Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Protesto, por kokëulur, “mos shih lart”

(ars poetica, 15 m 2025 – koment me shkas, gjoja sadopak “ironik”, e pashë një foto, dhe fotoja i ka “fajet”)

…djathtas, në foton e revistës “Science” (aty e mora), qenka Amanda Birnbaum, epidemiologe, duke protestuar me familjen e vet më 7 Mars 2025 në Washington DC, kundër politikave të Trump (lidhur me këputjen e fondeve për kërkimet shkencore, lidhur me shkarkimet e administratave, apo rreth problematikave të edukimit, siç dihet ishte në shënjestër Departamenti Federal i Arsimit, apo lidhur me pushimet nga puna të punonjësve të ndryshëm etj.)…

…pllakata e epidemiologes Birnbaum thotë: “shëndeti publik i shpëton jetët”, pllakata e burrit të saj (mbase burri do jetë, në mes) thotë “i dua, më pëlqejnë evidencat, provat shkencore, ose dmth. të dhënat e bazuara, qartësitë e evidentuara, dëshmitë faktike etj. etj.” (dmth. meqe dihen veset e Trump, aludohet në politikat e administratës trumpidenciale, bie fjala largimi i ShBA nga traktatet klimatike, psh. të Parisit, traktate që i përkrah dhe i fuqizon e gjithë bota…

…largohesh sepse faktet rreth ndryshimeve klimatike dhe të ndotjes së planetit nuk i konsideron shkencë, sepse kohët e fundit ke zbuluar pasuri nëntokësore dhe ke dëshirë t’i shfrytëzosh fillimisht, gjithë ajo naftë (flori-zezë) dhe të shkojë dëm, uaaa do ishte e pafalshme, madje dhe ARAMCO (si dinosaur-monster amerikano-saudit i ndotjes planetare) ishin më të mençur, ata pothuaj i shterruan rezervat e veta, për 1 shekull e ndotën planetin, e ndotën derisa u ngopën, tani meqë i zbuluam pasuritë tona s’do i lëmë pa shfrytëzuar, tek pastaj kur t’jenë shpenzuar dhe rezervat tona nëntokësore… shihi arabët si u pasuruan, shih Dubain, shihi Emiratet, kurrë nuk bëhet vonë, pastaj dhe Amerika mund t’i rikthehet “traktateve”, tani për tani më shumë na pëlqejnë, ose na konvenojnë thashethemet pseudo-shkencore, njësoj sikur dhe kinezëve, edhe industria kineze “shtiren” sikur nuk i kuptojnë aq klimatikat, anise kanë filluar dhe me programet hapësinore, lloj-lloj raketash e çudirash, tani për tani kinezët dhe amerikanët më shumë i kuptojnë lunatikat, spejs-iksat (Space-X), sesa klimatikat – apo largimi i ShBA nga Organizata e Shëndetit Botëror (WHO)… ç’të thuhet, absurd i llojit të vet, s’ia vlen as komenti, sikur del “stupid” dhe të komentosh) etj.

…ndërsa pllakata e vajzës (mbase vajza e saj, majtas) thotë: “çdo film rreth katastrofave fillon me injorimin e ndonjë shkencëtari” – dhe mua sakaq m’u ngjall buzëqeshja sepse vërtet ashtu, 100% e saktë pllakata e kësaj vajzës, me sa di vetë, me aq sa më kujtohet (e kam fjalën për gjithë jetën) të gjithë filmat e tillë që i kam parë gjatë jetës, gjithmonë ia fillonin me injorimin e vërejtjeve të shkencëtarëve, me injorimin e paralajmërimeve të tyre, me injorimin e këshillave të ekspertëve etj., filmi i fundit që kam rreth katastrofave (dmth. i këtij zhanri) ishte 1 a 2 vite më parë, ishte diç si parodi e qëlluar dhe 100% e saktë, rreth veseve tona me rastin e pandemisë Covid 19 dhe të “lockdown” (fjala epidemi, epidemiologja Birnmbaum na e “kujton” epideminë, pandeminë : ) tashmë vite më pas, sikur të gjithë e “kuptuam” dhe u ndërgjegjësuam për nonsensin dhe sjelljen tonë në përgjithësi, atëbotë sa ishim “mbyllur” duke shpikur lloj-lloj teorish konspirative, duke e vërshuar veten me eufori dhe me një oqean dizinformata, me një oqean thashethemesh mediatike, me një oqean pseudo-shkencash, me një oqean pseudo-artikujsh, më mirë t’harrohen, të fshihen nga memoria kolektive, sepse mozomokeq, asgjë për t’u ndjerë krenarë…

…filmi në fjalë quhet “Don’t Look Up” (Mos shih lart), dhe i paraqet fort mirë, madje them shkëlqyeshëm, veset e mediatikëve për t’i injoruar paralajmërimet e shkencëtarëve, i paraqet veset e tyre për t’u prirur më shumë rreth shou-biz eventeve (Ariana Grande, këngëtarja e talentuar e luan “rolin” e asaj vetë, si shembull gjoja i gjithë botës së show-biz, që janë të privilegjuar, që përkëdhelen nga mediatikët, këngëtareve dhe “yjeve” të filmave sikur u takon më shumë vëmendje sesa shkencëtarëve – “rolin” e mediatikëve fort bindshëm e luan Kate Blanchett)…

…film-parodia “Mos shih lart” i paraqet po ashtu veset e politikanëve (vetë Presidentja e ShBA si përfaqësuese, anise ShBA s’ka patur kurrë Miss-Presidente… por gjoja filmi e merr si shembull që kësaj radhe qëlloi një grua Presidente, rolin e luan Meryl Streep, Mis-Presidentja Streep shumë bukur kujdeset që popullin t’mos e kaplojë paniku, pikërisht siç politikanët e kanë ves për t’i kursyer masat nga paniku duke i manipuluar)…

…filmi i paraqet dhe veset e korporatave (sidomos të tipit SpaceX, të Elon Musk) për t’ia ofruar njerëzimit “Planin B” të shpëtimit, i cilin Plan B gjithmonë është një “varkë e Noes”, e rezervuar për elitarët super-të pasur dhe për miliarderët e tjerë, gjoja të “klasit të 2-të”), dhe kuptohet korporatat e tilla zakonisht janë të lidhura me politikanët e me mediat, qëkur ata vetë mund t’jenë pronarët e mediave, dhe qëkur ata vetë “investojnë” për t’u zgjedhur politikanët e përshtatshëm (absolutisht njësoj siç i shpenzoi Elon Musk mbi 200 milionë $ për t’i fituar zgjedhjet kandidati i tij “konvencional” Trump)…

…rolet kryesore të film-parodisë i luanin Leonardo DiCaprio, Jennifer Lawrence, pastaj këta që i përmenda më lart, Meryl Streep, Kate Blanchett, e edhe ndonjë aktor tjetër kryesor… por që s’ua mbaj mend emrat), “katastrofa” e zgjedhur si shembull për filmin ishte gjoja një meteor i madh, një gala-monster prej guri kozmik i cili tashmë fare afër Tokës, ndeshja me Tokën e pashmangshme, edhe ca ditë kanë ngelur dhe do shkatërrohet i gjithë planeti, thjesht njerëzimi s’ka shpëtim, por mos shihni lart, sepse eventualisht ju kaplon paniku, ashtu-kështu shkencëtarët janë duke dërdëllitur, as ata vetë s’e kanë idenë s’i të shpëtohet njerëzimi…

…nëse nuk e keni parë “Don’t Look Up”, eventualisht kur t’ju premtojë koha, them se ia vlen ta shihni, kuptohet duhet ndarë 1 orë a 2… kohë, për gjithçka duhet sadopak kohë, edhe kur i lexojmë artikujt, romanet, edhe kur i shohim telenovelat, koha duhet për gjithçka, madje dhe për leximin e komentit tim duhen nja 2-3 min : )

Please follow and like us: