Dr. Vlora Obertinca: Frekuenca më e lartë e energjisë së quajtur Dashuri
“Çdo gjë që na rrethon, kur i dërgohet frekuenca më e lartë e energjisë së quajtur Dashuri, pranohet dhe kthehet mbrapsht me po të njëjtën frekuencë, sepse çdo energji që transmetohet në Univers, nuk humbet, por kthehet prapa, gjithmonë prej nga është nisur, me të njëjtin intensitet”. (Dr.sc.Vlora Obertinca)
Unë, sa herë hyj në shtëpinë time, marr frymë thellë dhe i dërgoj shumë dashuri me mendjen time, sepse kjo nuk më ndihmon vetëm mua që jetoj në këto mjedise, por i ndihmon të gjithë anëtarët e tjerë që bashkëjetojnë me mua nën këtë kulm, sepse edhe shtëpia e pranon dhe e ndien këtë energji të dashurisë si objekt që është, ndoshta, pjesë e Universit, në të cilën kalojmë shumë kohë, madje e bëjmë edhe gjumin. Kjo dashuri që lirohet nga mendja ime për shtëpinë time dhe anëtarët që jetojnë në të, nuk e bën këtë shtëpi të dashur vetëm për mua, por edhe për njerëz të huaj që nuk jetojnë fare në këtë shtëpi, por është shumë tërheqëse për të ardhur për të na vizituar me shumë dëshirë, sepse ndiejnë një atmosfere ngrohtësie të papërshkruar dhe shumë të dashur, që i bën të rrinë me orë të tëra dhe t’u duket pak.
Kjo është dashuria e pakushtëzuar, të cilën e shpërndaj për të gjithë dhe gjithçka që më rrethon mua. Tani besoj se mund ta merrni me mend pse njerëzit, që më njohin dhe nuk më njohin, kanë një ndjenjë të dashur dhe të veçantë për mua, kjo sepse, nën vetëdijen e tyre, të gjithë këta njerëz marrin nga unë dashuri të pakushtëzuar, pa qenë të vetëdijshëm fare, sepse nuk kemi nevojë t’u tregojmë se ju dërgojmë dashuri. Unë ju dërgoj dashuri, sepse, për mua, nuk ka përjetim më të mirë se sa t’i bëj njerëzit të ndihen mirë, të dashur dhe të lumtur.
Fragment i shkëputur nga libri im motivues “Vera e shpirtit”!