Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Shtëpani: Viti 1967, hidrocentral në Shëngjergj të Tiranës

Në vitin 1967 do të mblidhej Këshilli Teknik i Drejtorisë së Ekonomisë Komunale për të aprovuar ndërtimin e hidrocentralit në Shëngjergj të Tiranës. Dokumenti që botohet për herë të parë tregon shumë për përpjekjet e specialistëve për ndërtimin e veprave energjitike. Më poshtë do të paraqesim vendimin Nr. 5. Dt. 27. 3. 1967.

“Këshilli Teknik në mbledhjen e tij të Dt. 27. 3 1967 i kryesuar nga Ing. P. Asdurian dhe i përbërë nga anëtarët: S.Lulo, E. Muça, Gj. Lamani, B. Doke, A. Sheti dhe të ftuar, K.

Papajani, M. Doda, I. Devi, F. Lula, C. Mezini, S. Halo, K. Shuke, M.Spaho, K. Çoba, E. Strati, H. Zagolli mori në shqyrtim variantet për ndërtimin e hidrocentralit në Shëngjergj (Tiranë). Mbasi u njoh me materialin, Këshilli Teknik konstatoi se në tre variantet dy janë të mundshme për zbatim, ndër to varianti i parë dhe i dytë që i përgjigjen pak a shumë kërkesave të fshatit, ndërsa varianti i tretë i papranueshëm si për efekt të kostos së madhe, ashtu dhe për arësye se uji nuk mund të shfrytëzohet për nevojat e vaditjes. Lidhur me zgjedhjen e variantit, Këshilli Teknik vendosi:

1. Të rishikohet dhe njëherë varianti i dytë lidhur me problemin e vaditjes së tokave që ndodhen mbi kuotën e hidrocentralit.

2. Të plotësohen të dhënat mbi sipërfaqen vaditëse që përfshihen mbi kuotën e hidrocentralit.

3. Të shikohet mundësia e vaditjes së sipërfaqeve që ndodhen mbi kuotën e hidrocentralit me anën e ujrave që derdhen nga burimet e ujësjellësit që furnizon Tiranën. 

4. Të mbetet si aneks i variantit të dytë ndërtimi në perspektivë i hidrocentralit sipas variantit të parë, duke kombinuar furnizimin e energjisë elektrike me vaditjen.

5. Për kalimin në fazën e projektimit  sipas variantit të dytë  të dhënat e nevojshme në lidhje me vaditjen do të plotësohen nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit”. 

Megjithëse u bë një punë e lavdërueshme shkencore, vepra energjitike nuk u realizua. Nuk dihet se përse mbeti në letër. Ishin rrethanat e tilla që nuk mund të ndërtohej hidrocentrali, apo vëmendja duhej të përqëndrohej në pjesë të tjera të territorit të vendit.Ja si u ndërtuan hidrocentralet në Shqipëri

Vitet e para të çlirimit të Shqipërisë do të konsideroheshin të vështira sepse vendi duhej ndërtuar. Po ashtu, një rëndësi e veçantë iu kushtua sistemi energjetik. Ne nuk kishim trashëgimi në fushën e studimeve, projektimeve, ndërtimit dhe shfrytëzimit të veprave energjetike. Duhet të fillohej çdo gjë nga e para. 

Hapi i rëndësishëm për atë periudhë ishte ndërtimi i H/C në Lanabregas të Tiranës. Ai filloi në vitin 1947 dhe u vu në shfrytëzim në fund të vitit 1951. Të gjithë kuadrot drejtues, specialistë dhe punëtorë ishin të rinj 20- 25 vjeç, pa përvojë për punime të rëndësishme që do duheshin të bëheshin. Punimet duhet të kryeshin në terren malor e në kushte të vështira meterologjike. U gërmuan dhe u betonuan rreth 7 km tunele. Për ndërtimin e tij, u bënë me mijra metër kub gërmime, mbushje dhe betonime nën dhe mbi tokë, montime tubacionesh dhe konstruksionesh metalike. Prodhimtaria mesatare vjetore nga 20 milionë kilovat/orë në vit u rrit në rreth 40 milion kilovat/orë. Eshtë për tu theksuar se niveli i ndërtimit ishte i prapambetur, pa mekanizime, gërmimet e tuneleve bëheshin me pistoletë, për plasjen e minave në vend të dinamitit përdorej baruti i predhave të mbetura nga lufta. Për gërminet përdoreshin kryesisht kazma, materiali i gërmuar nxirrej me vagona,që shtyheshin me krahë. Hidrocentrali u inagurua më 7 nëntor 1951, duke u realizuar kështu energji e bollshme për Tiranën dhe Durrësin. Vlen të përmendet puna e lavderueshme e drejtuesve të punimeve dhe e Sali Vatës i cili do të pagëzohej këtu si ‘luani i tuneleve”.

