PAJTIM S. SEJDINAJ: AKADEMIA E FISNIKËVE
Botimet Maluka, Nëntor 2024.
Pjesa e parë
Dr. Iris Halili: TË NJOHËSH GJYSHËRIT PËRMES LEGJENDAVE
Kisha kohë pa qarë teksa lexoja. Kjo ndoshta sepse vitet e fundit më shumë jam marrë me librat e mendimit që e thonë moralin e veprës drejtpërdrejt, pa përshkrime emocionale, pa karaktere të spikatura dhe pa ndonjë vështirësi për të zbuluar apo për t’iu përgjigjur pyetjes finale se çfarë ka dashur të thotë autori? Megjithatë, para disa muajsh teksa lexoja librin e mësuesit dhe poetit Pajtim Sejdinaj qava vërtet, madje edhe me dënesë pasi u njoha si në një film real me historitë e gjyshërve të mi, të treguara nëpërmjet rrëfimeve dhe legjendave të njerëzve të gjallë që i kanë njohur, vlerësuar dhe admiruar.
Unë i takoj atij brezi që jetoi në komunizëm dhe u rrit duke njohur prindërit apo gjyshërit e munguar nëpërmjet rrëfimeve të familjarëve, sigurisht nëse ishe me fat dhe kishe familjarë të sinqertë që të rrëfenin pa frikë. Neve më së shumti për stërgjyshërit dhe gjyshërit na rrëfente gjyshja. Ajo thoshte se stërgjyshi, domethënë vjehrri i saj, Hajredin Fratari, bashkëfirmëtar i Pavarësisë dhe dëshmor i saj, kishte qenë hero që kishte dhënë jetën për atdhe, madje edhe që kishte hapur shkollën e parë shqipe në Mallakastër.
Po kështu, gjyshja fliste për gjyshin, Rauf Fratarin dhe vlerat e tij si bashkëshort dhe si patriot, delegat i Mukjes dhe Pezës, si dhe luftëtar antifashist, që ndonëse kishte studiuar në akademitë ushtarake më të larta në Itali, fillimisht në Modena dhe më pas më të lartën në Romë, kishte djegur flamurin fashist sapo ata kishin vënë këmbë në tokën e tij.
Domethënë, unë gjyshin nuk e njoha kurrë, sigurisht as stërgjyshin, por në mendjen time ishte formësuar imazhi për ta si bij shqiptarësh që i kishin falur çdo gjë atdheut: pasurinë, të ardhmen e tyre dhe deri jetën e vet, që sikur thonte stërgjyshi – e kemi për t’ia dhënë atdheut. Ky edukim i gjyshes më ishte ngulitur dhe kishte skalitur dashurinë dhe adhurimin tim për ta. Të tillë, gjyshja kishte bërë edhe me fëmijët e saj: mamanë dhe dajon tim, që i ati i kishte lënë kur ishin vetëm 4 dhe 2 vjeç. Daja as nuk e kujton dot të atin, ndërsa mamit i shfaqen më shumë imazhe nga fotografitë sesa kujtimet, por le të themi se e kujton veten kur ai e hidhte hopa sikurse çdo baba bën me fëmijën e tij, aq më tepër me vajzën që ai e quante princeshë, që do të shoqërohej nga kalorësit dhe kuajt më të mirë të racës.
Gjyshja na mëkoi se njerëzit mund t’i duash dhe t’i respektosh edhe kur nuk arrin t’i njohësh kurrë nga afër; kjo, sipas mendimit tim, do të thotë t’i duash njerëzit nëpërmjet legjendave që dëgjon për to dhe të paktën këtë gjyshja arriti t’ia dalë me ne. I njohëm dhe i deshëm sepse i donte dhe i adhuronte mentorja jonë, por përtej saj asgjë më tepër nuk kishim dëgjuar për stërgjyshin, ndërkohë që kishim dëgjuar si cilësohej gjyshi “Armik i popullit”.
Asgjë nuk e ndryshonte këtë fat derisa një ditë pranvere të vitit 1987 ndodhi çudia. Si në të gjitha mbrëmjet komuniste, ku informimi vinte nga kanali i vetëm shtetëror nëpërmjet Revistës Televizive, befas shohim se Ramiz Alia, Sekretari i Parë i KQ të PPSH dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kishte vizituar zonën e Mallakastrës dhe, në fjalimin e tij “gju më gju me popullin”, papritur dëgjojmë të përmendet emri i stërgjyshit Hajredin Rakip Fratari: “Mallakastra ka nxjerrë burra të mëdhenj si Rapo Hekali, Hajredin Fratari…”. Ndërkohë që zëri i televizorit ishte ngritur në maksimum ne të gjithë kishim shtangur. U mpimë. Nuk po u besonim as veshëve dhe as syve.
Stërgjyshi kishte mbetur në harresë prej vitit 1944 kur komunistët instaluan pushtetin e tyre dhe kjo pasi i biri, nacionalisti Rauf Fratari nuk kishte pranuar t’i bashkohej vijës së kuqe dhe kauzës së saj që solli ndarjen e Shqipërisë dhe dorëzimin tek jugosllavët. Kjo kishte vulosur fshirjen tërësore të aktivitetit patriotik të Hajredin Fratarit që edhe emri i ishte hequr nga lista e firmëtarëve të Pavarësisë; ndërkohë asnjë shkollë në Mallakastër dhe jo vetëm nuk ju ishte thënë kush ishte ai burrë që la Stambollin, bashkë me gruan e tij, të dy të edukuar në ‘Robert College’ dhe hapën të parën shkollë shqipe në shtëpinë e tyre dhe me shpenzimet e veta; shtëpisë 250-vjeçare ku ishte hapur shkolla në pranverën e vitit 1906 nuk I ishte vendosur asnjë pllakatë dhe sigurisht pronat dhe sarajet ishin shtetëzuar të gjitha.
Vetëm lapidari në Berat, ndërtuar atje ku e kishin pushkatuar, nga Mbreti Zog me rastin e 30-vjetorit të Pavarësisë kishte mbetur ende. Nuk di pse e kishin lënë atë lapidar atje, përballë varrezave të dëshmorëve? Ndoshta pasi mbarë Berati e dinte si ranë ata burra për atdhe dhe ndoshta për këtë nuk donin të provokonin më shumë?!
Ndërkohë që stërgjyshi ishte lënë në harresë, gjyshit i ishte vënë damka nga më të padrejtat, si dhe ishte dënuar në mungesë me vdekje si bashkëpunëtor i fashizmit, domethënë jo vetëm që i ishte mohuar i gjithë aktiviteti i tij patriotik në krah të Mithat Frashërit dhe Abaz Kupit, por i ishte hedhur edhe baltosje nga ato që i kishte kthyer në art vetëm komunizmi hoxhian. Sipas përshkrimeve të gjyshes, gjyshi ishte mashkulli ideal: bujar, njerëzor, familjar, i pashëm, i paqtë, i ditur, por mbi të gjitha ishte patriot. Nga kujtimet e saj ndihej një dashuri që jo vetëm nuk ishte konsumuar, por sikur shtohej edhe më shumë me gjithë vitet që kalonin.
Gjyshja e kishte aftësinë ta përcillte dashurinë për ta, duke na bërë edhe ne t’i donim po aq shumë, ashtu sikurse kishte një talent gati hyjnor që të mbushte edhe atë vend të zbrazët ku duhet të ishte dashuria e babait apo e gjyshit, duke na bërë ne të ndiheshim sikur duheshim nga një njeri që në fakt kishte qenë vetëm imazh, si për fëmijtë ashtu edhe për mbesat apo nipin e tij. Rrëfimet e gjyshes, vit pas viti, ishin kthyer në legjenda; aq sa ne i kishim mësuar përmendësh.
Mes këtyre legjendave të gjyshes njohëm dhe deshëm gjyshërit tanë.
Ndodhte shpesh që sa herë donim të çmalleshim i ktheheshim një sirtari sekret të mamit ku ruheshin disa dhurata që gjyshi kishte mundur t’i sillte fshehurazi duke përdorur si dërgues disa emra të tjerë. Askush nuk duhej ta dinte se këto dhurata për dasmën e mamit ishin nga Amerika dhe kishin ardhur nga gjyshi. Mami dhe më pas ne të tjerët i mbanim ato si të shtrenjta dhe në fakt dukeshin që ai i kishte përzgjedhur me shumë kujdes dhe elegancë.
Sot e kësaj dite, ato mbeten relike të shtrenjta për ne dhe kjo botë fetishiste ishte dhe mbetet si të thuash një tjetër formë për të prekur një njeri dhe ndjerë atë përqafim që nuk e kishim provuar kurrë as ne dhe as fëmijët e vet. Të dënohesh me këtë vdekje për së gjalli, vetëm se je kundërshtar politik i një kauze, kjo ishte marrëzia komuniste e kohës kur ne jetuam dhe që fatkeqësisht shumë nga brezat e rinj nuk e dinë apo nuk u është mësuar.
Shumë herë mendoj sesi ka mundësi të jetosh, të plakesh dhe të mos të të lejojnë të rritësh fëmijën tënd, të jesh i pranishëm në jetën e fëmijëve të tu dhe të njohësh apo të gëzosh familjen tënde, ndërkohë që krimi i vetëm është mendimi ndryshe në politikë apo ideologji?!
Ky fat i gjyshit dhe shumë të tjerëve si ai ishte si një burgim në një botë të lirë (pasi gjyshi jetoi në SHBA), por nga kjo, bota e lirë nuk kishte çfarë të bënte tjetër përveçse të jetonte me lajmet që vinin nga bota e errët, ku çdo ditë familja e tij mund të shuhej sikur ishte fshirë edhe emri i tij apo familja e vet do të vuante për fajin e vetëm se ai e donte ta shihte te ardhmen e atdheut ndryshe nga si e donin ata që erdhën në pushtet.
Por fatkeqësia më e madhe qe se nuk ishte atdheu, por njerëzit që e ‘privatizuan’ atë, ata që i flakën emrat e shumë idealistëve dhe patriotëve në qoshkun e harresës apo i vunë ata në bankën e akuzës.
Kështu që unë, sikur shumë bashkëmoshatarë të mi në atë kohë, mësoja dy histori. Unë dija atë që ma tregonte gjyshja dhe atë që e lexoja në librat e shkollës apo e shihja në filmat me partizanë të Kinostudios “Shqipëria e re”. Përfytyroni një mendje fëmije që duhet të njihet me dy histori që kundërshtojnë njëra-tjetrën deri në pikën e fundit. Pikërisht atë ditë pranvere, kur Ramiz Alia përmendi emrin e stërgjyshit tonë në TV, duket sikur u hap faqja ku historitë e gjyshes po fillonin të dilnin të vërteta dhe si të thuash unë do të gjeja më në fund paqen e brendshme pikërisht atje ku besoja dhe doja më shumë, në prehërin e gjyshes sime.
Pas asaj pranvere, do të vinte një pranverë edhe më e madhe ajo e vitit 1992, kur më në fund historitë e gjyshërve dhe baballarëve, motrave dhe vëllezërve do të rrëfeheshin sikur kishin ndodhur vërtet, bazuar pikë së pari në rrëfimet e njerëzve që i kishin jetuar apo dëgjuar në kohë reale. Dhe kështu do të niste epoka kur historia duhej të rishkruhej, por që ajo të bëhej korrektësisht së pari duhej analizuar dhe kundërshtuar çfarë ishte thënë dhe shkruar për 50 vjet dhe sigurisht ky nuk ishte një proces i lehtë; përkundrazi, ishte një rishkrim i vështirë dhe një mision shumë i madh për historianët, të cilët duhet ta trajtonin historinë jo më si një fakt i vetëm i thënë nga fitimtarët, por si interpretim i shumë fakteve që çonin tek e vërteta.
Unë besoj se një ndër fatkeqësitë më të mëdha që i ka ndodhur historiografisë sonë është që asnjëherë nuk arriti të dalë nga këndvështrimi bardh e zi, kur në fakt në histori, sikurse në art, nuk ka vetëm një ngjyrë, dhe jo gjithmonë ai që fiton ka përdorur çdo mjet të drejtë për të arritur aty. Historia duhet mbështetur në shumë burime, dhe ato më reale janë gojëdhënat, legjendat apo rrëfimet e njerëzve që jetuan atë kohë. Këngët e popullit apo gojëdhënat e tyre nuk ka historian që t’i kundërshtojë dhe nuk ka kohë që t’i ndalojë. Ato dalin nga rrënojat e kohës, dalin nga labirintet e errësirës, nga fondet e bibliotekave dhe në fund rrëfejnë të vërtetën historike, saktësisht ashtu siç ndodhi.
Është falë këtyre legjendave të mbledhura nga Pajtimi në këtë libër, që unë, por edhe ju i dashur lexues, po njohim historinë e plotë të Hajredin dhe Rauf Fratarit. Ndaj mendoj se kur qava teksa lexoja librin e Pajtimit, nuk ishte vetëm përshkrimi i mrekullueshëm që ai u ka bërë karaktereve në një tekst që është dhe nuk është roman, mënyra se si ka përzgjedhur vargjet popullore në një libër që është dhe nuk është folklorik, si ka radhitur faktet historike në një material që është dhe nuk është shkruar nga një historian, por mbi të gjitha është si ai ka përmbysur disa mite të rreme dhe ka rrëfyer mitin e vërtetë, jo siç e duam ne, as edhe siç e do autori apo koha tjetër që po jetojmë, por siç e kanë thënë dëshmitarët okularë, ata që mësuan gërmat e para në shtëpinë e stërgjyshit tim, ata që mbajtën peshë trupin e tij kur e morën pas vrasjes së pabesë nga xhonturqit, ata që dëgjuan fjalët e urta të gruas së tij të mençur që nuk lejoi t’i merrej hak ndaj të shoqit se nuk donte vëllavrasje. Po kështu, rrëfimi nga Pajtimi u është mbledhur atyre që panë gjyshin që nga dita e lindjes e deri ditën që i dha lamtumirën familjes.
Nuk di sesi duhet të falënderoj autorin e këtij libri, së pari për mënyrën e bukur me të cilën i ka përshkruar karakteret, për lidhjen që u bën kohëve sa të largëta në vite aq të afërta në vlera për protagonistët, për emocionet që të bën t’i ndjesh deri në palcë falë detajeve të përzgjedhura me mjeshtëri, për peizazhet e bukura të një fshati që iu vodh historia sikurse shumë fshatrave dhe qyteteve të tëra në Shqipëri dhe mbi të gjitha për rikthimin e një të vërtete të madhe për dy burra të mëdhenj të kombit, të cilët janë edhe njerëz shumë të dashur për mua dhe familjen time, ashtu siç kanë qenë dhe mbeten të dashur për vendlindjen e atdheun e tyre si dhe për këdo që i njohu dhe pati fatin të bashkëpunonte apo luftonte me ta. Ky libër më bëri gjithashtu të besoj se rrëfimet e gjyshes sime, Ganimet paskan qenë të sinqerta dhe të vërteta dhe ndaj më duhet përsëri t’i përulem kujtimit të saj të virtytshëm.
Autori Pajtim Sejdinaj, ashtu siç bën çdo shkrimtar i mirë, në përfundim të leximit të librit nuk e lë lexuesin të pyesë për kuptimin që mbart titulli i librit pasi lexuesi arrin qartazi të kuptojë pse ai quhet “Akademia e Fisnikëve”. Më shumë se përpiqet të na bindë për këtë virtyt të parë të sagës së Fratarllinjve, autori sjell ngjarjet reale në rrethana nga më tragjike apo të vështira të jetës së tyre, dhe tregon si ata i përballuan këto ngjarje me dinjitet njerëzor.
Akademia e fisnikëve e ngritur tashmë në kornizë të virtyteve të këtyre patriotëve nuk është fjalë e veçantë apo e përzgjedhur nga autori, por është fjala që kurorëzon çdo akt të jetës së tyre në shërbim të atdheut, apo siç e thotë më bukur autori Pajtim Sejdinaj: At-mëmëdheut.
Ju siguroj se në këtë libër do të gjeni përshkrimin e një fshati të bukur shqiptar, zakoneve të tij, atyre të lindjeve, dasmave, vdekjeve, vajtimeve dhe gëzimeve; do të gjeni natyrën e bukur shqiptare, historinë e dhimbshme që ka kaluar vendi që nga fillimi i rilindjes kombëtare dhe deri në rënien e komunizmit. Mes historisë së kësaj pjese të familjes sime do të gjeni historinë apo fatin e shumë familjeve të tjera shqiptare që u vranë, u dëbuan, u burgosën, u mohuan, u shpronësuan, u asgjësuan, por kurrë nuk u mposhtën.
Mos e lini pa lexuar këtë libër të thjeshtë në dukje, por të fuqishëm në ndjenja dhe histori. Ai jo vetëm na edukon si të jemi më empatikë, por na mëson si të jemi më të dhimbshëm dhe si të dalim përtej egos sonë për t’i shërbyer kauzave më të mëdha, sikur janë njerëzit në nevojë apo atdheu në nevojë! Na mëson çfarë do të thotë të lindësh, jetosh dhe vdesësh si fisnik në shpirt. Na edukon sesi duhet t’i duam dhe kurrë të mos harrojmë rrënjët tona. Kjo na bën edhe më fisnikë!
Faleminderit dhe lexim të këndshëm!
HYRJE
Thonë se ëndrra fle në sirtar. Por me ëndrrën time nuk ndodhi kështu.
Ëndrra ime i ngjan një “Blete të arratisur” e dëbuar nga Kosherja nga “Zgërbenjtë e kuq” dhe ajo fluturoi si e harlisur nëpër hapësirën qiellore për gati 50 vjet. I rezistoi stuhive, rrebeshit, dallgëve të kohës, duke besuar dhe shpresuar se një ditë ajo do të kthehet në koshere, kur vendin e saj e zunë “Zgërbenjtë e kuq”. Dhe ajo ditë erdhi në Dhjetorin e vitit 1990. Mbas këtyre ditëve, ajo erdhi në Koshere. Duke më zgjuar mua dëshirën për të shkruar këtë libër.
Ky libër nuk ka statusin e një gjinie letrare të përcaktuar qartë, ka një strukturë ku gërshetohen llojet dhe nënllojët e gjinive letrare, çka do të thotë se gjatë leximit do të gjeni të gjitha gjinitë letrare, llojet dhe nënllojet e tyre. Pra kur bëhet fjalë për gjininë e Poezisë do të gjeni nënllojet e saj si këngën, poezinë lirike dhe epike, elegjinë, baladën më vargje, etj. Në Prozë do të gjeni legjendën, gojëdhënën, prozën e shkurtër si dhe përrallën, batutat, anektodat. Në Dramaturgji do të gjeni tragjedinë ku nëpërmjet pasazheve tragjike do të kuptoni tronditjen shpirtërore jo vetëm të personazheve në libër, por edhe të lexuesit. Do të gjeni anën komike e cila realizohet nëpërmjet batutave, anektodave apo humorit të njerëzve të thjeshtë, të cilat janë ndërtuar me stilemat e një gjuhe të normës letrare dhe asaj të dialektit të toskërishtes, ç’ka e bën librin më tërheqës. I marrë në kompleks libri merr trajtën e një rrëfimi të një realiteti jetësor sepse në të gjitha gjinitë lerare veprojnë të njëjtët personazhe në veprimet e tyre, që shtjellojnë subjektin e vet në hapësirë dhe kohë të ndryshme, veprojnë në vende të ndryshme, por që kanë një bosht të përbashkët: Ai është At-mëmëdheu, pra vendlindja e tyre e dashur.
Rrëfimi ndërthuret në formën e bashkëbisedimit të rrëfyesit në trajtën e një interviste. I përmbledhur në një emër “Lisi i Moçëm” që përfaqëson të gjithë ata që i kanë përjetuar ngjarjet që rrëfehen në libër dhe kanë qenë pjesëmarrës në ngjarjet e zhvilluara në subjekt, nga ana tjetër është një gazetar, mësues që kërkon të zbuloi Enigmën, Misterin, Dilemat mbi të vërtetën e historisë së vendlindjes së tij, të cilën ia kanë mohuar dhe ia kanë vjedhur për 100 vite. Bërthama e librit është mbështetur tek Autoktonina e Vendlindjes dhe e At-mëmëdheut. Autoktonia vjen nëpërmjet legjendave, gojëdhënave të vendlindjes, të transmetuara prej banorëve nga brezi në brez dhe të personazheve gjatë gjithë rrjedhës së historisë të popullit tonë dhe që arrin pikën kulmore me shpalljen e Pavarësisë të vendit më 28 Nëntor 1912 dhe vazhdon deri kur komunistët fituan luftën dhe nisën një luftë edhe më të tmerrshme.
Nga kjo pikëpamje libri merr edhe karakter historik. Në libër protogonistët janë personazhe apo karaktere që kanë qenë realë: Ati, Biri dhe Nëna, të cilët kanë luftuar me mish dhe me shpirt për çështjen kombëtare. Kanë sakrifikuar dhe jetën për Kombin, por që më vonë janë lënë në harresë dhe u është mohuar ky kontribut. Në fund të librit do të kuptoni të vërtetën e disa enigmave, trillimeve, mistereve, pabesive, mllefeve, reprezaljeve, persekutimeve, dilemave, vrasjeve që koha i bloi në mullirin e gënjeshtrës dhe komunistët ua jepnin njerëzve si bukë për të helmuar të vërtetën. Të gjitha këto janë si një lëmsh i ngatërruar që nuk u gjendet filli dhe që shtronin shumë pikëpyetje jo vetëm para meje si autor i librit, por dhe para jush si lexues. Libri merr dhe trajtën e traktateve filozofike, psikologjikë, sociologjikë, teologjikë për jetën duke na dhënë mesazhin “Si mund ta jetojmë atë; si të përballemi me vështirësitë edhe në momentet më ekstreme të saj; pra si e sfidojmë të keqen në jetë”. Në libër lexuesi do të gjejë vetveten mbasi aty shpalosen virtytet më të mira të njeriut, ato që i duhen atij në jetë. Të tillë janë edhe karakteret kryesore të librit, pikërisht ata që me aktet e tyre pakuptuar kanë krijuar atë që unë do ta quaja “Akademia e Fisnikëve” me modelin e ndritur se vetëm nëpërmjet dashurisë për njeriun mund të mbërrijë tek Njerëzorja.
Po përse e shkrova këtë libër?
Kam lindur dhe kam jetuar në një epokë të çuditshme dhe të çmendur! Në epokën e “Zgërbenjve të kuq”, gjatë epokës së mllefeve, të eksperimenteve më të egra ndaj qënies njerëzore, duke i mohuar të drejtat, mungesën e Lirisë dhe të Fjalës, për të cilat njeriu ka nevojë nën slloganin e “luftës së klasave” që trembej dhe “foshnja në barkun e nënës”. Persekutimet, internimet, vrasjet nën cilësimin “Armiku i popullit” dhe që kryheshin gjoja në “Emër të popullit”.
Njerëzit, bashkëpuntorët dhe vendlindja e tyre përndiqej duke u mohuar çdo të drejtë. Në vitet 70-80-të shekullit 20 kuptova diskriminimin, mohimin e të drejtave këtyre njerëzve, pikërisht ne ato vite kur nisa të kuptoja ç’është jeta. Fëmijët e bashkëpunëtorëve të “Armikut të popullit” i trajtonin sikur të ishin kafshë dhe jo njerëz. Ata udhëhiqeshin nga motoja “Njeriu për njeriun është ujk” dhe kështu të zhduknin farën e nacionalistëve të ndershëm. Këtë moto ata e zbatonin brenda të njëjtit fis, geni, familje, lagje apo fshati deri te rrjeti miqësor i tyre në çdo kënd të Shqipërisë, të cilët i kishte kapur damka e “Armikut të popullit” për t’i bërë fije-fije ose si thotë populli kokrra-kokrra. Dhe ky sllogan ishte justifikuar nga ata sepse gjoja “Armiqtë e popullit” ishin pajtuar me “idetë antikombëtare”, ide që kishin për qëllim asimilimin e Kombit.
Në bashkëbisedim me njerëz të thjeshtë, pjesëmarrës në këto situata, ata rrëfeheshin se këta “Armiq të popullit” nuk kishin bërë asgjë përballë mëkateve dhe tmerreve të komunistëve si gjatë luftës Nacional Çlirimtare ashtu edhe në periudhën e viteve 1944-1990.
Në libër del në pah edhe figura e gruas si një forcë kryesore në dhënien e ndihmesës të saj në progresin përparimtar në një shoqëri njerëzore dhe për çëshjen kombëtare. Ajo mbetet udhërrëfyese e edukimit të fëmijëve në një shoqëri gjatë gjithë jetës.
Sfondi i peizazhit në libër është mjedisi dhe natyra reale e At-mëmëdheut tim, më së shumti Shqipëria e Jugut nga Mallakastra e Sipërme dhe poshtë, pikërisht atje ku jetojnë dhe veprojnë personazhet e librit. Natyra e bukur e vendlindjes përfaqësohet nga një gjelbërim mahnitës dhe lule shumëngjyrëshe që simbolizojnë bukurinë e mbjellur nga dora e Gruas Çame, Merifa. Pema e ullirit simbolizon Paqen të mbjell nga dora e Gruas Shqiptare, Sabire. Trëndafili simbolizon Dashurinë e mbjellë nga dora e gruas nga Kosova, Ganimetes. Në mënyrë figurative ato përfaqësojnë trinomin Çamëri – Shqipëri – Kosovë që përbën trungun e At-mëmëdheut. Këto janë zonja dhe karaktere reale e jetësore në libër.
Pëllumbat e paraqitur në libër janë simbol i Martirëve që kanë luftuar për At-mëmëdheun gjatë gjithë historisë së vendlindjes. Dallandyshet e përshkruara në libër janë simbol i qindra dhe mijëra mërgimtarëve, kurbetllinjve, emigrantëve që s’e harrojnë kurrë vendlindjen e tyre. Kalamatrëngu dhe tempulli i tij përfaqëson lashtësinë e vendlindjes dhe janë dëshmitarë të rrjedhës së ngjarjeve në shekuj të Historisë të At-mëmëdheut. E shkova këtë libër edhe si përmbushje të amanetit të tim eti për të rrëfyer historinë e vërtetë, atë të jetuar dhe të dëshmuar nga njerëz realë të dy burrave të shquar të Mallakastrës dhe At-mëmëdheut, at e bir, Dëshmorit të Kombit Hajredin Fratari dhe Pishtarit të Demokracisë Rauf Hajredin Fratari. Libri është edhe një përkushtim modest dedikuar të gjithë martirëve të vrarë nga Diktatura Komuniste. Shpirti i tyre kthyer në “Pëllumba të Bardhë” fluturon i lirë mbi truallin e vendlindjes së dashur.
VENDLINDJA
Mirësevini! Mirësevini!
Vendlindja u pret si NËNA!
Ku si zjarr shpërthen KËNGA!
Bejari me dhjetë KURORA!
Ç’ia sheh syri ia bën DORA!
Mirësevini! Mirësevini!
Ku janë rrënjët e MIQËSISË
Akademia e FISNIKËRISË
Ku është malli i DASHURISË!
Ku është çerdhja e MARTIRIT!
Ku fluturojnë Pëllumbat e PRILLIT!
Ku çel lulet PRANVERA
Ku gëzon zemra NGAHERA
Mirësevini! Mirësevini!
Te vendlindja e ULLIRIT
Te lule e bukur e TRËNDAFILIT
Të dëgjoni këngën e BILBILIT
Mirësevini! Mirësevini!
Te “Mësonjëtorja e PARË”!
Ku malli na vlon si ZJARR
Vendi i bukurisë së RRALLË!
Lum ai që e ka PARË!
Mikpritjen e kemi TRADITË!
Ejani miq e shokë për VIZITË!
ORIGJINA E EMRIT BEJAR
Lagjia më e vjetër e Mallakastres e Sipërme është Hyrkaj, e cila mbahet si më autoktone në Bejar dhe Saraç (në Tatoshaj). Sipas legjendës i pari i tyre ka ardhur nga Molla e Kuqe. Në lagjen Saraç ka patur një Goxhamish, pemë e madhe ku miku i ardhur nga Molla e Kuqe i tha pronarit “Vëre pak veshin dhe do të dëgjosh sikur brenda trungut të goxhamishit gumëzhijnë bletët”.
Pronari vendosi veshin dhe miku e mbërtheu me gozhdë duke i kërkuar pronarit një lëkurë lope vendi. Pronari ia dha. Miku e preu lëkurën rripa-rripa të vogla dhe vendosi kufijtë, aty ku është lagjia e Hyrkaj. Miku filloi të punojë një lëndinë. Kalon aty një udhëtar i rastit dhe e pyet: “Çfarë po bën”?
Miku i përgjigjet:”Po Bëj-ar”!
Më vonë gërma “ë” pësoi rotocion në “e” dhe vendi mori emrin Bejar.
Varianti i dytë, ky emër mund të jetë vendosur nga romakët gjatë pushtimit si vend i bukur, pra behar. Gërma “h” ka pësuar rotacion në “j” dhe vendi ka marr emrin Bejar. (Një version të përafërt e jep Sami Frashëri tek vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”. Ka dhe një variant tjetër që Bejari e ka marrë emrin nga togfjalëshi djalë-beu, sipas z. Hajredin Elmazi, gjë që nuk është e vërtet, pasi titullin ‘Beu’ e ka marr Rakip Isufi në shekullin e 19-të. Kurse emrin e ngastrës Bejar e hasim në dokumentet turke qysh në vitin 1492. Ndërsa lagjet e tjera kanë ardhur më vonë edhe ato kanë legjendat e tyre, të cilat janë të përshkruara në librin tim “Të zbulosh rrënjët e tua”.
Origjina e emrit Fratar
Fratari i sotëm është emërtimi i Njësisë Administrative të pushtetit lokal që përmbledh fshatrat e Mallakastrës së Sipërme, Bashkia Mallakastër. Po cila është origjina e këtij emërtimi? Në fakt ky emërtim është vendosur shumë vonë dhe kjo lidhet me mbiemrin e Dëshmorit të Kombit, Hajredin Rakip Fratari, i cili hapi dhe shkollën e parë shqipe në fshatin Bejar në shtëpinë e vet.
Për origjinën e Fratarit ka tre variante:
a. Njëri variant është se ky emër vjen nga një fshat i Përmetit i quajtur Fratar. Por nuk ka asnjë përputhje të tipareve tipologjike, zakonore, folklorike, etnografike, kulturore, historike, gjuhësore të atij fshati me fshatin tonë.
b. Varianti i dytë është ai që studiues të ndryshëm përfshijnë në këtë emërtim fshatrat Dams, Ninsh, Bejar, Gadurovë, gjë që nuk është e vërtetë se asnjëherë këto fshatra nuk kanë qenë nën juridiksionin me të njëjtin emër, Fratar. Çdo fshat duket sikur ka një mister në emërtimin e vet, gjë që e kanë përshkruar në studimet të tyre disa autorë si H. B., T. A., Nj. A. Ato kanë qenë bashkë në një lokalitet me emrin Symizë. Mbas viteve 1970 kur këto fshatra u bashkuan në një kooperativë dhe morën emrin “Kooperativa e Bashkuar Symizë”.
c. Varianti i tretë lidhet me legjendën e kryqëzimit të Fratit (murgut) në Kishën e Kalamatrëngut, në shekujt 9-11, e cila ka mbërritur deri më sot në formën e gojëdhënës. Dhe vendi përreth mori emrin Fratar, pra Bejari është quajtur dhe Fratar.
