Manjola Sejdinaj: Urim për kandidatët e rinj në politikë!
“Brez i ri, politikë ndryshe – për një Shqipëri me shpresë”!
Ne jemi brezi që u rrit me shpresën për një Shqipëri Europiane, por keqadministrimi dhe mungesa e një demokracie të vërtetë na kanë privuar nga zhvillimi i merituar. Për pasojë, vendi ynë ka pësuar shpopullim masiv dhe sfida të mëdha.
Megjithatë, ne nuk jemi armiq të njëri-tjetrit! Pavarësisht subjekteve politike, kemi një të përbashkët të madhe: Shqipërinë. Le të tregojmë se mund të bëjmë politikë ndryshe—larg dhunës, urrejtjes dhe shantazheve. Të zhvillojmë një fushatë me dinjitet, debat konstruktiv dhe respekt ndaj votës së qytetarëve.
Ky Union kandidatësh të rinj, të mbledhur në Tempullin e fushatës, pavarësisht bindjeve partiake, është dhe mbetet shpresa e së ardhmes.
Koalicioni “Djathtas për Zhvillim” ka në qendër të tij “Shqipëria e Para”, si testament dhe trashëgimi nga të parët dhe si amanet për brezat e ardhshëm. Programi ynë fokusohet në çështje emergjente, të domosdoshme për ta nxjerrë Shqipërinë nga gremina ku e ka futur politika e vjetër 34-vjeçare.
Parlamenti nuk është teatër—ai duhet të jetë tempulli i zgjidhjeve për qytetarët. Ndaj, le të dëshmojmë se jemi ndryshe dhe të tregojmë se brezi ynë është ai i shpresës dhe ndryshimit!
Me gjithë zemër, më 12 maj, suksese çdo kandidati e kandidateje që beson te një e ardhme më e mirë për Shqipërinë!