H/C Ulëz

Eshtë ndërtuar në afërsi të fshatit Ulëz, në pjesën e sipërme të lumit Mat. Fillimi i punimeve u bë më 11 janar 1952. Më pas filloi ndërtimi i rrugës Milot- Ulëz, një zonë krejtësisht e izoluar. Për ndërtimin e saj, punuan jo vetëm specialistët që ndërtuan hidrocentralin e Lanabregasit në Tiranë, por edhe fshatarë nga rrethet e Matit, Mirditës, Krujës dhe Dibrës. Brenda një kohe të shkurtër Ulëza u bë një qendër e re e banuar ku jetonin dhe punonin rreth 2900 punonjës. Diga është e lartë 64 metra me volume betoni 260 mije metër kub. Vellimi i liqenit është 360 milion metër kub ujë, me sipërfaqe rreth 13, 5 km katror. Shkarkimi i ujërave bëhet nga portat me aftësi 3200 metër kub në sekond. Hidrocentrali ka të vendosur 4 agregatë me fuqi 25 mijë kW dhe aftësi prodhuese 120 milion kW në vit. Inagurimi shfrytëzimit u bë më 11 janar 1958.

Përfundimi dhe lidhja me rrjetin elektrik me tension 110 kilovolt bënë të mundur krijimin e sistemit unik energjetik të vendit që drejtohesh nga qendra dispeçer në Tiranë. Ulëza do të kthehej në “universitet të praktikës” për shumë inxhinierë, të cilët njohuritë e shkollës i përsosën në këtë hidrocentral i cili mbart vlera të mëdha për vendin.

H/C Shkopet  

Ky hidrocentral ndodhet rreth 20 km më poshtë nga H/C Ulzës afër Shkopetit. Fuqia e vendosur e tij 24 mijë kW me dy turbina nga 12 mijë kW seicila. Prodhimtaria vjetore është rreth 94 milion kW. Punimet filluan në janar të vitit 1958, ndërsa H/C u vu në shfrytëzim më 10 korrik 1963.

Pas një pune intensive prej gati tre vitesh, studiuesit përfunduan studimet me disa variante dhe në fillim të vitit 1964 u miratuan në instancat më të larta të shtetit. U gjykua se  mund të ndërtoheshin 5 H/C në Skavicë, Fierzë, Koman, Vau i Dejes dhe në Bushat me fuqi të përgjithshme të vendosur prej rreeth 1, 8 milion kW dhe prodhim vjetor rreth 6, 5 miliard kilovat /orë. Kjo sasi energjetike po të prodhohej në termocentrale do të kërkonte rreth 2, 8 milion ton naftë në vit. Në studim u trajtuan edhe probleme të tjera si tipi i digave, lartësia e tyre, materialet e ndërtimit, radha e ndërtimit,  koha e vënies në shfrytëzim,  numri i punonjësve, kuadrot etj.

H/C Vau i Dejës

Ky objet ngrihet në pjesën e poshtme të lumit Drin, para se ai të bashkohet me lumin e Bunës rreth 18 km larg qytetit të Shkodrës. Punimet e ndërtimit filluan në janar të vitit 1967. Diga u ndërtua me material vendi. Aftësia e prodhimit të energjisë është rreth 1 miliard kilovat/orë. Inagurimi i shfrytëzimit u bë më nëntor të vitit 1971.

