PAJTIM S. SEJDINAJ: AKADEMIA E FISNIKËVE (2)
Pjesa e tretë
FAKTET HISTORIKE QË ÇUAN NË VRASJEN E DËSHMORIT TË KOMBIT, HAJREDIN FRATARI
Për të shmangur vëllavrasjen midis shqiptarëve, kur forcat e Haxhi Qamilit kishin zbarkuar në Mallakastër me moton “Duam babën! Duam babën”, pra për të shmangur një luftë civile midis shqiptarëve, në ato vite të mbrapshta ku Shqipëria ishte një shtet pa shtet, Hajredin Fratari u hodh përtej Vjosës te disa miqtë e tij në Smokthinë, Shkozë, Sevaster e Dushkarak të Vlorës për disa ditë për të ndjekur situatën dhe për të bashkëpunuar me patriotët për një organizim kundër forcave rebele. Por u spiunua nga eksponentë të Musa Qazimit. (Kënga popullore tregon se këtë spiunllëk e ka bërë Ismail Shehu (babai i Mehmet Shehut) nga Çorrushi dhe Jonus Musai nga Kuta). Musa Qazimi dërgoi forca të shumta rebelësh në Mallakastër dhe arrestoi shumë prej tyre, bashkë me komandantin e çetës Ismail Klosin, Baki Gjirokastritin dhe Muharrem Veleshnjën, të cilët u dërguan në burgun e Beratit.
Në 13 Prill 1915 forca të shumta të milicisë dhe xhandarmërisë të urdhëruar nga Ramazan Aga, Komandant i Garnizonit të Beratit dhe Musa Qazimi zbarkuan në Bejar dhe arrestuan 30 burra të fshatit, të cilët i çuan në Berat duke u thënë: “Tregoni ku fshihet Hajredin R. Fratari ose do të kalbeni në burg”. Midis tyre ishin edhe vëllezërit e Hajredinit, Sulo dhe Hysen Rakipi si dhe kryeplaku i fshatit Arben Osmani. Hajredini ndodhej në Smokthinë të Vlorës kur i vjen haberi nga i nipi Xhafer Ademi. Në këto kushte ai u nis drejt fshatit menjëherë dhe natën e 14 Prillit shkoi drejt Beratit i shoqëruar nga djemtë e Mallakastrës së Sipërme për t’iu dorëzuar Xhandarmërisë dhe milicisë të Musa Qazimit, të cilit ia njihte shumë mirë temperamentin. Nuk mund te pranonte që vëllezërit e tij të sakrifikoheshin, ndaj vendosi të përballej më ta. Ai i njihte mirë Musa Qazimin dhe prefektin e Beratit, ua dallonte që në shikim formimin, forcën, trimërinë dhe paburrërinë.
Dhe 100 martirë u mblodhën te “Gurët e Kuvendit” për ta çuar Hajredinin në Berat. U nisën në të gdhirë të datës 15 Prill. Dikush e quajti se Fisniku po shkonte vet drejt vdekjes. Jo! Ai po nisej drejt Altarit të historisë për t’i treguar botës se “ky vend ka zot, është i yni At-mëmëdheu”! Vëllezërit e tij u çuan dhe Hajredini qëndroi për t’u përballur me ta. U tha trimave të vet: “Kthehuni në Mallakastër! Do të përballen vetë me këta armiq të vendit tim”! Qëndruan në pritje të gjyqit vetëm 30 trima, të tjerët u kthyen në Mallakastër. Komandanti i garnizonit të xhandarmërisë së Beratit dhe Prefekti e morën në pyetje. Musa Qazimi iu drejtua me lajka:
– Të ka gënjyer ai ‘tradhëtari i kombit’! (E kishte fjalën për Ismail Qemalin). Perspektiva dhe e ardhmja e Shqipërisë është me ‘Babën’, për Turqinë! Ty të shkolloi Porta e Lartë, të bëri dhe Prefekt! Babaj juaj ka qenë punonjës i Portës së Lartë! Ç’të keqe ka parë familja juaj nga ‘Baba Sulltani’.
Por Senatori i Fisnikërisë, me qetësinë që e karakterizonte, me mençurinë e tij si dhe me ironi dhe sarkazëm, i tha: – Rrofsh, ‘o patriot i mëmëdheut tënd’! O brejtësa të tokës mëmë! Baba sulltanët nuk i kanë bërë asgjë Shqipërisë, veçse e kanë mbajtur 500 vjet nën zgjedhë! I grabiti lirinë, i humbi identitetin si komb, atë që e formoi me gjak dhe sakrificë i madhi Skënderbe! Na mohoi gjuhën tonë të nënës, gjuhën shqipe! Ju nuk keni në damarë gjak shqiptari, por gjak ulkonjash! Ju jeni tradhëtarë të Atdheut!
Edhe me Prefektin e Beratit, Mehmet Ekrem Kozaren kishin qenë shokë shkolle. Prefekti dhe bashkëpuntorët e tij përdorën dredhitë në fillim për ta bërë me vete Hajredinin me qëllim që ai të tradhtonte shokët, bashkëluftëtarët e një ideali. Por duke hasur në rezistencën, vendosmërinë dhe burrërinë e tij, Musa Qazimi urdhëroi që Hajredin Fratari të futej në qeli i veçuar nga shokët e tij.
Musa Qazimi ulëriu: – Merreni! Do të mësosh se kush jam.
Dy mercenarë e mbërthyen për krahu.
Prefekti i Beratit i tha: – Zoti Fratari, ne kemi qenë dhe shokë!
Hajredin Fratari me seriozitetin e tij i tha: – Tradhëtar, nuk bëhet pazar me lirinë e Atdheut! Koha do ta tregojë!
– Më qafë paç veten Zoti Fratari! Merreni e çojeni në qeli, – tha prefekti.
Dhe ata bënë një plan të mirëorganizuar duke e transportuar natën për në burgun e Kavajës dhe gjoja Hajredin Fratari tentoi të arratisej dhe ata e vranë. Vëllezërit e Hajredinit dhe bashkëpatriotët e tjerë që ishin arrestuar u liruan. Atyre rrebelëve ju duhej vetëm Hajredini. Populli i Mallakastrës i ka thurur këngë dhe vargje dëshmorit të Pavarësisë, birit të saj që hapi dhe shkollën e pare shqipe në Mallakastër, fisnikut Hajredin Fratari.
Në Smokthinë vajti haberi
Në Smokthinë vajti haberi./E çoi nipi Xhafer Ademi:
“Musa Qazimi të çon haber./Të dorëzohesh menjëherë.
Xhaxha, o sua trimi/Të kërkon Haxhi Qamili.
Ai të dërgon selam/Në mëngjes të zësh Beranë.
Ndryshe do bëj kasaphanë./Do t’i vras vëllezërit tanë”.
I tha vetes: “Hipi kalit Hajredin!/Edhe nisu fluturim”!
I hipi kalit edhe shkoi/Në Berat vajti qëndroi.
Havakua i tha dy fjalë:/“Dale trim të puth në ballë”!
Edhe e shoqja seç i foli./“Për Liri erdhëm nga Stambolli”.
“Nënë ma bëj hallall/Do t’u dal ballpërball”.
Bashkë me 100 djem të tjerë./Natën u nisnë si erë.
Me prefektin kish qenë shokë./Kishin ngrënë kripë me okë.
“Çoi burrat që ke arrestuar!/Ja ku më ke o i mallkuar”!
Vëllezërve u tha dy fjalë:/“Nënat të ndalin atë të qarë!
Dhe motrat shaminë e zezë./Të mos e lidhin asnjëherë
Fëmijët i lashë të mitur!/Ata vëllezër duhen rritur!
Na kërkon Atdheu!/Do vdesim si Skënderbeu!
Pranvera kur të çel lulet!/Mbi varrin tonë të përulet!
Në Fratar, një derë e mire/Në Fratar, një derë e mirë.
Lindi trim Hajredin/Që luftoi për lirinë
Bashkë me Ismailë/Me Baki Gjirokastrinë
e dhanë jetën për lirinë./Në Berat ata u vranë
Spiunë, disa shejtanë/Ismail Shehu me Jonus Musanë.
Mos u gjend shpirti derman.
(Kjo këngë është kënduar jo vetëm në odat mallakastriote, por dhe në zona të tjera për rreth saj).
Edhe Vlora ia bëri fora!
Edhe Vlora ia bëri fora!
O shokët e Ismail nga Vlora.
O shokët e Ismail Qemalit!
Ju mbeteni yjet e karvanit.
Të pavdekshmit e vatanit.
Kosovë dhe Çamëri
Kalamatrëng erdhën te ti!
Të thanë: “At-mëmëdheu është nji,
Shqipëri-Kosovë-Çamëri”
Ndaj Hajredini luftoi për liri!
E VËRTETA PËR RAUF HAJREDIN FRATARIN
Ankthi – Frika – Trysnia – Lufta, që nga fëmërija ime na ka lidhur me këtë cilësim si “Armik i Popullit”!… Dhe njerëzit nuk na afroheshim se im at kish qenë bashkëpuntor me “Armikun e popullit”. Ky “Armik i popullit” mori më qafë dhe të atin, Dëshmorin e Kombit, Hajredin Rakip Fratarin që historianët e viteve 1944-1990 e fshinin nga historia e popullit. Por këtë “Armik të popullit”, për cilësitë e tij fisnike cilido shqiptar do ta kishte për nder ta kishte baba, vëlla, gjysh, dajo, mik, shok, bashkëfshatar. Ta njihte dhe të bashkëbisedonte me të, të pinte thjeshtë dhe një kafe ose të këmbente një cigare duhani. Në kujtesën time i ruaja nga im at (në bisedat që bënte me burrat e mençur të lagjes), ku e kujtonin me respekt dhe dashuri të madhe vëllain e tyre. Të formosh personalitetin dhe karakterin e një njeriu të ‘panjohur’ është vështirë, por kur ai vjen nëpërmjet kujtesës së njerëzve e ke të lehtë. Por të kuptuar fasadën, intrigat, mashtrimet e emërtimit të “Armikut të Popullit” në “Emër të popullit” nga regjimi i Enveri Hoxhës më duhet të përmend disa momente nga jeta ime që lidhen me këtë etiketim dhe që i kam vuajtur vetë. Shpesh im at gdhinte net të tëra me “Lisin e Moçëm” dhe pleqtë e tjerë të lagjes ku fliste me simpati për Major Rauf Fratarin, për cilësitë e tij, për shpirtin e tij luftarak, patriotik dhe atdhetar. Unë atëhere isha fëmijë dhe nuk i kuptoja. Nuk e mendoja se “Armiku i popullit” do të ndikonte në jetën time. Kjo filloi që kur isha në shkollën 8-vjeçare ku sekretari i partisë të shkollës kish urdhëruar drejtorin e shkollës që unë të mos recitoja para shkollës dhe para publikut se im at kish bashkëpunuar me “Armikun e popullit”. Mbas mbarimit të klasës së tetë (falë këmbënguljes së bashkëfshatarëve të mi dhe për arsye shëndetësore) m’u dha një bursë për në shkollën “Rakip Kryeziu” në vitin 1971. Tre ditë mbas vajtjes në shkollë, (shkolla “Rakip Kryeziu” pati mbingarkesë të nxënësve të viteve të para), Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe vendosi që 30 nxënës të kësaj shkolle shkonin për të studiuar në shkollat e mesme “Pedagogjike” dhe “Industriale”, Fier. Fati më ra edhe mua (ata u nisën nga mesatarja e notës në përzgjedhjen e nxënësve). Kam shkuar dy ditë në Pedagogjiken e Fierit. Pas dy ditësh më thërret drejtori i shkollës Pedagogjke dhe më thotë: – Ti do të kthehesh përsëri në bujqësoren e Fierit! Mora valixhen dhe u ktheva te “Rakip Kryeziu”, (arsyen e kuptova mbasi kur mbarova vitin e katërt të shkollës kur nuk m’u dha e drejta për të vazhduar shkollën e lartë). Në vitin e dytë të shkollës së mesme, mësuesi i letërsisë S. M. më besoi si përgjegjës të bibliotekës të shkollës ku më dha mundësinë të futesha në botën e librave dhe të harroja ‘hallet’ e mia (simestrin e dytë të vitit të katërt ai shkon instruktor në komitetin e parties të rrethit). Mbas mbarimit të vitit të katërt vjen vendimi nga organizata bazë e partisë së fshatit që unë të mos vazhdoja shkollën e lartë se im at kish qenë bashkëpuntor me “Armikun e populli”, Rauf Fratarin. Me gjithë përpjekjet e pandërprera nëpër dyert, institucionet të shtetit të asaj kohe më ndaluan të vazhdoja shkollën e lartë dhe më futën nën zgjedhën e “Armikut të popullit”, duke më pushkatuar ‘shpirtin’, por jo shpresën. Në Tetor 1975, në një mbrëmje rinie më ‘vodhën’ një bllok shënimesh ku kisha kujtime nga shkolla e mesme, disa poezi dhe një fjalor italisht-shqip dhe ma çojnë në Degën e Brendshme. Mbas dy ditësh inspektori i policisë të zonës, së bashku me dy policë më merr dhe më çojnë në Degën e Punëve Brendshme. Në zyrën gjej kryetarin e Degës, kryehetuesin dhe prokurorin. Në moment që prokurori po më merrte në pyetje hyn në zyrë për punën e vet ish mësuesi im i letërsisë S. M. U takua me të tre, u takua dhe me mua. Të tre vështruan njëri-tjetrin në sy.
– Po ti? – më pyeti ish-mësuesi.
Ngrita supet.
– E njihni? – i tha prokurori mësuesit.
– Po! E kam patur nxënës! – i ktheu përgjigjen prokurorit.
– Prit jashtë! – më tha mua prokurori.
Biseduan me njëri-tjetrin. Dhe më folën. Kur hyra brenda mbi tavolinë më zuri syri bllokun e humbur dhe fjalorin italisht-shqip.
– Ik në shtëpi dhe shiko punën! – më tha kryetari i Degës.
(Spiunët e kishin bërë detyrën)…
Kishte 2 vjet që agjentura sekrete e regjimit kishte vrarë “Armikun e popullit”, Major Rauf Fratarin. Ata kujtonin se im at kishte patur lidhje me majorin, (këto ishin sajesat që bënin grerëzat). Për arsyen e mos vazhdimit të shkollës sime, im at vuri ‘verem’ (sëmundje) deri sa vdiq në 1 Korrik 1980. Në varrim nuk mori pjesë asnjë komunist nga fshati. U ndanë dhe miq e shokë të tjerë të familjes sime pasi im at kish qënë bashkëpuntor me “Armikun e popullit”. Por harruan që im at dhe Majori kishin shpëtuar shumë jetë njerëzish në ato vite të luftës të deklaruara nga ata vetë. Arrita të mbijetoj dhe të mposht dhimbjen falë Zotit, ‘durimit’ dhe leximit të librave që më jepnin mësuesit e nderuar të shkollës së fshatit. Kur po përgatisja dokumentat për të dalë në pension në Mars 2021 gjeta në arkivën e shtetit në Lushnje një vendim të Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe që unë isha emëruar në vitin 1978 agronom i mesmë në kooperativën bujqësore Dams, vendim me të cilin nuk u njoha asnjëherë dhe nuk u zbatua.
Pa koment!
Unë vazhdoja punë i qetë si çoban me lopët e tufëzimit. Por dhe kjo kishte një të mirë, vazhdoja të lexoja libra kur vinte ‘ujku’! Mbas viteve 1990 me ndihmën e Zotit realizova dëshirën time për të vazhduar me konkurs shkollën e lartë. Fillova punën si mësues ku realizova një nga ëndërrat e mia që flinin në sirtar. Puna ime si mësues më dha mundësinë për të depërtuar në Misterin, Enigmën, Labirinthin, Dilemën, Ankthin, në Fasadën dhe Intrigën për “Armikun e popullit”, Major Rauf Hajredin Fratarit. Nëpërmjet çmontimin të kujtesës së bashkëfshatarëve të mi ku kam intervistuar me qindra burra të mençur, të urtat nëna të dëshmorëve; bashkëkohës me Major Raufin në periudhën e luftës, ish partizanë, vllezër të familjeve të dëshmorëve, bashkëfshatarë që jetonin në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Dhe nuk gjeta një të më fliste keq për Majorin. Pikërisht nga kjo sitje (seleksionimi) i këtyre intervistave kam arritur të montoj rrëfimet e mia për Majorin duke i hequr maskën Fasadës dhe Intrigës si “Armik i popullit” dhe duke nxjerrë në pah vlerat e ‘njerëzores’, ku para meje shtrohej pyetja: A ka qënë “armik” i popullit tim Rauf Hajredin Fratari? Pyetje që më ka mbajtur në ankth gjithë jetën dhe që është në antitezë të plotë me ato ç’ka më ka treguar im at netëve të dimrit. Bisedat që kam dëgjuar nga rrëfimet e tij me pleqtë e mençur të lagjes sime. Apo me intervistat e bëra me të moshuar gjatë punës si mësues. Kjo është çështja!? Ta urrej apo ta dua atë! E di që shpirti i tij nuk ka gjetur qetësi! Ai përpëlitet dhe tani! Do ta urreja Rauf Fratarin po të ishte “Armiku’ i popullit”! Dhe jam krenar, tani që e vërteta, e drejta po ndriçohet si drita e diellit, pavarësisht dhimbjeve të mia shpirtërore. Rauf Fratari u vlerësua me dekoratën “Pishtar i demokracisë” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në 1994. Historia vjen te njeriu në dy mënyra:
1. Nëpërmjet të shkruarit nga historianë të ndryshëm që për mua është e pabesueshme sepse ajo ndryshon sipas pushteteve dhe qejfit të ‘Mbretërve të pushtetit’.
2. Nëpërmjet ‘Heshtjes’, legjendave, gojëdhënave, anektodave, rrëfimeve të njerëzve të thjeshtë të pandikuar nga pushtetet. Kjo e dyta rrjedh si një lum i heshtur dhe nuk ka të ndalur në kujtesën e njerëzve duke i hedhur në koshin e plehrave të gjithë pseudo-akademikët dhe pseudo-historianët që lozin ‘zaret’ me historinë ose që e ‘vjedhin’ atë. Drejt këtij Misteri, Enigme, Dileme, Ankthi, Labirinthi i kam përqëndruar rrëfimet e mia për të zbuluar të vërtetën, të drejtën, për të mbërritur te ‘Njerëzorja’! Për aktivitetin patriotic të At-mëmëdheut të Patriotëve dhe Legjendës të Mallakastrës dhe Shqipërisë: Hajredin Rakip Fratari dhe Rauf Hajredin Fratari. Mbështetur në proverbën e popullit: Bëmë baba të të ngjaj! Marr shkas për të falenderuar dhe të shpreh mirënjohjen për: Riza Rushitaj, Ramadan Rakipaj, Sulo Pashaj, Sadik Sejdinaj, Shaqo Brahimaj, Ahmet Jahaj, Sako Nukaj, Shefqet Taraj, Qani Beqiraj, Xheto Osmani, Xhemal Sejdinaj, Baki Rakipaj, Tafil Alushaj, Hetem Pashaj, Xhelal Pashaj, Abedin Shehu, Faslli Silaj, Zoto Zotaj, Shefit Malaj, Halim Myftaraj, Nazllie Koçiaj, Batire Koçiaj, Hamide Silaj, Sadushe Nukaj, Shefiko Sejdinaj, Gano Merkaj, Nafije Rakipaj, Batire Osmenaj, Këze Pashaj, Xhevahire Aliaj dhe shumë të tjerë. Edhe ju jeni pjesë e këtyre rrëfimeve nëpërmjet tregimeve tuaja, të dashur miq dhe bashkëfshatarët e mi! Unë nuk po bëj gjë tjetër vetëm po ‘heq’ petën për të dalë ‘lakrat në shesh’ ku me ndihmën e Zotit kërkoj të gjejnë qetësi shpirti i Martirëve dhe të vejë në vend ‘Nderi i humbur’ i Martirëve Fisnikë të At-mëmëdheut që janë kthyer në Pëllumba të Paqes për brezat e ardhshëm!…
SHKOLLIMI I RAUF FRATARIT SI DHE FATI TRAGJIK I VËLLAIT TË TIJ, SKËNDERIT
Dy vëllezërit hynë në shtëpi. Ata i porositën zonjat, nipër e mbesa që Raufi dhe Skënderi nuk duhet të dinin gjë për vrasjen e të atit. Atyre do t’ua thotë Imam Veizi në darkë. Imami mësonte dhe djalin e madh Skënderin, po ai ishte i sëmurë dhe nuk donte ta ngarkonte shumë. Imami vazhdonte të ndiqte lojën e fëmijëve. Me fëmijët po luante edhe Skënderi, vëllai i Raufit që ishte dy vjeç më i madh, (për atë kujdesej më tepër gjyshe Havakoja). Fëmijët luanin volejboll te “Sheshi me kalldrëm” ku ishte improvizuar enkas si kënd lojrash nga Hajredin R. Fratari kur u hap “Mësonjëtorja e parë” dhe ai shesh mbeti si kënd lojrash për fëmijët e lagjes dhe të fshatit. Topat dhe rrjetën i kish ruajtur nënë Havakua në sepetet e saj. Njëri nga fëmijtë u ‘hodh përpjetë’ (ishte Qamili Rakipaj, djali më çapkën në lagje) dhe tha: – Ej…! Më dëgjoni! Kam një mendim! A luajmë futboll në dy skuadra?! Dhe këtë e quajmë ‘Kupa Rauf Fratari’, meqë Raufi ka ditëlindjen sot. Të gjithë ranë dakort. U caktuan kapitenët e ekipeve Qamil Rakipaj dhe Shefit Malaj. Skuadrat u ndanë me short. Shortin e bëri imam Veizi. Ai bëri 5 shkopinj të shkurtër dhe 5 shkopinj të gjatë. Kush tërhiqte shkopin e shkurtër ishte me skuadrën e Qamilit, ata që tërhiqnin shkopin e gjatë ishin me skuadrën e Shefitit. Djalit të Imamit i ra të jetë me skuadrën e Qamilit. Raufin dhe Skënderin i lane gjyqtarë për të arbitruar ndeshjen. Ndeshja u bë me dy pjesë, nga gjysmë ore secila. Ndeshjen e fitoi skuadra me kapiten Qamil Rakipaj. Mbas mbarimit të ndeshjes imam Veizi të gjithë lojtarëve u dha nga një sheqerkë që ai i mbante në çantë vetëm për fëmijët. Skuadrës që fitoi i dha një libër me poezi “Baba Tomorri” të Çajupit. (Ai e dinte që mbas një muaji do të rifillonte shkolla shqipe në Bejar. Këtë ia kishte thënë miku i tij, mësuesi Sali Nivica). Te “Sheshi me kalldrëm” u mblodhën shumë fëmijë të tjerë dhe të rritur. Ishte ndeshja e pare e zhvilluar në lagje në një stadium të improvizuar nga fëmijët. Ishte edhe ndeshja e parë e zhvilluar për një kupë simbolike. Të dy vëllezërit gjykonin këtë ndeshje simbolike. Sa u gëzuan fëmijët. Ata i uruan Raufit: “Gëzuar ditëlindjen! Edhe 100 vite të lumtura”! Shoku i tij Hekurani i dhuroi një palë llastiqe për të vrarë zogj dhe kur të rritej të vriste ‘armikun’! Raufi atë 5 Shkurt mbushi 7 vjeç, ndërsa Skënderi në Dhjetor mbushte 9 vjeç. Nënë Xhidaja i ftoi të gjithë fëmijët e lagjes, (edhe ata që nuk luajtën) për drekë më rastin e ditëlindjes së nipit të saj, Raufit. Nënë Xhidaja kishte marrë një furçë të vogël dhe çdo fëmijë që hynte te porta e shënonte me gjak në ballë, nga dashi i therur për ditëlindjen e Raufit. Ishte ky një rit që përdorej në anët tona.
Fëmijët u bënë me krahë. Ishte dreka e parë që mblidheshin si fëmijë të lagjes. Ata nuk i bënin bashkë në drekat apo darkat e dasmave, sepse në bazë të zakonit i zoti i dasmës do të shtronte sofrën më vete për fëmijët e lagjes. (Dhe dasma kishte lezetin e vet dhe dilte e bukur po të mbeteshin fëmijtë të kënaqur). Në drekën e fëmijëve morën pjesë nënë Havakoja, nënë Xhidaja, mamaja e Raufit, Sabireja me të birin tjetër Skënderin, imam Veizi me të shoqen dhe guzhinieret që kishin përgatitur gostinë. Në drekë ato u çuan një lloj ëmbëlsire nga ato që bënte nënë Havaja kur u hap shkolla e parë shqipe, pra ballokume të cilat Skënderi i pëlqente shumë. Ajo ditë mbeti një ditë e paharrueshme për fëmijët e vegjël.
Ishte ‘daveti’ i parë mbas vrasjes së Hajredinit. Raufi dhe Skënderi nuk dinin gjë për vrasjen e të atit. Fëmijët ishin porositur të mos u thoshin gjë dy vëllezërve. Thonë se fëmijët janë të vegjël dhe nuk kuptojnë, por në raste fatkeqësie dhe tragjedie ata kuptojnë më mirë se një i rritur. Situatën tragjike të ndodhur në lagjen Zotaj, me vrasjen e Hajredinit, ata e regjistruan në kujtesën e tyre si kompjuter. Vëzhgonin çdo veprim të njerëzve të rritur, monitoronin hyrjet dhe daljet në shtëpinë e fisnikëve. Dhe atë ditë të gjëmës së madhe lotët e tyre u derdhën në “Liqenin e Lotëve” të të rriturve. Ata në bisedat e tyre intime përshkruanin çdo situatë. Dhe sa ditë që Raufi dhe Skënderi nuk ishin në shtëpinë e vet, shkonin te shtëpia e imam Veizit dhe luanin së bashku me Raufin dhe me çunat e tjerë të lagjes Tatoshaj, vetëm e vetëm që Raufi të mos mërzitej dhe të mos ta ndjente vetminë. Ata e mbanin gjithmonë afër. Ata qëndruan në drekë 2-3 orë dhe ikën të kënaqur. Në shtëpi qëndroi imam Veizi me të shoqen, djalin, Raufin, Skënderin dhe pjestarët e tjerë të familjes…
E dëgjova dhe e ndjeva kur “Lisi i Moçëm” hoqi në zemër. Nxorri shaminë dhe fshiu lotët. – Eh!… more bir! Kam marrë pjesë vetë në të të gjitha këto që po t’i tregoj! Kam qenë në ‘stadium’ kur u zhvillua ndeshja midis fëmijëve të lagjes. Kishte ardhur dhe Hekurani nga lagjia tjetër, shok i ngushtë me Raufin. Skënderi ishte sëmurë dhe nuk luajti atë ditë futboll. Ai ishte futbollisti më i mirë nga të gjithë fëmijtë. Unë sot të tregoj ty për ata… Kjo është jeta! Ky është fati i njeriut! Nuk fola, fjalët m’u zunë në grykë. Ashtu i mallëngjyer vazhdoi rrëfimin: – Në darkë u mblodhën vetëm fisi dhe si mik ishte vetëm imam Veizi. Nuk kishte kaluar viti nga vrasja e Hajredinit, kështu që në bazë të riteve nuk bëheshin gëzime familjare me këngë dhe valle. Zakoni e donte që gëzimet familjare fisnore bëheshin mbasi kalonte një vit nga vdekja e të ndjerit. Ishte nata e pare që fisi mblidhej në një dhomë, bashkë burra e gra te dhoma e Raufit. Zakonisht muhabeti bëhej në dhoma të veçanta, veç burrat dhe veç gratë. Por atë natë për ditëlindjen e Raufit u mblodhën të gjithë bashkë. Ata e dinin që imami do t’i jepte lajmin e kobshëm çunave për vrasjen e babait. Dhe të gjithë prisnin me ankth reagimin e djemve. Raufi e dinte se i ati punonte larg. Por ishte i bindur se ai do të kishte ardhur për ditëlindjen e të birit. Kur u nis nga shtëpia e imamit mendoi se do ta gjente në shtëpi. Kur pa në darkë që nuk ishte pyeti të ëmën: “Po babi s’ka ardhur”? Të gjithë vështruan nga imami. Heshtje. – Kishte punë dhe nuk erdhi! – ish zëri i imamit që theu heshtjen.
– Sa më ka marrë malli! – tha djali. – U bë një vit pa e takuar! Që vjet për ditëlindjen time! – vijoi ai i mallëngjyer.
Të pranishmit në dhomën u përlotën. Djali e kuptoi sikur edhe ata i kishte marrë malli, prandaj pyeti: – Edhe ju u ka marrë malli?…
Në dhomë kishin sjellë dhe Skënderin, megjithëse ai ishte pa qjef. Ata e sollën që dy djemtë të gëzojnë së bashku. Imami e kuptoi që situata po i ikte nga duart duke shkuar drejt tronditjes së madhe dhe rënia si bombë e vrasjes së Hajredinit do të ishte një dramë psikologjike me pasoja për djemët. U tha: – Ejani këtu te Dadai! Raufi u shkëput nga nëna, kurse Skënderi u shkëput nga gjyshja dhe u ulën në prehrin e Imamit. – Babi ka filluar një punë të re! Si administrator kujdestar i një kopshti të bukur me lule!
Të gjithë po e ndiqnin me vëmendje.
– Dhe ai nuk mund t’i lërë dot lulet vetëm se ia vjedhin! Ai do të vonohet ca! Kur të kthehet do t’u sjellë lulet më të bukura në botë! Do t’u tregojë një përrallë të bukur, një ngjarje të trishtë që I ka ndodhur një fëmije të vogël sa ti. (Iu drejtua Raufit).
Djali e vështroi drejt e në sy. Imami e dinte mirë që Raufit dhe Skënderi u pëlqenin përrallat. Shpesh herë Raufi bëhej kureshtar dhe bënte pyetje të çuditshme për moshën e fëmijës. Këtë imami e priste edhe sonte. I gjithë konaku ishte kthyer në botën e fëmijëve dhe po ndiqnin me vëmendje imam Veizin. Ai nisi të tregoi përrallën:
“Na ishte një herë një kopsht i bukur. Aty jetonte fisi i luanëve. Fisi i luanëve kishte një luan që e quanin Dragua. Dragoi kishte dy fëmijë të vegjël, kishte babë e nënë, vëllezër, nipër, mbesa, kushërinj, ishin një fis i madh i luanëve dhe gumëzhinin si bletët çdo mëngjes për të punuar kopshtin e bukur që ua kishte falur Zoti. Kopshti kishte bukuri dhe natyrë përrallore që kafshët e tjera të pyllit e kishin zili. Fisi i luanëve ishin në punë mes tyre dhe nuk i binte kujt më qafë. Aty jetonte dhe një kuçedër që donte t’ia jepte kopshtin e bukur një kafshe që quhej ‘Izhdërhau’. Kuçedra donte të përfitonte vetëm ajo dhe banorët të mos kishin më ‘Kopsht të bukur’, por ‘Izhdërhau’, një përbindësh tjetër që e kishte mbajtur 500 vjet të zaptuar kopshtin e bukur të fisit të luanëve. Fisi i luanëve luftoi dhe ia rimorën kopshtin e bukur ‘Izhdërhaut’. Dhe nisën ta verselitnin kopshtin. Kuçedra ziliqare kërkoi ndihmën nga Përbindshi për t’ia marrë kopshtin e bukur fisit të luanëve dhe t’ia jepte përsëri atij ndaj nisi luftën për t’I marrë ‘Kopshtin e bukur’.
– Po më vonë ç’ndodhi? – pyeti djali.
– U mblodhën të gjithë fisi i luanëve të ‘Kopshtit e bukur’ dhe luftuan me të derisa i mundën! – i tha Imami. Kuçedra jetonte në kopshtin e bukur, por ajo ishte shumë e keqe, nëpërmjet pazareve donte t’ia jepte Përbindëshit, – tha imami.
– Po pastaj ç’ndodhi? – pyeti djali.
– Ata morën të gjithë fisin e luanëve dhe e futën në burg, – i tha imami. – Dragoi kur e dëgjoi, shkoi u dorëzua te Kuçedra! Ajo mbajti në burg vetëm Dragoin dhe lëshoi të gjithë fisin e luanëve të kopshtit të bukur! Më vonë Kuçedra e vrau Dragoin.
– Sa e pashpirt Kuçedra! – tha Raufi, – kur të rritem unë do t’i vras të gjitha kuçedrat! Dhe e bëri dorën grusht duke shtrëguar atë.
– Po fëmijtë e Dragoit i mori Kuçedra? – pyeti Raufi.
– Jo! Ata i rriti nëna, xhaxhallarët e Dragoit dhe fisi i luanëve! – i tha imami djalit. Fisi i luanëve po u bënë të gjithë bashkë s’ka egërsira që t’i çajë”! – përfundoi përrallën imam Veizi.
– Po fëmijët sa vjeç ishin? – pyeti djali, ashtu i përgjimur
– Në moshën tënde dhe të Qamilit, – i tha ai duke e shtërguar Raufin në kraharor. Raufin e zuri gjumi. Imam Veizin e mori në krah dhe vendosi në krevat në qoshe të dhomës duke e mbuluar me jorgan, ndërsa Skënderi shkoi me gjyshen për të fjetur në dhomën e tyre.
– Për sonte kaq! Flasim nesër! – u tha të pranishmëve dhe u ngrit. – Natën e mirë! – u tha dhe vajti nga dhoma e miqve. Në dhomën e Raufit mbeti vetëm e ëma.
Të nesërmen imam Veizi u ngrit herët. Ishin ngritur gratë si dhe Sulua me Hysenin. Kafen e pinë në sallon. Erdhi nënë Havakoja, Xhidaja, Sabireja dhe e shoqja e imamit. Fëmijët e vegjël po flinin.
– Mësimin do ta zhvillojmë këtu, së bashku me djalin tim do të marrim dhe dy shokë të Raufit, kë të dojë ai; qëllimi është që djali të mos ligështohet! Ju nuk do t’i thoni asgjë! Për Skënderin do të kujdeset Hasa. Ata do ta kuptojnë vetë. Në një moment të përshtatshëm unë do t’ua them tëvërtetën, por kjo kërkon kohë. Varet sesa fëmijtë do të ndjejnë mungesën e të atit. Ti Havako dheti Sabret duhet të jeni më të përmbajtura kur të gjendeni përballë fëmijëve! – Ju! – iu drejtua Sulos dhe Hysenit, – duhet të bëni kujdes. Nipër e mbesa të rritur dhe të vegël të mos bisedojnë për Hajredinin në sy të çunave. Të kenë kujdes. Të gjithë duhet të bëjmë përpjekje maksimale për jetën e djemve që ata të mos pësojnë ndonjë traumë psikologjike!
Ju drejtua të shoqes: – Ti ik në shtëpi! Djalin lëre këtu! Të luaj me Raufin! Do të vij unë në darkë se do u bëj mësim dhe do i marr! Do të shkoj deri në Ninësh! Hyseni i foli të birit: – Bëji kuajt gati se do të shkosh me imamin në Ninësh.
U nisën të dy. Fisnikët i shpërndanë nëpër punërat e tyre…
– Më duke se u bë vonë! – më tha “Lisi i Moçëm”.
U ngritëm, morëm një makinë dhe u nisëm për në shtëpi. Kur u ndamë më tha: – Nesër do të vij te shkolla të takoj Korifeun!
– Je i mirëpritur! Natën! Makina e çoi deri te shtëpia.
Të nesërmen filloi java e mbarë më të hënën.
Shkova në shkollë. Klasa ime kujdestari e shkollës “Hajredin Fratari” më bëri një suprizë. Ishin mbledhur para fillimit të mësimit dhe kishin vendosur që për 1 Maj të shkonin në Përmet, më bënë ftesë mua dhe “Lisit të Moçëm”. Ata kishin vendosur të shkonin si klasa paralele të vitit të dytë. Kryetarët e qeverisë së nxënësve e kishin biseduar me drejtoreshën. Çdo gjë kish marr dakortësinë. Pra në 1 Maj do të shkonim në qytetin e luleve. Atë ditë kisha 6 orë mësim dhe nuk merrja dot frymë. Në pushimin e gjatë vura re se përballë bustit të Korifeut ishte ulur “Lisi i Moçëm”. Kolegët i kishin çuar një karrike dhe ai seç kuvendonte në heshtje me të. Nuk kishte pranuar as kafe nga kolegët e mi.
– Më lini se do të çmallem me të! – u kish thënë.
Dhe ata nuk e trazuan.
E përshëndeta.
– Erdha! – më tha – të çmallem! – I tregova për vizitën që bëmë në Varreza dhe në Tempullin e Kalamatrëngut ku ishin mbledhur të gjithë Martirët në Olimpin e Tempullit!
Unë pohova me kokë.
U thashë: – Festuam 100-vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe dhe se Hajredini ka ardhur te çelja e Shkollës së Mesme.
– Iu çel fytyra! U gëzua! Prit se do të vijnë Martirët për të takuar! – i thashë.
Nxënësit e klasës kujdestari e kishin takuar dhe kishin bërë ftesën për në Përmet në 1 Maj. Ishte i kënaqur nga ftesa e stërnipërve. Filloi mësimi. Kolegu im që ishte pushim e mori dhe pinë kafe. E përcolli me një taksi për në shtëpi. Nxënësit kishin ftuar të gjithë mësuesit për në Përmet. U nisëm atje me tre autobuza. Shoku im që kishte makinë të vogël mori “Lisin e Moçëm” dhe mua. Udhëtuam për në qytetin e mrekullueshëm të luleve. Autokolonën e autobuzave e shoqëroninnjë tufë pëllumbash të bardhë. Zbritëm në Përmet. Nxënësit dhe mësuesit po vizitonin lulishtet e trëndafilave. Dhe pëllumbat e bardhë po e vizitonin atë. Unë dhe “Lisi i Moçëm” u ulëm në një stol duke soditur natyrën e bukur të qytetit të luleve. Pamë se drejt nesh po afrohej një burrë rreth të 90-ve. Veshur me kostum, me një kapele republike dhe me një bastun identik si bastunin i “Lisit të Moçëm”. Të krijonte përshtypjen e një zotnie me kulturë, në fakt Përmeti është djepi i kulturës.
– Tunjatjeta! – na përshëndeti duke ngritur shkopin lart dhe po rrinte në këmbë.
– Tunjatjeta! – i përgjigjemi një zëri.
– Më dukeni si mysafirë të panjohur në Përmet.
– Po! – i thashë.
– Nga jeni? – tha plaku, i cili nuk na kishte dhënë dorën akoma.
– Nga Mallakastra! – i them. “Lisi i Moçëm” po dëgjonte.
– Nga cili vend?
– Nga Fratari!
– Oh! Nga vendlindja e Hajredin Rakip Fratarit! O sa bukur, mall dhe nostalgji për të! – tha duke na zgjatur dorën për të na takuar. – Ejani të pimë një kafe! – tha duke kapur “Lisin e Moçëm” për krahu.
U ngritëm. Hymë në një lokal aty afër. Sa bënin lulishtet me lule shumëngjyrëshe nuk bënte lokali. Në lokalin përballë dëgjoheshin tingujt e fizarmonikës dhe klarinetës. Nxënësit kishin filluar argëtimin, orkestra dhe kamera ishin të shkollës. Të gjithë kolegët ishin në atë veprimtari.Unë nuk vajta sepse “Lisi i Moçëm” e ka shqetësim zhurmën. Qëndrova me të. Kamarierja,një vajzë simpatike erdhi dhe mori porosinë. (Nami i ka dal Korçës që thonë ‘O korçare, o hiç fare”! Por për Përmetin thonë “O përmetare, o mos u marto fare’).
Pa ardhur ende kafja hyri në derë të lokalit një polic i gjatë që i shkonte për bukuri uniforma blu. E njoha, ishte Qerimi, djalë i fshatit që mban emrin e djalit të imam Veiz Zeqaj.
– Po ku jeni? – tha duke u përqafuar me “Lisin e Moçëm” dhe pastaj me mua.
– Po ti xha Halid ku i gjete? – iu drejtua mysafirit tonë. – Po ju kërkoj! E dëgjova që mbrëmë që nxënësit e shkollës “Hajredin Fratarit” do të vinin në Përmet! Po nuk ma merrte kurrë mendja që “Lisi i Moçëm” në moshën 110 vjeç të vinte në Përmet.
Pëllumbat e bardhë qëndruan mbi trëndafilat përpara lokalit. Ata fluturonin sa te lokali ynë aq te tjetri ku bënin mbrëmje nxënësit e shkollës. Qerimi mori karriken dhe u ul në tavolinën tonë. Ai kishte vite që punonte si inspektor policie në Përmet. Me xha Halidin njihej mirë, e dinte që ai ishte nga dera e madhe e Frashëllinjve të Përmetit. Kishte vite në Përmet. Kamarierja solli kafet.
– T’u bëjë mirë! – tha Qerimi. Miku nga Përmeti i kishte ngulur sytë “Lisit të Moçëm” sikur donte ta blinte.
– Ky është “Lisi i Moçëm”, ka qënë nxënës i “Mësonjëtores së parë shqipe” në Mallakastër që kemi biseduar bashkë! – i tha Qerimi plakut me emrin Halid.
– Unë po iki, do të shkoj te lokali tjetër. Do shihemi pak më vonë! – tha Qerimi duke u çuar.
Ne të tre vazhduam bisedën, në lulishte vinin here pas here pëllumbat e bardhë.
– Ç’të lidh me Hajredinin? – e pyeti “Lisi i Moçëm” plakun me emrin Halid.
– Miqësi e vjetër! E kemi dhëndërr! Ka marrë mbesën tonë të Frashëllinjve! Miqësinë e lidhi mbesa jonë Sabireja, por si ndërmjetës ishte Samiu! Ata ishin shokë në Turqi! – tha plaku me emrin Halid.
– Ti je nga dera e madhe e Frashërllinjve? – e pyeti “Lisi i Moçëm”.
– Po! Mbaj dhe emrin e stërgjyshit Halid!
– Ta gëzosh dhe ta mbash me nder! – i tha “Lis i Moçëm”.
– Ruaj kujtime të bukura për Hajredinin! Të treguara nga gjyshi! Gjyshi e ka patur shok të ngushtë në Turqi kur ka qenë me punë! Edhe në Skrapar kur ka qenë nënprefekt. Është merita e tij që janë hapur shkollat shqipe në Skrapar. Gjyshi ka qenë në Bejar kur Hajredini bëri darkën e djalit, Raufit dhe kur ndodhi gjëma e madhe e Beratit! – tha duke treguar bastunin.Si dhe kur ndodhi tragjedia e djalit të madh, Skënderit. Ne kemi ardhur 20 vetë në vdekjen e nipit tonë, Skënderit. Këtë bastun e kam kujtim nga gjyshi!
Pëllumbat vazhdonin të qëndronin mbi trëndafilat.
– Gjyshi ishte Imami i Skraparit dhe kishte mbaruar shkollën bashkë me imam Veizin tuaj! Jam njohur me këtë djalin (për Qerimin) dhe çmallemi së llafosuri me të! – tha plaku Halid.Në shtëpinë tonë ka ardhur para viteve 1934 me qindra herë Raufi (i biri i Hajredinit) me të ëmën. Ekishim nip të mirë. Babai me gjithë xhaxhallarët ka qenë dhe në dasmë. Nusen e kishte marrë me origjinë nga Kosova. Ia mbaj mend mirë emrin Ganimete. E kemi mbajtur në shtëpi nipin dhe nusen duke qenë se ne ishim fisi i madh, ata qëndruan një javë për të përfunduar vizitat te dajot e burrit. Ishte 22 Mars 1940, dita e Sulltan Novruzit kur erdhi Raufi së bashku me të shoqen dhe vajzën. Kishin qenë në Teqen e Priskës, atjeku i ati ish myhyp. Në darkë u kthyen në odën tonë. Te ne kish ardhur dhe Mit’hat Frashëri, I cili kish dëgjuar për Raufin, por nuk njiheshin (Hajredinin e njihte mirë). Ishte takimi i parë.Oda u mbush me burra të fisit. Unë si më i vogël qëndroja në këmbë për t’u shërbyer miqve. Italia fashiste kishte pushtuar Shqipërinë. Si u takua dhe u përshëndetën me Mit’hat Frashërin, filluan bisedën për organizimin e një luftë kundër Italisë fashiste. Mit’hati e këshilloi Raufin të shkonte në Mallakastër dhe të mblidhte burrat në formacionin luftarak të batalionit “Hajredin Fratari”. Jehona e veprimtarisë patriotike për çështjen kombëtare dhe shkëndijat që ai ndezi për dituri dhe kulturë në Mallakastër dhe Skrapar, të babait tënd Hajredin Rakip Fratarit s’shuhen kurrë! Të jesh krenar për babanë! Të ecësh në gjurmët e tij! – i tha ai Raufit. Pastaj ai i tregoi Raufit për Platformën që po përgatiste për të mbledhur të gjithë shqiptarët në një formacion të përbashkët nën moton “Shqipëria është e shqiptarëve”! Duke u përgatitur për formimin e Partisë së Ballit Kombëtar që kishte si qëllim kryengritjen e armatosur kundër Italisë fashiste. Me sa di unë Raufi, mbas atij takimi shkoi në Mallakastër dhe krijoi formacionin luftarak “Hajredin Fratari”.
– Është e vërtetë! – i tha mikut “Lisi i Moçëm”.
– Të nesërmen, nipi me gruan dha vajzën u larguan për në Mallakastër.
Këtu përfundoi bisedën miku dhe u nda nga na pasi kishte një punë tjetër. Në lokal mbetëm unë dhe “Lisi i Moçëm”. Njerëzit u rralluan. Ndërkohë nga lokali tjetër vazhdonte të dëgjoheshin tingujt e muzikës. Pëllumbat vazhdonin të fluturonin mbi qytetin e Përmetit. Për t’i ngacmuar kujtesën e pyeta “Lisin e Moçëm”:
– Po për Skënderin pse nuk më ke folur?
– Vdekja e tij është një histori rrëngjethëse! – më tha.
– Po nga se vdiq?
– Eh! More bir! Ajo ditë ka qenë dita më e kobshme jo vetëm për të rriturit, por më tepër dhe fëmijët. Ata e panë vetë skenën e llahtarshme, pasi ai vdiq në fushën e lojës.
– Si! – e pyeta i tronditur.
– Po, po! – tha. – Skënderi ishte djali i madh i Hajredinit. Ai lindi në 20 Gusht 1907. Ata ia vunë emrin Skënder, emrin e tij e vendosi babai i teqesë së Krahësit, Tepelenë. Kur lindi Raufi përkujdesja e tij iu besua xhixhiko Hasës, por e ëma dhe gjyshja s’hoqën dorë. Kur Raufi mbushi 1 vjeç e mori për të kujdesur xhixhiko Hasa, ndërsa Skënderin e mori e ëma. Ata si prindër mundoheshin që fëmijëve të mos u mungonte gjë. Ai kishte pasion futbollin, Hajredini solli topa veçmas për nxënësit e shkollës dhe veçmas për djalin, Skënderin. Skënderi kishte pasion Pikturën dhe Vizatimin me të cilat kishte bërë një koleksion dhe i mbante nën jastëk e ëma Sabireja.
Edhe atij s’i thanë gjë për vdekjen e të atit. Ai iku nga kjo jetë pa e marrë vesh gjëmën e madhe.
Mbas një muaj nga vdekja e të atit atë e mori në dhomën e saj e ëma, Sabireja e cila nisi t’i mësojë gjuhën shqipe. Kur u rihap shkolla në Bejar në 7 Mars 1916, dy vjet më vonë Sabiresë vendosi ta dërgonte në shkollë sëbashku me djalin tjetër Raufin, nën përkujdesjen e imam Veizit. Edhe për arsye që Skënderi të mjedisohej me shokët. Vajtja në shkollë ndikoi për të mirë, Skënderi e mori veten, të gjithë u gëzuan se ai po bëhej më mirë. Luante shumë mirë futboll, ishte nxënësi më i mirë i shkollës në këtë sport. Një ditë Marsi ai i kërkoi mësues Aliut të bënin një ndeshje futbolli me grupe te lëmi në fund të lagjes Zotaj. Mësuesi duke parë talentin e tij nuk ia prishi. U njoftuan të gjithë fëmijët e shkollës dhe e lane ta zhvillonin ndeshjen më 20 Mars të vitit 1918. Po atë ditë ndodhi tragjedia e madhe! Fëmijët vinin në shkollën e Shehaj. Vendosën të bënin një ndeshje futbolli me grupe nxënësish. Mësuesi i tyre Ali Delvina do të arbitronte ndeshjen, që do të zhvillohej në fund të lagjes Zotaj ku ishte një lëmë i madh që përdorej për të shirë grurë me kuaj në behar.
Një ditë më përpara Skënderi së bashku me shokët rregulluan fushën e sportit të improvizuar te lëmi, duke vendosur portat dhe duke bërë vizimet me gëlqere. Pra e bënë fushën e sportit gati për ndeshjen. Topat e futbollit do t’i sillte Skënderi nga shtëpia. Atë ditë lëmi ishte mbushur plot me fëmijë. Kishin ardhur dhe vajza për të parë ndeshjen. Kishte ardhur dhe të rritur, prindër të nxënësve dhe të rinj që pëlqenin futbollin. Kishte ardhur dhe imam Veizi. Fëmijët në skuadra i ndau mësues Aliu. Fëmijët ishin nga të gjitha lagjet, por mësuesi i grupoi në dy skuadra. Skuadrat u ndanë me short, që e hodhi mësues Aliu (me shkopinj të vegjël në një skuadër dhe shkopinj të gjatë në skuadrën tjetër). Para fillimit të ndeshjes u këndua Himni i Flamurit. Himni i Flamurit këndohej çdo ditë para se të fillonte mësimi. Propozimin për të kënduar Himni i Flamurit nga nxënësit para shkollës çdo mëngjez e bëri Raufi. Mësuesit e miratuan menjëherë. Të kënduarit e Himnit të Flamurit u bë ritual i përditshëm në shkollë. Ndeshja filloi në orën dy. Mehmeti me Ramadanin u caktuan arbitër anësorë. Ishte ndeshja e parë që luhej mjedisit jashtë të shkollës në një fushë sportive të improvizuar. U caktuan dhe kapitenët e ekipeve. Për skuadrën e parë kapiten u zgjodh Skënderi dhe për skuadrën e dytë Hekurani. Kapitenët e ekipeve u zgjodhën me votë nga të dy skuadrat. Pjesa e parë përfundoi 2 me 0 për skuadrën e Skënderit, me dy gola të shënuar nga ai. Nga mezi i pjesës së dytë Skënderit i ra të fiktit në fushë. Mësuesi e ndërpreu lojën dhe u turr drejt Skënderit. Erdhi dhe imami. Skënderi ishte nxirë. Mësues Aliu i nxorri gjuhën dhe filloj t’i bëj masazh. Por çdo gjë ishte e kotë. Ai kishte vdekur. Imam Veizi e kuptoi dhe e mbuloi me mantelin e tij. Mësues Aliu e mori para duarve dhe u nis drejt shtëpisë së Skënderit. Imam Veizi u turr drejt Raufit e mbështolli pas vetes, i bëri shenjë mësues Qamilit të largonte fëmijet nga lëmi. U nis drejt shtëpisë së bashku me Raufin. E kam pare vetë atë skenë të llahtarshme! Fëmijtë nuk ikën, por na shoqëronin ne kur iknim për te shtëpia e Skënderit. Te shtëpia te Hasa ia dha asaj Raufin dhe i tha: – Mos u largo në asnjë moment nga ai sa të vijë unë. Raufi nuk kuptoi gjë. Ai kujtoi se I vëllai ishte sëmurë dhe ata po e çonin në shtëpi, (ai e dinte që vëllai ishte sëmurë pasi atij i kishte rënë të fiktit disa herë). Imam Veizi nxitoi hapat për të dalë në krye të kortezhit që po shoqëronte Skënderin për te shtëpia. Te “Sheshi me kalldrëm” u ndalën të gjithë. Aty kishin ardhur dhe njerëz të tjerë. Lajmi për tragjedinë e ndodhur ishte përhapur në të gjitha lagjet e fshatit. Pleqtë e lagjes në të tilla raste e dinin detyrën. Ata u mblodhën te “Sheshi me kalldrëm” për të shkuar që të jepnin mandatin. Pati nga ata që dhanë mendimin që djalin ta vendosnin në një batanije dhe ta çonin me barrela në shtëpi. Mësues Aliu nuk pranoi. – Do ta shpie vetë kështu para duarve në dhomën e tij, u tha ai. Pleqtë e miratuan në heshtje. Imam Veizi dhe pleqtë së bashku me disa plaka u nisën drejt portës. Skena e ndodhur nuk la kohë që burrat të jepnin mandatën. Nënë Xhidaja duke parë grumbull njerëzish te porta kuptoi diçka. Po kur pa mësues Aliun me fëmijën në krah ulëriu fort:
– E zeza jonë kjo! E zeza jonë! – dhe i ra kokës me grusht. Disa gra të lagjes u turrën për t’i mbajtur zonjat e shtëpisë për krahu. Sulua dhe Hyseni u ndodhën në shtëpi. Sa dëgjuan ulërimat e grave dolën jashtë së bashku me pjestarët e tjerë të familje. Një skenë e llahtarshme. Duhet të jepnin mandatin e kobshëm. Por ky ishte ndryshe nga mandatet e tjera sepse të vdekurin po e çonte mësuesi i tij duke e mbajtur para duarve. Te “Sheshi me kalldrëm” mësues Qamili së bashku me disa djem të rritur dhe burra po largonin fëmijët që shoqëruan kortezhin nga lëmi. Por dhe kjo nuk ishte e lehtë. Fëmijtë e panë vetë me sy ngjarjen dhe shpërthyen në lotë. Megjithatë ata i larguan dhe në “Sheshin me kalldrëm” mbetën vetëm të rriturit. Imam Veizi duke ndjerë një skenë rrëngjethëse, kurpa dhe Sulon dhe Hysenin që dolën në oborr, thirri me zë të lartë: – Sulo Rakipi bëhuni të fortë! Mblidhni mendjen! Ne na ra ky mort! Ne do ta përballojmë! Prandaj na ka krijuar Zoti! Të durojmë dhimbjen, kur ajo kufijtë e saj i ka kaluar! E kapi për krahu dhe e tundi. Mbas po vinte mësuesi që mbante para duarve ëngjëllin e vet, Skënderin.
– Hapuni! Të shpiem ëngjëllin në dhomën e tij! – u foli imami grave dhe burrave që kishin zënë rrugën për të hyrë në dhomë. Ata hapën rrugën.
Gjyshe Havakoja u turr për të marrë Skënderin. Mësuesi ishte duke uluritur: – Bir, o bir!
– Jo! – tha imami – do ta shpjerë mësuesi i tij ëngjëllin në dhomë!
Pas këtyre fjalëve të imamit, nënë Havakoja u spraps. Imami u drejtua drejt dhomës së djalit. Sabireja nuk u ndodh në shtëpi, ajo ishte me antarët e një shoqate humanitare për t’u dhënë ndihmë njerëzve të sëmurë nga kolera. Shkuan Hamzua me të shoqen për ta marrë. Ajo e kuptoi dhe i tha nipit të burrit: – I ka ndodhur gjë Skënderit?
E shoqja më lotë në sy i thotë: – Po! Ajo nuk e dha veten, por së bashku me ta u nis për në shtëpi. Ishte grua me karakter të fortë. E dashur, e ëmbël në fjalë, e sinqertë, me një shpirt human të jashtëzakonshëm, e qetë, ajo ishte mësuar me përballimin e dhimbjeve. Loti i saj nuk kishte shteruar, por ishte kthyer në shkëmb durimi. Po këtë radhë dhimbja i kish shpuarzemrën dhe shpirtin, vdekja i kishte marrë të birin. Ajo kishte kohë që e priste, ndofta që kur lindi. Sot qetësia ishte kthyer në shkëmb dhe lumi vazhdonte të rridhte dhimbjen në ‘detin e madh të zemrës’. Ajo kur mbërriti në shtëpi i tha vjehrrës:
– Zonja Mëmë, ky është fati ynë! E përqafoi dhe vazhdoi: – Me Zotin dhe me fatin ne nuk hahemi dot! Të luftojmë të realizojmë ëndrrat e tyre!
Të pranishmit e ngushëlluan për humbjen e djalit. Gratë nisën vajin. Në dhomën e burrave u hapën dyert e motit, Hyseni nisi djemtë për të njoftuar miqtë. Ndërsa Xhaferi, Karafili dhe Aliu u morën me rregullimin e meitit. Sabreti pyeti për Raufin.
– E kam unë! – tha imami.
– Ai nuk di gjë! E di që është sëmurë! Dhe nuk duhet ta mësojë! Nesër nuk duhet të vijë marr pjesë në ceremoninë mortore! Do të rrijë ca ditë te shtëpia ime me djalin tim! – u tha imami Sulos, Hysenit, gjyshe Havakos, nënë Xhidasë dhe të ëmës Sabiresë.
– Ju e dini efendi! – i tha Sulua Imamit.
U nis për në lagjen Tatoshaj duke marrë Raufin që e kish lënë te shtëpia e Hasës. Mori kalin që kishte lënë te lëmi dhe u nis për atje. Porositi të shoqen dhe djalin të mos i thoshin gjë djalit për ngjarjen.
Raufi e pyeti: – Si u bë Skënderi? Ai e kishte parë vëllain kur atij i ra të fiktit.
– E nisëm për në Turqi për ta shëruar! – i tha Imami. Imam Veizi u nisë për në Zotaj për të marrë pjesë në ritet e përgjërimit. Në odat e Hajredin Rakipit ishin mbledhur shumë burra, jo vetëm të lagjes por dhe miq e shok, të dashur të familjes. Skënderi u varros pranë gjyshit të tij Rakip Isufit ku mori pjesë i gjithë fshati, miqtë dhe shokët e fisit të Fisnikëve. E veçanta e këtij mortiishte pjesëmarrja e mësuesve të shkollës së bashku me fëmijtë. Të lidhur nga një shirit të zi në krah, duke krijuar një kortezh më vete, midis kortezhit të madh që u nisën nga “Sheshi me kalldrëm” drejt varrezave të lagjes. Nxënësit mbanin në dorë portretin e Skënderit, dy kurora me lule, dy topa futbolli dhe nga një tufë me lule. Kortezhin për në varreza e printe Imami. Kortezhi i nxënësve u bë i mundur pas bisedës të mësuesve me Fisnikët për pranimin e tyre për të marrë pjesë në ceremoninë mortore, pasi zakoni nuk e lejonte. Ishte rasti i parë që një nxënës kishte vdekur. Dhe në mënyrë mjaft tragjike i kishte rënë të fiktit në fushën e lojës. Ideatorët e kësaj ceremonie mortore për fëmijtë ishin mësuesit e tyre që u kishte mbetur peng vdekja e Skënderit. Fjalën e lamtumirës për Skënderin e mbajti mësues Qamili. Në ceremonitë mortore këtë e bën Imami, por ai i kërkoi leje. Dhe Imami i tha: “Allahu të ndihmoftë! Edhe ti njeriu i Zotit je! Shpirti i tij do të jetë më i qetë kur fjalët e ëmbla drejt xhenetit ia thotë mësuesi i tij! Amin”! – E kam të regjistruar fjalën për atë ëngjëll që Zoti e mori në ‘Sofrën e vet’ – tha “Lisi i Moçëm” dhe filloi të tregojë fjalët mallëngjyese të mësues Qamilit, që i bëri njerëzit pa përjashtim të lotojnë: “Të nderuar, prindër, motra, vëllezër! Fort të dashur pjestarë të fisit të Skënderit! E dashur, mësuese Sabire, nëna e nxënësit tonë Skënder Hajredin Fratarit! Na mblodhi sot një mort i pazakonshëm! Një mort që tronditi zemrat dhe shpirtin tonë! Pra sot jemi mbledhur për të përcjellë në Parajsë një Ëngjëll! Një Ëngjëll që Zoti e mori pranë vetes! Sot ‘bilbilat’ këngën e tyre kanë pushuar dhe ata kanë ardhur për të përcjellë për në qiell shokun e tyre! Zëri i tij si bilbil do të kumbojë çdo mëngjes në zemrat tona! Ai do ta mbush me aromë mjedisin e shkollës në breza! Ku ajo aromë i ngjan erës së trëndafilit! Sot ‘Fluturat’ janë mbledhur në këtë ‘kortezh lotësh dhe dhimbjesh’ për t’i thënë lamtumirë ‘Fluturës’ që shetiti bashkë me to në vendlindjen e tyre të bukur! Sot kanë ardhur në këtë ceremoni mortore ‘Lulet’!Zoti ka përzgjedhur ‘Lulen’ më të bukur për ta marrë në Parajsë! Sot po loton ‘Kali’ për kalorësin e vet! Sot po qajnë me zë ‘qingjat’ për shokun e tyre që vallëzonte bashkë me ta lëndinave! Sot po lotojnë ‘borijet, e cylat’, të cilave ai iu binte aq bukur! Sot kanë dalë peshqit nga deti dhe janë bashkuar këtij kortezhi për t’i dhënë lamtumirë notarit nga cili ata mësuan notin! Sot po qan ‘Shpresa e Futbollit’ sepse sa herë dilte në fushë, ai për të luajtur ajo shikonte lojtarin e ardhshëm, ndofta me famë botërore! Sot kanë heshtur ‘Pikturat’, vizatimet dhe po qajnë me zë për ‘Piktorin e vogël’. Ato nuk ndrijnë si më parë, do t’u mungojë pena e tij e artë! Sot kanë zbritur nga Tempulli i Kalamatrëngut pëllumbat Martirë! Për të marr pëllumbin e vogël Martir që luftoj me ‘shpat në dorë’ për të realizuar ëndrrën, për t’u bërë një futbollist i talentuar! Sot ka ardhur dhe i ati, të cilit i mbeti peng sëmundja e të birit që ai nuk e shëroi dot! Sot ka ardhur ëndërra e tij që është zgjuar në sytë tanë! Sot kanë zbritur Perënditë nga Olimbi për ta marr Yllin e vogël! Të luaj futboll me yjet e qiellit! Sot ‘kanë ngrirë’ me mijëra buzëqeshje, janë stepur, ëngjëlli i përdorte buzëqeshjet si dhuratë për të gjithë njerëzit Sot ka ardhur në këtë kortezh ‘Bora e bardhë’ e maleve për të parë ‘Shpirtin e bardhë’ të vogëlushit! Eh!…
Sot! Sot!… Janë mbledhur me mijëra zemra dhe kanë prangosur për jetë këtë ëngjëll! Sot janë mbledhur me mijëra sy që vazhdojnë të lotojnë! Lamtumirë nxënësi ynë i dashur! Lamtumirë biri ynë i shtrenjtë! Lamtumirë vëllai ynë i veçantë! Lamtumirë Princi ynë i madhërishëm! Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje! Lamtumirë, lamtumirë! I paharruar në zemrat tona”!
Pas këtij rasti shkollat u mbyll nga autoritetet. Për shkak edhe të sëmundjes së kolerës që kishte pllakosur zonën, shkollat u mbyllën pa afat…
– Pra Raufi nuk e mori vesh të vërtetën?
– Jo! – tha – është i vogël akoma!
– Është i lidhur me të atin shumë! E donim shumë njëri-tjetrin! Është herët! Një ditë ai do ta mësojë të vërtetën! Dhe atëherë do t’i ngulitet më shumë dashuria për të atin!…
“Lisi i Moçëm” vazhdoi rrëfimin: – Mbasi u kthye nga Ninshi në mbasdite vonë Imami vazhdoi mësimin me Raufin dhe me të birin. Raufi me atë çiltërsinë prej fëmije dhe shpirtin e tij human i tha imamit:
– Dada, dua të them diçka!
– Fol! Po të dëgjoj!
– Po sikur të vijnë shokët, Qamili dhe Hekurani të mësojnë me mua dhe Qerimim (djalin e Imamit)! – i tha Raufi.
– Patjetër! Nesër do të jenë këtu! – dhe e mori përqafe. Vazhdoi mësimin. Mbasi mbaroi mësimin i tha Sulos të njoftonte Qamilin dhe Hekurani të vinin nesër në shkollë.
Vonë mori djalin, i hipi kalit dhe shkoi në shtëpinë e tij.
Të nesërmen në mbasdite mori djalin e tij dhe shkoi në Zotaj. Raufin e gjeti duke luajtur te “Sheshi me kalldrëm” me shokët. Fëmijët e ndaluan lojën dhe u shpërndanë. Raufi së bashku me Qamilin, Hekuranin dhe Qerimin hynë te dhoma ku bëhej mësimi. Mbi ‘Mësonjëtoren’ vazhdonintë fluturonin pëllumbat e bardhë. Qamili dhe Hekurani ishin shokët nga më të ngushtë të Raufit. Ata kishin qenë nxënës të shkollës që u rihap me mësues Qamil Muhameti dhe Ali Delvinën. Imam Veizi nuk e kishte të vështirë të zhvillonte mësim me ta. Ata dinin të lexonin dhe të shkruanin. Ata u habitën në dhomë ku mësonte Raufi, atje ishin varur Flamuri Kombëtar, portreti i Skënderbeut, portreti i Ismail Qemalit dhe përballë tyre një fotografi e të atit, Hajredinit. Që nga ajo ditë ata vazhdonin rregullisht mësimin me imam Veizin.
Mësimi vazhdoi një muaj. U rihap shkolla shqipe në lagjen Shehaj, në 7 Mars 1916. Në shkollë nxënësit vinin rregullisht. Raufi u dërgua në atë shkollë që të ambientohej edhe me shoqërine. Imam Veizi i kishte djemtë nën kontroll të vazhdueshëm…
“Lisi i Moçëm” vazhdoi bisedën: – Atë vit ra një sëmundje e rëndë. Pllakosi sëmundja e kolerës. Sabreti mblodhi një grup vajzash dhe grash dhe krijoi ‘Shoqatën Humano-Mjekësore’, në mbrojtje të shëndetit të njerëzve nga kjo sëmundje. Enkas për këtë në Mallakastrën e Sipërme erdhi një ekip i huaj mjekësor austriako-hungarez-francez dhe qëndruan për një muaj në shtëpinë e Hajredin Fratarit. Kjo sëmundje vazhdoi për dy vjet. Qëllimi kryesor i tyre ishte të mjekonin të sëmurët, por edhe të sensibilizonin njerëzit si të mbroheshin nga sëmundja e kolerës. Sabire Fratari u vu në krye të kësaj shoqatës “Në shpëtim të jetëve të njerëzve”.’A’-ja e kësaj sëmundjeishte pastërtia e trupit të njeriut dhe mjedisit ku jeton. Gjithashtu me amvisat u bënë takime të shpeshta, u shpërnda gëlqere falas që ato të bënin lyerjen dhe dizefektimin e shtëpive. Ishte një punë kolosale në shërbim të njerëzve nga kjo shoqatë në Mallakastrën e Sipërme. Medikamentet dhe pajisjet mjekësore që dërguan ekipet e huaja nga kjo shoqatë shpërndaheshin falas. Ka një ngjarje tragjike në këto vite. Një përfaqësues i ekipit austro-hungarez-francez, të cilët ishin veshur ushtarakë pëson infarkt dhe varroset me nderime të mëdha nga dera e Fisnikëve të lagjes Zotaj, duke i bërë të gjitha ritet zakonore dhe shpenzimet nga Sulo Rakipaj. Ajo natë mbeti e paharrueshme për të gjithë. I huaji u varros në krye të varrezave të lagjes Zotaj, aty ku është shkolla 9-vjeçare ’10 Dëshmorët’, Bejar. Në vitin 2009 duke luajtur në fushën e sportit të shkollës disa nxënës zbuluan disa eshtra njeriu. U njoftua Policia. Erdhënekspertët e mjekësisë ligjore dhe konstatuan se eshtrat ishin të hershme. Por kjo ngjarje kishte hyrë në legjendë dhe ishte transmetuar në breza. Ata të ekspertizës të mjekësisë ligjore më morën mua në intervistë dhe më pyetën: – A ka ndonjë histori që lidhet me këtë ngjarje? – Po, u thashë dhe nisa për t’u rrëfyer atyre: “Ajo natë tragjike më ka në mbetur në mendje. Mbas Luftës së Parë Botërore pllakosi jo vetëm një varfëri e madhe, por dhe një sëmundje e tmerrshme. Sytë e njerëzve u varfër u kthyen te familje e madhe dhe fisnike e Hajredin R. Fratarit në Mallakastrën e Sipërme, e cila vuri në dispozicion jo vetëm kapitalin por dhe shpirtin moral të tyre. Të huajët erdhën u strehuan në këtë familje, Sabireja ishte si përkthyese e tyre. Ajo zotëronte 6 gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, turqisht, italisht, gjermanisht dhe rusisht. Atë natë njëri prej miqve austro-hungarez pësoi infrakt. Ata vendosën që ai, për hir të situatës epidemike të rënë nga sëmundja e kolerës (gripi spanjoll) të varrosej këtu në Bejar në Shqipëri. Familja e Fisnikëve mori përsipër të gjitha shpenzimet e varrimit dhe t’i bënin ritet mortore sipas zakoneve shqiptare. Lagjia u njoftua në orën 10 të natës për vdekjen e njërit prej të huajve dhe burrat u mblodhën te shtëpia e Sulo Rakipaj për ta gdhirë meitin sipas zakonit tonë. Sabireja i sqaronte miqtë nëpërmjet përkthimit çdo detaj nga ritet mortore. Ata mbetën të befasuar nga zakonet shqiptare, në mënyrë të veçantë në vajet nga gratë të cilat e qanë si njeriu e tyre. Të nesërmen u varros në krye të varreve të lagjes, me pjesëmarrjen e burrave të fshatit. Lagjia shkonte te konaku i Sulo Rakipaj çdo natë deri ditën e pestë, sipas zakonit tonë. Varri u pagëzua me emrin ‘Varri i të huajit’. Gërryerja e tokës së varrit nga shirat ka bërë që të zbulohen eshtrat e këtij njeriu. Në këtë vend nuk ka varre të tjerë, (varret e lagjes janë 30 metra larg). Në vitin 1988 aty u ndërtua shkolla e fshatit”. Këtu mbylli intervistën me ekspertët mjeko-ligjore “Lisi i Moçëm”.
– Patjetër që Raufi me shokët e tij i ka përjetuar këto ngjarje rrënqethëse? – e pyeta ‘Lisin e Moçëm’.
Më hodhi një vështrim nga koka deri te këmbët dhe duke hequr në zemër vazhdoi: – Mendo një fëmijë 6-vjeçar sot që t’i ndodhnin tragjedi të tilla, por jo në këto kushte, por në ato absurd dhe të pabesueshme. Është një traumë e vërtetë njerëzore për një fëmijë 6-vjeçar. Tragjedi dhe drama të tilla i dëgjoje dhe i shikoje për ditë. (Prandaj nuk i lejonin fëmijët të vinin në varreza). Ato tromaksin të rriturit dhe gjyko pastaj për fëmijtë. Ishte kjo arsyeja që imam Veizi i ndaloi që t’ia tregonin Raufit dhe Skënderit gjëmën e madhe të të atit. Por thoshte gjithmonë se do të vijë koha që ata ta marrin vesh të vërtetën. Eh, more bir, sot as vetë nuk e besoj se si një fëmijë 6-vjeçar t’u rezistojë traumave dhe tragjedive kaq të rënda njerëzore. Dhe jo vetëm t’u rezistojë, por të bëhet një model për bashkëmoshatarët e vet. Këto trauma njerëzore e burrëruan parakohe duke i ngarkuar mbi supe një barrë të rëndë për çdo lloj robi. Pra në moshën 6 vjeç ai është fëmijë, është zot shtëpie, është burrë, është mik, është shok, është administrator i pronave që i la i ati! Është autodidakt po edhe i shkolluar i vetvetes! Është marantanomak që rend drejt të ardhmes, i ka hipur ‘Kalit të shpresës’ për të realizuar amanetin e të atit!
– Po ku e gjen gjithë këtë forcë, gjithë këtë energji, gjithë këtë kurajo për të përballuar një det me halle? – e pyeta “Lisin e Moçëm”.
– Po të pyesësh Zotin edhe ai nuk e beson, – më tha. – Zoti të provon! Të jep forcën e durimit. Ky është njeriu që rend në kërkim të misterit të jetës. Njeriu që lufton për një jetë të mirë, njeriu që nuk e njeh frikën! Ky është njeriu i dalë nga Shkolla e Fisnikërisë!…
Pëllumbat e bardhë vazhdonin të fluturonin sa në një lokal në lokalin tjetër. “Lisi i Moçëm” rinisi rrëfimin: – Ajo që vlen për jetën e Raufit është se ai ishte një djalë i zhdërvjelltë, kureshtar, donte të zbulonte çdo mister jo vetëm në shkollë, por dhe jashtë saj. Nuk ishte fëmijë i mbyllur në vetvete. E ëma e nxise të futej në shoqëri, por e këshillonte të bënte kujdes. Ishte i matur në veprime dhe në fjalë, ndihmonte shpesh nënat për ndonjë punë që e urdhëronin. Merrte pjesë në lojrat popullore, festat që bëheshin në lagje. Kështu në festën e Kurban Bajramit shkonin si grup fëmijësh në çdo familje dhe provonin katmarin (ëmbëlsira) se kush nga amvisat e kishte bërë më të mirë. Ndërsa në festën e sulltan Novruzit shkonin përsëri në çdo familje si grup fëmijësh dhe i zoti i shtëpisë i lyente me gjakun e kurbanit që kishin therrur. Këto ishin rite pagane që kishin vlera në edukimin e fëmijëve. Xhaxhallarët, Sulua dhe Hyseni e merrnin me vete kur shkonin për biseda ose kishte sebepe (urime) në lagje. Edhe kur mblidheshin burrat e moshuar te “Sheshi me kalldrëm” xha Sulua e merrte me vete dhe e mbante në prehër. Ai dëgjonte me vëmendje bisedat e burrave dhe herë pas here pyeste xhaxhanë. Pleqtë e lagjes shquheshin për humorin e tyre të lezetshëm dhe atij kjo gjë pëlqente. Pleqtë e lagjes e donin shumë sepse ai ishte i pashëm, i bukur, i urtë, fëmijë ëngjëll, thoshin ata. I kushëriri, Hamzua e mësoi atë dhe të birin, Qamilin të kërcenin valle popullore dhe të këndonte këngë labe. Hamzua dhe Selmani ishin dy valltarët më të mirë në lagjes dhe këto valle ua mësonin dhe djemve të lagjes. Dhe “Sheshi me kalldrëm” ishte kthyer në një arenë garash e valleve për fëmijët. Hamzua dhe Selmani ishin profesorë të koreogafisë. Në minikonkurset e bëra Raufi dhe Qamili dilnin gjithmonë të parët. Këto lloj karnavalesh krijonin sado pak kënaqësi në mes asaj bote me halle dhe sëmundje. Edhe gjyshja me të ëmën kur shkonin për vizitë te plakat e lagjes e merrnin me vete. Gjyshja e mbante gjithmonë në prehër. Ai shkrihej së qeshuri nga humori i plakave. Dita e verës ishte një rit i veçantë që festohej nga e gjithë lagjia. Atë ditë lagjia e kishte pushim. Kishte një komision organizues që e drejtonte Sabireja. Me një larmi aktivitetesh që i ngjante një panairi ushqimesh. Në mëngjez çunat shkonin në korije, mblidhnin kokrra përce (lloj bime) dhe brumbull (si zhardhok patatesh), ndërsa vajzat mblidhnin lule të ndryshme dhe plisa me bar ku plisat i vendosnin në pragun e derës që simbolizonte ardhjen e pranverës. Një ditë më parë vajzat mblidhnin lakra të egra për të bërë byrek për Ditën e Verës. Gratë përgatisnin llokumet, byrekët me lakra të egra dhe vezët ku do të përdorej një minikonkurs se kush nga amvisat kishte gatuar më mirë. Të gjitha gratë dhe fëmijët e lagjes mblidheshim te “Sheshi me kalldrëm” për të ndjekur festimet. Nënë Xhidaja merrte sofrën e madhe dhe e çonte në mesin e “Sheshit me kalldrëm” sikur shtronte drekën e miqve. Sillte dybekun, dy-tre ibriqe me kos ku një nga amvisat e lagjes hidhte kosin në dybek duke i lidhur një tufë me bar në grykën e dybekut dhe e rrihte derisa nxirrte gjalpin. Ne fëmijtë këndonin dhe hidhnim valle duke e futur në mes amvisën dhe sofrën. Këngët ishin me tematikë të ardhjes së pranverës:
Ja na erdhi pranvera.
Kërcet dybeku te dera.
O sa mirë, o sa bukuri!
Dil e shini po këndon bilbili!
Bleron bari në lëndina.
Ja thotë këngës gjeraqina!
Amvisa zbraste dybekun me dhallë në tenxhere dhe nënë Xhidaja u mbushte nga një tas me dhallë fëmijëve, gjyshe Havakoja u lyente nga një fetë buke më gjalpë për të gjithë fëmijtë. E ëma e Raufit sillte sininë me vezë të ziera dhe fëmijët nisnin ‘luftën’ kush do të fitonte garën nga çokja (përplasja) e vezëve. Garën e fitoi Raufi. Djem e vajza zhvillonin lojën e ‘përmbysjes së kupës’. Bënin zhardhokun e brumbullit si govatë dhe e vendosnin mbi kokë, lëviznin kokën dhe shikonin fatin e tyre. Në rast se brumbulli binte nga pjesa e govatës fati ishte i mbarë, në të kundërtën jo. Kjo provohej 3-4 herë. Raufit i binte nga e mbara d.m.th. fati i tij ishte i mbarë. Njëra nga amvisat solli tepsitë e byrekut me lakra. Nënë Xhidaja i priste fetat me thikë sa fëmijë që ishin në “Sheshin me kalldrëm”. Brenda byrekut ishte hedhur një monedhë hekuri për të provuar fatin. Cili nga fëmijët të gjente monedhën ishte me fat edhe këtu Raufi pati fat. Më vonë bëhej konkursi i llokumeve të vogla sa një kokërr arre, (një lloj ëmbëlsire). Ishte shumë interesante.
Të gjitha nënat e fëmijëve sillnin nga një sini me llokume të cilat i shpërndante nënë Xhidaja. Fëmijët zgjidhnin se cilat nga llokumet ishte më e mira. Deshëve dhe lopëve u lidhej nga një fiango në brirë që të mos i hanin me sy. Kuajve u lidhej nga një rrip në qafë. Çunat luanin lojë me profka, të cilat bëheshin prej kallami të shkurtër 30 cm dhe fusnin kokrrat e përçes (bimë shkurte e vogël) duke gjuajtur njëri-tjetrin. Këtu mbaronte festa e Ditës së Verës. Amvisat shkonin në shtëpi. Fëmijtë vazhdonin lojrat në shesh deri vonë…
Pëllumbat fluturonin sa në një lulishte në tjetrën në qytetin e luleve në Përmet. “Lisi i Moçëm” vazhdonte rrëfimin: – Më kujtohet riti i ‘Plakave’. Është një rit pagan që ka të bëjë me ngrirjen e Plakës në majë të malit, një mit që është festuar deri vonë nga vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Me prishjen e teqeve, kishave, xhamive, mekameve (kulteve fetare) ato u çensuruan nga pushteti I komunistëve. Festohej çdo fund Marsi. Sipas mitit, kur doli Marsi, plaka tha “Më marrsh të keqen o Mars”. Marsi u ngrit dhe shkoi te Shkurti dhe I tha:
Shkurt, o Shkurt!
Më jep tre ditë hua!
Ta ngrijë Plakën!
Ta bëjë ashtu si dua!
Dhe Shkurti i dha Marsit tre ditë hua dhe hodhi dëborë, ngrica të mëdha sa e ngriu Plakën në majtë të malit me gjithë kope, (dele), qen, vedra sepse ajo e ofendoi! (Marsi ka patur 28 ditë dhe Shkurti 31). Marsi e ngriu Plakën në maj të malit! Në kujtim të kësaj feste organizoheshin ‘Plakat’ çdo vit, natën në tre ditët e fundit të Marsit, nga djemuria e fshatit duke shëtitur nëpër mjedisin e fshatit në formën e karnavaleve. Pra djemuria bënin borije, pipëza, fyell, cyla dyjare, zile bagëtish dhe mblidheshin në Tempullin e Kalamatrëngut. Provonin kush i binte më mirë borijeve, cylave e fyellit dhe kush i kishte zilet e këmborët më të mëdha. Raufi kishte mësuar dhe fyellin, dinte të këndonte dhe këngë labe. (Ia mësoi xhaxhai Sulo që ishte mjeshtër i këngës dhe valles labe në fshat). Të mbledhur në tempull, djemuria këndonte dhe u binte instrumenteve popullore. I ati Hajredini kishte prurë disa zile të mëdha nga Turqia. Ne u bëmë 10 çuna të lagjes, bashkë me Raufin, i morën dhe duke u rënë krijonim një simfoni mahnitëse. Më kavalieri nga ne ishte Raufi, megjithëse ishte 10 vjeç. Shkonimshetisnim natën në formën e një eskursioni nëpër kodrat e fshatit. Bëheshim gjithsej 90-100 djem të moshës nga 8-20 vjeç. Na shoqëronin dhe 5 burra të rritur që caktoheshin nga pleqësia e fshatit që kujdesej për ne natën. Edhe veshjet tona ishin në formën e karnavaleve. Raufi vishej me kostum shajaku. Karnavalet vazhdonin deri në orën 5 të mëngjezit…
– Po imam Veizi si i lejonte këto veprime te Raufi? A nuk ndikonin për keq në edukatën dhe kulturën e tij? – e pyeta “Lisin e Moçëm”.
– Dëgjo more bir! Puna që bënte imami kishte të bënte me edukimin e njeriut! Ai ishte i dërguari i Zotit se kishte bërë shkollë për këtë punë. Ishte shumë i kujdesshëm në marrëdhëniet me njerëzit dhe sidomos me fëmijët. Ai thoshte: “Parësore tek fëmijët është liria e tij. Edhe mund të gabojë, por i rrituri kushdo qoftë nuk duhet të përdorë dhunë ndaj fëmijës. Gjuha më e vështirë për t’u kuptuar është gjuha e fëmijëve. Ai e kupton fajin më mirë se një i rritur. Nënë mund të jesh, por edukatore për fëmijën është shumë vështirë të bëhesh. Kërkon punë! Kërkon mençuri! Kërkon qetësi shpirtërore! Kërkon që dyert e zemrës t’i kesh gjithmonë të hapura për fëmijën edhe kur ai gabon! Fëmija është fidan, kërkon mund e djersë për ta rritur dhe verselitur dhe e kërkon ditë për ditë. Jo të gjithë prindërit e kanë privilegjin për të rritur dhe edukuar fëmijë. Sidomos në kohën e sotme kur ‘treni që udhëtojnë njerëzit në këtë botë ka dalë nga shinat’! Ai e nxiste vetë Raufin të merrte pjesë në këto aktivitete dhe rite tradicionale, që të mësonte kulturën, zakonet që kishin kriijuar të parët. Kjo është shkollë më vete, është degë e rëndësishme e Universitetit të Fisnikërisë që krijoi i ati i Raufit me mund e sakrificë”. Por ai e ndiqte në çdo hap Raufin. Ishte fat për djalin që kishte dy njerëz të mrekullueshëm që merreshin me edukimin e tij. Nëna e tij, Sabireji u bë mësuese e anglishtes në shkollën që u rihap më 7 Mars 1916. Në vitin 1917, ajo hyri si punonjëse e rregjistrimit të popullsisë me qendër te ish Aministrata Turke në lagjen Shehaj duke u kujdesur dhe për djalin Skënderin që ishte i sëmurë. Ajo monitoronte çdo veprim të djalit dhe e edukonte me kulturën europiane duke i mësuar gjuhët e huaja. Në moshën 10 vjeç ai fliste shumë mirë anglisht dhe frëngjisht sa komunikonte dhe me ekspertë të huaj. Ai kishte lënë shije të mira dhe të huajt ishin befasuar nga shkathtësia dhe intuita e tij. Edhe në shkollë ai ishte nxënës që mësonte, sillej mirë me shokët, ishte i rregullt. Raufi pati fatin që në moshën 8-vjeçare të merrte pjesë në odën e burrave dhe të miqve. Zakoni e donte që fëmija pranohej në sofrën e burrave kur mbushte 20 vjeç, pra kur shkonte ‘brisk në faqe’. Raufi u ul në sofrën e burrave në moshën 8 vjeç, (ai zëvendësonte burrin e madh dhe të ndritur, të atin Hajredin Rakip Fratarin). Ai u ul në sofrën e burrave pa kaluar ‘brisk në faqe’! ‘U poq para kohe, por nuk u dogj’! Burrat e lagjes e angazhonin si hysmeçi (kamarier) në davete të ndryshme. E mësuan si të bëhet një mjeshtër i këngës dhe valles labe. Ai i mësoi përmendësh vargjet e këngëve që këndoheshin në odën e miqve dhe burrave:
O Rrapo, o trim i rrallë!
Për ty ne jemi krenarë
Luftëtari i Lirisë
Shpresë e gjallë e vegjëlisë!
Qan syri, qan Nëna!
Qajnë dajot, qanë zemra!
Kapedan Rrapo Hekali!
Në Stamboll të vajti nami!
Në Zhubanat të kapi Djalli!
Trim o trim Rrapo Hekali!
E mësuan si t’i binte fyellit, cylës dyjare. E mësuan si të priste, përcillte, nderonte miqtë dhe shokët! Si t’i thoshte një jabanxhiu: Bujrum! Si ta mbante derën hapur gjatë gjithë jetës! E mësuan ç’ish dashuria dhe dhimbja për vendlindjen dhe mos ta mbyllte me kyç atë. E mësuan si të ishte një kalorës i mirë. Ndaj thuhej: “Shiko kalin dhe jo shalën, kali i mirë e shton vetë tagjinë”. Ata e merrnin shpesh kur shkonin nga pronat dhe e mësonin si të ishte një kalorës i mirë. E mësuan se At-mëmëdheu i tij është trinomi Shqipëri-KosovëÇamëri. Dhe shpirti i Martirëve do të gjejë qetësi vetëm kur ky trinomi të bëhet një. Të gjitha këto djali i ‘vuri vëth në vesh’. Pjesëmarrja në këto aktivitete dhe festa rituale u bënë një shkollë më vete për të formuar karakterin universal të mëvonshëm të tij. Lart në qiell shkëlqente një ‘Meteor’, i cili hidhte dritë në çdo hap që hidhte Raufi. Ai shikonte se si ‘Lumi’ vazhdonte të rridhte dhe nuk ishte ndalur!…
Në lokalin përballë muzika vazhdonte të binte. “Lisi i Moçëm” vazhdoi rrëfimin: – Në vitin 1920 burrat e Mallakastrës së Sipërme u mblodhën në Poçem, në formacionin e batalionit ‘Hajredin Fratari’ në udhëheqjen e Veiz Dules, Qazim Canes, Ali Nures dhe Sinan Ramos. Nga Bejari u nisën 100 burra për luftuar kundër italianëve. Djali – 11 vjeçar ndiqte me vëmendje në odën e burrave, në “Sheshin me kalldrëm”, në Tempullin e Kalamatrëngut bisedat e burrave për organizimin e një formacioni luftarak “Hajredin Fratari” kundër Italisë fashiste. Ai dëgjonte me kureshtje të ëmën, Sabretin kur inkurajonte nënat, gratë, motrat, vajzat për t’i nisur trimat drejt Vlorës. Ai e dëgjonte jehonën e fjalëve të poetit vlonjat Ali Asllani:
Vlora, Vlora, Vlora!
Buçet klithma për liri!
Ja do mbetet Vlora jonë!
Ja do bëhet gur e hi!
Lumja ti moj Labëri!
Paske trima anë e mbanë!
Ata që t’u ndodhën pranë!
Kur të panë që po jepje xhanë!
Ai i përcolli Martirët për në Vlorë duke shtrënguar grushtin. Zemra e tij e vogël u mbush me urrejtje. Brenda shpirtit vlonte thirrja: Hakmarrje! Hakmarrje për liri! Nga Olimpi i Kalamatrëngut, pëllumbat i nisën Martirët për fitore drejt Vlorës.
Sinan Ramua vetëtimë.
Gjeneralit ia dha porosinë:
Gjeneral mos bëjë shaka
Për trimat vdekje s’ka!
Jemi dajot e Rrapo Hekalit!
E marrim në lule të ballit!
Është e shtrenjtë për ne liria!
Na dhimbset Shqipëria’!
Martirët u kthyen me fitore.
Pëllumbat fluturonin mbi qytetin e Përmetit, herë mbi lulishtet me lule dhe me trëndafila, here mbi muzeun e vëllezërve Frashëri. E pyes “Lisin e Moçëm”: – Si e përjetoi Raufi vdekjen e të vëllait?
“Lisi i Moçëm” më vështroi nga koka deri te këmbët. Unë, jo vetëm që isha i trishtuar nga rrëfimi, por po përlotesha nga tragjedia që kishin përjetuar njerëzit e gjakut tim. Hodhi atë gotën e verës dhe vazhdoi rrëfimin: – Imami mbas varrimit të djalit nuk shkoi në shtëpin e tij, por u kthye te Oda e Fisnikëve. I mblodhi të gjithë me burra dhe gra. Ata që u bënë shtylla e fortë Durimit, e Kurajos së dhimbjes e të tragjedisë së madhe, e cila ndodhi tre vjet mbas gjëmës. Ju drejtua Sabiresë, ‘Andromakës’ shqiptare në fillimet e shekullit 20-të. Andromaka e Trojës përcolli për në parajsë vetëm burrin Hektorin, ndërsa ‘Andromaka’ shqiptare përcolli dhe djalin Skënderin. Ai i tha: ‘Enea’, Raufiështë gjallë! Për atë duhet të kujdesemi të gjithë! Ai nuk e di se i ka vdekur vëllai! Unë i thashë se erdhi Babua (Hajredini) dhe e mori për ta shëruar në Turqi! Kur ta shërojë do të kthehet bashkë me të! Ai më pyeti: “Po për mua pyeti Babua”? Po, i thashë. Ai beson akoma se i ati është gjallë, ai nuk duhet ta marrë vesh tragjedinë e vëllait! Asnjë nga ju nuk do t’ia thotë. Meqë shkollat janë mbyllur ai do të qëndrojë tek unë.
Të gjithë po dëgjonin me vëmendje dhe të përlotur. Dy pëllumba erdhën në dritaren e odes dhe ndiqnin bisedën e imam Veizit. – Ti! – i tha Sabiresë – duhet të ruash qetësinë. Me ndihmën e Zotit ne do ia dalim. Zoti përpara se të krijonte njeriun, krijoi Ëngjëllin e Durimit. Ai është gjithmonë pranë nesh, na dëgjon, na mëson, na jep forcë për të përballuar këto tragjedi dhe fatkeqësitëe ndodhura. Ti nuk je e e vetme. Ka qindra dhe mijëra njerëz që përballen çdo ditë me tragjeditë dhe vuajtje që ofron jeta. Kjo është jeta e njeriut përballë natyrës. Jeta është një eksperiment i gjallë me vetë njeriun. Ajo të provon sa e kupton njeriu Ëngjëllin e Durimit. Dhe Zoti thotë: “A e ka bërë detyrën Ëngjëlli im i Durimit”. Edhe me të qarë, me të ulëritur, me të stresuar këto tragjedi, trauma nuk kthehen më si më parë. Zoti provoi dhe sendet e tjera të natyrës me këto tragjedi dhe trauma. “Ia dha gurit, guri u ça. Ia dha drurit, druri u tha. Ia dha njeriut, njeriu i duroi të gjitha”. Ne duhet të shikojmë nga e ardhmja për ta bërë atë sa më të bukur dhe të lumtur jetën për fëmijët tanë. Jo urrejtje dhe mllef, por dashuri, buzëqeshje dhe paqe duhet t’u japim fëmijëve dhe njerëzve tanë. Ne duhet ta pasurojmë më tej “Universitetin e Fisnikërisë” që themeloi yt shoq dhe ne duhet t’I mësojmë njerëzit dhe fëmijtë tanë të pinë ujë te ky burim.
Sabireja i ndiqte me vëmendje të madhe këshillat e arta të Imam Veizit. Ai kishte të drejtë dhe tha me vete se “vetëm dashuria, paqja, humanizmi, buzqeshja i shëron plagët e kësaj bote”. Dhe ajo e pa me sytë e vet luftën e madhe kundër sëmundjes së kolerës këto dy vjet në Mallakastrën e Sipërme, ku luftoi me mish me shpirt për të ndihmuar njerëzit dhe për t’u kuruar nga kjo sëmundje nëpërmjet shoqatës së saj humanitare. Ajo porosity që të gjitha gropat e gëlqeres të përdoreshin për dizifektimin e të gjitha banesave me kolerë. Ata njerëz iu ndodhën pranë në çdo moment, ajo e kuptonte shumë mirë se në këto ditë edhe gurët, edhe drurët kishin nevojë për dashuri njerëzore…
Ne nuk e kishim vënë re që tufa e pëllumbave kishte ardhur përballë lokalit tonë dhe po qëndrontë mbi trëndafilat e lulishtes, po dëgjonte me vëmendje rrëfimin e “Lisit të Moçëm”. Ai vazhdoi rrëfimim: – E çuditshme është jeta, tha ai, – në një mjedis real, në kohë reale, me njerëz realë; janë ata njerëz që i japin jetë një mjedisi absurd gati të pabesueshëm, ku lind, vuan, por nuk vdes dashuria prindërore për fëmijët dhe kjo qëndron vetëm te ‘Njerëzorja’. Ku një fis i tërë fisnikësh, nuk tretet, përballon edhe kushtet e vështira të jetës në kohën e kolerës sepse nëpër deje gurgullon një lum i tërë Dashurie, Miqësie, Humanizmi, Sakrifice nëpërmjet motos: “Jeta e tjetrit është dhe jeta ime”. Andromaka u betua atë ditë që e vranë Hektorin (ai donte të mbronte ‘Trojën’ e vet). Ajo e dinte se edhe i biri ishte pjesë e stuhisë të kësaj sëmundjeje.
Raufi vazhdonte rregullisht mësimet nën kujdesin e vazhdueshëm të Imamit dhe të ëmës në klasën ku u hap “Mësonjëtorja e parë shqipe”. Imam Veizi shikonte te Raufi një djalë që premtonte për të ardhmen. Ai u betua përpara ‘kurmit’ të Hajredin Fratarit se do të kujdesej për të birin sa të ketë frymën.
– Por shkolla kur u rihap përsëri? – e pyeta “Lisin e Moçëm”.
– U hap në Mars 1919 po me ata mësues dhe me ata nxënës! Mësimi vazhdoi atje ku u ndërpre. – tha “Lisi i Moçëm” dhe vijoi rrëfimin: – Në këtë shkollë ka mësuar dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, që ishte 4 vjeç më i vogël se Raufi, (10 Janar 1913). Në vitin shkollor 1920 në shkollën e Bejarit erdhi për të mësuar ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën e diktaturës Mehmet Shehu. Ai u bë shokë shkolle me Rauf Fratarin. Mehmeti rrinte te shtëpia e Mehmet Seit Tenaj në lagjen Rrapaj, e kishte mik shtëpie (afër më shtëpinë e Raufit). Mbasdite ata luanin së bashku më fëmijët e tjerë te “Sheshi me kalldrëm’. Raufi nuk e mendonte kurrë se ‘Murtaja e Kuqe’ do t’i bënte armiq me njëri-tjetrin. Raufi në shkollë ishte nxënës i urtë, i qetë, i dashur me të gjithë shokët, larg sherreve, çdo mosmarrëveshje kërkonte ta zgjidhte me mirëkuptim dhe tolerancë. Ai kish tiparet e një burri të rritur dhe të pjekur para kohe. Raufi ishte si një lloj prijësi i nxënësve në shkollë. Fëmijët e shkollës ishin të pranishëm atë ditë kur martirët u nisën drejt Vlorës për të luftuar kundër italianëve që kishin pushtuar Vlorën. Për rihapjen e shkollës shqipe në Bejar një ndihmesë të madhe dha Mësuesi i Popullit, Sali Nivica, si misionar i hapjes së shkollave shqipe në zonën e jugut të Shqipërisë. Ai bashkëpunoi ngushtë me zonjën Sabire Fratari. Ajo jeptegjuhën e huaj anglisht në shkollën e Bejarit. Ai i bëri jehonë kësaj ngjarje duke shkruar në gazetën “Populli” në Shkurt 1919. Më 1921 Raufi mbaroi shkollën fillore në Bejar me rezultate të shkëlqyera. Ata organizuan një festë në fund të vitit shkollor. Ishte gjenerata e parë e shkollës së Bejarit dhe festa ishte e bukur. Me pjesëmarrjen e të gjithë nxënësve të shkollës dhe prindërve të tyre dhe pjestarë të tjerë, adhurues të shkollës. Në festë merrnin pjesë dhe nënat e nxënësve. Të gjithësë bashku do të festonim marrjen e diplomave (deftesat), 20 nxënës që kishin mbaruar klasën e katërt fillore. Ishte i pranishëm dhe Imam Veiz. S. Zeqaj, që e kishte ndihmuar dhe ndjekur hap pas hapi ecurinë e shkollës së Bejarit. Si dhe dy tregëtarë nga Gjirokastra, Veiz dhe Lemzat Behushi, miq të familjes së Hajredin R. Fratarit, të cilët merreshin me tregti dhe ndihmuan mësuesin Ibrahim Fratari të sillte bazën materiale kur u hap “Mësonjëtorja e parë shqipe” në Mallakastër. Ata plotësonin nevojat e shkollës që u rihap me bazë didaktike të nxënësve që finacoheshin nga Sabire Fratari. Fjalën e hapjes e mbajti mësuesi i shkollës Ali Delvina, i cili i ftoi të pranishmit për të mbajtur një minutë heshtje për nder të mësuesit të popullit, Sali Nivica, i cili u vra më 10 Janar 1920 nga dora kriminele e armiqve. (Banorët e Bejarit e pritën me irritim këtë ngjarje barbare sepe ai kishte dhënë një ndihmesë të çmuar në ecurinë e arsimit jo vetëm në Bejar, por në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Në mënyrë të veçantë Sabire Fratari, e cila e kishte patur mik dhe shok gjatë gjithë kohës që u rihapën shkollat në Bejar). U këndua “Himni i Flamurit” nga nxënësit. Mësues Aliu mbajti fjalën përshëndetëse për këtë ngjarje historike në arsimin e fshatit të Bejarit për daljen e ‘Maturës së parë’ në fshatin tonë. Ai tha: – Të dashur prindër të fëmijëve! Të dashur nxënës! Të nderuar zonja dhe zotrinj! Të pranishëm në këtë festë të madhe! Në këtë gëzim të zemrave të përbashkëta! Sot u realizua ëndrra e shumëpritur e Korifeut të arsimit shqiptar në Mallakastër, zotit Hajredin Rakip Fratari që vendosi ‘Gurin e Artë’ në themelin e arsimit për trevën e Mallakastrës së Sipërme. Ne ia dolëm, duke nxjerrë sot maturën e parë të shkollës shqipe në Bejar. Ata janë këta yje që keni përballë sot që mësuan të flasin e të shkruajnë gjuhën e nënës, gjuhën shqipe. Pa përkushtimin e këtij komuniteti, pa ndihmën e zonjës Sabret Fratari, e cila investoi kapitalin e vet moral dhe financiar për të siguruar mjetet mësimore dhe didaktike për shkollën, por dhe si mësuese e anglishtes, pa vëmendjen e vazhdueshme të imam Veizit, nuk mund të kishim arritur këtu ku jemi sot. Te këta fëmijë dhe te ju prindër ne pamë dëshirën dhe etjen për dituri dhe kulturë. Ne jemi ndjerë si në shtëpin tonë. Sot ne jemi të bindur se kjo ‘plejadë nxënësish’ do të shumfishohet në të ardhmen për ta bërë vendin tonë më të bukur dhe më të begatë. Vetëm shkolla, kultura e nxjerr një vend nga prapambetja. Ne kemi zhvilluar mësim në kushte të paimagjinushme. Duke luftuar jo vetëm me varfërinë, por dhe me një sëmundje të paparë si ajo e kolerës. Unë jam i bindur se mbas kolerës do të lind një Pranverë e re me këto lule që kemi! Ju uroj suksese! Le të punojmë të gjithë së bashku për ta bërë sa më të bukur atdheun tonë të dashur!
Duartrokitje! Duartrokitje dhe përqafime zemrash! Zonja Sabire Fratari mbajti një fjalim prekës në kujtim të veprës ndriçuese të mësuesit Sali Nivica. Ajo tha: – Kalvari i tragjedive nuk ka fund. Mësuesi Sali Nivica nuk harrohet në zemrën dhe shpirtin e popullit të Bejarit. Ai do të jetojë gjatë në mendjen dhe zemrat e brezave të ardhshëm. Ndimesa e tij është e madhe që shkëndija e parë e “Mësonjëtores shqipe” në Mallakastër të mos shuhej. Ne populli i Bejar i jemi borxhli këtij patrioti të madh të Kombit dhe ‘Gurit margaritar shqiptar të kombit’. Mësues Qamil Muhameti, bashkëkohës i mësuesit Sali Nivica paraqiti përpara të pranishmëve një panoramë biografike të mësuesit Sali Nivica. Në emër të nxënësve përshëndeti Rauf Fratari, i cili tha: – Është kënaqësi e veçantë për nxënësit që diplomohen për herë të parë këtu në këtë shkollë të vendlindjes sonë të dashur, Bejar. Këtu ku arritën me erën e luleve, me bukurinë natyrore të vendlindjes sonë, me mallin dhe dashurinë prundërore. Me dorën e ngrohtë dhe mendjen e ndritur të mësuesve tanë. Me gjuhën e mëmës dhe të babës, për të cilën janë sakrifikuar qindra jetë të Martirëve vetëm e vetëm që ne fëmijtë, nipërit e mbesa të tyre ta këndojmë gjuhën shqipe si bilbili. Ajo gjuhë që na bën krenarë të jemi shqiptarë! Në këtë ditë solemne, të paharrueshme në jetën tonë betohemi se do ta përcjellim më tej këtë Dritë e Dituri që më përpara do ta çojë përparimin dhe lulëzimin e Atmëmëdheut tonë të dashur!
BETOHEMI! Të njëzet:
BETOHEMI!
Ju uroj
Shokëve të mi
Suksese në jetë!
Duartrokitje të fuqishme! Nxënësit që morën diplomat kishin përgatitur një program artistik me këngë dhe recitime. Në fillim u këndua “Himni i Flamurit”, pastaj u recituan poezi nga autorët e Rilindjes Shqiptare si N. Frashëri, Gj. Fishta, A. Z. Çajupi, N. Mjeda, F. Shiroka, Asdreni etj. U recituan poezi kushtuar figurës së Ismail Qemalit që ngriti Flamurin dhe shpalli mëvetësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. U përkujtua korifeu i arsimit shqiptar në Mallakastër, Hajredin Rakip Fratari duke kënduar në formën e një ‘Himni’ vargjet e tij:
Gjuha shqipe, gjuhë e nënës
Është për ne melhemi i zemrës!
Burrat në luftë. Fëmijtë të nisin shkollën!
Çdo shtëpi mallakastriote të bëhet një shkollë
Çdo mallakastriot të bëhet një mësues!
Ju mund të më vrisni mua,
por kurrë Gjuhën Shqipe!
Të pranishmit u mahnitën nga interpretimi brilant e me mjeshtëri i valles popullore pleqërishte nga nxënësit Rauf Fratari dhe Qamil Rakipi (të cilën ua kishte mësuar me pasion xhaxhai i tyre Sulo Rakipaj). Të pranishmit u emocionuan nga zëri brilant i nxënësve të këngës popullore labe: Shefit Malaj, Hekuran Tenaj, Jonuz Pashaj, Sulo Pashaj, Ali Merkaj, Rauf Fratari, si dhe vajzat Meleqe Rakipaj dhe Sose Rushitaj. Tematika e këngëve ishte patriotike kushtuar Rrapo Hekalit, Ismail Qemalit. Ky grup folklorik me këta zëra fëmijësh ndikoi që në të ardhmen grupi folklorik të krijojë identitetin e vet në Bejar. Pra ky grup është guri i provës i një grupi folklorik të dalë në publik në Bejar. Në fund të aktivitetit Sabire Fratari i dhuroi shkollës së Bejarit bibliotekën personale të Hajredin Rakip Fratarit me 100 libra të autorëve shqiptarë dhe të huaj, 20 topa futbolli që ajo i kishte të djalit të saj Skënderit duke krijuar kështu bibliotekën e pare në shkollën e fshatit. Kurse ImamVeizi i dhuroi shkollës një portret të Skënderbeut, të Ismail Qemalit dhe një Flamur Kombëtar. Kjo festë është guri i themelit në traditën e popullit të Bejarit që pas mbarimit të vitit shkollor, të festohej për çdo vit nga nxënësit dhe prindërit. Festa bëri jehonë jo vetëm në Mallakastrën e Sipërme, por në të gjithë Mallakastrën…
Ne derë të lokalit u dha Qerimi. Ai tha si me humor: – Po ju nuk paskeni konsumuar fare ushqim! Dhe u ul në karrike.
– U morëm me muhabet! – i thashë. Ai mori gotën e verës dhe tha: – Gëzuar! Gëzuar! – duke çokur gotat.
“Lisi i Moçëm” vazhdoi rrëfimin: – Pas kësaj ceremonie të festës, miku i Hajredin Fratarit, gjirokastriti Lemzat Behushi duke mbetur i befasuar nga fjala e Raufit në festë si interpretimet brilante të tij në grupin artistik të shkollës, në mbrëmje në odën e miqve të Hajredin Fratarit ku ishin të pranishëm Sulua, Hyseni, Imami dhe pjestarë të tjerë të familjes u propozon që Raufin ta çojnë në shkollën 2-vjeçare Gjirokastër, pra te Liceu. Raufi do të qëndrojë në shtëpinë time këto dy vjet tha ai. Të gjithë ranë dakort me mendimin e mikut. – Të gjitha procedurat e pranimit në shkollë i bëj unë, – tha miku. Të nesërmen miqtë u larguan për në Gjirokastër. Mbas një muaji miqtë vijnë përsëri dhe thanë se çdo gjë është gati, pritet vetëm regjistrimi i djalit në shkollë! Në ankth ishte vetëm e ëma, Sabireja sepse djali nuk ishte larguar asnjëherë nga shtëpia. Por Sabirenë e qetësoi imam Veizi duke i thënë: – Mos e ki merak! Ai është i rritur tani! Ai është një fëmijë I gjithanshëm! Me formim dhe karakter universal! Ki besim te miqtë nga Gjirokastra, ata janë të besës. Unë i njoh shpejt, i kemi miq të vjetër së bashku me Hajredinin. Raufi i ngjan një zogu që ka mësuar të fluturojë, prandaj ne duhet ta lëmë të lirë të fluturojë në qiellin e mistershëm të jetës.
Sabireja tha si me vete se Imami ka të drejtë, Raufi duhet lënë të çajë vetë! Pastaj Imami vazhdoi:
– Ne do të shkojmë herë pas here në Gjirokastër te djali!
– Jam dakort! – i tha Sabireja Imam Veizit.
Atë mbasdite Raufi luajti futboll së bashku me shokët te “Sheshi me kalldrëm”. Ai u tha shokëve se nesër do të shkojë në shkollë në Gjirokastër. Shokët u gëzuan, por pati dhe nga ata që u dëshpëruan sepse nuk do luanin më me shokun e tyre. Bashkë me ta ishte dhe Mehmet Shehu. Të nesërmen në mëngjez fëmijët u mblodhën te “Sheshi me kalldrëm” për t’u takuar me shokun e tyre dhe për ta përcjell deri te fshati Krahës të Tepelenës. Të gjithë familjarët e Fisnikërisë, atë mëngjes u ngritën më shpejt sepse do të përcillnin nipin e tyre Raufin për në shkollë në Gjirokastër. Udhëtimi për në Gjirokastër do të bëhej me kuaj. Veç dy tregtarëve nga Gjirokastra do të shkonte edhe Sulua, imam Veizi dhe djali i Hysenit, Pelivani. Ai u takua me të gjithë pjestarët e fisit të Fisnikëve; kishte ardhur dhe Hasa për ta përcjellë. U takua me gjyshe Havakon, me nënë Xhidanë, me edukatore Hasën. Në fund u takua me nënën Sabirenë, e cila i tha:
– Ti tani u rrite biri im! Mësohu t’i gjesh vetë rrugët e jetës! Rrugë të mbarë biri im!
Dhe e pushtoi me të puthura. Te “Sheshi me kalldrëm” ishin kuajt dhe shokët që kishin dalë për ta përcjellë. Ai u turr për t’u takuar, por Qamili i tha:
– Do të vijmë deri te stani i xha Sulos, kufi me Zhulaj!
Raufi nuk hipi në kalë deri te stani, por e mori për dore duke ecur bashkë me shokët. Burrat e tjerë u hipën kuajve dhe u nisën pas fëmijëve. Te stani u ndanë. Të rriturit po vështronin me kureshtje emocionet e çunave. Fëmijët u kthyen për në shtëpi, ndërsa karvani u nis për në Gjirokastër.
– Ky takimi midis fëmijëve m’u duk si ai takimi midis shokëve kur përcillnin shokun ‘nizam’! – i tha imami Sulos.
– Është e vërtetë, por e dhimbshme! – tha Sulua dhe vazhdoi: – Raufi e kishte pasion udhëtimin me kuaj. Sa here kishte bërë gara me kuaj. Këtë ia kishte mësuar kushëriri Xhaferi që ishte i pari në garat me kuaj, ai e kishte mësuar si të rrinte mbi kale, si të mbahej mbas jeleve të tij, si të mbante frerin e kalit dhe si ta niste kalin kur bënte garë për hipizëm. Xhaferi i mësoi profesionin e kalorësit dhe Skënderit megjithëse ishte i vogël. Kur udhëtonte me shokët me kuaj ai donte të ishte në krye të karvanit. Por me që nuk dinte rrugën në këtë udhëtim qëndroi mbas gjirokastrit Lemzatit, i dyti ishte Pelivani, i treti Veizi. E mbyllte karvanin Imami me Sulon. Karvanin e kuajve e shoqëronin dhe dy pëllumba të bukur të bardhë të cilët shkonin nga një karvan në tjetrin. Sulua dhe Imami Veizi ishin disa metra larg të parëve dhe bisedat e tyre nuk dëgjoheshin nga të parët. Halli i tyre ishte se mos i dëgjonte Raufi, por ai ishte me të parët e karvanit. Kur ishte rruga e drejtë bënte garë dhe me Lemzat gjirokastritin. Ata kishin marrë dhe tagji për kuajt, tërshërë të kuqe. Kështu që dy kalorësit e fundit të karvanit mund të bisedonin lirisht me njëri-tjetrin për të qarë hallet e tyre. Bashkëbiseduesit e nisën fillin e bisedës atje ku e lanë:
– Është ndryshe ky ‘nizam’ i Raufit me atë nizam të Turkut! – iu drejtua bashkëbiseduesit. – Ky ‘nizam’ kërkon mendje!
– Jam i bindur se ai do t’ia dalë! – i tha imami.
– Gjithë këto halle, tragjedi, peripeci që kaloi e burrëruan para kohe!
– Ai krijoi një formim universal që në moshë të njomë! Dhe tani duhet të përballojë lirinë e tij përballë jetës! – tha imami. Tjetri nxori paguren e rakisë dhe i tha tjetrit.
– Hiqe njëherë! Tjetri duke e marrë pagurin i tha: – Ishalla në dashtë Zoti! Dhe pastaj vazhdoi: – Deri tani ai i ka patur ‘krahët të lidhur’! Edhe në donte të fluturonte nuk e linin se ishte i vogël! Tani erdhi momenti ‘të fluturojë’, megjithëse nuk e ka moshën akoma, por të fluturojë pak e nga pak! – tha imami.
– Besoj se do të jetë një përvojë e re kjo në Gjirokastër dhe do ta bëjë më të pavarur në vetvete! – tha Sulua.
– Ashtu është! – tha Imami, – por edhe këtu duhet patur kujdes!
– Ua bëra të qartë gjirokastritëve. I sqarova për çdo detaj, u thashë se Raufi nuk di gjë as për vrasjen e të atit dhe as për vdekjen e Skënderit. Më vështruan të dy me çudi. U thashë se ai nuk duhet ta dijë. E di se ata janë në Turqi. Ai nuk është si fëmijët e tjerë. Është i veçantë, prandaj erdha në Gjirokastër ta bisedoj vetë me drejtorin e shkollës ku do të mësojë djali, – tha Imami.
Kishin arritur te Uji i Ftohtë në Tepelenë. Ishte ora 2 në mbasdite. Qëndruan te Hani i Hormovës dhe bënë një pushim për të ngrënë drekën. Gjirokastritët e njihnin mirë hanxhiun, ata e bënin shpesh këtë rrugë. Pelivani u hodhi ushqim kuajve, ata u ulën për të ngrënë bukë. Ishte 31 Gusht 1921 dhe të nesërmen fillonte shkolla. Pas një ore pushim u nisën për në Gjirokastër. Arritën në qytet në orën 7 të darkës. Gjirokastritët ishin dy vëllezër dhe merreshin me tregëti, kishin dhe një han ngjitur me shkollën ku do të mësonte Raufi. Veiz gjirokastriti me Pelivanin rregulluan kuajt në hangarin e hanit, Lemzati i ftoi miqtë në odën e miqve. Hani ishte një godinë tre katshe me gur. Katin e parë e përdornin për tregëti, kati i dytë dhe i tretë si hotel. Në han vinin shumë myshterinj nga Korça, Janina, Vlora, Berati dhe gjetkë. Një dhomë e kishte rregulluar enkas për Raufin, pavarësisht se shkolla kishte konvikt. Ai u tha Fisnikëve që djalin do ta mbante në shtëpinë e vet. Miqtë u rehatuan dhe gjirokastritët shtruan darkën. Ranë për të fjetur sepse ishin të lodhur nga rruga e largët. Të nesërmen Imam Veizi, Raufi dhe Lemzati shkuan në shkollë për të regjistruar Raufin. Regjistrimi nuk u hëngri shumë kohë. Me deftesën e shkollës së Bejarit u regjistrua. Raufi hyri në klasë.
– Përsa i përket konviktit ai do të rrijë në shtëpinë time! I kam miq të vjetër! – i tha Lemzatit drejtorit.
– S’ka problem! – tha drejtori. Imam Veizi i tha Lemzatit ta linte vetëm me drejtorin. Lemzati u largua. Imam Veizi i tregoi të gjithë historinë e jetës së Raufit. Drejtori e dëgjoi me vëmendje dhe i tha Imamit: – Të keni besim se djali do ta ndjejë veten si në shtëpinë e tij në këtë shkollë! Dhe unë do të kujdesem vetë për të! Pa merak!
– Do të vij shpesh se kam bërë një betim para të atit të tij! – i tha Imami drejtorit. Të dy shkuan te kafeneja e Veiz gjirokastritit ku shërbente nusja e djalit të gjirokastritit. Edhe atë natë qëndruan në Gjirokastër. Pelivani me Sulon bën pazar për disa mjete mësimore didaktike që Sabreti ua kishte dhënë si porosi për nxënësit e shkollës së Bejarit. Të nesërmen morën mjetet didaktike dhe mësimore për shkollën dhe u kthyen në Mallakastër.
Raufi u përshtat shumë shpejt me mjedisin, me shokët dhe mësuesit. Një muaj nga dita e
regjistrimit në shkollë, ai u paraqit në drejtori.
Drejtori kur e pa u ngrit menjëherë dhe i tha: – Urdhro Rauf! (Ai kujtoi se djaloshi 12-vjeçar do të kishte ndonjë hall). Djaloshi me atë edukatë dhe mirësjellje që e karakterizonte i tha: – Të kërkoj falje për shqetësimin, drejtor! Por kam një kërkesë të vogël, të këndohet “Himni i Flamurit” çdo mëngjes para shkollës! Djali po qëndronte gati-tu në këmbë. Drejtori u ngrit nga karrikja e përqafoi dhe i tha: – Do ta shikojmë! Djali doli jashtë dhe shkoi te shokët. Drejtori mblodhi stafin e mësuesve dhe i bëri me dijeni me propozimin e nxënësit. Të nesërmen “Himni i Flamurit” u këndua para shkollës. Shpesh mësuesi i matematikës i thoshte: – Ti Rauf ke lindur vetëm për të buzëqeshur!
Sa herë që ai çonte dorën apo ngrihej në mësim buzëqeshte. Ky veprim kishte rënë në sy nga të gjithë mësuesit që i jepnin mësim. Mësuesi i gjuhës dhe leximit e inkurajonte duke i dhënë libra artistike jashtë shkollore në përshtatje me moshën për t’i lexuar. Mësuesit u habitën me përgatitjet sistematike të Raufit. Ata ishin mosbesues që, një nxënës si Raufi që vinte nga një shkollë e padëgjuar, shumë shpejtë të bëhej nxënësi më i dalluar dhe zotëronte katër gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht dhe turqisht. Por mbi të gjitha ishte një nxënës universal në të gjitha lëndët. Në shtëpi ishte shumë i kujdesshëm. Vetmia së bashku me kulturën e Fisnikërisë që ai fitoi nga ‘Universiteti’ që themeloi i ati e bëri më të vendosur, më të pjekur dhe më të kujdesshëm në marrëdhëniet me veten, me shokët, me mësuesit, me njerëzit e shtëpisë dhe me të tjerët që takonte në rrugë. Ai rregullonte vetë krevatin, e fshinte vetë dhomën e gjumit për ditë para se të vinte në shkollë. Sanitarja habitej dhe i kishte thënë të shoqes së Lemzatit: – I çuditshëm ai djalë, i bën punë si një vajzë e mirë! Edhe këpucët i lustronte vetë dhe nuk shkonte te llustraxhiu, për të futur brenda vetes shpirtin e kursimit. Shumë shpejt u mësua me kulturën qytetare gjirokastrite dhe dukej sikur kishte lindur në qytet. Kur dilte në pazar dhe shikonte ndonjë të moshuar me trasta e ndihmonte dhe ia çonte deri te shtëpia. Shumë shpejt ai do të fitonte respektin e banorëve të lagjes dhe do të bëhej si më i njohuri nga fëmijtë gjirokastritë. Kur Imam Veizi vajti mbas tre muajve, drejtori i shkollës i tha: – Shkollës sonë i ka ardhur një gjeni! Kishe shumë të drejtë kur e regjistrove! Shkolla është krenar për të!
Kur vinte me pushime ai mblidhte ish shokët e tij, loznin te ‘Sheshi me kalldrëm’, uleshin, këndonin këngë labe, kërcenin vallen popullore me Qamilin, Shefitin, Hekuranin etj. Shetiste dhe bënte gara me kuaj me shokët. Hekurani i dërgoi haber dhe Mehmet Shehut dhe Raufi luante me grupin e fëmijëve sikur ishte në shkollë. Dy vitet e shkollës në Gjirokastër ikën pa u kuptuar. Ai mbaroi shkollën shkëlqyeshëm. Drejtori i shkollës duke parë prirjet dhe talentin e tij i propozon Lemzatit (ai atë njihte si sipërmarrës dhe Imam Veizin për Raufin) që ta dërgonin në Itali për të vazhduar studimet për më tej në shkollën e mesme ushtarake Modena në Itali (shkolla donte edhe një muaj të mbyllej). Lemzat gjirokastriti erdhi në Bejar, e bisedoi me Fisnikët, aty ishte dhe Imami.
Të gjithë ranë dakort që Raufi të vazhdojë shkollën në Itali. Djali fluturonte nga gëzimi. Lemzat gjirokastriti shkoi në Gjirokastër që drejtori tëbënte dokumentat gati. Drejtoria e shkollës kishte marrëdhënie binjakëzimi me shkollën ushtarake në Modena të Italisë.
Një të shtunë Imam Veizi e fton Raufin për një vizitë nga bahçja e ullinjve që kishte mbjellë i ati Hajredini. Bahçeja e ullinjve ishte përballë shtëpisë së Imam Veizit. Të dy hipur në kuaj i ranë fund e krye bahçes së ullinjve. Imami zbriti nga kali dhe i tha edhe Raufit që të zbriste. Lidhën kuajt në një lëndinë dhe vazhduan të shetisin në këmbë. U ulën buzë një ledhi ku ishin disa paliçe. Imami I hodhi dorën në qafë dhe i tha: – Tani u rrite u bëre burrë! U bërë Zot i vetes! Djali po e dëgjonte me vëmendje Dadanë. Imami vazhdoi: – Do të shkosh në Itali, të mësosh të bëhesh dikushi në jetë për veten tënde, për familjen, për vendlindjen dhe për At-mëmëdheun tënd! Por do të them dhe diçka, (dhe e shtrëngoi) pas vetes). Ty babua të ka lënë, ka vdekur! Por ka vdekur si trim, si hero! – Si! – tha djali dhe u mbështet në krahët e tij. Ai e la sa u ngashërye dhe i tregoi të gjithë ngjarjen e vrasjes së të atit. Që kur ishe 6 vjeç, unë dadai kam qenë ai që nuk i kam lejuar të tregojnë se ishe i vogël dhe mund të pësojë ndonjë traumë. Po ta them sot kur je rritur dhe burrëruar.
Ai iu hodh për qafe. Imami e shtrëngoi pas vetes. Ashtu të shtrënguar pas Imamit vijnë dy pëllumba dhe qëndrojnë mbi supin e Raufit. Imami i pa, por nuk i trembi.
– Ua pëllumb! – tha djali dhe i kapi me dorë. Ata qëndruan. – Sa të bukur! – tha djali.
– Janë ëngjëjt! – tha Imami.
– Po Skënderi ku është? – pyeti Raufi.
Pëllumbat nuk trembeshin dhe as iknin nga Raufi. Imami hoqi në zemër dhe, duke e mbështjellë fort mbas vete Raufin, i tha: – Edhe Skënderi ka vdekur! Por këtë radhë u ngashërye edhe ai si Raufi dhe të dy shtënguan njëri -tjetrit në krahët e tyre duke na kujtuar skenën e Plakës me Dhoqinën te balada ‘Kënga e Dhoqinës’. Qëndruan ashtu të përqafuar me njëri-tjetrin një copë herë. Pëllumbat vazhdonin të qëndronin mbi ta. Pastaj Imami e mblodhi veten. I fërkoi kokën djalit dhe nisi t’i tregojë dhe për tragjedinë e të vëllait.
– Unë të besova ty! – tha Raufi mes lotësh.
– Ke të drejtë! S’të kam thënë të vërtetën për të ruajtur ty! – i tha Imami. – Më tha Zoti: “Mos i thuaj, do të vijë momenti që ai do ta marrë vesh”! Dhe momenti erdhi sot! Kur ti je burrë dhe i kupton vetë situatat e jetës! Prandaj bëhu i fortë! As njerëzit e familjes dhe të fisit nuk i kam lënë unë të të thoshnin ty! – tha Imami.
Pëllumbat vazhdonin të qëndronin mbi supat e tyre. Ata u ngritën. Morën kuajt dhe u nisën për në shtëpi. Te “Sheshi me kalldrëm” ishin shokët e tij që po luanin. Ata e ftuan për të luajtur, por ai hyri në oborr. Imami e ndiqte nga pas. Ramua mori kuajt për t’i rregulluar. Raufi i drejtua për nga dhoma e tij. Nga pas e ndiqte Imami. Djali hyri në dhomë, u shtri mbi nim dhe filloi të qajë pa zë. Në dhomë hyri dhe Imami, por nuk i tha gjë. E ëma erdhi dhe e kuptoi se diçka i ka ndodhur djalit. U drejtua nga dhoma, por në derë ishte Imami dhe e ndaloi të hynte brenda.
– E lini vetëm! Sot ai ka mësuar të vërtetën! I tregova për gjithçka që i ka ndodhur! – i tha Sabiresë Imami. – Ai ka nevojë për të nxjerrë dufin, për të nxjerrë lëmshin që i është mbledhur në gjoks.
Sabiresë filluan t’i rridhnin lotët. Pas pak ai kërkoi të ëmën. Sabireja hyri në dhomë dhe ata të dy të përqafuar ranë mbi krevatin e Raufit. Imami zuri derën. I tha sanitares që të mos futet njeri në dhomën e tyre. Pas pak ata i zuri gjumi, ashtu të përqafuar nënë e bir. Imami doli jashtë në oborr. Te dera u dha Sulua me Pelivanin, Hysenin, Hamzon, Mehmetin, Xhaferrin. Qamili e kuptoi gjendjen shpirtërore të Raufit që ai ishte i mërzitur dhe diçka i kishte ndodhur që kur ai nuk erdhi të luante me shokët. Ishte hera e pare që e shikonte Raufin të mërzitur. Shkoi dhe i tha të atit. I ati njoftoi burrat e fisit dhe ata u drejtuan për nga shtëpia e Hajredinit. Në oborr panë Imamin, që i drejtoi për nga oda e burrave. Hynë brenda. Imami u tha: – Sot ia kam treguar të gjitha ngjarjet. Tashmë Raufi di çdo gjë. Gratë e fisit e morën vesh për mërzitjen e tij. Prandaj gjyshe Havakoja, nënë Xhidaja dhe gratë e tjera hynë në dhomën e burrave. Gjyshe Havakoja pa iu drejtuar askujt pyeti:- Ç’ka ndodhur? – Uluni! – u tha Sulua – sot Raufi ka mësuar gjithçka! Imami i ka treguar për ç’ka ndodhur! – Po ku është djali? – pyeti gjyshe Havakoja. – Është në dhomën e tij me të ëmën! – tha Imami. Gjyshe Havakoja u ngrit.
Imami tha: – Lëri se kanë nevojë për qetësi! Lëri vetëm nënë e bir! Havakoja u ul. – Nesër është ditëlindja e Skënderit! Bëhuni gati se do të shkojmë në varreza, do të çojmë dhe Raufin! – tha Imami.
Gratë u ngritën. Burrat vazhduan muhabetin. Lajmi se Raufi mësoi për vrasjen e të atit dhe vdekjen e të vëllait e mori vesh gjithë lagjia. Kështu sipas zakonit duhet të shkonin në darkë te sarajet e Hajredinit për t’i thënë një fjalë të birit që tashmë ishte burrëruar. – Bëni gati konakët se do të kemi mysafirë sonte! – u tha Sulua grave.
Te “Sheshi me kalldrëm” fëmijët që po luanin e morën vesh të vërtetën e mërzitjes së Raufit. Ata e mësuan se Raufi i mësoi të gjitha ngjarjet. Meqë nesër ishte ditëlindja e Skënderit, Hekurani u shfaqi një mendim që nesër të shoqëronin Raufin për në varreza. Të gjithë ishin dakort. – Do të vijë dhe unë! – tha Mehmeti. – Përgatisni nga një buqetë me lule! – u tha Hekurani…
Në darkë në odën e Fisnikëve erdhën burra e gra të lagjes edhe për të uruar për Raufin që do të shkonte në shkollë në Itali. Sabireja me Raufin po zhvillonin një bisedë në dhomën e djalit. Ai i tha të ëmës: – Të dua! Ti je heroina ime! Ajo e mbështolli fort në kraharor dhe i tha: – Edhe ti je drita e syve të mi!
Raufi u fut në dhomë ku ishin të gjithë burrat e lagjes. U takua me të gjithë. Ata e uruan për shkollën. Xha Karemani i tha: – Bëhu i fortë! Njeriunuk duhet ta harrojë të kaluarën, por sytë duhet hedhur nga e ardhmja!
– Ju falenderoj nga zemra ju të gjithëve që na keni qëndruar pranë në momentet më të vështira që ka kaluar familja jonë! Ju jeni burimi i pashtershëm i shpirtit tim! Sulua i falenderoi dhe u tha: – Po të jemi të gjithë bashkë hallet dhe problemet tona janë më të lehta për të kaluar!
Raufi shkoi dhe nga dhoma e grave, u takua me të gjitha nënat e gjyshet, të cilat e kishin pritur dhe përcjell sa here në shtëpitë e tyre. Edhe ato i uruan suksese në shkollë dhe e puthën si djalin e tyre. Të nesërmen burrat, gratë e fisit, Imam Veizi dhe shokët e Raufit me buqeta me lule shkuan te varri e Skënderit. Për Raufin, Skënderi kishte vdekur sot më 20 Gusht 1923. Në 28 Gusht 1923 ai u nis për në Itali së bashku me Imam Veizin, me Pelivanin, djalin e xhaxhait dhe me mikun e familjes, Lemzat Gjirokastriti. U nis për të vazhduar shkollën e mesme ushtarake në Modena të Italisë me burse nga shteti si djali i dëshmorit të kombit. Hipën në një anije në Vlorë. Për në Itali i shoqëruan dhe pëllumbat e bukur të bardhë të cilët i binin rreth e qark anijes dhe dukeshin si roje të ekipit që udhëtonte drejt vendit fqinj. Mbërritën në Itali, të katërt u vendosën në një hotel. Të nesërmen bënë regjistrimin e Raufit, i cili nuk pati pengesa. Shkolla ushtarake kishte hotelet e saj për nxënësit. Raufi u vendos në një hyrje të hotelit të shkollës, së bashku me një spanjoll dhe një francez me dhoma secili të tij, vetëm salloni ishte i përbashkët. Mbasi u siguruan se Raufi u sistemua dhe kushtet ishin të mira ata u nisën për në Shqipëri. Raufi mori me vete në valixhen e tij portretin e Skënderbeut, të Ismail Qemalit, të Hajredin Fratarit, të Sabiresë, të Imam Veizit, Flamurin Kombëtar si dhe koleksionet me vizatime dhe piktura të vëllait Skënderit. Këto relike nga vendlindja, Raufi i vendosi në dhomën e tij. U ambientua me shokët dhe me kushtet e shkollës që në 15 ditët e para të vitit shkollor. Ai nuk kishte nevojë të bënte kurs për të mësuar italisht sepse e dinte shumë mirë në të shkruar dhe në të lexuar, lexonte rrjedhshëm tekstet dhe i kuptonte shumë mirë. Edhe instruktorët italianë u habitën ku e morën vesh se ky nxënës vinte nga Albania dhe lexonte dhe shkruante që në ditët e para shumë qartë gjuhën italiane sikur të kishte lindur dhe rritur në vendin e tyre. Shumë shpejt emri i tij u bë i njohur për drejtorin dhe mësuesit e shkollës, jo vetëm për mësimet, por dhe për korrektësinë, sjelljen e tij të hijshme në raport me veten, me pedagogët, me shokët dhe shoqet e shkollës. Ai iu përshtat shumë shpejt kulturës qytetare italiane, lexonte libra artistikë nga autorë italianë dhe të huaj. E tërhiqnin jashtë mase veprat e Virgjilit, Dantes, Petrarkës, Shekspirit, Servantesit, Shilerit, Gëtes, Omer Kajamit, veprat e antitektit grek meHomerin, Eskilin e Sofokliun; letërsia franceze me Balzakun, Hygoin, Floberin etj. Kur ishte nxënës në vitin e fundit në shkollën ushtarake në Modena, Raufit i shkojnë për vizitë në shtëpi, me rastin e ditëlindjes më 5 Shkurt, shokët dhe shoqet me kombësi të ndryshme së bashku me disa mësues italianë. Ata vunë re portretet e varur në mur dhe një ekspozitë me disa piktura dhe vizatime që i kishte ekspozuar në disa tavolina të thjeshta dhe bisedonte çdo natë meto… Kur shokët e pyetën se ç’janë këto, ai u tha se ky është portreti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, cili luftoi kundër Turqisë dhe formoi At – Mëmëdheun tonë Arbërinë në shekullin e 15-të. Mbas vdekjes së Skënderbeut, At-mëmëdheu ynë u pushtua për 500 vjet nga Turqia. Ky tjetri është portreti i Ismail Qemalit, i cili më 28 Nëntor 1912 shpalli mëvetësinë e Atmëmëdheut, këtij shteti që ne jemi sot. Ky tjetri është portreti i tim eti, Hajredin Rakip Fratari që hapi “Mësonjëtoren e parë shqipe” në Mallakastër dhe luftoi me armë në dorë për mbrojtjen e Shtetit të Ri Shqiptar deri sa dha dha jetën për Liri! Kjo më tej është zemra ime, nëna ime Sabire Muhamet Fratari, drita e syve të mi që më ka edukuar drejt një rruge të mbarë për jetën! Ky në vijim është Imami Veiz Sile Zeqaj, portreti i njeriut të Zotit që më ka mësuar të flas në gjuhën e nënës dhe të babës, Gjuhën Shqipe, më ka mësuar të komunikoj me njerëzit me gjuhën e Zotit! Ndërsa këto janë koleksionet e pikturave dhe vizatimeve të vëllait tim, Skënder Hajredin Fratarit, që vdiq në vitin 1918. Pasioni i tij ishte piktura dhe futbolli. I kam marrë që çdo ditë të çmallem me të!
– Po njerëz të tjerë keni? – e pyeti njëri nga shokët.
– Po! Kam lënë përtej detit dhe gjysmën e shpirtit dhe zemrës sime: gjyshen, xhaxhallarët, kushërinjtë, nipër dhe mbesa, fisin tim fisnik, bashkëfshatarët e mi të dashur! Ata më janë ndodhur pranë në të mirat dhe traumat që kam kaluar gjatë jetës! Kam dadon time Hasën që më ka treguar ninullat dhe përrallat më të bukura! Kam shokët e mi të fëmijërisë që kam luajur në “Sheshin me kalldrëm”, ku kam ndarë momentet më të bukura të jetës sime! Pra janë njerëzit e mi të mrekullueshëm që më kanë dashur dhe do i dua gjithë jetën! Po ashtu dua këngët dhe valet popullore që janë perlat e shpirtit tim!
Shokët e uruan për datëlindjen, ai mbushi 18 vjeç. E uruan për gjithë atë pasuri shpirtërore që ai mbante brenda zemrës. Shokët u prekën sidomos nga tragjedia e vëllait të Raufit, Skënderit. Njëri nga shokët i kishte propozuar që pikturat dhe vizatimet e Skënderit t’i mblidhte dhe të bënte një album! Këtë album ai e mori me vete kur u kthye në Itali, por fati i albumit nuk dihet. Në vitin 1927 ai mbaroi shkëlqyeshëm Shkollën Ushtarake në Modena në Itali dhe u kthye në Atmëmëdheun e tij të dashur. Për ta marrë shkuan pëllumbat e bukur të bardhë. Të ëmës Sabiresë i solli si dhuratë albumin me piktura dhe vizatime të Skënderit. E ëma vazhdonte të jepte anglishten në shkollën e Bejarit.
Mbas mbarimit të shkollës ushtarake u sistemua në Bejar dhe filloi të kujdesej për pronat që kishte lënë i ati. Një vit që qëndroi në fshat atij iu bë një universitet i dytë në jetën e tij. Tashmë ishte mbi 18 vjeç. Çdo gjë e bënte me vetëdije. Shokët ishin rritur. Shoqet ishin martuar. Ata kishin filluar punë në buqësi dhe blegtori në ato pak prona që kishin, një pjesë e tyre punonin tek pronat e tij. Ai nuk i trajtonte si hysmeqarë, por si shokë dhe puntorë. Ata ishin të kënaqur nga shpërblimi i punës. Disa nga shokët kishin filluar punën si hamenj në portin e Durrësit. Mbante lidhje me të gjithë miqtë e babait, sidomos me gjirokastritët. Mbante lidhje të ngushta me Imam Veizin dhe i thoshte: – Ti do të jesh për jetë mësuesi im! Gjente kohë dhe qëndronte deri vonë te “Sheshi me kalldrëm” ku rrinte me burrat e lagjes dhe shkrihej me humorin e tyre. Merrte pjesë në gëzimet familjare që bëheshin në lagje duke ushtruar ‘detyrën e hysmeçiut’. Mësoi të krasiste ullinj dhe pemë të ndryshme. Mësoi të therte berra, (qingja e keca). Ndihmonte me të holla njerëz hallexhinj. Gjente kohë dhe shkonte të takohej me amvisat e lagjes. Kujdesej për nxënësit e shkollës duke i furnizuar ata me me mjete didaktike. Kishin ardhur dhe dy mësues të tjerë Asllan Lekdushi dhe Hasan Duçkollari (mësuesit rrinin te shtëpia
e tij pa shpenzime). Sabireja, e ëma ishte gjëja më e shtrenjtë për të. Një darkë u mblodhën në odën e xhaxhait të madh Sulos. Çdo natë mblidheshin dhe bashkëbisedonin për punët e buqësisë dhe të blegtorisë.
– Nesër do të nisemi për në Skrapar! – i tha xhaxhai dhe vazhdoi: – Kemi një mik të vjetër. Është një vëllam që e ka bërë yt at që kur ishte atje si nënprefekt. Janë miqtë e babait që duhen mbajtur.
– Na janë ndodhur pranë në të mirë e në të keqe! – tha xhaxhai i vogël, Hyseni.
– E more bir! Nuk mund të quhet shtëpi, ajo që s’ka miq! Miku është shtylla e shtëpisë! – tha Sulua.
– Dëgjo or bir! Sado miq të rinj mund të bësh, miqtë e vjetër të babait mos i harro kurrë! – i tha Hyseni.
– Jam dakort! Nën gjurmët tuaja! Atje ku ka vendosur këmbët im at, unë do të vendos kokën! – tha Raufi.
– Me këta miq kemi dhe njëlloj ortakërie! – tha Sulua.
– Për çfarë? – pyeti Raufi.
– Po ja! Ne çojmë bagëtitë në behar për të veruar, ata i bien në dimër për të dimëruar! – tha Sulua.
– Këtë ortakëri e ka lidhur Hajredini dhe ne nuk e kemi prishur! Përkundrazi e kemi forcuar miqësinë dhe duam ta mbajmë! – tha Hyseni.
– Ai marton vajzën dhe ne do të vemi në dasëm, – tha Sulua.
– Dakort! – tha Raufi.
U nisën të enjten. Karvani me disa veta: dy vëllezërit, Sabireja me djalin dhe disa hysmeqarë. Shërbëtorët përgatitën revani, çyrekët, dorovitë për dasmë dhe i hodhën në hibe. Sulua zgjodhi dashin më të mirë të kopesë. I ngarkuan në kalë. U nisën të enjten dhe u gdhinë te krushku në Molisht te Beratit. (Sulua kishte marrë nusen e djalit). Të nesërmen u nisën për në Kapinovë të Skraparit ku banonte miku. Gjatë rrugës Sulua e pyet të nipin:
– I mban mend vallet që të kam mësuar për të kërcyer?
– Me vdekje i harroj! – tha me të qeshur i nipi.
– Atëhere do të bëjmë një lojë bashkë!
Të tjerët po dëgjonin.
– Unë do të ftoj në valle! Nga mesi i valles do të them: – Hidhe këmbën mirë! Ti do të ma kthesh:
– Kështu më ke mësuar! Unë do të nxjerr revolen që bën vetëm zhurmë dhe do të qëlloj drejt teje! Llamba do të fiket, në këtë moment ti ulu në vendin tënd dhe unë në vendin tim. Për momentin do të krijohet një zallamahi, po kur të ndizet llamba miqtë do të mbeten të habitur nga pozicioni ynë! – Dakort! – i tha xhaxha Sulua të nipit.
– Të kuptova! – ia ktheu Raufi xhaxhait duke buzëqeshur.
– E ke mëndjen vetëm për teatër! Dhe kërkon ta bësh këtë nipin si veten! – i tha Hyseni të vëllait.
– S’ka gjë! Tabiatet e xhaxha Sulos të marrë ky! – i tha Sabireja të kunatit.
Të gjithë qeshën. Arritën në Kapinovë të premten vonë. Në odën e miqve ziente kënga. I pritën miqtë në një dhomë tjetër. Ata shkuan te dhoma e miqvetë Demirit, të zotit të shtëpisë. Aty ishin vetëm vëllazëria për këngë. Sabireja hyri nga dhoma e grave. Ajo kishte qenë edhe herë të tjera me të shoqin kur ai ishte nënprefekt në Skrapar. Mbas vrasjes të të shoqit vinte për herë të parë bashkë me Raufin. Sulua me Hysenin kishin ardhur disa herë siç e kërkonte puna e ortakërisë. Të nesërmen Demiri i thotë Sulos:
– Këtë Raufin do ta ngarkoj me një shërbim të vogël, do të jetë hysmeçi në dhomën e miqve!
Thirrën Raufin dhe ia thanë.
– Më kënaqësinë më të madhe! – u tha Raufi duke u buzëqeshur. Demiri e përqafoi. Në darkë u shtruan dy konakë me miq. Miqtë kryesorë të familjes ishin në një konak ku ishte hysmeçi Raufi. Konaku tjetër me djemuri. Konaku i miqve kryesorë në fund të dhomës kishte një musandër që në të tilla raste shërbente për të mbajtur pjatat dhe paguret e rakisë. Kishte dhe një karrike ku ulej hysmeçiu. Mesi i dhomës bosh shërbente si skenë për të kërcyer valle pleqërishte burrat. Mbasi u shtrua mezja dhe rakia, nisi kënga, vallja dhe dollia. Në qoshe dajua i vajzës dhe Sulua. I erdhi radha Sulos për të hequr vallen. Ai i bëri më shënjë të nipit, i cili e kuptoi. Sulua ia nisi, duke u çuar në këmbë dhe u drejtua nga mesi i dhomës: – Ç’janë ata mo, ç’janë ata! Ç’janë ata e ç’ke me ta!
Raufi u çua në këmbë dhe u drejtua nga i ungji: – Ata janë miq, ata janë… (dhe i hodhi krahun xhaxhait, por duke lëvizur dhe këmbët). Në valle dyshe mallakastriote që i mahniti të gjithë të konakut. Kishin hyrë te dera dhe dasmorë nga konaku tjetër. Llampa ishte ndezur mbi buharinë e zjarrit. Hyseni me hysmeqarin po ndiqnin çdo lëvizje të Sulos dhe Raufit. Sulua vajti deri në mesin e valles, e ndërpreu këngën dhe iu drejtua Raufit me zë të lartë: – Hidhe këmbën mirë mos ma hidh ‘çaparçikthi’! Raufi i përgjigj si me inat: – Kështu më ke mësuar!
-A! Ashtu! Ëëë! – tha Sulua, nxjerr nga brezi revolverin dhe qëllon në drejtim të llambës, (njerëzit e panë veprimin e Sulos). Fiket llamba. Në konak mbizotëroi errësirë e plotë. (Sulua dhe Raufi u ulën në vendin e tyre). U dëgjua një zamallahi: ‘Vrau ungji nipin’! Nga dhoma e grave u dëgjua një ‘ulërimë’, ishte e zonja e shtëpisë. Kur u ndez llamba miqtë panë ungj e nip në vendin e tyre.
Ata u përqafuan me njëri-tjetrin. Dhe muhabeti vazhdoi deri pas mesnate.
Të nesërmen erdhën krushqit për të marrë nusen. Sipas zakonit u boshatis një krah i konakut, Raufi rrinte në këmbë si hysmeçi. Miqtë u pritën me këngë. Selami, i pari i miqve sa hyri brenda, iu drejtua të zotëve të shtëpisë pa adresë:
– Tunjatjeta! Jemi nisur nga Vokopola e Beratit për këtu, mbasi ramë në gjurmët e një kunadhje. Por në të hyrë të fshatit na humbën gjurmët! Dëgjuam zhurmë këtu dhe thamë të pyesnin! Ne nuk ikim pa e gjetur kunadhen! Raufi duke buzëqeshur me një zë të ëmbël i thotë:
– Ulu mik (duke i treguar vendin për të ulur). Miqtë u ulën. Raufi vazhdoi: – Sa për gjurmët e kunadhes që keni humbur ne u japim zë drejt. Do të mbledhim fshatin të hetojmë ku është fshehur kunadhja! Ju çoni majat na thëmbrat dhe ikni! Kur t’u njoftojmë ne ejani të merrni kunadhen!
– I kujt je ti more bir? – i tha Selami Raufit.
– Nip i kësaj shtëpie! – i tha Raufi.
– Është djali i Hajredin Rakip Fratarit nga Mallakastra! – tha Demiri, i zoti i shtëpisë. Selami u ngrit nga vendi dhe e puthi në ballë. – ‘Dardha bie nën dardhë’! – tha Selami dhe sytë iu mbushën me lotë. Raufi solli gotat e rakisë dhe ata bënë urimin.
– Të na trashëgohen dhe miqësinë të pandarë! – tha Selami.
E përsëritën të gjithë miqtë e tjerë. Miqtë morën nusen dhe u larguan. Të nesërmen miqtë nga Mallakastra u kthyen për në shtëpi. Me cilësitë e fituara, Raufi tregonte formimin e karakterit të tij, çka bëri të mundur që të shpaloste virtytet e një fisniku duke çuar më tej modelin e vet të fisnikërisë, si një shkollë që buron nga ‘Universiteti i Fisnikërisë’ të themeluar nga i ati. Në Nëntor të vitit 1928 Qeveria e Zogut i jep Hajredin Rakip Fratarit titullin e lartë “Dëshmor i Kombit”. Raufi përfiton një bursë për të vazhduar studimet e larta në akademinë e lartë ushtarake të Romës në degën e Kavalierisë, një nga degët më të pëlqyera për të. Kjo i dha mundësinë për të plotësuar dëshirën e tij në karrierën ushtarake. Tashmë atij gjithë jeta i ishte bërë një shkollë më vete në formimin e karakterit të ‘Njerëzores’. Akademia do ndikonte në formimin e personalitetit të tij që t’i shërbente me devotshmëri At-mëmëdheut të vet. Ai e kishte studiuar me imtësi historinë shumë vjeçare të At-mëmëdheut. E kishte ngulitur në mendje se ‘Trungu’ i At-mëmëdheut përbëhej nga trinomi Shqipëri-Kosovë-Çamëri dhe ai diti të luftonte për të realizuar një amanet të At-mëmëdheut. Pra ishte i vetëdijshëm për atë çfarë kërkonte të arrinte dhe këtë u kishte thënë dhe shokëve të tij. Detyra parësore e tij ishte të mbronte Kombin kudo ku si të ishte. Zoti i kishte plotësuar një harmoni të plotë të pamjes fizike të hijshme, me bukurinë shpirtërore me një zemër të madhe humane dhe me një mençuri të një ‘Plaku të Moçëm’ në të gjitha aspektet e jetës. Rrjeti miqësor, shoqëror dhe opinioni i komunitetit të Mallakastrës dhe gjetkë shikonin te Raufi njeriun shpresëdhënës për të ardhmen. Me këto cilësi në shpirt dhe në ndërgjegjen e tij ai u nis në Shtator të vitit 1929 në Romë të Italisë për të vazhduar studimet e larta…
Në lokalin përballë kishte pushuar muzika. Nxënësit po hipnin në autobuza. Te dera e lokalit tonë u duk mësuesi që kishte makinë. Na tha se do të niseshin. Këtu e ndërpreu rrëfimin “Lisi i Moçëm”. U takuam me pronarin e lokalit dhe me kamarieren simpatike dhe dolëm. U takuam edhe me Qerimin dhe u nisëm për në Fratar. Kolonën e autobuzave për në Fratar e shoqëronte tufa e madhe e pëllumbave.
Në shpirtin dhe ndërgjegjen e Raufit ishte gdhendur me gërma të arta ‘Çështja Kombëtare’ dhe premtimi i tij për të çuar deri në fund amanetin e At-mëmëdheut. Ai kishte një parim “Jam krenar që jam shqiptar”! Dhe mbante mbi supe Flamurin Kombëtar. Reliket që kishte me vete në shkollën e mesme ushtarake i mori me vete edhe në Akademinë Mbretërore dhe i ruante si gjërat më të shtrenjta të jetës së tij. Këtë radhë ai u nis vetëm për në Romë. Tani ishte i rritur, i burrëruar, i pjekur, me një ‘tufë çelsash’ të jetës në duar. Atë shkuan për ta përcjellë pëllumba të bukur e të bardhë. Ai u bë një nga studentët më të shkëlqyer të Akademisë Mbretërore të Romës. Me sjelljen dhe edukatën e tij të marrë në ‘Universitetin e Fisnikërisë’ në vendlindje formoi një autoritet të padiskutueshëm në qarqet akademike dhe në rrjetet studentore. Ai nuk i pranonte rregullat strikte të nderimeve sipas modeleve të shtetit italian. Ai u tha autoriteteve akademike italiane: “Çdo komb, çdo shtet ka identitetin e vet kombëtar! Ka Flamurin dhe emblemën e vet! Ka gjuhën vet! Ka traditat dhe zakonet e veta! Ka Kushtetutën dhe ligjet e veta! Ne studentët e huaj kemi ardhur për të mësuar këtu! Ç’ka u jemi mirënjohës! Por ne nuk mund të shkelim identitetin tonë kombëtar, ndryshe mohojmë veten! Nuk jemi dakort me modelet allaromake që ju kërkoni të na imponioni”! Ai, me studentë të tjerë shqiptarë dhe të huaj, organizoi protesta para stafit akademik deri sa i detyruan ata të ndryshojnë rregulloren. Raufi mbaroi shkëlqyeshëm Akademinë Mbretërore, dega e Kavalierisë në vitin 1933 dhe u kthye në Atdhe për t’i shërbyer vendit të vet. Emërohet me detyrën e oficerit të lartë me gradën ‘Major’ në Gardën e Mbretërisë Shqiptare. U betua se do t’i qëndronte besnik Mbretit dhe çështjes së Kombit. Ai punoi për 6 vjet në Gardën e Mbretërisë Shqiptare.
– Çfarë cilësish u vunë re te Raufi mbas mbarimit të ‘Akademisë Mbretërore’ në Romë? – pyes “Lisin e Moçëm”.
Ai më vështroi me kujdes dhe nisi rrëfimin: – Mbas mbarimit të shkollës dhe emërimit të Raufit në Gardën e Mbretërisë Shqiptare, Fisi i Fisnikëve organizoi një pritje simbolike me të ftuar me miqtë më të dashur të zemrës dhe me të gjithë lagjen. Raufi ftoi dhe disa nga shokët e tij që kishte patur në shkollën e Bejarit. Kishin ardhur në darkë dhe Imam Veizi, vëllëzërit nga Gjirokastra dhe vëllami i Hajredinit, Demiri nga Skrapari. Raufi para darkës luajti futboll me shokët e lagjes te “Sheshi me kalldrëm”. U shtrua darka me këngë, valle dhe dolli. E ëma, Sabireja fluturonte nga gëzimi. Imam Veizit i qeshte fytyra, shoku i tij Hekurani i pruri një fyell dhe i tha me shaka: – Pa ta shohim mos e ke harruar zanatin! Raufi qeshi, mori fyellin dhe nisi t’i bjerë aq bukur sa të pranishmit u mahnitën. Xha Selmani e pyeti: – Po ata këngët labe e ke harruar? Merrja njëherë se të ndihmojmë ne o bir! Raufi ia mori këngës si një plak i regjur nga kënga:
Del o lumi i Povlës-o/
Del ore të dalim-o/
Të pjekur në Povël-o!
Të mëdhenjtë të vegjël-o!
Oda ushtonte nga kënga labe. Sulua u ngrit dhe e puthi të nipin në ballë. Hamzua, kushëriri i pare i tha: – Pa na hiq një valle italiane!
– Po! Po me ju se ti m’i ke mësuar! – i tha Raufi.
Doli në mes të odës duke hequr vallen. Dhe Hamzua iu bashkua:
Te lëmi te arë madhe.
Vjen xha Sulua me fustane.
Me një vajzë të vogël fare!…
Të gjithë u shkrinë së qeshuri. Vëllami i të atit, Demiri i bëri një suprizë të madhe, i solli një portret të të atit të gdhëndur në dru nga vetë ai si dhe një tablo muri ku kishte qëndisur me dorë me penjë të artë e shoqja e Demirit, Këzja, portretin e Hajredin Rakip Fratarit me mbishkrimin “Gjuha Shqipe është gjuhë e ëmbël, është e bukur, është gjuha e nënës”! Ajo e kishte ngulitur në takimin e parë me Hajredin Fratarin kur ai ishte nënprefekt i Skraparit dhe i mblodhi burrat e trevës së Tomorricës dhe u foli për hapjen e shkollës shqipe në zonë. Miqtë nga Gjirokastra kishin sjellë portretin e Hajredinit dhe Raufit të gdhendur në gur. Raufi duke marrë gotën e rakisë për radhën e dollisë iu drejtua të gjithë të pranishmve në odën e miqve, duke gjetur si ‘dollibash’ Imam Veizin. Të tjerët po dëgjonin me vëmendje. Ai tha: – E di që as unë, as ju nuk e pimë rakinë, por për të nderuar dhe respektuar miqtë sipas zakonit e mora dhe unë gotën e rakisë për të shprehur mirënjohjen time të pakufishme për të gjithë miqtë, shokët, vëllezër e motra bashkëfshatarë që na janë gjendur në ditët më të vështira të familjes sonë. Unë kam një betim para jush: “Portat e zemrës dhe të shpirtit tim janë të hapura për çdo Bejaras, për çdo Mallakastriot dhe për çdo shqiptar. Jeni gjithmonë të mirëpritur”! Të nesërmen në mëngjes “Sheshi me kalldrëm” ishte mbushur plot me njerëz, banorë të lagjes dhe të fshatit dhe e përcollën Raufin për në Tiranë. Kishte ardhur makina nga Tirana për ta marrë. Ai mori edhe të ëmën, Sabirenë. Ishte hera e pare që lotët e gëzimit përziheshin me ato të dhimbjes. Raufi, more bir, nuk kish ndryshuar nga ai që ishte kur iku me studime në Akademinë Mbretërore të Romës. Thjeshtësia, buzëqeshja, dashuria, shpirti human ishin po ato.