media/News/Publishing

Historiania Denisa Jashari, nga politikat urbane dhe strukturimi i shtetit në Kili tek urbanizimi i botës sonë dhe mos-humbja e shpresës për të ardhmen

Rafaela Prifti

Profesoreshë Denisa Jashari gjeti pasionin për historinë teksa bënte kërkime në fushën bioneurologjike me synimin për të vazhduar studimet për mjekësi, dhe prej atëhere nisi “transformimi” në studiuse dhe humultuese e shkencave humane. Në vjeshtën e vitit 2023 karriera e re akademike e solli në Universitetin Syracuse Nju Jork, mbi katër mijë e gjashtëqind milje larg nga vendlindja e saj Erseka e Kolonjës dhe rreth katër orë në veriperëndim nga Uster (Worcester) ku ajo, në moshën 12 vjeçare, dhe motra Jonada bashkë me prindërit e tyre erdhën në vitin 2000 me lotarinë e vizave. Sot, Denisa Jashari është Asistent pedagoge në Departamentin e Historisë, ndërkohë që shkruan librin e saj të parë si pjesë e doktoratës lidhur me temën e politikës urbanistike dhe funksionimit të shtetit në Kili. Ky vend i Amerikës së Jugut me rreth 19 milionë banorë dhe vijë bregdetare rreth 6,000 kilometra të gjatë, vendlindja e poetit të famshëm Pablo Neruda dhe novelistes Isabel Allende, dhe disa penave të tjera, ka bukuri natyrore të mahnitshme dhe histori e kulturë shumë të pasur. Ia vlen të kujtojmë se popullsia amerikano-latine me origjinë shqiptare gjendet kryesisht në Argjentinë, Kili, Uruguai dhe Brazil. Në pjesën më të madhe, ata janë Arbëresh të ardhur nga Italia e Jugut. “Shqiptarët e ardhur herët në Argjentinë janë pjesë e valës së emigrantëve të Epokës së Migrimit masiv, fundi i shekullit XIX dhe fillim i shekullit XX, që u vendosën në zona industriale, si Berisso, në provincën Buenos Aires dhe afër kryeqytetit të Argjentinës. Berisso njihet si “qyteti i emigrantëve”, për shkak të pranisë së madhe të emigrantëve italianë dhe atyre të Europës Lindore, të cilët punonin në fabrikat e paketimit të mishit dhe me punën e tyre e transformuan qytetin në qendër të prodhimit bujqësor. Diaspora shqiptare ka shoqatat e veta dhe një organizatë kulturore e njohur si “La colectividad albanesa Bashkimi”, e cila ndër të tjera merr pjesë në “festën provinciale të imigrantëve,” shpjegon Profesoreshë Jashari. Vajtja e saj në Santiago të Kilit ishte pjesë e hulumtimeve laboratorike, por atje ajo ndjeu të tërhiqej fort nga historia komplekse e vendit. Në këtë rast, mund të ketë qenë e ndihmuar nga fakti që studimet për diplomën universitare në Biokimi dhe Spanjisht, me bursë të plotë në Kolegjin Trinity, i dhanë mundësinë të njoh si shkencat humane, ashtu edhe ato natyroret.

“Gjatë një semestri në Santiago të Kilit rashë në dashuri me vendin dhe historinë komplekse të tij. Në Santiago pata mundësinë të mendoja seriozisht mbi regjimet autoritare dhe mënyrën se si ato funksionojnë, për historinë e Luftës se Ftohtë në vendet e Botës së Tretë dhe kjo më dha distancën e nevojshme për të vështruar historinë e familjes sime dhe të Shqipërisë nga një perspektivë e re”.

Profesoreshë Denisa Jashari tregon se fillimisht i bëri përshtypje sesi në Kili – ashtu si në gjithë Amerikën Latine – aktorët socialë në gjithë spektrin politik kapin hapësirën urbane për t’i mbrojtur të drejtat për shtetësi dhe për të kërkuar ndryshim. Nga shtjellimi i saj kuptohet se përqendrimi i popullsisë në qytete i zgjoi kureshtjen për rolin e qyteteve në politikën kombëtare. Dhe më tej, ristrukturimi i shtetit në raport me ndryshimin e politikave urbane si tipar i përbashkët në vendet që përjetuan diktaturat komuniste dhe diktaturat ushtarake politikisht të djathta.

“Në Kili dhe në gjithë Amerikën Latine, shumica e popullsisë është urbane dhe banon veçanërisht në kryeqytet. Ky nuk ishte ndryshim i pashmangshëm, por filloi në mesin e shekullit XX pasi industrializimi ofronte mundësi më të mira jetese. Përqendrimi i popullsisë në kryeqytet dhe në zonat urbane ka pasoja në mënyrën si funksionon shteti dhe si zhvillohen e integrohen vendet në tregjet botërore. Kjo më intereson mua. Bota jonë po bëhet gjithnjë e më urbane – kjo vlen edhe për Shqipërinë – Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për rritjen globale të lagjeve të varfëra, pasi qytetet mezi po ofrojnë strehim të përshtatshëm dhe shërbime urbane bazë. Integrimi ekonomik global ka transformuar mënyrën se si funksion shteti dhe ky proces më intereson, prandaj përpiqem ta kuptoj historikisht. Procesi i ristrukturimit të shtetit dhe i ndryshimit të politikës urbane është i përbashkët në vendet që përjetuan diktaturën komuniste dhe ato që përjetuan diktatura ushtarake politikisht të djathta”, argumenton historiania.

Për sa i takon sfidave në fushën akademike në përgjithsësi dhe për femrat në veçanti, ajo thotë se “të jesh akademike është zgjedhje e stilit të jetesës sepse nuk është punë që përfundon në orën 17:00 të premten dhe rifillon në 9:00 të hënën. Kërkon ekuilibër delikat midis orëve mësimore, kryerjes së kërkimit në arkiv gjatë verës, hartimit të artikujve dhe punimeve për konferenca gjatë fundjavës dhe mbrëmjeve, aplikimit për financim dhe udhëtimit për t’i prezantuar kërkimet. Kjo për mua ka nënkuptuar kalimin e verës ndërmjet Kilit, familjes në Shqipëri dhe në Kosovë dhe prindërve në ShBA”.

“Akademikët në histori ose të tjera shkenca shoqërore po ashtu po përballen me realitetin e vështirësive për sigurinë e vendit të punës. Unë pata fatin që fitova një pozicion të tillë, por këto po bëhen gjithnjë e më të rralla. Doktorata merr shumë kohë për t’u përfunduar, sikurse përmbushja e kërkesave të mandatit për ‘tenure’, që do të thotë se akademikët, sidomos gratë, shpesh duhet të marrin vendime të vështira jetësore. Por ajo që e dua në jetën akademike – ai procesi tërëjetësor i kërkimeve dhe shkrimeve, është thjesht i mrekullueshëm”.

Gratë që e kanë influencuar atë janë mamaja dhe gjyshja. “Të dyja kanë bërë sakrifica që vetë nuk di a do të mund t’i bëja ndonjëherë. Këto gra “të zakonshme” me potencial të jashtëzakonshëm, rrallë hyjnë në librat e historisë por janë ato që me punën e tyre të përditshme jashtë dhe brenda shtëpisë, e mirëmbajnë shoqërinë tonë,” shprehet ajo. Kur e pyeta si e festoi 8 Marsin, Prof. Jashari më tha se “e para gjë ishte telefonata me mamin në Uster edhe me motrën në Kosovë, pastaj me shoqet në vende të ndryshme të botës dhe në kohën e drekëherës doli me disa kolege në Syracuse për të festuar një çmim për artikullin e fundit që shkrova”.

Për studentët shqiptarë, Profesoreshë Denisa Jashari dëshiron që përvoja dhe trajnimi i saj të jenë të vlefshme për të ndihmuar ta bëjë më pak sfidues rrugëtimin akademik për të rinjtë. “Shkolla Maxwell e Qytetarisë dhe Marrëdhënieve Publike, Departamenti i Historisë, Syracuse University është shkollë e renditur në nivel kombëtar dhe e njohur në fushën e kërkimeve dhe zbulimeve. Kam dëshirë të ndihmoj nxënësit e shkollave të mesme me aplikimet e tyre për kolegj dhe t’u ofroj këshilla atyre që kërkojnë të bëjnë Master ose PhD”.

Si për ata, ashtu edhe për veten në moshë rinore, këshilla e saj është: “Bota ndonjëherë duket e zymtë. Ky brez i ri është përballur me vite shumë të vështira për zhvillimin e tyre social gjatë pandemisë Covid. I kthehem shpesh një fraze që i atribuohet Antonio Gramsci-t, por është e një shkrimtari francez, “pesimizëm i intelektit, optimizëm i vullnetit”, për të përmbledhur rëndësinë e të lexuarit realist të një situate (dhe të mbeturit praktik) ndërkohë që nuk humbim shpresën për të ardhmen.

Please follow and like us: