Dr. Neki Dredha: Mes ndodhive në spitalin e Bratit
Nga Ramica më transferuan në Spitalin e Lokalitetit, në Brataj. Spitali kishte shtretër për shtrimin e të sëmurëve, maternitet, farmaci, shërbim dentar dhe mjedis për vizita ambulatore. Pra, gama e shërbimit mjekësor ishte më e gjerë dhe me përgjegjësi më të madhe. Po edhe përkushtimi im u bë më i madh. Punoja natë e ditë. Vizitoja të sëmurët fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. U familjarizova aq shumë me banorët e Lokalitetit sa më trajtonin si birin e tyre. Ai që kishte nevojë për ndihmë mjekësore më gjente jo vetëm në spital, po edhe atje ku i sëmuri kishte dhembje, rënkonte, kollitej, kishte vështirësi në frymëmarrje, ose digjej nga zjarrmia. Atje ku tregonin ngjarje historike, legjenda trimërie. Atje ku bukuria e natyrës robëronte syrin njerëzor. Atje ku lartohej ndjenja fisnike e atdhedashurisë dhe heroizmi i lavdishëm i kapedanëve shpatëlarë të Labërisë. Atje ku zjente kënga vëndҫe dhe hidhnin vallen labërore, lidhur krah për krah si malet. Atje ku bareshën e grishte vërshëllima dhe cula dyjare e bariut. Atje ku shtrohej mësalla për shtatë pale qejfe. Atje ku njoha doket, ritet, zakonet, jetën e vërtetë njerëzore. Atje ku shpërthente vajtimi, kuja e logatja.
Këto dukuri fisnikërore dhe të tjera si këto më ndriҫuan rrugën gjatë kohës që punova në zonën heroike të Lumit të Vlorës. Atje ku ishte parajsa e vërtetë njerëzore, për të cilën më foli me aq zell e dashuri nëna ime e shtrenjtë, Ganimet, bijë nga Merkajtë fisnikë të Olimpes (Mavrovës) së lashtë.
Të sëmurët i ndiqja me kujdes edhe në shtëpinë e tyre, deri sa shëroheshin. Kurse ata që paraqiteshin në gjendje të rëndë i shtroja dhe i mjekoja në spital.
Javën e parë që vajta në Brataj më tërhoqën vëmendje disa gra që vinin nga fshatrat rreth e qark Lumit të Vlorë duke vajtuar me ulërima. Një dukuri kjo, që e kisha dëgjuar edhe në Kaninë, kur kishte vaki. Vardhari i grave vjen tek Jaup Haxhiu, në Brataj, më sqaroi nënë Asimeja, një punonjëse e spitalit, se i ka vdekur i vëllai, kolonel Matan Haxhiu. Ai vuante nga kancei në fyt. U mjekua dhe në Gjermaninë Lindore, po nuk gjeti shërim, përfundoi sqarimin Asimeja e përlotur. Këtë zakon gjeta kudo në Labëri. Vdekjen e shoqëronin me vaje dhe kuje, si kudo në Shqipëri. Eh, sa i lashtë është ky rit vajtimi! Ndoshta qysh nga koha pellazgo-ilire. Kështu qante dhe ulërinte dikur dhe Akili pas vdekjes së Atroklit dhe, Lek Dukagjini pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Atë ditë, kur vaji dhe kuja jehonte anekënd grykës së Lumit të Bardhë, shkova dhe ngushëllova Jaup Haxhiun, i cili banonte afër spitalit.
Në po ato ҫaste morti, kur vaji dhe kuja ndihej në ҫdo anë, më thirrën t’i bëja morfinën Aredin Nikës, që vuante dhe ai nga kanceri në tejzat e zërit. Aredini banonte në krye të fshatit, në kufi me Tërbaҫin, pranë pyllit. Kur u sosa atje shtëpinë ishte plot me shokë e miq të Aredinit. U përshëndeta me ta, i bëra morfinën të sëmurit dhe desh të kthehesha në spital, po xha Aredini më tha:
– Prit pak, mor bir, të njihemi dhe të këmbejmë ndonjë fjalë me njëri-tjetrin, se i sëmuri sytë i mban me shpresë të madhe te doktori. Aredini ishte shpirt njeriu, i qeshur në fytyrë, bujar e sofërshtruar. Moralin e kishte aq të lartë, sa nuk e përfillte sëmundjen, që i kërcënonte jetën. Në shtëpin e tij shtrohej ҫdo natë muhabeti, rakia dhe zjente kënga. Kjo ishte dëshira e atij plaku zemërbardhë, që e priste vdekjen me këngë në gojë. Përballja e këtij burri fisnik e guximplotë, me sëmundjen e pamëshirshme për jetën, më ka lënë mbresë të veҫantë. Qëndrimi i tij burëror më ka ndjekur hap pas hapi gjithë jetën. Me të birin, Fetiun, mësuesin e talentuar, u bëmë shokë të pandarë.
Një mbasdite, kur dielli ishte duke perënduar, sollën në spital një bari, që e kish kafshuar gjarpëri në kërcirin e djathtë. Ai ishte duke kullotur dhëntë në malin e Stogoit, që ngrihet si strehë shkëmbore mbi fshatin Brataj. Aty shkeli një gjarpër laraman, i cili iu pleks për këmbe dhe e kafshoi në kërci. Bariu i tromaksur u hodh me nxitim mbi një gëmushë prralli, kurse gjarpri i trembur u zhduk nëpër barishte dhe sfaka. Pas pak kohe bariu filloi të ndjente dhëmbje në kërci, dobësi trupore, dhëmbje koke, të përziera, të vjella, pengesë në gëlltitje dhe vështirësi në të folur. Në këtë gjendje të rëndë e sollën me vig në spital.
I kafshuari nga gjarpëri ishte Osman Demiri nga Tërbaҫi. Vetëdijen e kishte të errësuar, ishte i zbehtë në lëkurë, i lodhur dhe i vuajtur në fytyrë, me puls të shpeshtë dhe shumë të dobët, me tensionin arterial të ulur. Kërciri ishte i ënjtur. Te plaga dukeshin gjurmat e kafshimit të gjarpërit. Ënjtja shtrihej deri te gjuri i djathtë. E shtruam në spital dhe i vendosëm mjekimin në venë me tretësira dhe barnat e nevojshme. I bëmë serum kundër gjarpërit, kundër tetanozit dhe antibiotikun. U munduam ta ҫonim në spitalin e Vlorës, po ai kundërshoi. Rastin e konsultova me mjekun e rojes të spitalit të Vlorës, dr. Pavli Flokon. Më dëgjoi me kujdes. Meqë i sëmuri refuzonte shtrimin në spitalin e Vlorës, më tha:
– Vazhdoja mjekimin që ke filluar dhe më këshilloi t’i shtoja dhe disa barna të tjera, si dhe t’i qëndroja pranë të sëmurit, duke ndjekur treguesit jetësorë ҫdo orë. Ia vazhduam mjekimin, duke zbatuar me përpikmëri këshillat e Dr. Pavli Flokos. Osmani natën e kaloi në gjendje tepër të rëndë. Flistet përҫart. Në mëngjes ishte disi më i ҫelur. Në këtë veprimtari mjekësore të vështirë, për të siguruar jetën e Osman Demirit, pata ndihmën e ҫmuar të infermjeres Selime Hoxha, infermjerit veteran Azbi Kongjonit dhe të farmacistit me përvojë të madhe, Lavdosh Zanit, nga Fterra.
Dy tre ditët e para gjëndja e Osmanit vazhdoi disi e rëndë. Më tej, ai ndihej më mirë. Dolli i shëruar nga spittali pas dy javësh.
– Po pse more Osman nuk e vrave gjarpërin, e ngacmonte Asimeja, apo të mungonte kërraba, apo guximi? Osmani, që ish pak i lënë nga mendja, qeshte dhe i thosh:
– U tremba aq shumë nga gjarpëri sa s’e mbaj mend nga e hodha kërrabën dhe ku përfundova vetë, po falë ndihmës tuaj të vyer më shpëtuat nga vdekja.
Një ditë qershori erdhën disa arixhinj dhe shtruan në maternitet një arixhofkë shtatzanë. Në ҫastin e lindjes arixhofka kishte dhimbje, aq të forta, sa bërtiste:
– Ҫ’më bëre arixhi, t’u bëftë në grykë! Jepi, jepi, shtrëngohu më fort arixhofka ime e bukur, i thoshte arixhiu, që rrinte i dridhëruar pas dritares, se të kam prurë qershi nga Vërmiku. Ky dialog i përsëritur disa herë na përmbyti sytë me lotë nga të qeshurit. Pas lindjes arixhofka qeshte edhe vetë, kur kujtonte britmat dhe shprehitë e saj gazmore, duke parë me admirim foshnjen dhe arixhiun, që shkrihej nga të qeshurat, kumbisur te parmaku i dritares. Ky humor ciganësh hyri dhe gajasi vatër më vatër banorët e Lumit të Vlorës.
Një mbasdite erdhi Islam Abazi në spital. Kam nusen e djalit të sëmurë në shtëpi, më tha. Shkojmë i thashë. E vizitova të sëmurën me kujdes. Kishte dhëmbje fyti, temperature të lartë dhe bajamet e maisura. I bëra mjekimin e nevojshëm. Kur i ra temperatura u bëra gati të shkoja në spital. Prit, më tha i zoti i shtëpisë. Tani është kohë darke. Do hamë një mëllë bukë, pastaj do të ҫojë djali me mushkë në spital. Ja, darka është gati.
– Shtro mësallën, i tha të shoqes. Po ulu mor bir më tha xha Shefiti, veterineri i zonës, me të cilin qaja ҫdo hall. Ishte miku i babait tim, Jaupit. Ulu doktor, ulu, se nuk e lëmë mikun të iki në kohën e bukës. Desha, s’desha u binda. Darka ishte me mish të pjekur dhe me një mori gjellësh. I biri më shoqëroi deri te dera e spitalit. Pasi më falënderoi u largua.
Të nesërmen piva kafe me të Plotfuqishmin e Lokalitetit, Kame Abazin. Ai më pyeti:
– Si kalove mbrëmë te xha Islami? Shumë mirë i thashë. Kishte nusen e djalit me bajame të majisura. I bëra ca mjekime. Kur u bëra gati të ikja, më mbajtën për darkë. Janë të nderit e të lezetit tërbaҫjotët, s’e lënë mikun të iki pa ngrënë bukë në kohën e darkës. Edhe kur s’kanë zaire në shtëpi e nxjerrin nga dheu. Tërbaҫiotët ia heqin lakun nga gryka njëri-tjetrit, se lënë gjitonin në baltë. Shefit Gaҫja, gjitoni i tyre, ua zbardhi faqen. U solli kecin, miellin e ҫdo gjë tjetër. Është burrë zakoni ai. Të gjëndet në ditë të vështira. Me Shefitin qaj pa frikë ҫdo hall që të kesh, këtu e mbylli bisedën Kame Abazi, miku im.
Mbas dy ditësh mora rrogën. Bashkë me sekretarin e spitalit, Baxhul Gjondedën u sosëm në shtëpinë e xha Islamit për të parë të sëmurën. Ajo ishte më mirë. Mbasi pimë rakinë dhe kafen shkova dhe vendosa mbi komodinën e të sëmurës diҫka nga rroga dhe i urova të shkuara. Xha Islami u nis të m’i kthente paratë, po unë i thashë, ne kaninjotët nuk vemi duarë bosh tek i sëmuri.
Këtë traditë bujare, kur më merrnin për të vizituar ndonjë të sëmurë në kohën e darkës, e gjeta edhe te Musa Dervishi, Baxhul Gjondeda, Bendo Hoxha, Alim Sulo, Idris Avduli, madje dhe te Hakim Vallja në Brataj dhe te Ferjat Kapo në Mesaplik, si dhe në ҫdo vatër fisnike të Labërisë.