Po kush e solli emrin Fratar? Këtë emër e solli Hajredin Rakipi si mbiemër të tij Fratari në fillimet e shek. XX kur u kthye nga Turqia, hapi shkollën e parë shqipe dhe zhvilloi aktivitetin mësimor e patriotik në Mallakastër. Ai ndoqi modelin e Rilindësve që, për të mbajtur lidhjet me vendlindjen, mbajtën si mbiemër emrin e fshatit apo të trevës së tyre si Gj. Fishta, N. Frashëri, N. Mjeda, etj.
Pra ai mund të mbante si mbiemër edhe emrin e fshatit Bejar. Kjo lidhet me arsye tjetër sublime. Meqë frati u flijua për vendlindjen, Hajredini për të përcjellë mesazhin në breza “Kush sakrifikohet për At-mëmëdheun mbetet i pavdekshëm” vendosi si mbiemër të vet mbiemrin “Fratari”. Dhe në të gjithë Mallakastrën dhe Shqipërinë ai gjithmonë do të njihet si Hajredin Rakip Fratari.
Toponimi Ziaj në Bejar
Një vështrim historik duke u mbështetur në legjendat, gojëdhënat dhe faktet historike. “Ziaj”, emër vendi-toponim-enigmë. Ndodhet në fshatin Bejar, Mallakastër, në “këmbët” e kodrës të Kalamatrëngut, pranë rrugës kombëtare Levan-Tepelenë, aty ku kthehet rruga për në fshatin Ninsh-Mallakastër, Levan dhe shkon për në teqenë e Rabies, Tepelenë. Ka një mister në vetvete që lidhet me ngjarjet tronditëse të dhimbshme të ndodhura në periudha të ndryshme historike, që shtrihen në kohë dhe në hapësirë. Ky emër lidhet me Kishën dhe Lisin e Kalamatrëngut që shkon deri në antikitet. Historiani britanik N. G. L. Hammund (1907-2001), në librin e tij e tij të njohur për Epirin thotë: “Dodona ishte një qendër fetare dhe orakullore, kryesisht për fiset e Ilirëve në veri dhe në jug. Dodona ka qënë Ilire”. Por këtë fakt e përshkruan dhe Homeri tek “Iliada” kur flet për një Dodonë pellazgjike te kënga e 16-të. Dodona ishte vendi më i vjetër i adhurimit të Zeusit në Epir. Orakulli natyror i Dodonës përfaqësohej nga një lis i lashtë që ka ekzistuar në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. U parashtruan këto të dhëna për të dalë tek gojëdhënat që kanë ardhur deri më sot në formën e një trashgimie gojore dhe që duhet të trashëgohet dhe të mësohet nga brezi i ri në Bejar. Pra ky toponim nuk duhet të harrohet se ka një mister, një enigmë në vetvete. Të gjitha intervistat që kam bërë me shumë të moshuar në Bejar para 15-20 vitesh dalin në një pikë, pikërisht tek “legjenda e kuisjes së qenëve në Ziaj”. Kjo lidhet me kryqëzimin e Fratit apo të ndonjë beteje tjetër të shfarosjes së njerëzve në këtë vend. Dhe qentë kuisnin natën për mungesën e të zotërve. Vendi mori emrin “Ziaj”, për shkak të përgjërimeve të mëdha që janë bërë në periudha të hershme. Bëhet fjalë për një tragjedi që s’ka njohur kufi. Toponime të tilla vërtetojnë se ne jemi autoktonë në këtë vend.
Lisi i Fratit
Në Kalamatrëng ka patur një lis që quhej “Lisi i Fratit”, i cili është shkulur më 25 Dhjetor 1968 nga komunistët pas prishjes të kulteve fetare si teqe, xhami, mekame. Kalamatrëngu dhe toponimi “Ziaj” mbajnë brenda një mister i cili lidhet me emrin e një frati të martirizuar. Lisi u identifikua si vendi i shenjtë mbas kryqëzimit të tij. Toponimi “Ziaj” lidhet me emrin e Fratit ose të ndonjë beteje të zhvilluar në këtë vend. Ndërsa emërtimi i Kalamatrëngut mendojmë se do të thotë “Kala e martirëve”, që mund lë jetë vendosur nga romakët ose bizantinët. Po ka dhe një variant tjetër që lidhet me fisin Matrëngaj, sipas prof. Eqrem Çabej, i cili bën krahasim midis të folmes së Arbëreshëve të Italisë dhe të asaj së zonës sonë, por në Bejar nuk ka patur fis me këtë mbiemër. Për sa i përket Kishës, gjurmët e saj janë edhe sot, pasi edhe mbas prishjes ajo ka funksionuar si vend i shenjtë në mënyrë të heshtur e të fshehtë ku banorët ndiznin qirinj.
Martirët
Po cilët janë martirët për Tempullin? Le të hedhim një vështrim historik.
- Martirët janë ata që u rezistuan sulmeve të Romakëve, përshkruar nga Sami Frashëri tek vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Martirët janë ata që u bënë ballë sulmeve të Bizantinëve. Kjo lidhet edhe me “Martirizimin e Fratit”, (ndoshta emri i Kalamatrëngut është vendosur nga bizantinët). Këtu ka ndodhur dhe gjëma e madhe, sipas një legjende që ka ardhur deri në ditët e sotme. Ushtria Osmane zbriti nga Tepelena dhe mbërriti në Kalamatrëng, ku mori robër të panumërt, djem e vajza kokëfortë, inatçinj, të cilët kishin shtat të rregullt si selvi, të bukur dhe ecje plot naze. Kjo periudhë lidhet dhe me ngjarjen kur Dajlan Nukaj vrau zyrtarin e lartë turk për mospagimin e taksave.
- Martirët janë ata që u bashkuan me Ali Pashë Tepelenën. Pashai ka patur një palë saraje në Bejar ku ishin nipërit e tij Muharrem dhe Muhamet Llakaj në lagjen Zaimaj. Mbas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës ato u dogjën nga ushtria turke.
- Martirët janë ata që iu bashkuan “Lëvizjes të shqiptarëve” kundër reformave të Tanzimatit të udhëhequr nga Rrapo Hekali.
- Martirët janë ata që iu bashkuan Rilindjes Kombëtare dhe mundësuan hapjen e shkollës shqipe në Mallakastër me në krye Hajredin Fratarin, në shtëpinë vet ku lëshoi kushtrimin “Burrat në luftë, fëmijët në shkollë. Çdo mallakastriot të bëhet një mësues dhe çdo shtëpi të bëhet një shkollë”.
- Martirët janë ata që morën pjesë në Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Martirët janë ata që dolën në mbrojtje të qeverisë të Ismail Qemalit në vitet e mbrapshta 1913-1915, kur Hajredin Rakip Fratari sakrifikoi dhe jetën në mbrojtje të Qeverisë të Pavarësisë nga rrebelët e Haxhi Qamilit.
- Martirët janë ata që, të inkuadruar në batalionin “Hajredin Fratari”, morën pjesë me armë në dorë në Luftën e Vlorës. Martirët janë ata që iu bashkuan luftës kundër nazi-fashistëve dhe sakrifikuan jetën për liri.
- Martirët janë ata që shmangën vëllavrasjet në Bejar në vitet 1943-1944, të nxitur nga bolshevikët dhe komunistët, duke u bashkuar si vëllezër me njëri-tjetrin në mbrojtje të interesave kombëtare.
- Martirët janë ata që i rezistuan me stoicizëm diktaturës komuniste për gati 50 vjet. Martirët janë ata që iu bashkuan Lëvizjes Shqiptare për Demokraci nën moton “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
- Martirët janë ata që, në kërkim të një jetë më të mirë, janë shpërndarë në të gjithë botën, por nuk e harrojnë kurrë vendlindjen e tyre. Martirët janë ata që i bënë bllok vitit të mbrapshtë të vitit 1997, të cilët u sakrifikuan në mbrojtje të Demokracisë dhe nën modelin e trashëguar shmangën vëllavrasjen midis njëri-tjetrit në Bejar.
- Martirët janë të shumtë gjatë periudhave të ndryshme historike dhe ndihmesa e tyre për çështjen kombëtare nuk mund të çmohet. Ata kanë luftuar në të gjitha periudhat historike për të ruajtur dhe çuar më tej traditat, zakonet, dashurinë dhe mallin për vendlindjet me të gjitha format që nga fjala dhe deri te pushka për të ruajtur dinjitetin e vendlindjes së tyre.
Martirëve
Ai cop qiell që takon!
Ndriçohet nga Martirët e vendit tonë!
Martirët dhanë jetën për liri!
At-mëmëdheu i mban në gji!
REFLEKTIM MBI HISTORINË
Fshati Bejar bën pjesë në Njësinë Administrative të bashkisë Mallakastër, Qarku Fier, në të dy anët e autostradës Levan-Tepelenë. Me një bukuri natyrore që e ka bekuar Zoti, me një histori të dhimbshme, por edhe të bukur! Histori që monitorohet nga Martirët që kanë luftuar për “Lirinë e Kombit” gjatë të gjitha periudhave historike. Martitët janë zgjuar dhe janë mbledhur në “Kullën e Fildishtë” të tempullit në “Mësonjëtoren e parë” të Mallakastrës. Ajo ndrin si ar në historinë shekullore të Mallakastrës së Sipërme duke ndriçuar zemrat e Bejarakëve në breza.
Janë dajot e Rrapo Hekalit të cilët luftuan përkrah tij. Ende dëgjohen tringëllimat dhe hingëllimat e kuajve, ende dëgjohen jehona e britmave të Haxhi Brahimit, Mehmet Fekës, Rakip Isufit dhe martirëve të tjerë të Bejarit që u rreshtuan përkrah nipit të tyre, Rrapo Hekalit. Por historia e viteve 1944-1990 asnjëherë nuk shkroi, përkundrazi i fshiu nga faqja e historisë. Mbasi Rrapo Hekali ishte nip në Zotaj, lagjia e Rauf Fratarit. (Arsyet absurde do t’i përshkruaj më poshtë).
Çudia më e madhe është se Bejarit i është “vjedhur” Historia! Mos u çudisni, kjo është e vërtetë si drita e diellit. Mëkatet e “Makutërisë” e kanë fshirë nga historia kontributin e fshatit Bejar gjatë gjithë rrjedhës së saj. Mjafton të kujtojmë shkrimin e kronistit osman (1541-1600) në librin “Bërthama e lajmëtarëve” për luftën e udhëhequr nga sulltan Bajaziti i dytë në vitin 1492. Në këtë libër përshkruhet portreti shpirtëror i djemve dhe të vajzave të Nahijes-Mallakastër, Ngasra-Bejar, Kazaja-Berat, Sanxhaku-Gjirokastër ku përmendet dhe toponimi i tempullit të “Kalamatrëngut”, (vend që është dhe sot në Bejar e që do të thotë Kala e Martirëve).
Konkretisht kronikani shkruan: “Topçinjtë osmanllinj zbritën nga Tepelena dhe mbërritën në Kalamatrëng ku ushtria osmane mori atje robër të panumërt, djem dhe vajza kokëfortë, inatçinj, të cilët kishin shtat të rregullt me trup si selvi, bukuri si zambak dhe plot naze”. (Bejarakët e sotëm janë pasardhësit e tyre). Ka pseudohistorianë që e kanë e “shitur” historinë e vendlindjes sime. Por historia e Bejarit shtrihet dhe më tej me sakrifikimin e “Fratit” në Kishën e Kalamatrëngut (sipas legjendës) dhe historianët kanë heshtur. Edhe në vitet 1900-1912 Bejari ka patur çetën e vet të udhëhequr nga Hajredin R. Fratari. Në shpalljen e Pavarësisë mori pjesë me çetën e vet me komandant Veiz Sile Zeqaj. Në aktin përfundimtar të shpalljes së Pavarësisë ka patur firmëtarin e tij Hajredin Rakip Fratarin. Historianët edhe këtë e “shitën” në periudhën 1944-1990.
Në vitet 1912-1915 çeta e Bejarit u ngrit në këmbë në mbrojtje të Qeverisë së Ismail Qemalit deri sa sakrifikoi “Senatorin e Fisnikërisë”, Hajredin Rakip Fratarin.
Edhe në vitet 1920 ka patur çetën e vet të inkuadruar në batalionin “Hajredin Fratari”, të udhëhequr nga Veiz Zeqaj, Sinan Ramo Tavllai dhe Qazim Cane Myftari, (i cili është plagosur) ku kanë luftuar heroikisht.
Edhe gjatë viteve 1939-1944 Bejari ka patur formacionet e veta në luftë të inkuadruar në batalionin “Hajredin Fratari” (në gjurmët e batalionit të vitit 1920), të krijuar nga Rauf Fratari në Prill 1939 si formacion luftarak kundër Italisë fashiste jo vetëm me pjesëmarrjen e burrave të Bejarit, por edhe të të tjerëve nga treva e Mallakastrës së Sipërme dhe të disa fshatrave të Tepelenës, gjitonë me Mallakastrën e Sipërme deri në Shtator 1943. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes hyri “miza” e përçarjes nga komunistët dhe një pjesë e tyre u nda duke krijuar “Grupin e tretë”, Mallakastër me komandant Qamil Hamzo Rakipaj (i nipi i Rauf Fratarit). Hajredin Fratari ka patur si mbiemër atë Rakipaj, por për të mbajtur lidhjet me vendlindjen sipas modelit të rilindësve mori mbiemrin Fratari kur u kthye nga Turqia në vitin 1906. “Akademia e Shkencave” dhe “shoqatat patriotike” harruan t’i shënonin në protokollin e tyre. Por kjo për popullin e Bejarit pak rëndësi ka, historinë e kanë shkruar me gërma të arta: Martirët që kanë luftuar për liri. Ata që sot prehen të qetë në Olimpin e “Mësonjëtores së parë”, duan a s’duan akademikët dhe “kryetarët e shoqatave fantazmë”.
Çudia shqiptare vazhdon në mënyrë më absurde me “Mbretërinë e Zgërbenjve” të Enver Hoxhës, ku fshati Bejar ka qenë më i diskriminuar në Mallakastrën e Sipërme për arsye se kishte pesë nacionalistë të ndershëm të pushkatuar. Ata janë:
1. Rauf Hajredin Fratari, nacionalisti që gjithë jetën punoi për kombin, udhëheqës i formacionit luftarak kundër fashizmit. Ata e bënë “Armik të popullit” në “Emër të popullit”. Arritën deri atje sa morën “hak” te ndërtesa e shtëpisë deri sa e rrënuan. “Mësonjëtoren e parë” e kthyen në haur (në depo të grumbullimit të drithrave). I hoqën të gjitha reliket (që ishin ruajtur me fanatizëm nga pinjollët e Hajredin Rakip Fratarit) vetëm e vetëm se Hajredini ishte i ati Raufit. Familja e Raufit u internua, të birin e futën në burg. Farefisin e humbën si “sopata pa bisht” dhe Raufin e përndoqën deri sa e vranë në vitin 1973.
2. Ali Qazim Merkaj. E pushkatuan. Eshtrat nuk u gjetën kurrë. Vëllain e futën në burg. Nipër dhe mbesa i internuan.
3. Qani Sulo Rakipaj, një nga djemtë më të mirë që kishte Bejari. I qeshur, i dashur me të gjithë, e vranë disa ditë para martesës. Të afërmit i shpërndanë si “zogjtë e korbit” duke i internuar në vendet më të vështira. Fëmijët e tyre nuk i lejonin të shkolloheshin.
4. Sheh Zenel Aliu, kleriku nderuar. I prishën “Mekamin” i cili ishte hapur në vitin 1630 nga stërgjyshërit e tij. Aty kryenin ritet fetare jo vetëm banorët e Bejarit, por edhe të Mallakastrës së Sipërme. Fëmijët e fëmijëve e paguan shtrenjtë, ishin nxënës të shkëlqyer, por ju dha vetëm arsimi i detyrueshëm, më tej për ta edukimi ishte “mollë e ndaluar”.
5. Haki Xhafer Rakipaj, vetë partizan, motra partizane, i ati partizan. E pushkatuan pas çlirimit sepse devijon nga rruga e tyre. Ia internuan vëllezërit. Ata futën përçarjen me njëri-tjetrin që nuk e kish parë historia gjatë të gjithë shekujve. U ndanë nga njerëzit e tyre më të dashur, u shkatërruan familjen! Ku e shikonim njëri-tjetrin si “ujku gomarin”. Mbretëria e Zgërbenjve nuk kishte “kandar” për t’i peshuar gjërat, sepse atyre u kishte humbur “topi i ziqit”. Po çfarë kishin bërë këta “Armiq të popullit” kur “Mbretëria e Zgërbenjve të Kuq” e Enver Hoxhës i dënoi në “Emër të popullit” pa gjyq? Kishin bërë “Mëkatin” më të madh në historinë e një vendi: Kishin luftuar për “LIRINË e KOMBIT” të vet! Krijuan çerdhen e nacionalizmit në Mallakastrën e Sipërme, e cila luftoi për larine e At-mëmëdheut. Çudia vazhdon!…
Dhe këtë ‘Mëkat’ të “Armiqve të popullit” duhej ta paguante populli i Bejarit sepse këta ishin bijtë e tyre. Prandaj për këtë arsye:
- Fshati i Bejar u pa me syrin e njerkës nga regjimi komunist dhe u diskriminua, u persekutua. Hoqën të “zinjtë e ullirit” jo vetëm familjet e të pushkatuarve, por i gjithë fshati. Për fshatin tonë “Mbretëria e Zgërbenjëve” ka përdorur moton makabre: “Duke i ndjellur si qen, kur kishin nevojë për aksione, mbledhje, llustra, fasada, brohoritje për ta dhe pastaj i hidhnin si qen rruge ose si limon i shtrydhur”. Kështu diskriminimi, poshtrimi vazhdonte në mënyrë të rëndë:
- Për Hajredin Rakip Fratarin, si Korifeu i hapjes së “Mësonjëtores së parë shqipe” në Mallakastër, rilindas dhe patriot i shquar në mbrojtje të Qeverisë së Ismail Qemalit, “Dëshmori i kombit” nuk u zhvillua asnjë aktivitet patriotik. Në lapidarin e fshatit (pranë shkollës) nuk është i regjistruar emri i dëshmorit Hajredin R. Fratarit. Në vitin 1962 (me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë) nuk u ftua asnjë nga pinjollët apo të afërmit e Dëshmorit të Kombit dhe nuk u organizua asnjë ceremoni përkujtimore në fshat. Edhe dekorata e dhënë u dërgua “hajdutçe” në muzeun e Mallakastrës, vetëm e vetëm se Hajredini ishte babai i nacionalistit Rauf Fratari.
- Edhe furrën e bukës në Bejar e prishën, (Bejari furnizohej me bukë nga Ninshi dhe Damsi).
- Fshati me 2000 banorë, me territorin më të madh në Mallakastrën e Sipërme, i vinin shumë pak bursa për në shkollat e mesme, në krahasim me fshatrat e tjerë të zonës.
- Bejari mbeti pa shkollë 8-vjeçare deri në vitin 1988. Ajo u ndërtua shumë vonë, falë përpjekjeve të ish-mësuesit Qemal Skënderaj. Në krahasim me fshatrat e tjera, “Mësonjëtorja e parë shqipe” nuk u përkujtua asnjëherë, nuk u vendos qoftë edhe një pllakë si simbol.
- Përgjegjësit e sektorëve, agronomët, veterinerët dhe ekonomistët vinin nga fshatrat e tjerë.
- Mësues nga fshati, gjatë gjithë periudhës 1945-1990 kanë qenë vetëm 5 të tillë me shkollë të mesme Pedagogjike. Nuk bëhej fjalë për profesione të tjera. Pra Bejarit i është vjedhur historia që është akti më makabër në shekuj. Dhe këto i bënin në “Emër të Popullit”. Megjithatë, Bejari ka ditur t’i kalojë me mençuri dhe zgjuarsi këto situata duke ruajtur respektin dhe dashurinë për njëri-tjetrin në të gjitha periudhat historike të trashëguar si testament nga të parët, shmangien e vëllavrasjes.
Kam patur fatin që 10 vjetët e fundit të kem punuar si mësues në fshatin tim të lindjes ku për ngjarjet patriotike në Bejar kemi zhvilluar veprimtari mbresëlënëse (komiteti i veteranëve të fshatit dhe zonës ka qenë pjesëmarrës në këto veprimtari). Kemi shkuar për vizitë te familjet e dëshmorëve së bashku me nxënësit, kemi simbolizuar datën 24 Prill si ditë përkujtimore të hapjes së shkollës së parë shqipe. Kemi shkuar bashkë me nxënësit te shtëpia ku është hapur shkolla e parë shqipe. Kemi ngritur muzeun e shkollës, një ndër muzetë më të mira në zonë, që pasqyron vlerat gjithëpërfshirëse të fshatit Bejar.
U bënë përpjekje të ndërrohej emri i fshatit nga Bejar në Behaj. Çudia më e madhe është se vendimi i këshillit bashkiak, për ngritjen e një memoriali te shtëpia ku është hapur shkolla e parë shqipe në Mallakastër, ka disa vjet që fle në arkivën e bashkisë Mallakastër. Ligji 7501 cenoi territorin e fshatit Bejar duke lënë jashtë tij 30 për qind të sipërfaqes nga i cili përfituan fshatrat Ninsh, Damës, Malas dhe Anës Breg. Dhe populli i Bejarit nuk u ndje se është fisnik. Por kur cenohet dhe vidhet historia ai merr flakë. Kam një apel me historianët dhe akademikët: Mos luani me historinë e Bejarit! Ajo monitorohet dhe mbrohet nga Martirët që kanë kontribuar për Atdheun. Ata janë apologjia e tij.
BISEDË ME KALAMATRËNGUN
Kur isha i vogël më brente enigma dhe misteri i Kalamatrëngut (kodra me e lartë në Mallakastrën e Sipërme, Bejar). Atëherë luaja me shokët në hijen e Lisit (ky lis u shkul në vitin 1968), sa herë mësuesit na çonin për praktikë ose eskursion. Mblidhnim lule manushaqe dhe ua dhuronin mësuesve për 7 Marsin dhe nënave për 8 Marsin. Sa kujtime të bukura! Por enigmën dhe misterin nuk e zbulova dot. U rrita si gjithë bashkëfshatarët e mi, por mola, krimbi i drurit, për të zbuluar enigmën dhe misterin më brente çdo ditë. Ndaj udhëtova nëpër “rrugët e viteve” të gjeja historinë e ndritur të vendlindjes sime. E gjeta të hedhur në “shtratin e merimangës” nga “mjegulla e reve të zeza”. Dhe ç’kam gjetur në të po i pasqyroj në këtë “poezi epike”. Bejari ka ndihmesën e vet dhe peshën më të rëndë në Mallakastrën e Sipërme në të gjitha periudhat historike.
Kalamatrëng
I.
S’u lodha, s’u lodha!
Kur Bejarin me këmbë e brodha!
Ky truall ka një emër,
të skalitur në çdo zemër!
Të skalitur në çdo gur,
betuar bijtë për Flamur!
Historia e tij e vjetër
Nuk ka njohur kurrë mbretër
Mbret të tij të vërtetë
Ai ka popullin e vet.
II. Kalamatrëng! Unë jam biri yt!
Kur kujtoj emrin tënd!
Plaga në zemër dhemb!
Hapma zemrën!
M’i rrëfe dertet!
Ti mësoj amanetet!
Te rrënjët e emrit tënd
Gjeta legjendën e vjetër.
Ç’djalë përkundi në djepe!
Hajredin, trimin e rrallë!
Kur lindi u tund konaku!
Krisi pushka te oxhaku!
Malet i tundën këmborët!
U drodhën tre taborrët!
Dajua me djep në krah!
Peshqesh Havasë ia dha
Rrite djalin si petrit!
Të bëhet yll e dritë!
Kalamatrëng!
Kur nisi shekulli i ri
Hajredini la Stamboll.
Erdhi tek ti
Hapi të parë shkollë!
Fëmijët në shkollë!
Martirët, armët në dorë.
Shtëpia, çerdhja ku nisi udhën Dituria!
Dituria! Dituria! Dituria!
Pa do bëhet Shqipëria!
Lulja e arsimit shqiptar
në Mallakastër nisi udhën e mbarë!
SI E PRISHËN KOMUNISTËT LISIN LEGJENDAR TË FRATIT
Në Tempull ka patur një lis i cili është shkulur më 25 Dhjetor 1968. Lajmi për shkulje e Lisit të Fratit kishte një javë që bëhej bisedë te çdo familje në fshat. Ky ishte kulti i fundit mbas gjithë asaj katarahure të ndodhur jo vetëm në zonën tonë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Prishja e teqeve, kishave, xhamive, mekameve deri te vrasja, persekutimi, internimi, burgosja e shumë klerikëve të nderuar nga regjimi komunist. Presionet, shantazhet ndaj njerëzve të thjeshtë për të mos i ndjekur më ritet e trashëgimisë kulturore fetare ishin bërë biseda të përditshme në çdo familje, ku banorët kishin përshtatur dhe ndërtuar si kulte e mekameve. Kështu mbas prishjes së tyre, Lisi i Fratit ishte kthyer si kryeqendra e Tempullit. Kjo i tërboi krerët e partisë, këshillit, frontit, rinisë dhe ndaj zhvilluan, me urdhër nga lart, një mbledhje dhe vendosën ta shkulin atë më 25 Dhjetor, ditën e Krishtlindjeve. Ky vendim i trishtoi banorët e zonës, por ishin të pafuqishëm përballë bishave të kohës…
Babloku, plaku 100 vjeçar, ish tepër i zhgënjyer. Ai ishte më patrioti në zonë, pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet historike lokale dhe kombëtare, përkrahës i hapjes së shkollës së parë shqipe në zonë, pjesëmarrës si komandant i çetës së fshatit kundër xhonturqve në vitet 1905-1912, pjesëmarrës në ngritjen e Flamurit më 28 Nëntor 1912 në Vlorë si dhe për mbrojtjen e saj, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës më 1920 dhe në luftën kundër nazi-fashistëve në vitet 1939-1944. Kishte mbaruar Medresenë në Turqi për hoxhë dhe kryente ritet fetare si imam i zonës së Fratarit.
Por këtë nuk ia falte sistemi komunist, vendosi atë ditë të shkonte atje te tempulli ku do të shkulej lisi. Gjithë natën nuk fjeti. Sistemoi të gjitha librat fetare në një sepet (sënduk) dhe i vendosi në hajat, vend të cilin e kishte përgatitur më parë. Ai kishte një parandjenjë të çuditshme, e ndjente se shtëpia e tij do të batërdisej nga komunistët. Ai e pa me sytë e vet katrahurën e ndodhur në zonë, vetëm për meritat e tij nuk e kishin arrestuar. Porositi të shoqen vendin ku fshehu librat që nuk do t’ia tregonte njeriut sido të ndodhte puna. Të nesërmen në mëngjes u ngrit herët, mori bastunin dhe doli nga shtëpia. U drejtua për nga “Guri i Kuvendit”, një shkëmb i madh i vendosur në Tempull, që kishte dhe nëntë gurë të vegjël që përdoreshin si stola për të ulur.
Aty zakonisht mblidheshin burrat e fshatit për të kuvenduar. E kishte bërë zakon që çdo mëngjes kafen e pinte te shtëpia ku u hap shkolla e parë shqipe së bashku me pleqtë e fshatit. Mbasi piu kafe te shtëpia atë mëngjes u drejtua për në tempull te “Guri i Kuvendit”. E shoqëronte një tufë pëllumbash, të cilët fluturonin sa tek “Olimpi i Tempullit” tek “Mësonjëtorja e parë”. U kish çuar selam (haber) gjithë myhypve, burrave, të rinjve, grave të fshatit për t’u mbledhur te Mësonjëtorja; kështu e pagëzuan shtëpinë ku ishte hapur shkolla e parë dhe pastaj për të shkuar në tempull, atje ku do të shkulej “Lisi i Fratit”.
Grupit iu bashkua një grup mësuesish, fëmijë, nxënës të shkollës, të rinj dhe të gjithë sëbashku morën rrugën që të nxjerr në “Tempullin e Martirëve”, kodra më e lartë e zonës së Fratarit ose tempulli i burrave sepse atje historikisht ishin mbajtur të gjithë kuvendet e fshatit dhe të krahinës. Në atë vend, te “Lisi i Fratit” përmblidhej gjithë historia e zonës si pjesë përbërëse e Historisë së Shqipërisë.
Kur mbërritën atje i priti “krah hapur”, Lisi. Ai vend përdorej si kënd lojrash për fëmijët e fshatit dhe nxënësit e shkollës, për të rinjtë të dielave dhe mbasditeve, pra ishte një vend çlodhës dhe argëtues, ishte si një park turistik jo vetëm për banorët, por edhe për vizitorë të tjerë. Ndaj ata vendosën të mos lejojnë shkuljen e Lisit duke protestuar në formën e një kryengritje. Fshati ishte aty. Kalendari shënonte 25 Dhjetor 1968. Një grumbull i madh pëllumbash kishte rrethuar “Lisin e Fratit”. Pas pak minutash në Tempull mbërritën krerët e organizatës së partisë, frontit e këshillit. Nën këmbët e Tempullit gjarpëronte rruga kombëtare Fier-Gjirokastër. Nuk vonoi shumë dhe në Tempull erdhën dhe dy buldozerë që punonin për bërjen e rezervuarit nën fushat e Tempullit. Ata ishin njoftuar nga organizatorët për të shkulur “Lisin e Fratit”. Në rrugën kombëtare u shfaq një kolonë makinash si ato të luftës. Shumëkush i quajti autokolonë ushtarake që shkonin për në Gjirokastër. Por jo! Ato qëndruan në vendin e quajtur Ziaj, në krahun e lindjes së Tempullit dhe filluan të zbrisnin disa njerëz. U nisën drejt kodrës së martirëve, Tempullit, atje ku kishte hedhur rrënjë Lisi i Fratit. Ishin të gjithë për të marrë pjesë në cermoninë mortore “të varrosjes të Lisit”. Për organizatorët ishte një ditë feste, kurse për njerëzit e thjeshtë një ditë morti. Disa gra të moshuara erdhën e ndezën qirinj te vendi i shenjtë, pra te Lisi. Kjo bëhej me rastin e Krishtlindjeve, mbas prishjes së mekameve, teqeve, kishave, xhamive. Kjo i tërboi pa masë organizatorët e shkuljes së Lisit, që tentuan t’i ndalonin gratë e moshuara, por ata nuk mundën dot. Tempulli po përgatitej për një betejë të ashpër. Njerëzit e ardhur nga Fieri mbërritën te Lisi i Fratit dhe u vendosën aty ku ishin buldozerët. Ata kishin ardhur për të marrë pjesë në shkuljen e Lisit. Lisi ishte rrethuar nga burra, gra, të rinj, fëmijë, banorë të fshatit. Buldozerët u afruan te Lisi, ndërsa organizatorët e pushtetit po bënin gati kavot. Por hasën në rezistencën e banorëve, të cilët nuk lejuan buldozerët t’i afrohen Lisit… Babloku hipi mbi Gurin e Kuvendit dhe tha: – Ky lis është bekuar nga Perëndia, (duke ngritur bastunin lart). Mban mbi shpatulla gjithë historinë shekullore të zonës. Ky është simbol i sakrifikimit të jetëve të Martirëve për liri. Do u dënojë Zoti për këtë mëkat që po bëni o të paudhë, o të pashpirt. Lëni këtë mrekulli të Zotit të jetojë!
Sytë iu mbushën me lotë. Nxorri shaminë dhe fshiu lotët. U dëgjuan të bërtitura në formën e një thirrje në kor: Joooo! Joooo! Lisi nuk do shkulet! Lisi është jeta jonë! Ishin banorët e fshatit që thërrisnin në kor: Largohuni! Largohuni!
Kumbonte Tempulli nga thirrjet e fuqishme. “Miqtë” e ftuar mbetën të habitur dhe nisën të largoheshin një e nga një drejt vendit Ziaj, ku rrinin makinat e të ardhurve. Ne nuk vritemi, tha njëri nga miqtë – eja të ikim! Kur u nisëm për këtu na thanë se do të merrni pjesë në një aksion të vogël për shkuljen e një lisi që është bërë pengesë për mbarëvajtjen e punëve në fshat. Foli Jani, (si dukej ai ishte përgjegjësi i puntorëve të bonifikimit) “po këtu qëndroka ndryshe puna, këtu qënka i tërë fshati kundër shkuljes së Lisit”. Mbas largimit të miqve u duk sikur aksioni për shkulje e Lisit dështoi. Por jo! E mori fjalën Qatua, sekretari i organizatës së partisë së fshatit, që kish hipur te buldozeri së bashku me kryetarin e këshillit popullor të fshatit. Ai tha: – Ky lis do shkulet doni s’doni ju. Ky është simboli i fundit i obskurantizmit fetar në fshatin tonë. Organizatorët e kësaj kryengritje do të mbajnë përgjegjësi. Prandaj ju them largohuni dhe i lini buldozerët të bëjnë punën! Dhe mori kavon dhe iu tha shokëve të organizatës dhe të këshillit që të vazhdonin punën. Mësues Sabriu u doli para duke iu drejtuar turmës: – Jo! Ky lis është si një kamp për të gjithë nxënësit ku argëtohen dhe çlodhen! Prandaj nuk keni pse ta shkulni!
Dy furgona të policisë zbarkuan në Ziaj. U nisën drejt “Tempullit të Martirëve” ku ishte “Lisi i Fratit”. Sa mbërritën atje arrestuan Bablokun, mësues Sabriun, 10 bashkëfshatarë dhe shpërndanë grumbullin e njerëzve. U dëgjua një zallamahi e madhe, disa plaka filluan të ulërijnë. Por bishat vazhduan punën e tyre e pas shpërndarjes së turmës ata e shkulën “Lisin e Fratit”. Ky ishte akti i fundit i prishjeve të kulteve fetare të zonës. Babloku dhe mësues Sabriu u dënuan me burg.
Pëllumbat vazhdonin të fluturonin mbi Tempull.
BUSTI I KORIFEUT FRATARIT MBËRRIN NË SHKOLLËN QË DO MBAJË EMRIN E TIJ
Atë mëngjes u mblodh këshilli i mësuesve. Nesër mbasdite vjen busti Korifeut, na tha drejtoresha e shkollës, – dhe të gjithë do ta presim. – Ti! – m’u drejtua mua, – do të punosh me nxënësit për të përgatitur një recital poetik, ku pasnesër do të organizojmë një ceremoni para nxënësve për ardhjen e Korifeut! Dakort!
Ra zilja për fillimin e mësimit. Mblodha grupin e recituesve dhe u ndava poezitë për recitim. Nxënësit ishin të gatshëm. Në të tilla raste tematika e recitalit është standard: poezi mbi gjuhën shqipe të N. Frashërit, Gj. Fishtës, N. Mjedës, I. Kadaresë dhe poezi me motive atdhetare.
Korifeu kishte gati një “shekull që ishte nisur për të ardhur në vendlindje”. Edhe në fund të botës po të ishte do të kish mbërritur në kohë… Por?!… Kush e kishte penguar vallë!? Pse?!… ai u nis nga Turqia më 1906 dhe erdhi brenda dy ditëve dhe hapi shkollën e parë në shtëpin e vet në Mallakastër. Enigmë! Mister! Thonë se po e sjellin “Martirët”. Janë “ngritur nga varri” për të realizuar amanetin e të gjithë mallakastriotëve dhe fratarakëve që Korifeu të vazhdojë të flas shqip në shkollën e mesme të Fratarit, e cila kishte pak kohë që kish marr emrin e tij “Hajredin Rakip Fratari”, vlerësuar me dashuri, nostalgji dhe mall nga Këshilli i Komunës Fratar. Miqtë e mi: “Dielli me shoshë nuk mbulohet dhe lisi nuk bëhet kurrë rigon”.
Lajmi për ardhjen e bustit të Korifeut u përhap me shpejtësi në Fratar. Ishte gëzimi i parë pas gati 100 vjetësh për të gjithë fratarakët dhe mallakastriotët që “Dëshmori i Kombit” do të takohej me bashkëfshatarët e vet. Merimangat dhe grerëzat së bashku me Zgërbenjtë e kishin hedhur në labirinthin e errët të harresës për t’u harruar! Por… a harrohet Ylli që solli dritën e diturisë në vendlindjen e vet?! Jo! Kurrë!…
Mbërritja
Atë ditë shkova në shkollë më herët se ditët e tjera. Grupi i recituesve po më priste te dera e shkollës. Hymë brenda në sallën e bibliotekës të shkollës dhe bëmë provat e recitalit poetik. U emocionova nga interpretimi brilant i nxënësve. Kisha një parandjenjë se aktiviteti do të bëhej sot. Ndaj si me humor u them nxënësve:
– Po sikur ta japim sot recitalin poetik, a jeni gati?
– Po, – m’u përgjigjën njëzëri, – jemi gati! Besiana, njëra nga nxënëset e grupit, nxorri nga çanta një beze të kuqe ku kishte qëndisur me penjë ari shkronjat kapitale me mbishkrimin: MIRËSEARDHE MIDIS NESH, I DASHURI KORIFE!
Grupi tjetër i nxënësve kishte përgatitur një kurorë të bukur me lule shumëngjyrëshe dhe disa tufa lulesh për Korifeun. Grupi i recituesve mbas takimit të djeshëm dhe ndarjes së poezive për recitalin kishin takuar senatoren e shkollës, e cila mblodhi Qeverinë e Shkollës për të përgatitur surprizat për nesër, në ditën e mbërritjes së Korifeut. Në të tilla raste suprizat janë sekret. Kur dolëm në korridor nxënësit ishin mbledhur para shkollës për fillimin e mësimit. Shkova në drejtori dhe i thashë drejtoreshës: – Recitali poetik mund të jepet sot!
– Si? – më tha.
– Po, po! – i thashë, – unë. – Parandjeja se do të ketë shumë njerëz sot! Fratarakët kanë kohë që e presin këtë ditë!
Më buzëqeshi dhe më tha: – Përgatitu për çdo situatë!
– Po! Grupi i recituesve është gati! – i thashë. Ra zilja për rreshtimin e nxënësve. Drejtoresha doli para nxënësve dhe dha njoftimin: – Sot në orën 14.00, në mjediset e shkollës sonë mbërrin busti i Hajredin Rakip Fratarit, emrin e të cilit mban kjo shkollë, Korifeu i hapjes së shkollës së parë shqipe në Mallakastër në shtëpin e vet në fshatin Bejar! Nxënësve u ndriu fytyra dhe buzëqeshja tregonte shpirtin e gëzuar të tyre!
Ajo mbasdite më ka mbetur në mendje si një nga ditët më të paharrueshme të jetës sime. Lajmi për ardhjen e bustit të Korifeut ishte lajmi më i bukur në komunën e Fratarit. Rreth orës 14.00 sheshi para shkollës ishte mbushur plot me njerëz. Veç nxënësve të shkollës dhe mësuesve kishin ardhur dhe banorë nga fshatra të ndryshëm të Mallakastrës së Sipërme. Kishte ardhur dhe ai “Lisi i Moçëm”, plaku 110-vjeçar që kishte qenë nxënës i shkollës së parë të hapur nga Korifeu.
Mbërriti mësuesi veteran Malua, mbrëmë sapo dëgjoi lajmin përgatiti një referat mbi jetën e Korifeut. Ishte një grumbullim spontan i komunitetit të Fratarit. Mbërritën dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Makinën që solli bustin e shoqëronin në grup njerëzish të ardhur nga Tirana, midis tyre dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Dede Haxhi Reshat Bardhi. Ishin gjithashtu pasardhës të familjes së Korifeut, nipi i tij me bashkëshorten, dy fëmijët, mbesa me bashkëshortin e dy vajzat dhe skulptori.
Një ceremoni spontane e thjeshtë ku përshëndetën përfaqësues të pushtetit lokal, drejtoresha e shkollës, mësuesi veteran, pasardhës të familjes së Korifeut. Emocionuese ishte përshëndetja e “Lisit të Moçëm”! Grupi i recituesve përshëndeti me një recital poetik. Para fillimit të aktivitetit u këndua “Himni i Flamurit” dhe nga senati i shkollës kënga “Për mëmëdheun”.
Nxënësit mbanin një pllakat me portretin e Korifeut. Busti u vendos në katin e dytë të shkollës në një pozicion ku çdo vizitor që do të hynte në shkollë do të përshëndetej më të. Duke e çuar bustin në katin e dytë, unë po meditoja me vargje për Korifeun:
Kam kohë që kërkoj emrin tënd.
Emrin tënd të humbur
në humbëtirën e historisë!
E gjeta, e gjeta në altarin e Diturisë.
“Ato grusht shkronjash”
që solle një vit më parë
kanë hedhur rrënjë.
Kanë çelur si lastarë.
Shkëlqejnë në vendlindje si zjarr.
Ti erdhe me një grusht shkronjash në gji!
Ato ndezën me mijëra shkëndi!
Mbas aktivitetit të gjithë të pranishmit u ngjitën në katin e dytë të shkollës, atje ku ishte vendosur busti i Korifeut. Senati i shkollës kishte kthyer në himn të shkollës fjalët e arta të Korifeut: “Çdo mallakastriot të bëhet një mësues dhe çdo shtëpi të bëhet një shkollë! Fëmijtë të nisin shkollën! Burrat luftën! Ju mund të më vrisni mua, por kurrë Gjuhën Shqipe”! Dhe e interpretuan në katin e dytë para Korifeut. Këto fjalë u bënë himni i shkollës sonë në të ardhmen. “Lisi i Moçëm” qëndroi gatitu përpara bustit të Korifeut dhe tha me zë të lartë: – Mirëse erdhe o trim! U bë realitet ëndrra e shumëpritur e Martirëve, e Fratarakëve dhe e gjithë Mallakastriotëve! U desh një shekull të realizohej kjo ëndërr! Nxorri nga xhepi një Flamur Kombëtar, ia hodhi mbi supe Korifeut dhe iu drejtua të pranishmëve: – Ky është flamuri që kemi patur në klasë kur u hap shkolla e parë shqipe nga ky burrë, Hajredin Rakip Fratari! E kam amanet nga e ëma, Havakoja e cila ma dhuroi kur të paudhët mbyllën shkollën dhe nga sot ai do të rrijë mbi supet e Korifeut! Dhe nisi i mallëngjyer të recitojë poezi nga “Lulet e Verës” të Naim Frashërit. Në fund nxorri shaminë dhe fshiu lotët. Një vajzë recitoi poezinë “Atdheu” të Naim Frashërit, ishte stërmbesa e Korifeut. Busti i Korifeut u mbulua me karafila shumëngjyrëshe.
Të pranishmit i mallëngjeu akti i “Lisit të Moçëm”. Ata u shpërndanë duke marrë me vete emocionet e asaj dite të veçantë për Mallakastrën e Sipërme.
Të nesërmen hyra në shkollë. Qëndrova para bustit të Korifeut dhe po këndoja nën zë ‘fjalët e arta’ të Korifeut që tashmë ishin kthyer në lejmotiv të një himni. Erdhi mësuesi i Kimisë e më tha: -Mirëmëngjes!
Unë s’e vura re, po vazhdoja të këndoja nën zë ‘fjalët e arta’.
– Ç’po bën? – është zëri i mësuesit që më solli në vete.
– Po këndoj himnin e shkollës së Fratarit dhe të gjithë Mallakastrës! – i thashë.
– Ke të drejtë! – më tha dhe u bashkua me mua. Ra zilja për rreshtimin e nxënësve. Ata u futën nëpër klasa. Filloi ora e mësimit. Orën e parë kisha mësim me një klasë të vitit të dytë me temë “Jeta dhe vepra letrare e Naim Frashërit”.
– A ka mundësi ta zhvillojmë këtë orë mësimi në korridor para bustit të Korifeut! – ishte zëri i Besianës.
– Po! – ju thashë.
Nxënësit dolën pa zhurmë dhe rrethuan bustin e Korifeut. U bëra një panoramë përmbledhëse për jetën dhe veprën e N. Frashërit dhe u tregova nxënësve për jetën e Korifeut si dhe lidhjet e Korifeut me derën e madhe të Frashëllinjve. U tregova që bashkëshortja e Korifeut ishte mbesa e Frashëllinjve.
Nxënësit më befasuan. Ata dje kishin marrë në intervistë “Lisin e Moçëm”, dinin gjithçka për Korifeun, kishin përgatitur një kolazh me krijime letrare enkas për të dhe e interpretuan para bustit të tij. Orës së mësimit i ishte bashkuar dhe drejtoresha e shkollës sëbashku me disa mësues që ishin pushim atë orë.
Ra zilja për mbarimin e orës së mësimit. Hedh sytë nga porta e shkollës. Vura re “Lisin e Moçëm” që zbriti nga një makinë. Dërgova dy vajza për ta marrë. Atë ditë kisha vetëm një orë mësimi. Orët e tjera i kisha punë me bibliotekë. “Lisi i Moçëm” mbërriti në katin e dytë të shkollës me atë shkopin e tij karakteristik ku ishte gdhendur Flamuri Kombëtar dhe Përkrenarja e Skënderbeut.
– Mirëmëngjes o legjendë! – tha duke u drejtua nga busti i Korifeut. I afruam një karrike “Lisit të Moçëm” dhe ai u ul përball Korifeut e pastaj vazhdoi:
– Mirëmëngjes! – na u drejtua dhe ne mësuesve që ishim në korridor. – Moj bijë! – tha duke iu drejtuar drejtoreshës së shkollës, – më rregjistro dhe mua plakun, “Lisin e Moçëm” nxënës të kësaj shkolle se unë do të vijë ditë përditë sa të kem frymën të takohem me legjendën time Korifeun! Do ju besdis pak ju si staf të mësuesve dhe të nxënësve se do të vij të bisedoj dhe të çmallem me “Dëshmorin e Kombit”, Hajredin Fratari. Me patriotin, me atë që ndezi shkëndijën e parë të dijes dhe kulturës në Mallakastër! Pra Fratari mbetet djepi i arsimit në Mallakastër duan s’duan të paudhët! Pluhuri i harresës u zhduk njëherë e përgjithmonë! Kjo shkollë ka fatin e madh që mban emrin e këtij njeriu të madh!
– Ne të falenderojmë nga zemra, edhe për moshën që ke, por është kënaqësi dhe lumturi e dyfishtë që ua dhuron një ish nxënës i shkollës së parë shqipe në Mallakastër! Të urojmë mirseardhjen midis nesh! – i tha drejtoresha dhe e përqafoi “Lisin e Moçëm”, që hoqi në zemër dhe vazhdoi: – Dje, duke e ngjitur bustin e Korifeut për në katin e dytë të shkollës, se si m’u kujtua filmi “I teti në bronx”, sipas romanit “Komisari Memo” të Dritëro Agollit dhe thashë me vete “Një komisari i bënë një film, një legjende, një patrioti, një Dëshmor të Kombit e lanë për 100 vjet në harresë. Kjo është çudia shqiptare! Por e vërteta, e drejta vonon por s’harron”!
Nxorri dy libra nga gjiri: “Bagëti e Bujqësi” dhe “Lulet e Verës” të Naim Frashërit dhe ia dha drejtoreshë së shkollës duke i thënë:
– Janë dy kopjet origjinale që i kam ruajtur me fanatizëm, të cilat m’i ka dhuruar mësuesi i parë i shkollës shqipe Ibrahim Frashëri! E parandjeja që do të vinte kjo ditë. Ndaj po ia fal bibliotekës së shkollës suaj me emrin e këtij njeriut të madh! – dhe i zgjati asaj librat.
Ajo e përlotur e përqafoi dhe e falenderoi “Lisin e Moçëm”, që nisi të recitonte fragmente nga “Historia e Skënderbeut” e N. Frashërit:
Ish Kamani që ishte burrë Më trim nga gjithë të parët Nuk i trembej syri kurrë. Pa e donin shqiptarët. Apo:
Krujë o qyteti i bekuar!
Prite prite Skënderbeun
Po vjen si pëllumb i shkruar!
Të shpëtojë Mëmëdhenë!…
Mbas recitimit, e ftova “Lisin e Moçëm” për një kafe. Duke zbritur shkallët e katit të dytë e zura për krahu, por më tha: “Lëshomë se zbres vetë”. Dhe i zbriti shkallët si një djalë 20-vjeçar. Kur zbritëm në oborrin e shkollës dhe u drejtuam për nga kafeneja, ai më tha:
– Ky është pengu më i madh i jetës sime!
Po e vështroja me kujdes. Ky njeri, thashë me vete, mban brenda zemrës një mister, një enigmë. Për shkak të moshës apo për shkak të halleve që ka hequr nga jeta. Apo ndofta është i vetmi “Lis i Moçëm” nga të gjithë “Lisat e pyllit” që nuk i gjen më. Ku shokët ia prenë një e nga një jo vetëm morti, por dhe mbretëritë që i kaluan ‘Lisat e pyllit’ në sharrë për qejf të tyre dhe si duket mosha ka bërë punën e vet. Do të mundohem t’ia zbuloj misterin. Sytë diçka tregonin. Rrudhat e ballit kishin në dukje një brengë të madhe. Shkopi magjik që mbante në dorë kërkonte të fliste! Ky shkop kishte ardhur nga Turqia, e kishte sjellë Hajredini dhe ishte transmetuar te pleqtë e fshatit nga brezi në brez, e mbante ai i cili ishte më plak. Ishte emblemë për cilindo plak që kishte fatin ta mbante. Mbas vdekjes, djali i të moshuarit ia dhuronte plakut më të moshuar të fshatit. Kishte një shekull që ishte pagëzuar me emrin “Shkopi magjik”.
Me këto mendime të turbullta në kokë hymë në lokal. U ulëm në tavolinën e fundit. Erdhi kamarierja dhe mori porosinë. Unë desha ta pyes për “Pengun e jetës”, por ai nisi vetë bisedën. -Kam kaluar 6 mbretëri, more bir! – më tha. Dhe nisi t’i numërojë: – Mbretërinë Turke, Mbretërinë e Ismail Qemalit, Mbretërinë e Zogut, Mbretërinë e Fan Nolit, Mbretërinë e Enver Hoxhës dhe Mbretërinë e Demokracisë.
Vura re se sa herë përmendte “mbretëritë” përplaste shkopin në dyshemenë e lokalit.
Kamarierja solli porosinë me gotat e rakisë. Ai mori gotën dhe uroi: – Gëzuar! Mbretëroftë në jetë të jetëve vepra dhe kontributi i Korifeut për çështjen kombëtare! Mos u shoftë kurrë shkëndija që ndezi Korifeu për arsim, dituri dhe kulturë në Mallakastër! I paharruar emri i Hajredin Rakip Fratarit! – dhe m’u duk sikur u çlirua nga një barrë e rëndë që mbante mbi supe.
– Të lumtë goja! – i them.
Hoqi në zemër dhe m’u drejtua: – Na është vjedhur historia! S’ka poshtrim më të madh për një njeri, për një fshat, për një krahinë, për një komb sesa t’i vjedhësh historinë! Dhe kjo ka ndodhur me Korifeun, me fisin, fshatin dhe krahinën tonë! Ai burrë nuk i ka borxh kujt! Atij, djalit dhe fisit, fshatit të tij i ka borxh Mbretëria e Enver Hoxhës dhe mbretëritë e tjera!
Po e dëgjoja me vëmendje.
– Historia nuk është mall, plaçkë, send që ti ta vjedhësh dhe të bëhesh tregëti me të! Jo! – e ngriti zërin ai. – Ajo është Fisnikëri! Personalitet! Dashuri! Dinjitet! Diamanti më i shtrenjtë për një njeri, fshat, krahinë apo komb!
Erdhi kamarierja dhe solli mezet. Ai vazhdoi:
– Në fillimet e shekullit të 20-të ai erdhi nga Turqia në Shqipëri, me një mision të madh: Të hapte shkollën shqipe dhe të organizonte “Lëvizjen për çështjen kombëtar” duke lëshuar kushtrimin: “Burrat në luftë! Fëmijtë të nisin shkollën”! Dhe kjo nuk ishte rastësi. Shokët e tij rilindas në Shqipëri kishin ndezur me dhjetra ‘shkëndi’ të arsimit shqiptar. Një shkëndi e tillë i duhej dhe vendlindjes së tij. Ai kish ardhur me një platformë të parapërgatitur për këtë çështje. Nisi të përgatisë klasën për hapjen e shkollës së parë shqipe në shtëpinë e vet, në pranverën e vitit 1906. Së bashku me Veiz. S. Zeqaj, hoxha i zonës, organizoi takime me burrat e fshatit dhe të fshatrave të tjerë të Mallakastrës së Sipërme për të dërguar fëmijtë në shkollë. Ai nuk bëri dallime në shtresat e ndryshme shoqërore. Nuk kërkoi taksa (pagesë) për shkollën, s’kërkoi strehim për mësuesit, s’kërkoi taksë për ndërtesën, s’kërkoi shërbëtor për të shërbyer te shkolla. Hapja e shkollave shqipe në Shqipëri dhe Shpallja e Pavarësisë ishin çështje të Platformës të Rilindjes Kombëtare. Dhe ai s’bëri gjë tjetër vetëm zbatoi këtë platformë. Ai shumë mirë mund të kishte zgjedhur rrugën tjetër, atë të interesit personal sepse ai u emërua edhe në Prefekturën e Janinës, por ai ishte fisnik dhe në zemër i vlonte ndërgjegja kombëtare. Prandaj e vuri në dispozicion të kombit pasurinë e vet. Të gjitha shpenzimet për hapjen e shkollës së parë shqipe dhe organizimin e “Lëvizjes Kombëtare” në Mallakastër i përballoi me fondet e veta. Të mërzita! – më tha.
– Jo! Është kënaqësi! – i thashë.
– Klasat i përgatiti në katin e dytë të shtëpisë së vet, shtruar në parmak dhe qilimin e bërë në tezgjah nga e ëma. Tavani ishte bërë me dhogë pishe. Vuri në dispozicion të shkollës të ëmën Havakon dhe të kunatën Xhidanë të cilat përgatisnim klasat për mësim çdo ditë dhe bënin ballakume, ëmbëlsira për fëmijët që vinin në shkollë. Oborrin para shtëpisë dhe sheshin e lagjes i shtroi me kalldrëm guri, gjurmët e të cilave janë dhe sot. Në klasa u vendos Flamuri Kombëtar (i qëndisur me dorë nga nënë Xhidaja) dhe portreti i Skënderbeut. Në klasa u vendosën tavolina të rrumbullakta dhe stola të vegjël për t’u ulur nxënësit. Solli dy mësues, Ibrahim Frashërin dhe Qazim Rustemin, të cilët për 9 muaj deri sa u mbyll shkolla qëndruan te shtëpia e Korifeut. Nxënësit vinin jo vetëm nga Bejari, por dhe nga fshatrat përreth: Ninsh, Dams, Kutë, Çorrush etj. Në shkollë vinin dhe 8 vajza, më vonë numri i tyre u shtua. Në Bejar funksiononte dhe shkolla turke në lagjen Shehaj, në një ndërtesë dykatëshe me mësues Adem Efendiun. Kati i parë ishte shkolla, kati i dytë ishte Administrata Turke. Ajo vazhdoi deri në vitin 1911, koha kur u largua Administrata Turke. Mjetet didaktike për nxënësit i pruri nga Turqia. Një ndihmesë për to dha dhe mësuesi i turqishtes Adem Efendiu i ndikuar nga Veiz. S. Zeqaj, i cili kishte mbaruar bashkë me të shkollën në Turqi. Mbas hapjes së shkollës së parë shqipe Korifeu u mor me organizimin e “Lëvizjes Kombëtare”, me ngritjen e çetës së Mallakastrës së bashku me Ismail Klosin në luftë për shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë. Kjo lëvizje u bë një shkollë më vete dhe motoja “Burrat në luftë, fëmijët të nisin shkollën” u bë lejmotiv i atyre viteve në të gjithë Mallakastrën. Por unë s’dua të flas për këto çështje sepse ato tashmë dihen. Por dua të flas për të pashkruarën për Korifeun. Mbas 9 muajsh shkolla u mbyll. Prefekti i Beratit thirri Korifeun dhe i tha: – “Ç’kërkon te ju zoti Hajredin Beu, qoftlargu Ibrahim Frashëri”?
“Është miku im” – ju përgjigj ai.
“Keni dalë nga rruga e zotit! Keni shkelur urdhërin e Padishahut, tue qenë edhe punonjës i Administratës Turke? Keq më vjen, por do të dënohesh”! – i tha Prefekti i Beratit, (bashkë me prefektin ai kishte mbaruar shkollën në Turqi).
“Ne e njohim mirë njëri-tjetrin! Unë nuk kam dalë nga rruga e Zotit! Ai që ka dalë nga rruga e Zotit je ti sepse je kundër interesave të Atdheut! Je palë me armiqtë e Shqipërisë”! – i tha Korifeu me një ton burrëror.
“Ashtu, do shihemi! – bërtiti si i çmendur Prefekti. – Do më njohësh”!
“Armiqët e Shqipërisë mund të më vrasin mua, por kurrë Gjuhën Shqipe”! – tha duke ruajtur qetësinë Korifeu.
“Merreni”! – ulëriu Prefekti. Pas këtij akti ata arrestuan mësuesin Ibrahim Frashëri.
Më ka mbetur në mendje edhe sot mbas 100 vitesh portreti i mësuesit të parë të shqipes që për mua mbetet njeriu më i dashur i zemrës. Një burrë nga Mollasi, gati 2 metra. Mbante në kokë një kapele beretë. Me një kostum të zi me vija të bardha, me një jelek që ndriste si ar, me një këmishë të bardhë si kartë cigare, me një palë këpucë që shkëlqenin nga llustra. Fjala me etikë, e ëmbël dhe buzëqeshja me çdo nxënës dhe çdo njeri ishin tiparet më të dukshme të tij. Kishte një bibliotekë të pasur me vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Shkuan 5 burra me kuaj në Gjirokastër për t’i marrë. Hajredini bëri një sënduk të madh për mbajtur librat e mësues Ibrahim Frashërit. Kur u mbyll shkolla shkuan për të sekuestruar bazën didaktike në klasa dhe te dhoma ku flinte mësuesi. Aty gjetën disa nga librat që i dogjën te “Sheshi me kalldrëm”. Ata morën shumë pak lodra, të tjerat i mori nënë Havakoja me nënë Xhidanë dhe i mbyllën në sepete apo në qilarë të sigurtë, që u përdorën mbas vitit 1909 kur rifilloi shkolla!
Mori gotën e çokiti dhe tha: – I gëzuar! Për të gjithë mësuesit e ardhshëm që janë pasqyra e kombit!
– Po pengu juaj cili është që më the sot? – e pyeta me kujdes pa i lënduar shpirtin.
Mori frymë thellë dhe m’u drejtua duke më parë në sy: – Ah, more bir! E shikon këtë kraharor, (duke më treguar me dorë gjoksin) – ky ka mbajtur brenda për 50 vjet dhimbjen e madhe.
Nxorri shaminë dhe fshiu lotët, u përlota dhe unë.
Dhe vazhdoi rrëfimin: – Në vitin 1946 kur rifilloi shkolla të gjithë shpresonim se “xhonguli” do të vinte në vend. Shkolla e Bejarit do të merrte emrin e Korifeut, Hajredin R. Fratarit, pra do të sosej një amanet i trevës së Mallakastrës! Por jo! Jezitët! Jezitët, more i vraftë Zoti, nuk e pranuan! Me gjithë këmbënguljen tonë si fshat dhe kërkesat e vazhdueshme në institucionet e shtetit, ata nuk pranuan. “Mbretëria e Zgërbenjve” të Enver Hoxhës nxorri si pretendim se ai, Hajredin Fratari ishte babai i nacionalistit Rauf Fratarit, që ishte shpallur armik në “Emër të Popullit” dhe qe dënuar me vdekje! Ia vendosën emrin “9 dëshmorët Bejar” duke ditur që Bejari ka 10 dëshmorë. Pra e fshinë nga harta e dëshmorëve Hajredin Rakip Fratarin kur ai është dhe do të mbetet “Dëshmor i Kombit”.
Turp e për faqe të zezë! E poshtëruan Bejarin duke i vjedhur historinë dhe për 50 vjet nuk e zunë në gojë Yllin, Korifeun! Po s’mund të mbulohet Ylli me jorganin me pleshta?! Ky ishte pengu im, more bir!…
U mbush me frymë, nga sytë vazhdonit t’i binin lotët dhe vijoi: – Me vendosjen e emrit të shkollës së mesme Fratar “Hajredin Fratari” dhe me ardhjen e bustit të Korifeut jam çliruar i tëri jo vetëm unë, por gjithë Mallakastra dhe Shqipëria! – përfundoi duke më përqafuar.
– Po Raufi pse u shpall “Armik i popullit”? – e pyeta duke e parë në sy.
– Dëgjo or bir! – më tha. – Po të ma hapësh zemrën, ajo është bërë shkëmb! Po të më depërtosh në shpirt, ai kullon gjak! Po të ma zbulosh trupin, plagët nuk kanë zënë kore akoma!
– S’po të kuptoj!- i thashë duke mos ia hequr sytë.
E hodhi gotën e rakisë dhe më tha: – As unë vetë s’e kuptoj veten time!
Po e vështroja me kujdes bashkëfolësin, megjithë nga mosha ai ishte gjyshi im. Pastaj përplasi shkopin në dyshemenë e lokalit dhe m’u drejtua mua sikur të isha fajtor i të gjithë atyre që kishin ndodhur. – Si more të vrasësh djemtë e nënave se nuk të mbajtën “frerin e kalit”? Apo nuk të erdhën pas “qerres tënde”! Ja për këtë u bë “Armik i popullit” dhe u dënua me vdekje në “Emër të Popullit” Rauf Fratari! “Gabimi” i Rauf Fratarit ishte se ai qe nacionalist, atdhetar, patriot, intelektual dhe mbi të gjitha fisnik! Jo more jo, “Lisi nuk bëhet rigon”. Dhe Raufi nuk ishte nga ai fis që të mbante “frerin e kalit” sipas interesave të miopëve, të Zgërbenjve! Ai nuk u pajtua kurrë me idetë komuniste me gjithë thirrjet e vazhdueshme të tyre! Komunistët ia dinin mençurinë, vitalitetin, zgjuarsinë, burrërinë, trimërinë. Ata e dinin mirë se ai ishte i biri i Korifeut, “Dëshmorit të Kombit”, Hajredin Rakip Fratarit. Njeriu më me emër jo vetëm në Mallakastër, por në të gjithë Shqipërinë. Platforma e tyre ishte që nëpërmjet Raufit të vrisnin tre zogj. Zogu i parë: T’i mbushnin mendjen njerëzve që ne jemi në “rrugë të mbarë” po ecim në gjurmët e Rilindasve dhe “Dëshmorëve të Kombit”. Zogu i dytë: E kishin më të lehtë më vonë për ta eleminuar fizikisht, siç vepruan me shumë intelektualë dhe nacionalistë të ndershëm në të gjithë Shqipërinë. Zogu i tretë: Të prishnin “Universitetin e Fisnikërisë” të fisit të Hajredin R. Fratari, që e kishte themeluar ai dhe që e vazhdonte i biri për ta shkatërruar përfundimisht fisin e madh të Hajredin Fratarit. Por Raufi e kishte studiuar mirë platformën komuniste me rrënjë te bolshevizmit dhe binjakëzimit te Jugosllavët që kishin për qëllim asimilimin e plotë të Shqipërisë. Ndaj ai nuk ra kurrë në kthetrat e “Zgërbenjve të kuq”, por qëndroi si burrë dhe luftoi krah për krah me mallakastriotët kundër Italisë fashiste, (ai u arrestua dy herë nga italianët). Deri në Shtator 1943, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, ku “Zgërbenjtë e kuq” lëshuan kushtrimin ku të kapeshin nacionalistët e ndershëm të pushkatoheshin dhe këto i bënin gjoja në “Emër të popullit” dhe e cilësuan si “Armik të popullit” simbolin e ndalimit të vllavrasjes në Bejar. Ja pra ky ishte “gabimi i rëndë” i Raufit se ishte patriot dhe ndoqi rrugën atdhetare të të atit. Nga viti 1944 deri në vitin 1990 nuk u respektuan patriotët, atdhetarët, fisnikët, por ata u sulmuan nga “Zgërbenjtë e Kuq” me fis e me farë. Kush e di sa nëna lidhën shamitë e zeza, sa njerëz u dënuan, u internuan, iu ndaluan liritë e qënies njerëzore. Por e vërteta do të triumfojë. Ata që ia kanë me hile këtij populli do të venë në “fëckë” (hale). Kam shumë për të folur për Rauf Fratarin. Por do ta lëmë për një ditë tjetër. Mua më ke ditë për ditë në shkollë deri sa Perëndia të më marrë frymën! – përfundoi bisedën “Lisi i Moçëm”.
Fola kamarieren për të paguar.
– Prit! – më tha. U ula dhe po e dëgjoja me vëmendje të madhe. – Kam shumë gjëra për të thënë për ju të rinjtë, të cilat i ruaj si perla të arta nga Korifeu, tha ai. – E ndiqja vazhdimisht në odën e burrave. Ne fëmijëve na donte shumë, kudo që na takonte na buzëqeshte, na përqafonte, xhepat i kish të mbushur me sheqerka dhe ne na dukej si një dyqan i pafund. Ne e kishin siç e kanë sot fëmijtë babagjyshin e Vitit të Ri! Edhe mbas mbylljes së shkollës ne fëmijët mblidheshim te “Sheshi me kalldrëm” i lagjes dhe luanim lojra të ndryshme. Vinin dhe fëmijë nga fshatra të tjera. Nënë Havakoja me nënë Xhidanë na sillnin ballakume dhe ëmbëlsira që vetëm ato dinë t’i bëjnë si atëhere kur ishim në shkollë. Ne mblidheshim si zogjtë e klloçkës rreth tyre. Ato ishin bërë si nënat dhe gjyshet tona. Na mungonin vetëm mësuesit tanë. Vinte aty dhe imami i zonës, hoxhë Veiz S. Zeqaj. Nënë Havakoja nxirrte nga sepetja abetaret dhe ne vazhdonim mësimin me hoxhë Veizin, (i cili kishte qenë mësuesi i Korifeut ku i mësoi turqisht kur i ati Rakip Isufit ia besoi edukimin hoxhë Veiz S. Zeqaj në shekullin e 19-të). Kështu për të mos u mërzitur ne fëmijët, hoxhë Veizi vinte ditë përditë dhe na bënte mësim…
Dasma e Hajredinit bëri bujë të madhe. Në sheshin e lagjes me kalldrëm para shtëpive të Korifeut, ditën e ardhjes së nuses s’kishe “ku të hidhje kokrrën e mollës”. Këngë, valle, gëzim, hare. Pjesëmarrja ishte e madhe sepse dhe fisi i tyre, miqësia, shoqëria ishte e gjerë. Dasma u kthye si tribunë e “Lëvizjes Kombëtare”. Korifeu u mbajti një fjalim të rëndësishëm dasmorëve për situatën dhe tha se të gjithë duhet të bashkohemi në luftë për çlirimin e vendit nga Turqia dhe shpalljen e shtetit shqiptar të pavarur dhe të mëvetësishëm. Të gjithë burrat në dasmë mbanin armë me vete. Për të gjithë miqtë ishte përgatitur një dhomë armatimi ku i dorëzonin dhe i merrnin kur do të iknin. Te dhoma rrinin dy burra të caktuar nga i zoti i shtëpisë, ata e dinin se e kujt miku ishte arma. Po gjithashtu dy djem të tjerë kujdeseshin për kuajt e miqve. Armën more bir, thonë, e mbush shejtani. Nga arma duhet ruajtur. Ka burra që e mbajnë armën për trimëri, por ka dhe capacuqë që e mbajnë për harbutëllëk, nga këta na ruajt Perëndia. Ne i pamë në vitin 1997 kur arma ra në dorën e harbutit dhe ti e pe vetë çfarë ndodhi në Shqipëri! Sa nëna, motra, bija lidhën shamitë e zeza! Mos ardhtë më ajo kohë e vitit të mbrapshtë të vitit 1997. E meriton ta lidh shaminë e zezë nëna, motra, gruaja, bija për një trim, luftëtar, hero kur vritet me armë nga dora e “shqaut”, armikut për çështjen kombëtare, për të ruajtur nderin e Atdheut të vet! Por është “mëkat” që shqiptari të vras shqiptarin në çdo rrethanë qoftë! Është “marrëzi “që vëllai të vras vëllain për një ledh, për një arë, për një kufi! Është “paburrëri” kur burri vret gruan, nënën, motrën, vajzën. Mëkatin s’ka kandari ta peshojë. Ai që përdor armën mor bir, duket ta ketë mendjen të kthjellët! Zoti e ndihmoftë njeriun që mendjen ta ketë kthjellët gjithmonë!…
Të nesërmen korifeu u nis për në kuvendin e burrave në Sinjë. Ai nuk është vetëm kryesori i hapjes së shkollës shqipe në Mallakastër, por është dhe korifeu i “Lëvizjes Kombëtare” për Shpalljen e Pavarësisë në Mallakastër. Ai ishte korifeu i unitetit, dashurisë, vllazërisë, miqësisë, shoqërisë në të gjithë trevat e Shqipërisë. Ai ishte korifeu i shpirtit bujar, puntor që kishte verselitur bahçe të tëra me ullinj në Bejar si simbol të Paqes dhe Urtësisë vllazërore e miqësore për bashkëfshatarët e vet. Ai është Korifeu i Fisnikërisë, lulen që e mbolli në kopshtin e bukur të fisit, miqësisë dhe në trevat e Shqipërisë, në të gjitha vilajetet, ku punoi dhe luftoi për çështjen kombëtare! Ai është Korifeu që lëshoi kushtrimin: “Shqipëria mbi të gjitha”! Dhe që ia la trashëgimi të birit, nipit, mbesës, fisit, miqve e shokëve, bashkëfshatarëve e bashkëkombësve të vet! Na i la si më të madhen pasuri në botë! Ky është Korifeu ynë! – më tha duke nxjerrë shaminë dhe fshiu lotët.
U emocionova, u përlota. Ngadalë, ngadalë “Lisi i Moçëm” po mbushte misteret dhe enigmat e zemrës sime.-Doni dhe një raki tjetër? – e pyeta. – Jo! Një kafe! – më tha.
Fola kamarieren dhe porosita dy kafe.
Ai vazhdoi rrëfimin: – Mbas dasmës së bashku me imam Veizin në dhomat ku ishin klasat hynte dhe bashkëshortja e Korifeut dhe na jepte mësim ne, fëmijëve që vazhdoni të vinim në shkollë. Ishte shumë e bukur. Me një zë të ëmbël, me një buzëqeshje magjepsëse, me një fytyrë që rrinte gjithmonë e qeshur. Na recitonte poezi nga krijimtaria e N. Frashërit, Çajupit, N. Mjedës, P. Vasës etj. Na tregonte për rëndësinë e “Lëvizjes Kombëtare”.
Kamarierja solli kafet, ai vazhdoi: – Dëgjo, or bir! Korifeu formoi dhe “Shkollën e Fisnikërisë” me modelin e vet. Lum ai që e mbaron këtë shkollë. Leksionet e kësaj shkolle ishin me moton: “Bëjë si them unë dhe eja ta bëjmë së bashku”! Fisnikëria është parim moral i njeriut. Ajo nuk ka të bëjë me pasurinë, por ka të bëjë me zemrën dhe shpirtin, ajo kultivohet në kopshtin e bukur të zemrës dhe shpirtit të njeriut. Këtë lule e kultivoi Korifeu dhe ajo vazhdon dhe sot në fisin e tyre. Po e i lustroj Fisnikërinë me modelin e tre breznive: Korifeut, të birit Raufit dhe të nipit Hajredinit të ri, biznesmen i talentuar dhe i fuqishëm.
Korifeu me modelin e vet u bë shembull frymëzimi për brezat e mëvonshëm, deri në 1944, se më pas atë e fshinë tërësisht nga historia dhe askush nga brezi më tej nuk e dinte kush ishte dhe çfarë kishte dhënë për atdhenë. Në pranverën e vitit 1915 ai shkoi vetë “drejt vdekjes” në Berat kur rrebelët i kishin arrestuar vëllezërit dhe bashkëfshatarët për atë. Dhe u tha: “I lëshoni ata, ju keni punë me mua”! Vëllezërit dhe bashkëfshatarët i lëshuan. Atë e vranë. Erdhi mandati në Bejar, të cilin e kam sjellë vetë së bashku me vëllain e Korifeut. Burrat e Bejarit dhe të fshatrave të Mallakastrës së Sipërme u mblodhën për të shkuar në Berat për hakmarrje. E shoqja e Korifeut, Sabireja i ndaloi duke u thënë: “Jo! Nuk dua më gjak! Ne do të vazhdojmë rrugën që la Hajredini në mes”! Kjo është Fisnikëria!
I biri, Raufi u rrit nën kujdesin e së ëmës, xhaxhallarëve dhe fisit të tij fisnik, u rrit me bëmat e të atit. Dhe kur Italia fashiste në vitin 1939 pushtoi Shqipërinë mblodhi burrat e Mallakastrës, krijoi çetën “Hajredin Fratari” dhe luftoi kundër fashizmit. Deri në prishjen e Marrëveshjes të Mukjes ata kanë qenë bashkë me “Zgërbenjtë e kuq”. Por bolshevizmi dhe jugosllavët e futën farën e përçarjes midis shqiptarëve. Dhe “Mbretëria e Zgërbenjve” lëshoi ultimatumin: “Ku të kapeshin nacionalistët e ndershëm të pushkatoheshin”! Edhe mbas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, nacionalistët vazhduan luftën kundër gjermanëve. Raufi mbas këtyre momenteve për fatet e Kombit u bëri thirrje bashkëfshatarëve të vet të ruheshin nga vëllavrasja. Ai u ka shpëtuar jetën me qindra shqiptarëve, bile edhe ish kryeministrit të Shqipërisë Mehmet Shehut, (por ai i doli i pabesë duke dhënë urdhër që kur të kapej të pushkatohej)! Kjo ishte Fisnikëria e trashëguar.
Hajredini i Ri, (djali) dhe vajza Sabireja (mbesa) u rritën nën kujdesin e së ëmës, Ganimetes e cila u persekutua, pa triska ushqimi, pa punë dhe në fund përjetoi dhe burgun e të birit Hajredinit, që u fut në burg nga “Mbretëria e Zgërbenjve”. Në vitin 1991 me ligjin 7501, komisioni ndau dhe truallin e të atit. Ata nuk erdhën të bëjnë luftë me fisin dhe bashkëfshatarët e tij. Nuk u futën në vëllavrasje me të afërmit, siç ka ndodhur në shumë treva të Shqipërisë. Megjithëse 50 për qind e fshatit është në pronë e tyre ata nuk erdhën t’u thonin bashkëfshatarëve: “Ikni se ju jeni në pronën tonë”! Kështu bënë edhe me bahçet e ullinjve që i kishte verselitur Korifeu. Kjo është Fisnikëria që transmetohet në breza.
Më hodhi vështrimin dhe duke pirë kafen vazhdoi rrëfimin: – Janë bërë shumë padrejtësi ndaj figurës së Korifeut nga “Zgërbenjtë e kuq” këto 50 vjet. Korifeu është një nga 33 personalitetet e firmosjes së aktit final të shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë. E gjithë kjo veprimtari patriotike e Korifeut u hodh në “shtratin e merimangës”. Ia hoqën edhe emrin nga firmosja e Pavarësisë. E gjithë pleqëria e Mallakastrës e di që ishte Korifeu që shkoi në Vlorë tek Ismail Qemali, por zgërbenjtë ia fshinë edhe emrin. Kupton ti ç’kanë bërë? E pse? Për një ‘gabim’ të të birit që nuk iu bind porosive të tyre që të bashkohej me krimet, mashtrimet, poshtëruesit, tradhëtarët ndaj popullit dhe atdheut të vet. Koha e vërtetoi se kush kishte të drejtë dhe me kë ishte e vërteta. Ata nuk kishin vizion për të ardhmen e atdheut të vet. E mohuan Kosovën dhe Çamërinë, dy plagët e pashërueshme për At-mëmëdheun. Eh mor bir, ne shqiptarët jemi e keqja e vetvetes. Njeriu është si puna e pemës! Të dashurosh lulet dhe frutat duhet të njohësh rrënjët e pemës! Që të njohësh njeriun duhesh të dish kë ke përballë. Duhesh të zbulosh rrënjët e tij! Sa të thella janë ato me truallin ku jeton ai.
Po e dëgjoja me vëmendje se ku do të dilte “Lisi i Moçëm”. Pastaj ai vazhdoi rrëfimin: – Ai që tregon rrënjët e njeriut është lumi i madh i legjendave, gojëdhënave, folkut, mjedisit (truallit), dashurisë, urrejtjes dhe shpresës ku njeriu lundron. Dhe Hajredini ka lundruar në një lumë interesant ku ka ardhur i rrëmbyshëm dhe plot me dallgë në jetën e tij. Por njeriu duhet të dijë të notojë në këto ujëra, pavarësisht si vijnë, të turbullta apo të pastra. Njeriu duhet të dijë nga vjen. Deri ku shtrihen rrënjët e tij edhe mbase dikush është munduar t’i pres ato. Po të njohësh shtrirjen dhe jetëgjatësinë e rrënjëve të tua duhet mençuri, zgjuarësi dhe “kërkim shkencor” të krahëve të zogjve të fisit tënd. Hajredini e njihte mirë historinë e lumit ku lundronte dhe e njihte mirë “pemën ku qëndronte në hije”. Ia njihte mirë forcën e qëndresës së saj ndaj gërryerjes së kohës. Ai e dinte mirë që rrënjët e tij vinin nga lagjia Zotaj, Ngasra Bejar, Nahija Mallakastër, Kazaja Berat, Sanxhaku Gjirokastër, Prefektura Janinë. Ai e dinte mirë se ajo lagje ishte autoktone. Në bazë të legjendës, gojëdhënës dhe folkut, rrënjët e fisit të tij ishin ngulur thellë në tabanin e këtij trualli me emrin Zotaj-Bejar-Albani. Ai kishte lexuar me vëmendje “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit, “Historia e Shqipërisë” të Naim Frashërit, veprën madhore të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet” si dhe veprën “Bërthama e lajmëtarëve” të një kronikani turk ku në ‘thërrimet’ e përshkruar nga ata tregojnë autoktoninë e vendlindjes së Hajredinit. Ai dinte mirë që lagjia Zotaj ka një histori të dhimbshme, tragjike dhe të bukur. Ai e dinte mirë që ajo lagje ka qenë “Misionarja e parë” e faljes së gjakut mbas vrasjes së tre djemve të saj për për një copë tokë, për një kufi me lagjen Tatoshaj po të Bejarit. Ishte mençuria e burrave të dy lagjeve që gjetën gjuhën e mirëkuptimit me njëri-tjetrin dhe i falën gjakun njëri-tjetrit duke krijuar urat e pajtimit të gjakut në të gjithë kazanë ku bënte pjesë Ngasra e Bejarit. Ai e di mirë se ky akt është ura dhe themeli i “Fisnikërisë”, që do të bëhej “Shkolla e Fisnikërisë” nga vetë ai. Ai e di mirë që lagjia Zotaj ka patur si trung “Zot-Beun”, i cili ka patur tre djem: Metin, Silen dhe Islamin që korrespondojnë:
a. Metua me Rakipaj, Fratari, Hamzaj të sotëm.
b. Silia me Sejdinaj, Rushitaj dhe Silaj.
c. Islami me Malaj dhe Brahimaj.
Që të mësonte historinë e tij ai bëri zbërthimin e legjendave, gojëdhënave, folkut dhe të enciklopedisë të këtyre burrave në breza për të përcjellë mesazhin për gjeneratat: “Gjaku nuk bëhet ujë”! Ai e dinte mirë që ishte i biri Rakip Isufit që kish mbaruar universitetin për jurisprudencë në Turqi dhe kishte model babain e tij në jetë sipas proverbit “Ku ka çuar gjurmët babai, unë do të çoj kokën”! Ai e dinte mirë që i ati kishte punuar në Administratën Turke dhe kishte krijuar një respekt të jashtëzakonshëm në Sanxhakun e Manastirit, Beratit, Gjirokastrës dhe Izmirit ku kishte punuar, e dinte mirë se ai ishte bashkëluftëtar me nipin e tij, Rrapo Hekali. Ai dinte mirë që për akte fisnikërie, i ati kishte marr titullin Bej në vitet tetëdhjetë të shekullit 19-të. Ai e njihte mirë Tempullin, Olimpin e Kalamatrëngut ku mblidheshin Martirët dhe niseshin në fushëbeteja. Ai e kishte të shkruar në zemër që shokët dhe miqtë e tij ishin të gjithë rilindasit që luftonin për çështjen kombëtare. Për një At-mëmëdhe të Lirë dhe të Pavarur nga Turqia. Ai u fut me zell dhe besim të madh në rrugën që i tregoi i ati. Ai e njohu mirë historinë e At-mëmëdheut të tij, prandaj luftoi për ta mbrojtur atë. Ai e ndjente etjen dhe dashurinë për dije dhe kulturë, prandaj erdhi me “zjarrin e Prometheu në gji” për të ndezur zemrat e Bejarakëve dhe të Mallakastriotëve. Ai është i bindur se shkëndia që ndezi në Bejar nuk do të shuhej kurrë. Emri i tij është skalitur në çdo zemër, në çdo gur! Ky është Hajredin Rakip Fratari, Korifeu që erdhi në Fratar pas 100 vjetësh.
Nuk fola, “Lisi i Moçëm” kishte të drejtë. E pyeta: – Po mbiemrin Fratar si e mori Korifeu? – Kjo lidhet me aktin e flijimit të Fratit në Kishën e Kalamatrëngut, sipas legjendës që qarkullon në Bejar, treguar nga i ati, gjyshi dhe plakat e vjetra të lagjes. Gjatë këtyre 50 viteve nuk u bë asnjë zbulim arkeologjik në vendlindjen e Korifeut dhe disa relike që u gjetën nga banorët iu faturuan vendeve të tjera. Dhe kjo ka lidhje se Hajredini i madh ishte babai i Raufit. Do të tregoj disa këshilla të vlefshme që vlejnë për ju të rinjtë, të cilat i kam dëgjuar dhe mbajtur si “vëth në vesh” nga Korifeu:
Vetëm dituria dhe kultura formon njeriun. Falja dhe përulja janë vyrtyte të fisnikërisë.
Gjëja më e shtrenjtë që as blihet dhe as shitet është At-mëmëdheu.
Fjala është udha që të çon te dashuria për gjithçka; Urrejtja është vesi më i keq për njeriun.
Foleja që të mban më ngrohtë është vendlindja.
Nuk shitet bashkëqytetari yt në vend të huaj dhe as në vendin tënd.
Tradhëtia është vesi më i poshtër për njeriun. Tjetrin respektoje si është jo ashtu si të pëlqen. Robërit e shtëpisë janë ajka e dashurisë.
Fisnikërinë njeriu nuk e ka të shkruar në ballë, ajo formohet me mençuri, dituri, kulturë dhe trashëgohet në breza.
Njeriu në jetë është si zogu shtegtar, por nuk duhet të harrojë kurrë folenë ku ka lindur.
Shkolla të jep çelësat, dyert e jetës hapi vetë.
Gjuha shqipe është gjuha e nënës, ajo është perla e zemrës. Ajo që s’ka vdekje kurrë është vetëm gjuha.
Trimërinë tregoje kur është për të treguar, jo kur të teket. Burrëria as matet dhe as peshohet.
Arma ka kohën, vendin dhe arsyen e vet për t’u përdorur; Pesha e njeriut është fjala.
Mendjen vëre në gjumë kur je i inatosur.
Dhimbjen e tjetrit vlerësoje si dhimbjen e shpirtit tënd, Njeriu i mirë e ndërton vetë folenë në zemrën tënde. Durimi është qetësia më e mirë për shpirtin e njeriut, Kokëfortësia është dëmi i vetes!
– Do të jap dhe një porosi tjetër! – më tha. – Për nder të Korifeut dhe arsimit në shkollën e mesme bëni një Muze, ku të pasqyronin vlerat gjithëpërfshirëse të arsimit të zonës. Ajo shkollë duhet të mbetet si “Universitet” për trevën e Mallakastrës së Sipërme, Fratarin.
E falenderova “Lisin e Moçëm” për gjithçka dhe i premtova për Muzeun. Thirra kamarieren.
Më tha duke qeshur: – Ti paguaj xhaja meqë jam pa pension!
– Pse? – e pyeta.
– Po ja unë jam 110 vjeç! Shteti deri në 100 vjeç paguan! Kush është mbi 100 vjeç i ka hequr nga defteri?! – më tha duke më hedhur dorën në qafë.
– U ka hequr shteti, por s’u heqim ne! Ju jeni diamanti i shpirtit! – i thashë duke paguar. U ngritëm. Gjeta një taksi. E hipa “Lisin e Moçëm” dhe i thashë shoferit që ta çonte deri te shtëpia. U përshëndetëm dhe u nisa për te shkolla.
Nxitova hapat për të vajtur në shkollë. E dija që do të zhvillohej mbledhja e përbashkët e këshillit të mësuesve, drejtorisë së shkollës, qeverisë së nxënësve, këshillit të prindërve të shkollës me përfaqësues të pushtetit vendor, Zyrën Arsimore dhe Prefektura e Qarkut.
Çështja kryesore ishte organizimi për festimin e 100-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në Mallakastër, në fshatin Bejar të komunës Fratar. Përfaqësuesit e komunitetit kishin ardhur të gjithë. Njoftimet për rendin e ditës ishin bërë nga drejtoria e shkollës. Projekti dhe grupet e punës ishin bërë gati. Ishte aprovuar dhe vendimi në Këshillin e Komunës për financimin e aktivitetit e tani pritej vetëm përgatitja. I vura në dijeni të pranishmit mbi amanetin e “Lisit të Moçëm”. Si ide e përkrahën të gjithë, por problemi ishte se ishte koha e shkurtër. – Janë problemet financiare, – tha shefi i financës – mbas një muaji bëhet mbledhja e Këshillit të Komunës. – Problemi është i dëshirës pa të tjerat rregullohen! – u thashë. – Grupet e punës sipas qarqeve të lidhen me ish-nxënësit dhe me ish-mësuesit për mbledhjen e materialit dokumentues. E lamë që kjo punë të diskutohet dhe me biznesmenët e zonës për probleme investimi. Mbas mbledhjes i them drejtoreshës: – Merr në telefon biznesmenin Hajredin Fratari (nipin e Korifeut) dhe thuaj për ngritjen e Muzeut. E mori në telefon. Ai e priti me kënaqësi dhe të nesërmen dërgoi ekspertë për të përgatitur projektin e tij. U ndanë detyrat mësuesve për të marrë kontakt me ish-mësuesit dhe ish-nxënësit për të sjell fotografi të ndryshme. Një grup pune do të nxirrte listën e nxënësve ekselentë. Të nesërmen erdhën ekspertët për të bërë projektin. U vendos që në muze të vendoseshin dhe dy tablo të Dëshmorëve të Demokracisë, Fadil Hadushi dhe Veledin Pashaj, të cilët kishin mbaruar shkollën e mesme “Hajredin Fratari”.
Grupet e punës filluan punën dhe ngritja e Muzeut u bë gati për 15 ditë. Herë pas here vinte edhe “Lisi i Moçëm” dhe vizitonte dhomën ku po përgatitej për muzeun e shkollës. Njëkohësisht vazhdonin dhe përgatitjet për kremtimin e 100-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe. Para 5 ditësh nga kremtimi i përvjetorit të shkollës, Muzeu ishte gati. I nipi i Korifeut erdhi dhe e pa atë nga afër. Mbeti shumë i kënaqur. Në hyrje të Muzeut ishte një portret me fotografinë e Korifeut dhe Flamuri Kombëtar.
Një stendë ku ishte shkruar një panoramë biografike dhe aktiviteti patriotik i Korifeut, një stendë ku ishte paraqitur historiku i arsimit në Mallakastrën e Sipërme dhe ai nga dita e hapjes së shkollës së mesme. Stendë me emrat e drejtorëve në vite, stendë me emrat e nxënësve ekselentë në vite, stendë me emrat e mësuesve që kanë dhënë mësim në shkollën e mesme. Në një tavolinë ishin publikuar foto të ndryshme nga aktivitetet me karakter kulturor-artistik-sportiv të zhvilluara në vite nga nxënësit, fotokopje e çertifikatave të ndryshme të fituar nga nxënësit në konkurset në lëndë të ndryshme në shkallë lokale dhe kombëtare. Libra të ndryshme nga krijimtaria e nxënësve në vite, pamje të takimeve me prindërit e nxënësve të shkollës. Muzeu është një punë e gjallë e bashkëpunimit mësues-nxënës-prindër për mbarëvajtjen e procesit mësimor-edukativ të nxënësve dhe arritjeve të arsimit në Mallakastër e Sipërme në zonën e Fratarit.
Njoftimi dhe lajmi për kremtimin e 100-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, Mësonjëtores së parë në Mallakastër ishte bisedë e atyre ditëve në Komunën e Fratarit. Njoftimi u dha si lajm në mediat elektronike dhe ato të shkruara: “Në datën 24 Prill 2006, në mjediset e shkollës së mesme ‘Hajredin Fratari’, Mallakastër festohet 100-vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe”!
Organizatorët i kishin marrë masa që kremtimi i përvjetorit të dilte sa më bukur! Ishte ngjarja më e rëndësishme e zhvilluar këto 100 vjet për gjithë trevën e Mallakastrës së Sipërme. Atë ditë sheshi para shkollës ishte mbushur plot me njerëz. Kishin ardhur ish-mësues që kishin dhënë mësim në shkollën e mesme, ish-nxënës që kishin mësuar në këtë shkollë. Të pranishëm nga e gjithë Mallakastra dhe trevat e ndryshme të vendit. Në fytyrat e njerëzve nuk ishte vështirë të dalloje gëzimin dhe harenë e tyre. Ishin siguruar larmi kostumesh shumëngjyrëshe për nxënësit e grupit artistik. Ishte siguruar koordinimi i pjesëmarrjes të grupeve të ndryshme folklorike me grupin artistik të shkollës i cili kishte kohë që përgatitej për këtë ngjarje të madhe historike. Një kombinim perfekt u bë edhe me grupin artistik të nxënësve të shkollës 9-vjeçare “10 Dëshmorët”, Bejar si vendi ku u hap shkolla e parë shqipe.
Gati për 50 vjet kjo ngjarje e rëndësishme për Mallakastrën u la në harresë për arsyet më absurde nga “Mbretëria e Zgërbenjve të kuq”. Të pranishëm ishin përfaqësues të pushteteve lokale dhe qëndrore, vetë kryegjyshi botëror i Bektashizmit Dede Haxhi Reshat Bardhi. Personalitete, intelektualë të zonës dhe trevave të tjera të vendit, nxënës nga shkolla të ndryshme. Erdhi plaku 110-vjeçar, “Lisi i Moçëm”, ish-nxënës i shkollës së parë shqipe. Profesorë dhe doktorë të shkencave historike, pjestarë pasardhës së familjes së Korifeut. Pas një ceremonie të thjeshtë të vendosjes së buqetave me lule te shtëpia ku u hap shkolla e parë shqipe aktiviteti u zhvendos në mjediset e shkollës së mesme. Ishte i pranishëm dhe Korifeu me bustin e tij në katin e dytë të shkollës së mesme që ndrin si Yll, ku të pranishmit i vendosën buqeta me lule. Vazhdonte të dëgjohej jehona e zërit të tij që tashmë ishte kthyer si himn për mallakastriotët: “Çdo shtëpi mallakastriote të bëhet një shkollë, çdo mallakastriot të bëhet një mësues! Burrat në luftë,fëmijtë të nisin shkollën! Ju mund të më vrisni mua, por kurrë Gjuhën Shqipe! Gjuha Shqipe, gjuha e nënës është për ne melhem i zemrës”! Të pranishmit kënduan “Himnin e Flamurit”. Mbas fjalës së hapjes së ceremonisë nga një mësues veteran, profesorë të ndryshëm të historisë referuan mbi rëndësinë e hapjes së shkollës shqipe nga Korifeu dhe mbi aktivitetin patriotik të tij. Përshëndetën të pranishmit: drejtoresha e shkollës, përfaqësues të pushteteve lokale dhe qëndrore, pjestarë pasardhës të familjes së Korifeut, presidentja e senatit të shkollës. Në fund të pranishmit i përshëndeti “Lisi i Moçëm”, ish-nxënësi shkollës së parë shqipe. Duke ngritur lart shkopin magjik ai iu drejtua të pranishmëve:
– Sot është vënë në vend “Nderi i humbur”, gati për 100 vite nga të paudhët e nga jezitët, i Korifeut të arsimit në Mallakastër, i patriotit dhe Rilindasit të madh, udhëheqësit të “Lëvizjes Kombëtare” në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, firmëtari i aktit final në shpalljen e Pavarësisë, njeriu që sakrifikoi jetën në mbrojtje të Qeverisë së Ismail Qemalit! Dhe ky është burri trim dhe i mençur Hajredin Rakip Fratari, “Dëshmori i Kombit”! E vërteta, e drejta vonon, por s’harron! Kjo ditë sot ka qënë ‘Pengu’ i jetësi sime! Nderojeni këtë emër se vepra e tij është flori e kaluar floririt! I përjetshëm në zemrat e brezave o Trim, o Hero, o Yll! Nga ky moment u çlirova nga prangat! Shkoj i qetë në atlarin atje ku prehet Korifeu!
Nxorri shaminë dhe fshiu lotët. Dy nxënës e mbanin për krahu. Të pranishmit u përlotën.
Mbas fjalës së “Lisit të Moçëm” për të pranishmit u dha një koncert artistik i kombinuar me grupin polifonik Mallakastër dhe grupin e përgatitur nga nxënësit e shkollës. Në fund të pranishmit vizituan Muzeun e shkollës.