H/C Fierzës

Ky hidrocental është ndërtuar në brigjet shkëmbore të Drinit, pak më përpara se ky lum të bashkohet me Valbonën. Gjatësia e lumit Drin brenda vendit deri në derdhje është 285 km. Më 24 nëntor 1971 ish kryeministri i kohës Mehmet Shehu zbuloi pllakën e cila shënonte fillimin e punimeve. Kjo u shoqërua me një plasje të fuqishme të minave në vendin ku do të ngrihej diga. U diskutuan disa variante kryesore, me digë hark, digë graviteti, prej betoni dhe me material vendi me zhavor, argjil, gurë etj. Pas shumë debatesh mes specialistëve u vendos që të ngrihej diga me material vendi. Instituti i Projektimit të hidrocentraleve e transferoi qëndrën e tij në Fierzë pranë objektit të ndërtimit. Karakteristikat teknike të tij do të ishin fuqia 500 mijë kilovat me 4 turbina nga 125 mijë kilovat seicila. Diga është me material vendi me bërthamë argjile mbushur me zhavorr gurë etj. Pa u ndalur në hollësi të mëtejshme në fund të muajit shkurt 1978 u mbyll përfundimisht tuneli i shkarkimit për të krijuar liqenin e Fierzës. Në ceremoni ishin të pranishëm drejtues të lartë të shtetit, kuadro dhe specialistë, punonjës shqiptarë dhe kinezë. Më 2 prill 1978 me shumë vështirësi do të bëhej montimi i turbinës së parë. Ndërsa në korrik të këtij viti specialistët kinezë do të largoheshin nga vepra. Pikërisht në këto ditë u realizua një aktiv i zgjeruar në kinoklubin e Fierzës, ku morën pjesë projektues, ndërtues dhe montues. Përfqësuesi i lartë i qeverisë në këtë mbledhje njoftoi se specialistët kinezë ishin larguar nga Shqipëria. Ai i bëri thirrje projektuesve, ndërtuesve dhe montuesve, që të vazhdojnë punimet për ndërtimin e vepres. Kuadrot, punonjësit dhe specialistët iu përveshën punës për të ndërtuar veprën. Kështu më 8 tetor u montua turbine e dytë, ndërsa më 14 tetor 1978 u bë përurimi i veprës. Në shesh morën pjesë rreth 10 mijë vetë nga Tropoja, Kukësi, Puka, Fierza etj. Të moshuarit do të deklaroheshin para ndërtimit të H/C se do të ishte i pamundur komandimi i lumit Drin nga dora e njeriut. Tashmë ato shijuan mrekullinë, diga bashkoi malet, ndërsa uji i Drinit  u përdor për prodhimin e energjisë. Për ndërtimin e H/C të Fierzës morën pjesë punonjës nga e gjithë Shqipëria si ato që kishin punuar në vepra të tjera dhe të rinj. Gjatë punës për ndërtimin e veprës dhanë jetën 52 punonjës. Në vitin 1980 vepra u vu në punë plotësisht.

H/C Koman

Ky H/C është rreth 2 km afër fshatit Koman. Punimet e para gjeologjike -inxhinierike filluan në vitin 1974, ndërsa punimet normale në vitin 1981. Për herë të parë u ndërtua një digë e cila jo vetëm uli shpenzimet, por krijoi mundësi për të shkurtuar afatin e vënies në punë të objektit. Hidrocentrali ka 4 turbina fuqi e tyre 60 mijë kW nga 150 mijë seicila. Prodhimtaria vjetore mesatare është 1,8- 2 milioard kilovat/orë.

H/C Bistrica 1

Ky hidrocentral është ndërtuar mbi lumin e Bistricë. Ka një fuqi të vendosur 22 500 kW me 3 agregatë me 7500 kW seicili dhe prodhimtari vjetore prej rreth 100 milion kilovat/orë. Punimet filluan në janar 1958 dhe u vu në shfrytëzim në maj 1964

H/C Bistrica 2

Me një turbinë, prodhimtaria 35 milion kilovat /orë në vit. U vu në punë më 1966. Për ndërtimin e dy H/C-ve u kryen mijra metër kub gërmime të jashtme, nëntoksore dhe betonime të ndryshme. Projektimet e ndërtimit u bënë nga specialistët tanë.

Elektrifikimi

Pas ndertimit dhe vënies në shfrytëzim të mjaft objekteve energjetike për prodhimin e energjisë elektrike doli problem i përdorimit të gjere të saj në jetën e gjithë popullit. Duke e shtrirë atë në fshatra, duke ngushtuar sa më shumë dallimin me qytetin në dhjetor të vitit 1967 u vendos elektrifikimi i plotë i fshatit. Ishin elektrifikuar vetëm 30 përqind e tyre. Në atë kohë, vendi kishte 2546 fshatra gjithsej. Gjatë kësaj peruidhe 1968-1971 do të duheshin të elektrifikoheshin 70 përqind e fshatrave ose 1760 prej tyre, ato në kushte të vështira malore dhe larg qendrave të mëdha të banuara. Në vitn 1968 u elektrifikuan 343 fshatra, në 1969, 753 në 1970, 664 fshatrat e fundit duke bërë të mundur përfundimin një vit para afatit të parshikuar. Kështu 25 tetori i vitit 1970 u caktua si “Dita e Dritës” ku u elektrifikua dhe fshati i fundit në vend. Në këtë mënyrë, vendi ynë dikur i prapambetur u rradhit në vendet e pakta me fshatra plotësisht të elektrifikuar. Ky aksion u realizua me ndihmë jo vetëm të specialistëve elektrikë, por dhe shumë punonjësve nga fshati dhe qyteti. Kështu pra, u hoq njëherë e përgjithmonë ndriçimi me pisha dhe llampa vajguri, duke u zëvendësuar me dritën elekrike. Përsosmëria ka vazhduar në vite ku dhe janë të shumta investimet e kryera për sistemin tonë elektroenergjitik.

Please follow and like us: