Albspirit

Media/News/Publishing

Stalini, Mao dhe Khomeini nuk mundën ta heshtin zërin e lirisë. Trumpi e bëri

Dana Milbank

Zëri i Amerikës nisi transmetimin tetë javë pas Pearl Harbor-it. “Ju sjellim zëra nga Amerika,” tha gazetari William Harlan Hale në gjermanisht më 1 shkurt 1942, në transmetimin e parë të VOA. “Sot, dhe çdo ditë nga tani e tutje, do t’ju flasim për Amerikën dhe luftën. Lajmet mund të jenë të mira për ne. Lajmet mund të jenë të këqija. Por ne do t’ju tregojmë të vërtetën.”

Gjatë 83 viteve që nga ajo kohë, VOA ka qenë zëri i lirisë në mbarë globin, një forcë e vazhdueshme që ka kundërshtuar totalitarizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Ftohtë dhe dekadave që pasuan.

Adolf Hitleri nuk arriti ta mbyllte. Jozef Stalini dhe pasardhësit e tij, deri te Vladimir Putini, nuk arritën ta mbyllnin. Mao Ce Duni dhe pasardhësit e tij, deri te Xi Jinping, nuk arritën ta mbyllnin. Ruhollah Khomeini dhe ajatollahët nuk arritën ta mbyllnin.

Por Donald Trump sapo e ka mbyllur zërin e lirisë. Për herë të parë që nga viti 1942, VOA është nxjerrë jashtë transmetimit, pasi Trump ka larguar pothuajse të gjithë stafin e tij prej 1,300 vetash, me leje të detyruar. Administrata e tij gjithashtu ka mbyllur mediat motra të VOA, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria dhe Radio Azia e Lirë.

Diktatorët e botës po festojnë.

“I quajturi feneri i lirisë, VOA, tani është hedhur poshtë nga qeveria e vet si një leckë e pistë,” shkroi të hënën Global Times, media ndërkombëtare e Partisë Komuniste Kineze, lidhur me shuarjen e asaj që e quan një “fabrikë gënjeshtrash.” Ajo festoi heshtjen e këtij zëri të vetëm të së vërtetës në Kinë: “Nga shpifjet për të drejtat e njeriut në Xinjiang, tek fryrja e mosmarrëveshjeve në Detin e Kinës Jugore, nga mbështetja e forcave pro ‘pavarësisë së Tajvanit’ tek përkrahja e trazirave në Hong Kong, nga fabrikimi i të ashtuquajturës narrativë e virusit kinez tek promovimi i pretendimit për ‘kapacitetin e fryrë’ të Kinës, pothuajse çdo gënjeshtër dashakeqe për Kinën mban shenjat e VOA-së.”

Dhe ajo ra dakord me pikëpamjen e Elon Musk se VOA është “vetëm disa njerëz të radikalizuar të së majtës që flasin me veten.”

Propagandisti i Partisë Komuniste Kineze, Hu Xijin, ish-redaktor i Global Times, e quajti mbylljen e VOA-së “lajm të madh,” duke shpjeguar se “pothuajse të gjithë në Kinë e njohin Zërin e Amerikës, sepse është një simbol ikonë i infiltrimit ideologjik amerikan në Kinë.”

Në Iran, ku VOA është zyrtarisht i ndaluar si një “transmetues armik,” agjencia e lajmeve e lidhur me shtetin, Tabnak, festoi: “Administrata Trump mbyll median anti-iraniane Voice of America.”

VOA, me një redaksi prej rreth 100 gazetarësh që flasin persisht, kishte një numër total prej 9.5 milionë ndjekësish në rrjetet sociale në Iran, duke sfiduar regjimin me lajme 24 orë në ditë, të shpërndara përmes satelitëve dhe VPN-ve (Virtual Private Networks).

Edhe Rusia mund të festojë zhdukjen e një mediaje, të cilën vitin e kaluar e kategorizoi si një “organizatë të padëshiruar” dhe kërcënim për sigurinë e saj kombëtare. Në Afrikë dhe Amerikën Latine, ku propagandat ruse dhe kineze janë zgjeruar, tani nuk do të ketë më një alternativë amerikane që t’i sfidojë ato me fakte.

E kombinuar me anulimin e shumicës së ndihmave të huaja nga administrata Trump, heshtja e VOA-së, e cila kishte një audiencë javore prej rreth 360 milionë njerëzish në pothuajse 50 gjuhë, sinjalizon dorëzimin e plotë të “fuqisë së butë” amerikane, të fituar për dekada përmes mjeteve jo-ushtarake.

Triumfet e VOA-së gjatë kësaj kohe ishin të shumta.

Gazetarë legjendarë si Edward R. Murrow dhe John Chancellor iu bashkuan përpjekjes.

Willis Conover përhapi dashurinë për lirinë amerikane përmes transmetimeve të xhazit pas Perdes së Hekurt. VOA luajti një rol kyç në informimin e studentëve kinezë gjatë kryengritjes në Sheshin Tiananmen. Sot, figura të njohura të të drejtave të njeriut nga Kina, Myanmari, Tibeti, Rusia dhe vende të tjera punojnë për VOA, sepse nuk mund të ushtrojnë gazetarinë e lirë në vendet e tyre.

Vetëm javën e kaluar, dy burra të akuzuar si “vrasës me pagesë të qeverisë iraniane” dolën në gjyq në Nju Jork për një komplot të supozuar për të vrarë gazetaren iraniano-amerikane Masih Alinejad, një gazetare e VOA-së dhe një avokate e zëshme për të drejtat e grave në Iran. “Ju mund ta keni të vështirë ta besoni – por vetëm sepse kam postuar video ku tregoj flokët e mi dhe inkurajoj gratë në Iran të bëjnë të njëjtën gjë, regjimi dërgoi një burrë me një AK-47 në shtëpinë time në Bruklin për të më vrarë,” shkroi Alinejad në rrjetet sociale më 11 mars.

Ky është tipi i heroit/heroinës që Trumpi po u mbyll gojën.

Konservatorët janë ankuar për atë që ata e quajnë prirje liberale të VOA-së – megjithëse, siç ka shpjeguar kolegu im Max Boot, rastet janë relativisht të vogla.

Ka një argument që mund të konsiderohet, se Agjencia e Mediave Globale të SHBA-së, organizata mëmë e VOA-së, është e tejmbushur dhe duhet të zvogëlohet. Por vetë VOA u kushton taksapaguesve vetëm 270 milionë dollarë në vit, një mënyrë jashtëzakonisht efikase për të promovuar lirinë dhe ndikimin amerikan.

Kina besohet të shpenzojë miliarda dollarë vetëm në Afrikë përmes rrjeteve të saj propagandistike si CGTN, Xinhua dhe China Daily. Irani thuhet se shpenzon qindra miliona dollarë në vit për propagandën e tij shtetërore. Rusia, përmes mediave si RT dhe Sputnik, bën të njëjtën gjë. Por tani, Trump e ka mbyllur VOA me një urdhër ekzekutiv.

Propagandistët kinezë kanë shumë për të fituar duke heshtur zërat e së vërtetës dhe lirisë. Me sa duket, edhe administrata Trump. / The Washington Post – Bota.al

Please follow and like us: