Irena Dragoti: Zyrtare…
Në një horizont të mundimshëm
me diej të penguar…
zemrën, gjeta si ngjyrë
me hijen bardhezi,
të asaj çka desha më shumë!
Më mungojnë mëngjeset e saj
kur flisnim për kohën
e ti më vije gishtin në buzë:
– Mos fol!
-Mos e tremb dritën!
U gdhi…
*
Padija parakohe çeli lulëkuqe,
që i dorëzuan trupin valles së erës.
Të kujtohet kur të tregova për fallxhoren plakë,
ku lexova fatin?!
Ti qeshe si mimozat në qytetin tim
kur më përcillnin e prisnin nga fëmijëria.
– Dashuria është të të lërë kujtesa, – më the, –
-Është këngë lufte,
që dëgjohet dhe zhurmash, shumë qartë.
*
Më pas u grindëm për këngën fituese të festivalit,
që na pagëzoi si dallgë e shkëmb
Ajo është një lëndinë e egër pa rregulla;- këmbëngule,
Mua veç librat më kishin folur për të;
Sa pak zgjati kjo luftë…
pranvera, na gjeti në paqe.
*
Mallohem për marsin në mars!
Kur mbërritën kufijtë,
ndërruam orët.
Unë fillova të shkruaj për dashurinë,
si arkeologët për gërmadhat.
Ndihem e rritur sa një drojë gabimesh,
Kujdesem për shëndetin tënd tani
– Si je sot?
– A je lodhur?
Zyrtarisht miq të mirë!
Shoh shpesh ëndrrën, atë të madhen
të çoj zemrën aty ku më tha
se e duan fort!
Ajo rri pezull mes nesh
gati për të rënë te këmbët…