PAJTIM S. SEJDINAJ: AKADEMIA E FISNIKËVE (4)
Pjesa e pestë
TRËNDAFILI I BARDHË, DALLANDYSHJA DHE SHKOPI MAGJIK
U ngritëm. I ramë rreth e qark ‘Rrënojës’. Diku në një ledh mes ferrave, shpendrave, hithrave, shtogut, fikut të egër dhe gjëmbave të gomarit dallova një trëndafili që në fillim e mora për Trëndafil të egër. Por kur u afrova së bashku me “Lisin e Moçëm” mbeta i befasuar. Një trëndafil që kishte çelur gonxhet dhe ta kishe ënda të këpusje disa gonxhe nga ai për t’i çuar në dhomën e pritjes, mbasi kishin një aromë shumë të këndshme. Por nuk arrija dot sepse ai ishte rrethuar nga ferra dhe bimë të egra dhe dukeshin sikur konkuronin me të. Në fakt ai konkurencën e kish fituar sepse shndërrinte mbi të gjitha bimët e egra. Pyesja veten: Si ka mbirë? Si i ka rezistuar kohës? “Lisi i Moçëm” si për të ma kuptuar vështrimin më pyeti:
– Trëndafilin po shikon?
– Po! – i thashë. – Po çuditem, si ka mbirë atje në mes ferrave dhe gjëmbave.
– Jo, jo! – më tha. – Edhe atë e kanë mbjellë! Edhe ai ka një histori të cilën do ta rrëfej nesër! – tha duke përpjekur ‘Shkopin Magjik’ në tokë. E kishte bërë zakon, kur kish ndonjë gjë interesante për të rrëfyer trokiste me ‘Shkopin Magjik’. Hodhi sytë nga ‘Rrënoja’ dhe në murin e saj vuri re një dallandyshe që fluturonte rreth saj. Ishte dhoma ku Zonja Mëmë (Gruaja e hekurt) kishte zbritur nuse. Dallëndyshja kishte ndërtuar folenë e vet dhe dëgjoheshin cicërimat e zogjve të sapodalë. U afruam.
– Mos i tremb! – më tha. Pastaj më pyeti: – Ke squfër në shtëpi?
– Po! – i thashë.
– Merr nesër 2 kg ta dizifektojmë rrënojën ku ka ngritur ‘Dallandyshja’ folenë që të mos afrohen zvarranikët për t’i dëmtuar zogjtë! – më tha.
U nisëm për në shtëpi. E nesërmja ishte e Diel. Rrugës për në shtëpi ai duke u mbajtur me ‘Shkopin Magjik’ nisi të më rrëfejë për ‘Dallandyshen’: – Ajo, more bir, dallandyshja ka kohë që vjen në këto Rrënoja! Dallandyshja dhe Pëllumbi janë dy zogjtë më të bekuar nga Zoti. Nuk thonë kot “Qumështi i dallandyshes është ilaç për të gjitha sëmundjet në botë”.
– Nga e di që kjo dallandyshe ka kohë që vjen në këtë truall? – e pyeta.
Vura re që pëllumbat po fluturonin nga ‘Rrënoja’ drejt ‘Mësonjëtores së parë shqipe’ dhe tempullit të Martirëve. “Lisi i Moçëm” më vështroi nga koka te këmbët dhe më tha: – Dëgjo more bir! Ata zogj që kanë lindur këtu nuk e harrojnë folenë edhe sikur ‘të vdes’ Dallandyshja e madhe. Dallandyshja është trashëgimi e vendlindjes. Gjuha më e bukur në botë është ajo e Dallandyshes! Lum ai që e di dhe lum ai që e kupton atë. Ajo fole, aty ka me vite! Edhe kur këto troje u kthyen në rrënoja. Mëma e tyre e ka gjetur një cep në murishten e ‘Rrënojës’ vetëm e vetëm për të mos u larguar nga shtëpiza e saj. Ndaj ne kemi për detyrë t’i ruajmë ata, zogj të Dallandyshes se kemi shumë ç’ka të mësojmë nga ata. Shtëpiza është e shtrenjtë! Vendlindja është e dhembshur. E pe si fluturonte në dhomën e rrënuar? Mua më dukej sikur më thoshte: “Më mbro fëmijët e mi nga grabitqarët”! Ajo nuk e harron shtëpinë e vet! – më tha “Lisi i Moçëm” dhe pastaj vazhdoi: A të kujtohen baladat e kurbetit?
– Po! – i thashë dhe vazhdoi me zë baladën e kurbetit:
Mbeçë mor shokë mbeçë!
Përtej urës së Qabesë!
Ju dallandyshe që fluturoni!
Vendin tim kur të kaloni!
Si duron kjo zemër e shkretë!
A më merr me të vërtet?
A më thuaj moj dallandyshe?
A vall babin ma ke parë?
S’e harroj moj Dallandyshe
S’e harroj sa të jem gjallë.
Shpesh në ëndërr më ka dalë.
Më ka puthur mu në ballë
Si fisnik më tha dy fjalë!
Për ju jam akoma gjallë!
Ku ka rrjedhur do pikojë!
Fisnikëria do të vazhdojë.
Kishim arritur te shtëpia e “Lisit të Moçëm”. I thashë natën e mirë dhe u nisa për në shtëpi. – Mos harro squfurin! – më tha.
Të nesërmen u ngrita herët. Nga mendja nuk më hiqej trëndafili i mbirë në mes të bimëve të egra që u kishte rezistuar atyre vite me radhë. Natën kishte rënë një shi i imtë. Tek-tuk dëgjohej ndonjë lehje qeni dhe zhurmave të dybekut ku amvisat kishin filluar të rrihnin kosin. Dielli i atij mëngjezi ndriçonte majat e kodrave duke reflektuar mbi ylberin me ngjyrat e tij mahnitëse që sapo kishte rënë. Mora squfurin dhe u nisa te shtëpia e “Lisit të Moçëm”. Ai ishte bërë gati. Kishte porositur dhe dy stërnipërit të merrnin nga një kosor (mjet prerës) dhe u kishte thënë së bashku do të shkonin te ‘Rrënojat’. Stërnipërit nuk ia prishnin asnjëherë atij, prandaj kishin marr veglat dhe kishin shkuar te shtëpia e “Lisit të Moçëm”, duke qenë kureshtarë të dinin çfarë pune do të bënin me kosoret. Ata ishin nxënës të gjimnazit “Hajredin Fratari”.
– Mirëmëngjes! – u thashë.
– Mirëmëngjes! – m’u përgjigjën ata të tre me një zë.
– Erdhe! – më tha “Lisi i Moçëm”.
– Po! – i thashë
U nisëm.
Rrugën deri te ‘Rrënoja, e bëmë të qetë, pa folur, por po vështronin natyrën që kishte marrë një pamje fantastike me lulet e saj shumë ngjyrëshe. Kështu korijet shkëlqenin nga bimësia e shumtë që të jepnin një mozaik ngjyrash të natyrës. Kodrat veshur me gjelbërimin ku lulet rozë të gugushave të lofatave gërshetoheshin me lulet e verdha të xanës si dhe lulet e bardha të murrizit. Syri të zinte një bukuri të rrallë të natyrës që kishte veshur kostumin e saj karakteristik të Majit. Ai me ‘Shkopin Magjik’ duke ecur para, ne të tre mbas tij. Na shoqëronin disa dallandyshe që sapo ishin kthyer nga shtegëtimi dhe gumëzhitja e pëllumbave të bardhë që i binin sa një krah të “Rrënojës” në krahun tjetër të “Mësonjëtores së parë” dhe “Tempullit të Martirëve”. Disa fëmijë bënin gara me kuaj ku shkonin të ndihmonin prindërit në punët e blegtorisë dhe bujqësisë. Mbërritëm. Nga “Rrënoja” dukej qartë “Tempulli i Martirëve” në “Kodrën e Kalamatrëngut”. Nga aty dëgjoheshin tingujt e zileve, të këmborëve, blegërimat e kecave dhe të qingjave që përziheshin me cicërimat e dallandysheve e zogjve të tjerë, të cilët krijonin një simfoni ku çdo kompozitor do të kishte dëshirë t’i hidhte në pentagramin e vet. Bahçja me ullinj që kishte mbjellë Sabire Fratari, kur erdhi nuse dukej sikur ishte mbuluar nga një cipë borë e bardhë sepse ulliri ish në fazën e lulëzimit. Lëndinat shumëngjyrëshe gumëzhinin nga zhurma e bletëve që mblidhnin nektarin e luleve. Nën këmbët e “Rrënojës” gjallonte jeta nga puna e fermerëve të cilët kryenin punët e ditës në buqësi.
– Ejani! – na tha duke drejtuar shkopin në drejtim të trëndafilit që ishte mbuluar nga bimët e egra. – Ju të dy! – u tha stërnipërve – do të pastroni ferrat, hithrat, shtogun, gjembat e gomarit dhe do të nxirrni në dritë trëndafilin që i kanë zënë frymën barishtet e këqija!
– Më kënaqësinë më të madhe! – tha stërnipi i madh dhe të dy me kosore në dorë shkuan te ledhi ku ishte trëndafili.
– Kujdes gonxhet e trëndafilit! I mblidhni se do të bëjmë një buqetë për t’ia çuar Korifeut nesër! – u tha “Lisi i Moçëm”. Fëmijtë heshtën. – Ne! – m’u drejtua mua – do të shkojmë të dizifektojmë ‘Rrënojën’ ku ka ndërtuar folenë Dallandyshja!
Mora squfurin dhe së bashku hymë te ‘Rrënoja’. Fillova nga puna për ta dizefektuar ‘Rrënojën’. Dallandyshja e kishte ndërtuar folenë në një strehëz ku nuk hynte shiu. Mora disa tjegulla dhe e mbulova strehëzën plotësisht që të mos hynte pike shiu dhe ere. “Lisi i Moçëm” po më vështronte me kujdes. Pastaj më tha: – Më duket se ua kuptove mirë gjuhën dallandysheve! Unë heshta. Kur u garantova strehën duket se e kisha bërë si për vete, fillova nga dizifektimi i ‘Rrënojës’ me squfur.
– Zvarranikët (zhapiku, gjarpëri, nusja e lalës) janë shumë të ndjeshëm nga era e squfurit dhe nuk afrohen, – më tha “Lisi i Moçëm”. – Kjo është e provuar në kohën e koopereativës. Disa dallandyshe dhe një tufë pëllumbash fluturonin rreth e qark ‘Rrënojës’. Dy nxënësit pastruan jo vetëm trëndafilin e mbuluar nga barërat e egra, por dhe rreth e qark ‘Rrënojës’ që të mos afroheshin zvarranikët. Pastruan dhe ‘Trëndafilin e plakur’. Ishte 15 Maj dhe bimët e egra ishin në kulmin e zhvillimit të tyre. Ata kishin mbledhur një tufë me lule nga ‘Trëndafili i bardhë’ dhe nga ‘Trëndafili i plakur’ me gonxhe blu. “Lisi i Moçëm” i falenderoi stërnipërit dhe u la si detyrë që të vinin çdo mbasdite të kujdeseshin për folen e Dallandyshes deri sa zogjtë e saj të fluturonin të lirë. Sa u kënaqën stërnipërit.
– Merreni këto buqeta me lule dhe nesër në mëngjes do të vij unë te shkolla të bashkëbisedoj me Korifeun! – u tha djemve.
Punën te ‘Rrënoja’ për të mbrojtur folenë e të vegjëlve të Dallandyshes e kisha përfunduar. Dhe kjo dukej qartë nga cicërima e Dallandyshes dhe fluturim i saj nëpër ‘Rrënojë’. – Po të thotë faleminderit! – më tha “Lisi i Moçëm” duke ngritur “Shkopin Magjik” drejt foles së të vegjëlve. Unë heshta. Nuk dihet si do të vejë fati i cicërimave. A do t’i shpëtojnë ata tundimit?!…
Nxënësit ikën në shtëpi. Unë po prisja me padurim që të dëgjoja rrëfimin për ‘Trëndafilin e bardhë’. “Lisi i Moçëm” u drejtua nga “Guri i Merfasë” dhe unë shkova pas tij. U ulëm të dy mbi gur. Ai e vendosi ‘Shkopin Magjik’ mbi gjunj dhe si për ta kuptuar mendimin tim m’u drejtua: – Dje më pyete për ‘Trëndafilin e bardhë’!
– Po!
– Ai nuk është thjeshtë një ‘Trëndafil i bardhë’, për të plotësuar kënaqësitë e fëmijëve, të rriturve apo të moshuarve me erën e tij të këndshme. Ai është dëshmitar i të gjithave mynxirave që kanë hequr njerëzit e këtij fshati mbas vitit 1944. Unë edhe ai i kemi parë me sytë tanë. Dhe unë do t’i tregoj me rrëfimet e mia duke zbuluar enigmën e ‘Trëndafilit të bardhë’. Ai është mbjellë në Marsin e vitit 1934, atë ditë kur u hodhën themelet e kësaj ‘Rrënoje’. Ai u mboll nga e ëma e Raufit, Sabireja si simbol i dashurisë dhe i bardhësisë së zemrave midis njerëzve. Ai u mboll më parë se ‘Trëndafili i plakur’. Dhe për çudi edhe unë sot po e shikoj midis shkurreve, fletave dhe gjëmbave të egër. E dija se e kishin ekzekutuar. Por jo, ai ka qenë larg kopshtit të luleve të mbjella nga nëna e luleve, gruaja nga Çamëria, Merifaja. Ai i ka rezistuar kohës dhe faktorëve të ndryshëm njerëzorë dhe atmosferikë për dy arsye. Ndofta nuk e kanë parë, nuk i është kushtuar rëndësi nga rrebelët. Ai ishte i vetmuar dhe dhe ata e kanë marrë për trëndafil të egër, nuk e kanë prerë. Mund ta kenë prerë dhe ai ka çuar thithka nga prerja të cilët kanë shpërthyer midis bimëve të egra duke konkuruar me to për mbijetesë. E rëndësishme është që “Trëndafili i bardhë” ka mbijetuar. Ai simbolizon gruan humane dhe zemërbardhë (si trëndafili) që bëri gjithçka për Mallakastrën e Sipërme. Dhe sot ai fitoi lirinë e plotë të tij. Ose rrënjët e tij kanë qenë të mbuluara nga dheu i hedhur i themeleve, si mburojë për të. Përballë tij agronomi nga Kosova që punësoi Raufi mbolli një bahçe me mollë dhe kumbulla italiane të cilat i sillnin nga Italia. Këto i kanë rezistuar kohës deri në vitet e fundit të sistemit komunist. Mbas vitit 1944 Vila u sekuestrua dhe kaloi në dispozicion të pushtetit, u përdor në kohë të ndryshme si bazë e institucioneve makabre të diktaturës. Në fillim u përdor si zyra e komisioneve të Reformës Agrare ku i shtetëzuan dhe kaluan në dispozicion të shtetit të gjitha. Kështu edhe me pronën dhe pasurinë e Raufit me tokë, ullinj, vreshta, kullota, pyje, bagëti të imta, gjedh dhe kafshë ngarkuese. Më vonë u përdor si depo grumbullimi për detyrimet nga prodhimet që paguanin fshatarët. Me ngritjen e koopertivës bujqësore u përdorën si zyra për zyrtarët, mencë, fjetore për kuadrot që vini nga vendet e tjera. Sheshi i burrave (kuvendi) ku mblidheshin burrat e mençur për çështje kombëtare u përdhunua. U ndërtua dhe një magazinë ku mblidheshin bagëti që prisnin radhën për t’u therur. Mblidheshin fshatarët e varfër për të mbajtur radhën për të marrë bukë dhe prodhimet bujqësore nga kooperativa që ndaheshin me listë dhe racion. Ai kopësht i luleve u kthye në një ‘amfiteatër’ ku mblidhej fshati për të demaskuar çdo njeri që fliste kundër parties dhe pushtetit për t’i shpallur ata të deklasuar dhe armiq “Në emër të popullit” e duke i çuar në burg. Aty i bëhej gjyqi një nëne, një gjyshe, një gruaje pse kishte marrë pesë kokrra ulli para shtëpisë (ullinjtë kishin qenë prona e saj) sepse s’kish me çfarë t’u jepte bukën kalamajve apo pse mbante pula deti dhe shqerake. Aty demaskoheshin dhe u varej trasta apo thesi në qafë atyre burrave që kishin marrë dy kallamoq misri për fëmijtë para syve të të gjithë fshatit. Më kujtohet një gjyq popullor (kështu e quanin ata) që iu bë një bashkëfshatari që kishte 15 kalamaj përpara fshatit. Kishte marrë një thes me misër se nuk kishte bukë për kalamajtë. Ajo natë kishte qenë fatzezë për të. Në orën 12 të natës e zunë ngarkuar me gomarin me misër kryetari i kooperativës, kryetari i këshillit dhe sekretari i partisë që po ktheheshin nga një festë. Të nesërmen u mblodh fshati i tërë këtu te kuvendi i turpit (ata ia ndërruan emrin nga kuvendi i burrave në kuvendi i turpit). Trupi gjykues kishte ardhur nga Gjykata e Fierit për të gjykuar këtë “akt kriminal me pasoja të rënda për Sigurinë Kombëtare”. Kur kryetari i seancës e pyeti të pandehurin se “pse e vodhe pronën e kooperativës, fol more armik i popullit”, bashkëfshatari me lotë në sy ju përgjigj: Bukën time vodha, shoku kryetar i gjykatës! Falenderoj Zotin që gjërat i ka bërë kamare-kamare dhe kamaren e bukës dhe të kripës e ka lënë më të ultën! Dhe unë deri atje dua të arrij tek kamarja e bukës dhe e kripës se më lart nuk më lë ti!
Gjyqtari ulëriu: – Do të kalbesh në burg!
E dënuan një vit burg. Mbas gjyqit bashkëfshatari shkoi në burg, ndërsa trupit gjykues iu shtrua një drekë në mencën e kooperativës me mish të pjekur në hell, me raki rrushi për nder se u zbulua dhe dënua një “Armik i popullit”. Por paradoksi është se në këtë vend, po para këtyre njerëzve Sekretari i Parë Komitetit të Partisë së rrethit dhe përfaqësuesi Komiteti Qëndror disa vite me parë i dhanë këtij bashëfshatari dhe të shoqes një fletëlavdërim si prindër me shumë fëmijë. Për nder të këtij nderimi u organizua nga krerët e kooprativës një drekë madhështore sepse ishte rasti i parë ku një çift bashkëshortor kishte 15 kalamaj, u festua me mish dashi në hell, raki rrushi si dhe revani me arra dhe bajame të pjekur në saç këtu te bahçja nën hijen e mollëve dhe kumbullave italiane, mbasi brenda në mencë ishte vapë. Por çifti bashkëshortor që mori fletë-lavdërimi nuk ishte i pranishëm sepse nuk bënin dot ‘muhabet me të deleguarit’.
– Si i vajti halli bashëfshatarit që u dënua një vit burg? – e pyeta “Lisin e Moçëm”
U ngritë në këmbë. I ra “Gurit të Merifasë” me shkop dhe m’u drejtua mua – Vdekjen e robit e di vetëm Zoti! Robi mund të ketë vuajtje, skamje, varfëri, tragjedi, por kur ka njerëz me shpirt human nuk i ndjen ato. Dhe kjo është ajo që ne e quajmë ‘Njerëzore’. Kështu ndodhi edhe me Canen tonë. Ai gjyq nuk ishte i atij, por i çdo familje në Bejar, prandaj bashkëfshatarët iu ndodhën pranë për të mos e lënë në mëshirë të fatit fëmijtë dhe familjen e tij. Që fëmijët e tij të mos vdisnin për bukë…
U ul mbi “Gurin e Merifasë” dhe tha: – Eh!… Sa mëkate të tilla ka parë kjo ‘Rrënojë’ (Vilë) dhe këta trëndafila me sy. (Trëndafili i plakur dhe i bardhë). Kanë parë me sy lotët e gruas, të burrit ku dinjitetin e tyre e hiqnin qentë zvarrë. Sa njerëz të pafajshëm janë dënuar dhe janë marrë më qafë.
E vura ve që u përlot.
E mora “Shkopin Magjik” në dorë duke e dredhur.
– Po ky shkop nga ka ardhur dhe pse i thonë “Shkopi Magjik”? – e pyeta.
E mori shkopin dhe nisi të tregonte: – A e di ti more bir, ky shkop ka me vite që transmetohet nga brezi në brez në Bejar në formën e një testamenti! Dhe ky mbart një Enigmë, një Mister në vetvete! “Çfarë do të tregoj Lisi i Moçëm me këtë Shkop Magjik”, pyeta veten. Por ai nuk më la të meditoja dhe vazhdoi rrëfimin: – Ky ‘Shkop Magjik’ është dhuratë nga Hajredin Rakip Fratari me porosi të të atit Rakipit, si testament dhe trashëgimi nga bejaraku më i moshuar. Shkopi ka ardhur nga Turqia, i është dorëzuar ditën që u hap “Mësonjëtorja e parë shqipe” në Mallakastër plakut më të moçëm të fshatit Aben Osmënit dhe më vonë imam Veiz Sile Zeqaj. Në “Shkopin Magjik” është gdhendur Flamuri Kombëtar, Përkrenarja e Skënderbeut dhe një libër që tregon abetaren e “Mësonjtores së parë shqipe”, hapur më 7 Mars 1887 në Korçë. Ai ma dorëzoi mua përpara se të vdiste duke më thënë: “Ta ruash si sytë e ballit dhe t’ia lësh trashëgim në formën e një testament më të moshuarit të fshatit Bejar”. Mbas vitit 1965 (vdekjes së Imamit) e ruajta ‘Shkopin Magjik’ në sëndukun e plakës se e dija po ta mbaja do të ma merrnin këta jezitët. Tani e nxorra dhe i thashë djalit që mbas vdekjes sime t’ia japin Xhipes, më të madhit nga pleqtë në fshat. Kismet Zotit! – tha dhe u ngrit.
Unë e ndoqa nga pas. Shkuam për t’u përshëndetur me ‘Trëndafilin e bardhë’ dhe me ‘Trëndafilin e plakur’. Mbi degët atyre qëndronin pëllumbat. Nuk ua prishëm terezinë, shkuam te “Rrënoja” për të parë folenë e Dallandyshes. Ajo na përshëndeti duke fluturuar mbi ‘Rrënojë’ dhe cicërinte me zërin e saj të embël.
U larguam duke marrë me vete mbresat e asaj dite të 15 Majit. Dielli dukej vetëm në majat e maleve. Muzgu i mbrëmjes kishte nisur të binte. Pëllumbat u ngritën dhe fluturuan mbi truall, duke na përcjellë për në shtëpi. Arritëm. I thamë natën e mirë njëri-tjetrit. U ndamë. Të nesërmen shkova në shkollë. Buqetën me lule që kishin përgatitur nxënësit e çova në biblotekë. Isha i bindur që ai do të vinte. Në pushimin e gjatë ai u dha te porta e shkollës me veshjen karakteristike të tij. I mbajtur nga ‘Shkopi Magjik’ që nuk e hiqte kurrë nga dora. Dy stërnipërit shkuan dhe e morën atë, e shoqëronin një tufë pëllumbash dhe disa dallandyshe që qëndruan në parmakët e ballkonit të katit të dytë, përballë bustit të Korifeut. Nxënësit e shkollës e rrethuan. Ai ishte bërë njeriu më i dashur për ta. Shkova te biblioteka dhe mora buqetën me lule te porta dhe ia dhashë njërit prej nxënësve që shoqëroninte “Lisin e Moçëm”. U ngjit për në katin e dytë. Mori buqetën me lule dhe e vendosi te busti i Korifeut.
U përul me respekt para bustit të Korifeut dhe tha: – Mirëse të gjeta o Fisnik! Sot të kam sjell një buqetë me trëndafila nga ai që mbolli lulja jote Sabireja, ajo që t’u ndodh pranë në çdo moment të jetës tënde. Janë trëndafilat e Akademisë të fisnikërisë tënde të cilën ti o Fisnik e mbolle vetë. Dhe ato gonxhe nuk thahen kurrë. Ato i rezistuan katrahurës së madhe, asaj që mbolli vetëm mllef, mëkate, përçarje, mëri që u ngjajnë atyre bimëve të egëra që u zunë frymën me qindra dhe mijra luleve të pranverës dhe nuk i lejonin të rriteshin të lira dhe plot dritë në truallin e tyre që ua kish bekuar Zoti.
Pëllumbat dhe Dallandyshet që vazhdonin të rrinin mbi parmakët e katit të dytë përball bustit të Korifeut nisën të këndojnë në kor himnin e shkollës që tashmë ishte kthyer në lejmotiv për ta. Atyre ishin bashkuar dhe nxënësit që ishin ngjitur spontanisht në katin e dytë duke shoqëruar “Lisin e Moçëm” për te busti i Korifeut. Ai vijoi: – Shqiptarët kanë gjuhën e nënës për të folur shqip, zemrën e babes për të qëndruar si burrat dhe gjakun e tyre, atë që u duhet për Atdheun. Çdo shtëpi mallakastriote të bëhet një shkollë! Çdo mallakastriot të bëhet një mësues! Fëmijët të nisin shkollën, burrat luftën! Po cilën luftë? (ai na u drejtua të gjithëve ne). Atë që kërkon At-mëmëdheu, të Njerëzores, të Paqes, të Dashurisë, të Lumturisë dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve! Atë ku pëllumbat të fluturojnë të lire në trojet tyre! Tani e pres vdekjen i lumtur! – tha dhe puthi bustin e Korifeut. Nxorri shaminë dhe fshiu lotët. Stërnipërit e shoqëruan për në shtëpi! Nxënësit vazhduan mësimin.
Pëllumbat dhe Dallandyshet vazhdonin të fluturonin mbi Truall!…
“Armiku i Popullit”… Mbrëmë më erdhi një mesazh: – Ulërimës së ujkut i bëra pritë! Zoti më tha: ‘Prit! Mos e godit se do të zbutet’! Dhe unë e dëgjova Zotin. Se jam nga ai fis që ‘po dhashë fjalën, ther djalën’. Ai më hëngri në pabesi sepse nuk u ula për të ngrënë në të njëjtin ‘grazhd’ me të. E dija po të hanim delet, dhitë, gomarët, mushkat, kuajt, lopët me të gjithë të pjellët do t’iu ktheheshim pulave, zogjve edhe vezëve. Dhe në fund do të hanim njëri-tjetrin. Prandaj nuk u ula në ‘grazhd’ për të ngrënë me ta. Me respect “Armiku i Popullit”.
Po vrisja mendjen: Kush ishte ky “Armik i Popullit”. Hapa kanatat e ‘kujtesës’. Gjej një fëmijë të vogël 6-vjeçar si një pëllumb të bardhë që përcillte mesazhin e Paqes-Dashurisë-Miqësisë për gjithë njerëzit pa dallim race, feje, ideje, partie vetëm e vetëm të flisnin gjuhën shqipe të At-mëmëdheut tim. Pra të flisnin gjuhën e nënës sime kudo që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Çamëri e gjetkë. Këtij djaloshi të vogël që ia vranë babain sapo kishte mbushur 6 vjeç. Gjashtë vjeç! Një fëmijë që I ra një barrë e rëndë përsipër. Pra ai tani nuk ishte më fëmijë. Por ishte zot shtëpie, mik, shok, vëlla që duhej të kujdesej për nënën, gjyshen, administrator për t’u kujdesur për pronat që i kishte lënë i ati. Kalorës për t’i hipur ‘Kalit të shpresës’ për të pare nga e ardhmja. Kjo i ndodhi në një kohë rrebelësh. Kur Shqipëria ishte pa shtet dhe kur bota ‘kishte dalë nga binarët’. Kur kolera dhe sëmundjet e tjera po bënin kërdinë. Ku para njerëzve shtrohej dilemma e Hamletit: Të rrosh apo të mos rrosh?! Kjo është çështja! E pyeta Zotin: ‘Si ia doli ky fëmijë i vogël 6-vjeçar”, më tha: “As vetë unë nuk e di! Vetëm një dragua mund t’i dalë përballë një ‘deti të tillë me halle’! Mos i kërkoni heronjtë nëpër përralla, ata I keni në botën njerëzore reale! Ai fëmija i vogël ia doli. U rrit, u shkollua, u martua, krijoi familje, lindi dy fëmijë, nderoi miq e shokë, ndoqi gjurmët e të atit, luftoi kundër armiqve të Shqipërisë”! Po ku e gjeti këtë forcë kaq të madhe ky fëmijë 6-vjeçar? Ku çdo skenarist dhe regjizor filmi do ta kishte zili për të realizuar një film? A doni ta mësoni të vërtetën e forcës së këtij fëmije të çuditshëm? Po ua them unë: Ai u bë Rektor i “Universitetit të Fisnikërisë” të themeluar nga i ati që në moshën 6-vjeçare. Besimin te Zoti dhe rrjeti i tij fisnik. Përkujdesja dhe kultura nga e ëma, fuqia shpirtërore e nënës. Por ujqërit e përndoqën derisa e ‘coptuan’ atje në vendin më demokratik të botës, SHBA. Ky është “Armiku i Popullit”, Rauf Hajredin Fratari nga fshati Bejar, Mallakastër. Mbas viteve 1990 nuk patën mundësi t’i vinin emrin një rruge apo institucioni. Kjo është çudia shqiptare! E pra: Unë jam krenar për ‘Armikun e Popullit’.
E vërteta, e drejta vonon por nuk harron
Perëndi!
Përpara Bejarit unë jam axhami!
Të lutem!
Po e harrova unë!
Mos e harro ti!
(Poezi kushtuar Rauf Hajredin Fratarit në përvjetorin e lindjes).
…Personazhet e jetës i kam në kujtesë. Kam një jetë të tërë që udhëtojnë me mua, i qajmë hallet bashkë, luajnë, qeshin, qajnë. Herë më lodhin, herë më çlodhin në jetën time. Janë të ‘vdekurit’ që jetojnë gjallë në mendjen dhe zemrën time. Janë personazhe të pandarë në jetën time. Po që u kam marrë njerëzve të mençur të vendlindjes sime që kanë patur fatin të jetojnë në kohë dhe në hapësirë me ta. Ndërsa unë kam fatin të jetoja me këta burra të mençur, të urtë, bujarë, tëcilët i kam futur në shoqatën e të ‘Vdekurve që jetojnë gjallë’! Mos u çuditni ka edhe të ‘gjallë të vdekur’!…
Atë mëngjes të 5 Shkurti u ngrita herët. Vura re se mbi shtëpinë e “Mësonjëtores së parë të shkollës shqipe” kishin qëndruar dy pëllumba të bardhë. Ata i binin rreth e qark shtëpisë dhe qëndronin te dhoma ku ishte hapur “Shkolla e pare shqipe”. Nuk i vura rëndësi. Çdo ditë mbi çatinë e “Mësonjëtorjes” fluturojnë pëllumba të bardhë. Mora gërshërët e hardhisë dhe sharrën dhe u nisa për të krasitur vreshtin. Kur mbërrita te “Shtëpia e rrënuar” vura re se dy pëllumbat e bardhë (ku i pashë te Mësonjëtorja) ishin aty. Qëndronin mbi “Trëndafilin e plakur”, i vetmi që i kish shpëtuar asaj katrahurë barbare. (Dija që ajo shtëpia e rrënuar ishte e Rauf Hajredin Fratarit). Nuk ua prisha qetësinë. I lashë të dy të soditnin bukurinë e atij trualli. Ika për të krasitur vreshtin. Rreth orës 9.00 në mëngjes, te “Shtëpia e rrënuar” erdhën dy makina të vogla nga Tirana (nga vendi ku punoja, dukej qartë shtëpia e rrënuar. Dhe kush vinte dallohej qartë). E mora me mend se ata ishin të zotët e truallit. E lashë punën dhe u nisa drejt “Shtëpisë së rrënuar”. Duke vajtur për atje mendoja për këta njerëz: Ç’kërkonin? Ç’kishin harruar? Ajo shtëpi e rrënuar, pa çati, pa avlli, e dërmuar nga koha, nga njerëzit apo nga padrejtësitë. Po këta njerëz ç’donin në këtë ditë të 5 Shkurtit. Me këto mendime në kokë arrita te “Shtëpia e rrënuar”. Nga makina zbriti një grua e moshuar, e mbajtur, e zbardhur nga koha, hallet, dertet. Më ngjante me gjyshet e lagjes sime. Ishte e shoqja e Rauf Fratarit me djalin, vajzën, mbesat dhe nipin. U prezantuam. Pëllumbat i gjeta po atje mbi trëndafilin e plakur. Fluturuan dhe i ranë rreth e përqark truallit. Gjyshja, e rrethuar nga mbesat, nipi, bija, djali po i afrohej ‘Shtëpisë së rrënuar’.
Aty ku shpresa rrinte ndezur!
Aty ku kujtimet s’kishin vdekur!
Aty ku malli ishte i pa tretur!
Aty ku ëndrra ishte zgjuar!
Aty ku dashuria ende mbetur gjallë!
Aty ku dhimbja kishte filluar të mjekohej!
Aty ku trëndafili i plakur nisi të çelë!
Aty ku buzëqeshja nisi të buzëqesh!
Aty ku burrat mblidheshin në shesh!
Aty ku pëllumbat vijnë përherë!
Aty te ky truall të At-mëmëdheut
ku ‘Durimi’ kishte vite që priste!
– Ja erdhëm për t’u çmallur! – tha gjyshja, – kemi mbi 50 vite që na i kanë mohuar! Por nuk harrohet trualli mëmë! Vendlindja është e shenjtë! Për 50 vjet na mohuan gjithçka! Na ndanë nga njerëzit tanë! Na bënë ‘armiq’ të vendlindjes sonë! Ata i ranë rreth e përqark truallit. Pëllumbat vazhdonin fluturimin mbi truall. Ata erdhën këtu në këtë truall ku kishte lindur njeriu më i dashur i tyre “Armiku i popullit”, Rauf Hajredin Fratari. Për të zhdukur çdo gjurmë të “Armikut të popullit”, “Mbretëria e Zgërbenjve” të Enver Hoxhës e rrënoi plotësisht ‘Kullën e Fisnikërisë’! Rrënoi ndërtesën, por nuk rrënoi dot ‘Zemrën’! Ata erdhën pikërisht në ditëlindjen e “Armikut të popullit” më 5 Shkurt. Ata erdhën për vizitë në këtë truall ku “Armikut të popullit” i ‘bëri koka bam’! Ku ende gjëmon krisma e dyfekut se e shoqja e Hajredin Rakip Fratarit lindi djalë! Ku ende gjëmon jehona e nënave dhe gjysheve të lagjes dhe të Bejarit, të miqve dhe shokëve: “Të rrojë! Me jetë të gjatë! Të bëhet si i ati”! Ende gjëmojnë çokitjet e pagureve të rakisë, këngët dhe vallet në odën e miqve. Prandaj erdhi nënë Ganimetja me djalin, vajzën, mbesat dhe nipin për të dëgjuar simfoninë e asaj dite të madhe të 5 Shkurtit. Po kush ishte ky “Armik i popullit” që do të bëhet armik i popullit të vet?! Dhe nuk është shprehur asnjë: “Pse nuk u përmbys ai djep”?! (me përjashtim Zgërbenjve, grerëzave dha merimangave). Të gjithë e çmonin për veprimtarinë e tij patriotike dhe atdhetare! Ruaj në kujtesën time vlerësimin maksimal për Major Reuf Hajredin Fratarin, të burrave të mençur, të urtë, paqedashës, të cilët kanë qenë bashkëkohës të epokës të viteve 1939-1944! Nuk mund të harrohet ndihmesa e Major Rauf Fratarit për çështjen kombëtare. Në fundin e Janarit 1973 “Zgërbenjtë e Kuq” e vranë në SHBA. Por shpirtrat e atyre që kanë luftuar për çështjen kombëtare janë kthyer në Pëllumba të Paqes. Një ndër ta është dhe Rauf Hajredin Fratarit që shpirti i tij fluturon në truallin e tij të dashur, Atmëmëdheun! E paharruar veprimtaria atdhetare e Martirit Rauf Hajredin Fratarit, që gjithë jetën luftoi për Liri dhe Demokraci!
GRUAJA E HEKURT, ZONJA MËMË
Dëbora kishte 10 ditë që kishte zbardhur të gjithë Shqipërinë. Edhe në Tiranë bora kishte zbardhur kryeqytetin. Ishte bora e parë mbas atij viti të mbrapsht të vitit 1997. Viti që ngjante me vitet e dhimbshme të jetës së Zonjës Mëmë. Ajo ishte mësuar me vite të ftohtë ku kjo dëborë nuk ishte asgjë përpara ngricës, kallkanit, stuhisë, vetëtimës, bubullimës të jetës së saj. Ato ulërinin si fishkëllima e gjarpërit në çdo stinë. Për atë nga vitet 1944-1990 të gjitha stinët ishin një dimër i ftohtë. Gjatë gjithë viteve të jetës qelli ishte i nxirë. Murlani frynte nga të katër anët. Ajo i përballoi ‘dimrat’ me dashurinë e Nënës, duke patur pranë Ëngjëllin e Durimit që ia kishte dërguar Zoti për të rritur ‘dy zogjtë’ që i mbetën jetimë nga “Mëkatarët”. Atë ditë ajo dëborë i dukej si një pranverë e bukur përpara dimrave të ‘pashpirt’ që ajo kishte hequr dhe vuajtur. Tha me vete: “Jeta kështu është e shkruar, të durosh dhimbjen kur ajo kufijtë e saj i ka kaluar”! Ajo i tha të birit dhe të bijës se atë ditë do të shkonin patjetër atje së bashku me mbesat, nipin, nusen dhe dhëndrrin. Në përvjetorin e 90-të të lindjes së ‘Dashurisë’. E bija u tha vajzave: – Përgatisni disa buqeta me lule se do të shkojmë në vendlindje (vajzat e dinin se 5 Shkurti ishte datëlindja e gjyshit). Ato si flutura shkuan në dyqanet e luleve dhe i bënë gati buqetat. Një buqetë me lule do ta vendosnin te shtëpia ku ishte hapur “Mësonjëtorja e parë shqipe” në Mallakastër nga gjyshi i nënës së tyre. Do të vizitonin vendlindjen e nënës dhe ‘Kopshtin e luleve’ që gjyshja e tyre ua kishte treguar si përrallë, ku gjithë jetën mbeti i bukur në shpirtin dhe zemrën e Zonjës Mëmë. Rrënjët e luleve nuk ishin tharë, ato vaditeshin çdo ditë me lotët e dhimbjes të shpirtit të saj. Mbas vitit 1944 ai “Kopësht me lule” ishte inegzistent. “Mëkatarët” e kishin shkatërruar dhe prishur “Kopshtin e luleve”, kishin rrënuar çdo gjë, kishin rrënuar atë shtëpi-vilë ku ajo ruante kujtimet më të bukura të jetës së saj. Por ‘Kopështi i luleve’ dhe vila ishin ‘prangosur’ në zemrën dhe shpirtin e Zonjës Mëmë. Ato jetonin në ëndrrën, mallin, nostalgjinë, dashurinë dhe shpresën e kësaj zonje të shumë vuajtur.
Kalendari shënonte 5 Shkurt 1999. I biri dhe e bija nuk ia prishnin dëshirën nënës së tyre të dashur. Ata bëheshin me krahë kur ajo kërkonte të vinte te ‘Pengu’ i saj. U nisën nga Tirana sapo dielli kishte shkrepur rrezet e veta mbi mantelin e bardhë të dëborës. Mbesat kishin bërë çdo gjë gati. E bija mori dhe dy portretet: atë ku ajo kishte dalë vetë, kur ishte e vogël me vëllain e sapolindur, të atin dhe të ëmën. Dhe portretin tjetër ku i ati kishte dalë student në Akademinë Ushtarake në Itali. Bora kishte 10 ditë që s’kish të pushuar. Petku i saj i bardhë kish ‘pushtuar’ gjithë Shqipërinë. Bardhësia e saj shkëlqente nga rrezatimi diellor duke krijuar një refleksion me bardhësinë e borës të natyrës së bukur. Nga xhamat e makinës reflektoheshin ngjyrat e Ylberit. Ishte koha enkas për piknik dimëror. Vendi ishte ‘i pushtuar’ nga një dëborë e madhe. Kjo ditë Shkurti e zgjoi Zonjën Mëmë të merrte ‘zogjtë’ e saj dhe të shkonte atje ku flinte ‘Dashuria’! Ku Pëllumbi priste Pëllumbeshën! Ku ëndrra kishte vite që rrinte zgjuar. Ku shpresa dritat vezulluese kishte ndezur! Ku fustani i nusërisë rrinte ‘mbyllur në musandër’! Ku dhoma e gjumit, ‘dy buzëqeshje, dy zemra’ i kishte bërë në një, ku buqetat me lule prisnin nusen e vetme të shtëpisë. Ku vjehrri dhe vjehrra si në legjendën e Kostandinit ishin ‘ngritur nga varri’ dhe prisnin të vinte ‘nusja e djalit’. Ku zonjat e fshatit kishin marrë nga një peshqesh dhe donin të shuanin kureshtjen për të parë vajzën kosovare që kishte ardhur nuse në fshatin Bejar të Trevës së Mallakastrës të Shqipërisë së Jugut. Ku ato donin të shuanin kureshtjen ç’ndryshim kishte shtojzvallja e maleve të Kosovës me Zanën e kodrave të Mallakastrës.
Kishin kaluar mbi 50 vjet. Ajo vendosi të çante dëborën, stuhinë në atë moshë të thyer dhe të shkonte të takonte ‘Pengun’, Mallin, Dashurinë, Nostalgjinë. Të shkarkonte Dhimbjen që i rëndonte në gjoks. Ai si Kostandini u ‘ngrit nga varri’ për të bërë rrugën e largët për të mbërritur atje te ‘Pengu, tek ‘Kopshti i luleve’ të bukura, tek Vila (ai nuk dinte se ajo ishte kthyer në ‘Rrënojë’). Ai i ‘prangosi’ në zemër kur iku nga Shqipëria dhe i mori me vete duke i çuar roje zemrës: Mallin, Dashurinë, Ankthin, Brengën dhe Durimin për ta qetësuar veten me shpresë se një ditë ai do të kthehej të takohej me ta. Me ‘zogjtë’ që i kishte lënë të miturve, dashurinë që rrinte zgjuar dhe nuk ishte tretur mbasi ai iku nga Shqipëria. Shpirti tij e ndiente se dashuria do të vinte atje te “Kopshti i luleve” ku kish burimin e saj. Atë ditë në përvjetorin e 90-të të lindjes së tij, atje te ato “Rrënoja” ku ai u bë dhëndërr. Ajo dashuri e përbashkët kishte lindur atje. Për atë Dashuria nuk kishte vdekje kurrë. Shpirti i tij kaloi dete dhe oqeane për të mbërritur atje. Dashuria, që është e vetmja ndjenjë që jeton. Ajo rrjedh si mjalti në damarët e Fisnikëve dhe transmetohet nga brezi në brez. U nis në të njëjtën kohë kur u nisën ata nga Tirana. Mbas rënies së dëborës, koha qëndroi dhe dielli i ngjante si një dielli i rilindur i një pranvere të munguar; makina të vogla u nisën drejt fshatit B… të Trevës… M… Aty ku ajo kishte zbritur nuse… Gjatë itinerarit të rrugës syri të zinte vetëm borë. Në fushat e Myzeqesë, bora kishte zënë të shkrihej dhe ato dukeshin si një ugar i regjur (i ardhur) gati për t’u mbjellë. Tek-tuk të shikonte syri ndonjë jeshillëk të fushave të mbjella me grurë ku bora ishte ‘gjysmë e plagosur’. Megjithëse ishte Shkurt, dita ngjante si ditë Maji. Në disa fshatra anës rrugës s’ishte vështirë të dalloje fëmijë që loznin me topa bore, por dhe të rritur.
Makinat arritën tek “Rrënoja” në orën 9.00. Rruga nacionale ishte shumë afër “Rrënojës” dhe nuk kishte vështirësi për të vajtur atje. “Rrënoja”ishte mbi një kodër të bukur. Një vend piktoresk 400 metra mbi nivelin e detit. Një kodër e sheshtë ku të gjitha lagjet e fshatit dukeshin si në pëllëmbë tëdorës, por dhe vende strategjike si Kalamatrëngu, Bregu i Koçit, Shkëmbi i Koçit, Gorica, Gradishta, Mali i Tomorrit. Kurorën e Malit i kishte përkrashi. Nën këmbët e saj shtriheshin disa mikrofusha të bukura, të cilat e bënin kodrën të mahnitshme, sidomos në dimër nga bora e bardhë dhe në pranvera nga lulet shumë ngjyrëshe.
Zbritën nga makinat. Pëllumbi kishte mbërritur më parë dhe po i priste te ‘Trëndafili i plakur’, që dukej nga dëbora sikur kish çelur gonxhet e tij të bardha.
Mbesat mbanin përkrah gjyshen e tyre të dashur dhe tufat me lule. Mbesa e vogël me vëllain mbanin në dorë dy portretet e gjyshit.Dy kunatat po bisedonin me zë të qetë. Shoferët kishin dalë nga makinat dhe po soditnin natyrën që ishte mbuluar nga bardhësia e borës dhe pak më vonë u bashkuan me grupin. Dielli shkëlqente dhe aty afër në një bregore kishte rënë ylberi që të mahniste me ngyrat e tij të larmishme. Zonja Mëmë iu drejtua mbesës së dytë duke i thënë:
– Shko, kalo ylberin në do të bëhesh djalë!
Të gjithë qeshën. Ajo vazhdoi: – Kështu na thoshte gjyshja ne vajzave në Kosovë kur ishim të vogla! Në anët tona ishte një rrëfenjë që po të kalonte vajza ylberin bëhej djalë ose po ta kalonte djali bëhej vajzë!
– Kjo baladë qarkullon edhe nga rrethinat e Delvinës’! – tha nusja e djalit.
– Edhe ne nga Dibra e kemi një baladë të tillë! – tha dhëndrri.
– Na i trego xhaxhi se unë i kam qejf përrallat, legjendat dhe baladat! – i tha Raufi.
– Tregoja djalit se përrallat në dimër tregohen! – i tha e shoqja! Dhe ai nisi të tregojë përrallën duke ikur për te ‘Rrënoja’ duke i hedhur dorën në qafë Raufit.
“Na ishte një mbretëreshë dhe një mbret që kishin 10 vajza. Një natë mbretëresha i thotë mbretit se vajzën e vogël do ta këmbenin me një djalë. Ndryshe sipas Kanunit ne nuk u lëmë dot trashëgimi vajzave se nuk e lejon Kanuni. Të drejtën e Kurorës së Mbretërisë mbas vdekjes tënde e merr kunati, vëllai i burrit. “Punë që s’bëhet”, i thotë i shoqi. “Bota e ka marr vesh që fëmija e vogël jona është vajzë! E si do ta nxjerrim ne djalin në publik”!
“Mos u mërzit i kam menduar të tëra”! (Vajza ishte 10 vjeçe).
“Në sarajet tona do hapet fjala se sipas magjistricave, vajza po kaloi ylberin bëhet djalë dhe djali po e kaloi bëhet vajzë. Dynjaja do ta marrë si të vërtet dhe të besueshme”! – i tha mbretëresha të shoqit.
“Po mirë po djalin ku do ta gjejmë”?- e pyeti mbreti.
“E kam menduar dhe këtë”! – ia ktheu ajo.
“Si e ke menduar”?
“Po ja i thashë një arixhofke këtë muhabet dhe ajo ishte dakort! Nesër do të vijnë në zonën tone disa magjistrica dhe do të hapin fjalë për kalimin e ylberit nga vajza ose djali”! – tha mbretëresha.
“E ke mëndjen! Pse arixhiut do t’ia lëmë Mbretërinë”!- i tha mbreti të shoqes.
“Më mirë ia lëmë arixhiut se sa t’ia lëmë vëllait tënd”! – i tha ajo.
“Çfarë po flet”? – i tha mbreti.
“Eh… si ka ardhur kjo dynja sot more burrë, mendja ka shkuar te paraja dhe jo tek fisniku! Vezët e breshkës t’i shet për vezë thëllëze tjetri! Nderin ta bën një i bos i huaj se sa yti”! – i tha mbretit dhe filloi ta përkëdhel atë.
“E kam lënë me arixhofkën sa të marr Kurorën e Mbretërisë (pas vdekjes tënde) djali do ta ndajë pasurinë me vajzat”! – përfundoi mbretëresha.
“Po ka besë arixhiu moj grua”! – i tha mbreti.
“Ka… ka! Ajo u betua për kokën e kalamajve! Më tha: – Qafsha 15 kalamaqtë nëse të gënjej! Mos ma prish! Yt vëlla nuk u jep asnjë kacidhe vajzave po mori kurorën e Mbretërisë”! – mbretëresha u ngazëllye në lotë.
Mbreti u mendua dhe tha me vete: “E di që e ka mirë gruaja, me këtë mënyrë vajzat marrin një ‘gur nga malli im’! Po e mori vëllai kurorën e Mbretërisë vajzat nuk fitojnë asnjë kacidhe, Qoftë e bërë’! – i tha gruas.
Të nesërmen në Trevë erdhën magjistricat dhe u përhap anembanë ‘Balada e Ylberit’. E gjithë Treva e mori vesh. Sa u gëzuan të gjithë ata që kishin vajza. Mungesa e djalit për një familje ishte shumë e dhimbshme. Djali sipas Kanunit ishte shtylla e shtëpisë. Mbas 10 ditësh mbretëresha i hipi kalit mori dhe vajzën në vithe dhe shkoi në pyll. Sapo kishte rënë një vesë shi. Mbas shiut doli Ylberi. Nga ana tjetër e pyllit mbërriti arixhofka me të birin. Mbretëresha i thatë bijës: – Do të shkosh me këtë tetën nja 10 ditë dhe do të vijë mami të të marrë prapë! Vajza nuk i tha gjë të ëmës. U ndanë. Arixhofka mori vajzën. Mbretëresha mori djalin. Ylberi vazhdonte të shkëlqente. Rojet e pyllit i dhanë lajmin mbretit. Mbreti urdhëroi zbrazjen e topave për këtë ngjarje dhe urdhëroi që atllarët (ortakët) të mblidheshin për darkë se mbreti do të festonte ardhjen e djalit. Mbreti dërgoi tellallin nëpër Trevë që t’i jepte lajmin miletit. Dhe Tellalli i ra cep më cep Trevës duke bërtitur: – O milet dëgjoni dhe mbani vesh! Sot vajza e vogël e mbretit, Dylberja kaloi ylberin dhe u bë djalë! Sonte mbreti do të bëjë një darkë të madhe për t’i vendosur emrin djalit, i cili do të jetë trashgimtar i kurorës të Mbretërisë. Jeni të ftuar të gjithë me ‘kuç e me maç’ në sarajet e mbretit! Darka do të bëhet e madhe sa të luaj ‘foshnja në barkun e nënës’ dhe ‘sa të ngelet i ngopur qeni i kallanxhiut’! E përsëriste 2-3 herë. Në darkët fusha e madhe e mbretit u mbush plot me milet. Mbreti mblodhi të gjithë kasapët dhe urdhëroi therjen e të gjitha kopeve të bagëtive. Urdhëroi ndezjen e fenerëve dhe të llambave çdo 3 metra që në fushën e madhe të dukej vetëm dritë. Sazexhinj u thirrën ata të Operës dhe Baletit të qytetit. Famulltari së bashku me 3-4 imamë dhe 2-3 priftërinj mbajtën cermoninë e vendosjes së emrit. Ky ishte rasti i parë i jashtëzakonshëm. Ata vendosën t’ia çojnë emrin Ylber. Fusha gjëmoi nga thirrjet e miletit: Ta gëzojë! Ta gëzojë! Të bëhet me ymër! Mbreti me mbretëreshën dhe djali zbritën në fushë dhe u takuan me miletin. Pastaj nisi darka ku kërciste dollia. Vera dhe rakia derdhej si lumi. Çdo pjestar në darkë kishte përpara nga një kokë bagëtie. Paria e atllarët, nga një bisht bagëtie! Dhjetë palë saze (orkestra) nuk pushuan gjithë natën. Të nesërmen lajmi mori dhenë: “Vajza e mbretit kaloi ylberin dhe u bë djalë”!
– Kjo ishte Balada e Ylberit! – i tha Raufit, burri i hallës.
– Po djali a u bë mbret?- pyeti Raufi. Ndërhyri çami. (Kështu i thoshin shoferit që ishte nga Konispoli i Sarandës dhe origjinën e kishte nga Çamëria-Janina ku gjyshin e tij e përzunë nga trualli në vitet 1920 dhe ata u vendosën në Konispol. Më vonë ata u shpërngulën në Tiranë): – Edhe në Çamëri qarkullon ‘Balada e Ylberit’ – i tha Raufit dhe vazhdoi të rrefejë për fundin e ‘Baladës së Ylberit’: – Mbas asaj darke të madhe duke sikur gjërat në Pallatin e Mbretit u qetësuan, por në të vërtet cmira, xhelozia erdhi duke u rritur. Mbreti rregjistroi emrin e djalit në Gjendjen Civile dhe la një testament që Kurorën e Mbretërisë mbas vdekjes ta mbajë djali i tij, Ylberi. Ky testament tërboi të vëllanë, po s’kish çfarë të bënte. U detyrua t’i nënshtrohej fatit.
Mbas vdekjes së mbretit, Ylberi mori Kurorën e Mbretërisë. Pa kaluar një muaj, ai dëboi nga sarajet mbretëreshën dhe mori arixhofkën! Kjoështë një pjesë e baladës që qarkullon dhe sot në Çamëri!
I biri me tre shoferët udhëhiqnin rrugën drejt “Rrënojës”. U drejtuan nga “Rrënoja” ku një tufë pëllumbash fluturonin mbi truall. ‘Rrënojat’ ishinmbuluar nga dëbora dhe ngjanin si statuja të vendeve antike. Dhe dukeshin sikur gërmadhat e tyre ishin si pika referimi për vizitorët e vendit dhe të huajt. Ato gërmadha dikush i kishte ndërtuar dhe dikush i kishte prishur. Edhe ato mbanin brenda një histori si vendet antike si Bylysi, Apollonia, Butrinti etj. Gjithçka kishte ndodhur në hapësirë dhe në kohë. Ato mbajnë të fshehur besën, paqen, humanizmin, dashurinë, gëzimin, lumturinë, fisnikërinë, burrërinë, debatin, dhimbjen dhe ndarjen të cilat myshqet, ndryshku dhe shtretërit e merimangave, foletë e grenzave, minjve, kollovizhëve, lakuriqëve të natës, bufit, qyqes… s’i kishin zhdukur dot. Ato ishin të gjalla në ‘Musandrën e zemrës’ së kësaj zonje fisnike të shumëvuajtur. Dhe sot në këtë peisazh fantastik të zbardhur nga bora, Zonja Fisnike e shumëvuajtur do t’ua ‘zbrazte’ fëmijëve të saj, mbesave, nipit, dhëndrrit dhe nuses së vet në këtë përvjetor të 90-të lindjes së babait, gjyshit, vjehrrit të tyre që ata nuk e kishin njohur kurrë. Pra për t’u takuar me shpirtin e tij fisnik sepse këtu ka jetuar Fisniku me zemër të bardhë si kjo borë.
U drejtuan për nga “Rrënoja”. Tufa e pëllumbave fluturonte mbi truall. Qëndruan mbi ‘Trëndafilin e plakur’ ku vendosën mbi dëborë portretin e Fisnikut dalë kur ai ishte student. Pëllumbi nuk u tremb, por nisi të këndojë. Pëllumbat e tjerë qëndronin mbi trungun e lisit të prerë ku kishte nxjerrë filiza të reja dhe sofatin prej guri ku rrinte ‘Mbretëresha e luleve’, të cilët nuk ishin larg nga njëri-tjetrit. Nipi e dinte që mbi truallin e tij në fshat fluturonin pëllumbat. Kur u nis nga Tirana mori një çantë me grurë. Ndaj shkoi te makina dhe mori çantën me grurë dhe ua hodhi pllumbave mbi sofatin e gurtë. Të shikoje si u mblodhënata duke qëmtuar grurin që hodhi Raufi. Erën e grurit e ndien dhe zogjtë e vegjël ferrakë, të cilët i rezistonin Dimrit. Pëllumbat nuk i ngacmuan. Ata i lejuan cinxaminjtë (lloj zogu dimri) të hanin grurë bashkë meta.
– Çfarë bashkëkzistence! – tha mbesa e madhe.
– Sikur të ishin edhe njerëzit kështu! – tha mbesa e dytë.
– Bota do të ishte ndryshe! – tha mbesa e vogël.
Të gjithë i kthyen sytë tek çudia e madhe që po ndodhte midis pëllumbave dhe zogjve, zogjtë u shtuan dhe pëllumbat nuk bënë asnjë reagim. Raufi me të motrën, rendi me vrap te makina dhe e mori edhe grurin që kishte mbetur. Ua hodhi pëllumbave dhe zogjve te guri i “Mbretëreshës së luleve”. Ishte një skenë e bukur ku të gjithë së bashku nisën të çukisnin kokrrat e grurit. Dy pëllumba dhe dy zogj të vegjël u shkëputën nga tufa dhe qëndruan mbi supin e Raufit. Nuk ua prishën terezinë pëllumbave dhe zogjve, por i lanë të çukisnin kokrrat e grurit. U futën Brenda te “Rrënoja”. Zonjën Mëmë nisi ta shoqëronte një pëllumb i bardhë dhe i bukur. Pëllumbi u shkëput nga tufa dhe qëndroi mbi supin e Zonjës Mëmë. Ajo e mori, e puthi dhe e lëshoi. Ai nuk u largua. Mbesa e mëdha solli një karrike. Ajo u ul në korridor, ku dukej shumë qartë e gjithë ‘Rrënoja’. Pëllumbi i bardhë vazhdonte të qëndronte mbi supin e Zonjës Mëmë.
– Ja pragu! Ja dera, që ka pritur dhe përcjellë me mijëra persona! – u tregonte Zonja Mëmë njerëzve të saj. ‘Rrënoja’ ishte mbuluar nga bora. Ajo dukej si muret e një kështjelle të shkatërruar nga një betejë lufte. Por bora e bardhë i jepte një pamje fantastike të kthyer si ‘statujë’ që në atë moment po bisedonte në heshtje me Zonjën Mëmë. Ajo ‘statujë’ e njihte dhe ia dinte gjuhën Zonjës Mëmë. Ajo u çel dhe u gëzua kur pa në pragun e saj Zonjën e vjetër. Dhe sa herë vinte Zonja e vjetër, ajo rizgjohej dhe dukej si gradaçela e vitit 1937. Ishte borë, por nuk ishte ftohtë. Dielli i 5 Shkurtit depërtonte me rrezet e tij në çdo skutë të “Rrënojës”… Për një moment ra heshtja. U duk sikur Zonja Mëmë po dialogonte me dikë, dallohej shumë lehtë nga përshpëritja e saj në heshtje. Pëllumbi fluturoi nga supi i Zonjës Mëmë dhe qëndroi para të gjithëve. Mbesa e vogël e mori dhe po e mbante ndër duar. U kuptua që ajo po bashkëbisedonte me pëllumbin dhe ‘Rrënojën’. Njerëzit e saj e nuk ia prishën atë ritëm.
– Edhe kështu të shkatërruara ju keni bukurinë tuaj, – tha Zonja Mëmë. – Të paktën unë kam me cilin të bisedoj! Shoh me sytë e mi disa gurë në formën e një murishte të vjetër, si statujë antike të kohërave të vjetra që jetojnë bashkë me mua. Falenderoj Zotin që m’i ruajti dhe më dha mundësinë që sot të bashkëbisedoj me ju dhe me këtë pëllumb që ma ka dërguar Zoti. O ‘Rrënoja të gjalla’ që kemi shumë për t’i thënë njëra-tjetrës!
Pëllumbi u shkëput nga e mbesa dhe qëndroi mbi supet e së bijës. Zonja Mëmë iu drejtua të birit dhe i tha: – Rrofsh or bir! Në solle këtu! Kam shumë mall! Dua të çmallem! Se jam plakë dhe nuk di nëse do vij dot më, (nga sytë i morën udhën drejt zemrës disa pika loti). I biri shkoi te Zonja Mëmë dhe puthi, duke i thënë së ëmës: – Edhe ne kemi mall dhe dashuri për këtë truall! Zonja Mëmë mori portretin e Dashurisë dhe vazhdoi monologun e saj:
– Eh… Si qenka kështu kjo jetë!… Të hedh në ‘greminë, të ‘prangos’ me vetminë! Të torturon! Të provon sa duron! Deri ku dhimbja shkon! Plagët në trup vetëm ‘Dashuria’ t’i shëron! Jeta si ujëvarë rrjedh e vazhdon! Atë vetëm Zoti e di kur ajo ndalon! Gëzimi dhe Dhimbja kanë lindur binjakë bashkë me mua! Kemi ecur në rrugët e mistershme në këtë jetë.
Ato e shoqëronin Zonjën Mëmë, hipur në kalin e Shpresës, hequr për freri nga Maratonomaku i Besës. Zonja Mëmë ishte ‘Miss’ i Jetës! (Zonja Mëmë i kishte kaluar mbi 80 vite jetë)! U hodhi një vështrim njerëzve të saj dhe pastaj vazhdoi si e rënë në kllapi (çaste agonie) duke përshpëritur me vete:
– Ti ‘Rrënojë’ mban brenda gjithë brengat e mia që vazhdojnë të rrjedhin në arteriet e ndjenjave. Të mbledhura nga përrenjtë e ëndrrave për t’u derdhur në lumin e nëndheshëm të shpirti. Dhe të gjitha së bashku takohen në Detin e Zemrës për t’i dhënë kuptim jetës. Dhe zemra thotë: “Duro o njeri i duruar, se kjo jetë kështu është e shkruar! Armët më të forta për njeriun janë Falja dhe Durimi! Që jeta të ketë kuptim njeriu duhet të vuajë, të sakrifikojë për të arritur te Paqja dhe Lumturia! Mëkatarët i masakruan lulet! E prenë goxhamishin që ne mbollën ditën që u njohëm! E kanë sakatuar lisin që e mbollëm ditën që lindi djali ynë i dashur. (Hodhi sytë nga trungu i lisit, i prerë që kishte lëshuar filiza të reja). Ka shpëtuar ky ‘Trëndafil i plakur’, e mbollën kur lindi bija jonë e dashur ku sot kanë ndërtuar folenë pëllumbat e bardhë”! U çua në këmbë dhe e mbajtur për krahu nga mbesat dhe hyri në dhomën e pritjes. Të tjerët e ndiqnin nga pas. Dhe tha: – Kjo ka qenë dhoma e pritjes, (e rrënuar, vetëm një gur i parmakut të dritares kishte ruajtur konstruksionin e vet dhe e dallohej shumë lehtë se nuk ishte mbuluar nga dëbora). Kjo ishte dhoma e kuvendit të burrave. Këtu mblidheshin burrat më të mençur dhe më të zgjuar që merrnin vendime për çështjet më të rëndësishme për fatet e fshatit, zonës dhe Atmëmëdheut. Këtu janë strehuar me qindra martirë që u plagosën në luftë kundër nazi-fashistëve. Këtu janë marrë vendime për shmangien e vëllavrasjeve!
Në parmakun e dritares së ‘Rrënojës’ dallohej qartë një fole dallandysheje. Raufi iu afrua. Halla i tha:
– Mos e prish! Ato kanë vite që e kanë ndërtuar atë fole! Ato kthehen vit për vit në vendlindjen e tyre!
– Jo! – tha nipi – më duket sikur e ka ndërtuar njeri me dorë!
– Ato janë më ‘njerëzore’ se njeriu, – tha mbesa e madhe.
Zonja Mëmë hyri te kuzhina dhe vazhdoi: – Kjo është dhoma ku u kthye si mencë për të gjithë Martirët që luftonin për liri. Guzhinieri ishte nga Përmeti dhe qëndroi këtu nga viti 1939 deri në shtator 1944! Pajisjet e guzhinës i solli nga Italia. Guzhina ishte rrënuar sa nuk dalloje asnjë shenjë.
– Këtu ka qënë dhoma e gjumit! – tregoi dhomën tjetër që ishte mbuluar nga dëbora dhe dalloheshin tek-tuk pllaka mermeri të shtruara që vazhdonin të jepnin disi shkëlqimin e tyre, gërshetuar me shkëlqimin rrezeve të diellit mbi dëborë dhe reflektimin e pasqyrës së nusërisë që ‘ende nuk ishte thyer’. Këtu jeton dhe ‘Musandra e zemrës’ që mban të mbërthyer çiltërsinë, harmoninë, respektin, buzëqeshjet, përqafimet, tolerancën, mirëkuptimin, rrahjet e zemrës, ritmet e frymëmarrjes, tingujt e këngës, zërin e ëmbël, meloditë e shpirtit, përqafimet! Këtu është ‘Sënduku i ëndrrave’ dhe ‘Bahçes së shpresës’! A e kuptoni pse dua të vij këtu?! ‘Sundukun e ëndrrave’ po ua lë ju ta hapni! ‘Bahçen e shpresës’ po ua lë si amanet ta shijoni! Aty lulëzon Fisnikëria! Aty vazhdon të ‘përkundet në djep Dashuria’. Te ‘Bahçja e Shpresës’ dritat mbajne ndezur ‘Lirinë’! Lotët e syve që kishin marrë udhë për te zemra u mblodhën në ‘Liqeni blu’ ku i priste ‘Varka e dhimbjes’ për t’i grumbulluar në ‘Detin e durimit’, për të ushqyer ‘Limfën e jetës’!
Pastaj u ul përsëri në karrike në korridor. Hodhi vështrimin në oborrin e ‘Rrënojës’ që ishte mbuluar nga dëbora dhe që dukej qartë që nga korridori. Dhe tha: – I gjithë oborri i vilës (që ishte1500 metër katror) ka qenë i mbjellë me lule. Çdo vizitor, çdo martir i luftës, çdo mik e shok mahnitej nga bukuria e luleve. Shumëllojshmëria e tyre tërhoqi vëmendjen e italianëve dhe gjermanëve të cilët ishin dhe armiqtë tanë. Por nuk i prekën, nuk i prishën, nuk i shkatërruan! Në ndjenjën e humanizmit njerëzor në botë vetëm tek Lulet, Spitalet, Shkollat, Institucionet Fetare, mbi to nuk vihet dorë. U shërbente “Mbretëresha e luleve”, çamja Merifa, e cila u bë model dhe ngriti një farishte lulesh. Ato u prishën! U shkatërruan! U dogjën mbas viti 1944 nga dora makabre e ‘Mëkatarëve’ të epokës së ‘Zgërbenjve’. Rreth e qark mbollëm disa bajame si pemë që simbolizon ardhjen e Pranverës. Por dhe ato i kanë shkulur! Pastaj iu drejtua fëmijëve: – Vjehrrin dhe vjehrrën nuk i gjeta! Por erën e gonxhes së ‘Trëndafilit të fisnikërisë’ që mbollën ata e ndjeva që kur u njoha me babain tuaj.
I puthi të gjithë një e nga një, të birin, të bijën, dhëndrrin, nusen e djalit, mbesat dhe nipin. Të gjithë u përlotën. Nga korridori dalloheshin pëllumbat dhe zogjtë që qëndronin mbi ‘Trëndafiline plakur’ dhe mbi lisin e prerë që filiza kishte lëshuar! Shkëlqimi i diellit dhe bardhësia e borës së bashku me fluturimin e pëllumbave e bënin mahnitës këtë truall sot më 5 Shkurt 1998. U nisën për të bërë një vizitë te shtëpia ku është hapur shkolla e pare shqipe. Te ndërtesa dykatëshe ku është hapur shkolla i pritën të zotët e shtëpisë që janë nga I njëjti fis. Pinë kafe. Hynë te dhoma dhe vendosën nga një buqetë me lule. Edhe atë shtëpi e kishin rrënuar ‘Mëkatarët’, kishin shkatërruar çdo gjë, kishin prishur të gjitha reliket që ishin ruajtur me fanatizëm nga e shoqja e Korifeut, i biri, vëllezërit. I shkatërruan mbas vitit 1944.
U nisën për në Tiranë duke i parë pëllumbat që fluturonin sa tek ‘Mësonjëtorja e parë’, tek ‘Rrënoja’ e truallit…
Në bardhësinë e borës të asaj dite Shkurti, aty e ulur në atë karrike përpara njerëzve të saj të dashur asaj iu faneps një kronikë magjepsëse parasyve në formën e frekuencave të një filmi të pashfaqur. U shfaqën ditët më të lumtura të jetës së saj dhe që nuk i kishte ndarë me asnjeri. I mbante brenda zemrës për të shpërthyer si një vullkan dhe ajo ditë ku do të shpërthente vullkani i zemrës ishte pikërisht sot, në përvjetorin e atij, për t’ua rrëfyer njerëzve të saj të zemrës një të vërtetë të madhe që asnjë nga ta nuk e dinte. Nxorri nga gjiri një foto ku kishte dalë pikërisht atë ditë të madhe ku së bashku me të mbollën një trëndafil që fal Zotit u kishte rezistuar reprezaljeve ku vetë ajo e kishte pagëzuar me emrin ‘Trëndafili i plakur’ (mbas viteve 1990), por ai kishte mbetur i ri si atëhere. Duke hedhur vështrimin te fotografia dhe duke u kthyer në mënyrë retrospektive (edhe për moshën që ajo mbante mbi shpatulla) po meditonte, duke vënë në provë dhimbjen, lotët dhe kujtesën. Ajo u kishte treguar fëmijëve…
Ai kishte marrë rrugën përtej oqeanit dhe kishte ardhur këtu tek “Rrënoja” si pëllumb. U duk sikur ‘Zonja Mëmë’ ra në kllapi, (gjendje shoku). Por nuk ishte ashtu. Ajo në mënyrë të befasishme filloi monologun me vetveten, asaj i dukej sikur fliste me veten, por zëri i saj vinte te njerëzit e zemrës si ajo zilja e shkollës që mbledh nxënësit për fillimin e orës së mësimit. Zërin e saj e dëgjuan dhe pëllumbat që qëndronin mbi ‘Trëndafilin e plakur’ dhe zogjtë e dimrit që vazhdonin të çukitnin kokrrat e grurit që u kish hedhur Raufi te ‘Guri i Merifasë’. Edhe zogjtë dhe pëllumbat u mblodhën dhe po dëgjonin me endje zërin e ëmbël të Zonjës Mëmë: – Ato ditë të para të Qershorit 1937, pranvera sapo ia kishte lënë vendin stinës së verës. Por aroma e këndshme e luleve nuk ishte dorëzuar. Mbretëresha e luleve, çamja Merifa ishte përgatitur për martesën e luleve. Djali i Mallakastrës si një Trëndafil i bukur (me origjinë autokton shqiptar) martohej me vajzën e Dardanisë (me origjinë autoktone shqiptare nga Kosova). Zonja Mëmë meditonte se natyra dhe peisazhi i fshatit ku zbriti nuse ishte i ngjashëm me atë të vendlindjes së saj. Sheshi para Vilës (rrënojës) ishte shtruar me rrasa guri dhe oborri i rrethuar me kangjella. Ajo nisi t’u rrëfente për ato ditë të lumtura pikërisht sot në këtë ditë Shkurti kur ai kishte ardhur si pëllumb. Kishte sfiduar stuhitë e dimrit dhe qëndronte përballë saj në këtë përvjetor të 90-të të tij. Ajo e dinte që ai do të vinte ndaje erdhi te kjo Vilë. U kish rrëfyer fëmijëve, nipit, mbesave, miqve dhe shokëve, por jo kaq në imtësi sa do to rrëfehej sot. Kjo edhe për shkak të moshës dhe nuk donte të ikte nga kjo botë dhe të merrte me vete misteret e një dasme marramendëse. Ajo do të tregonte me imtësi çastet më të bukura të jetës së saj. Ku ata fëmijët, mbesat, nipi të portretizonin portretin e njeriut që çdo qënie njerëzore ua ka falur Zoti, babain dhe gjyshin. Ata nuk e kishin patur fatin ta shikonin. Ai ishte një ëngjëll që ua kishte vrarë ‘djalli’. Por shpirti i tij kurrë s’kishte gjetur qetësi. Ai i ndiqte çdo hap të jetës së tyre si një pëllumb që fluturonte i lirë mbi truallin e tij. Nuk ka mëkat më të madh për qënien njerëzore sesa t’i vrasësh ‘Ëngjëllin e shpirtit’. Dy zemra, dy sy, dy shpirtra duke vështruar njëri-tjetrin. Ajo kishte qenë nxënëse në institutin femëror ‘Nëna Mbretëresha’ dhe ai Major ne Gardën e Mbretërisë të Republikës. Por që fatkeqësisht ngjarjet në kohë rrodhën ndryshe. Ajo nuk u dorëzua. Qëndroi si heroinë përballë larvavetë ‘Murtajës së kuqe’, duke sakrifikuar jetën e saj si besnike e besës së saj bashkëshortore dhe fëmijëve të saj të shpirtit. Dhimbja iu bë shkëmb. Loti iu bë mjaltë për fëmijtë, mbesat dhe nipat. Dukej sikur po bashkëbisedonte më dikë në atë pejsazh dimri ku çdo gjë shkëlqente nga bardhësia e dëborës dhe rrezet e diellit ndrinin jo vetëm ‘Rrënojën’, por dhe gjithë pejsazhin e vendlindjes së tij.
Heshtje!
Ajo vazhdonte monologun pa zë. Të dukej sikur nuk e dëgjonte njeri. Po nuk është e vërtetë. Atë e dëgjonin të gjithë. E dëgjonte ‘Bahçja e ullinjve’ që kishte mbjellë vjehrra e saj Sabireja. E dëgjonte ‘Mësonjëtorja e parë’ që kishte hapur vjehrri i saj në vendlindje. E dëgjonte shpirti i Martirëve që ishin kthyer në pëllumba dhe ajo i kishte përballë. E dëgjonte Zoti që i dha forcën për t’i duruar të gjitha të zezat e mëkatarëve. I dha krenarinë për të qënë nënë, për të rritur dy yjet që do të vazhdonin ‘Akademinë e Fisnikëve’ të themeluar nga gjyshi dhe babai i tyre. Zoti u dha shpresën dhe besimin për të ardhmen. Ku motoja e pasardhësve në breza të mbetet: “Tek gjurmët e të parëve të çojnë kokën brezat e ardhshëm”. Kjo është trashëgimia. Dhe ajo nisi të rrëfehet: – Ajo ditë e dasmës nuk e di pse më shfaqet para syve çdo ditë. Edhe të dua ta largoj, ajo më afrohet më tepër duke më mbështjellë me fustanin e nusërisë dhe me aromë e luleve të asaj dite që ‘Mbretëresha e luleve’, çamja Merifa kishte përgatitura enkas për ne të dy. Dhe këtë dhomë gjumi e kishte zbukuruar me larmi ngjyrash të luleve që në kanë shoqëruar gjithë jetën. Dasma u bë këtu. Ishte e vetmja dasmë në ‘Ishullin e Vilës’. Ishte e vetmja dasmë që i dha gëzimin, dashurinë, magjepsjen kësaj vile dhe ku më vonë do t’i jepte cicërimat e dy zogjve të mrekullueshëm. (Falë Zotit sot i kam përballë meje. U ngrit dhe i puthi të bijën dhe të birin). Deri në Provincën B… nga Tirana erdhën me makinë. Për shkak të vështirësisë së rrugës erdhën e më morën me kuaj. Ishin 5 burra dhe ai. Në ballin e shalës së kuajve ishte stampuar Flamuri Kombëtar dhe lidhur në fre të kalit nga një shami e kuqe. Sheshi i Vilës ishte mbushur plot me njerëz, kishin ardhur të gjithë paria e Bejlerëve të Jugut. Dajot e tij nga Përmeti, shokë të vjetër nga Çamëria, Skrapari, Berati, Vlora, Kosova, Shkodra. Shokët e tij që kishte qenë studentë në Itali dhe ata të Gardës së Mbretërisë. Sazet i kishin prurë dajot nga Përmeti. U zbatuan të gjitha ritet zakonore të dasmës mallakastriote, na pritën me këngë dhe me valle. Te porta na priti një tufë pëllumbash dhe dallandyshesh, që më pas fluturuan mbi çatinë e Vilës. Sa erdha te porta, pa zbritur nga kali njëri nga dasmorët theu pagurin e rakisë në thundër të kalit. Njëri prej kushërinjve të tij zbrazi 2-3 herë pushkën për të dhënë haberin se mbërriti nusja e djalit të Hajredin Bej Fratarit. Sheshi gjëmonte nga sazet dhe këngët labe. Çdo familja në Bejar merrte pjesë në dasëm si dhe miq nga Mallakastra e Sipërme. Merrnin pjesë dhe ish nxënës të “Mësonjëtores së parë shqipe” të ftuar nga ai. Dhomat e miqve ishin bërë gati, përgatitjet për dasmën kishin një muaj para që kishin filluar. Në çdo dhomë të miqve ishte vendosur portreti i vjehrrit dhe vjehrrës. Edhe në dhomën e gjumit ishte vendosur portreti i tyre. Kur zbrita nga kali më uruan mirëseardhjen nënë Xhidaja, (xhexheja, nusja e xhaxhait), Hysen Agai (xhaxhai), Imam Veizi (hoxha) dhe dy vajza të vogla që na dhuruan buqetat me lule mua dhe atij të përgatitura nga ‘Mbretëresha e luleve’, Merifaja. Kopshti i luleve i jepte një bukuri të rrallë atij pejsazhi mahnitës. Nga porta e sheshit deri te porta e Vilës më shoqëroi Nënë Xhidaja së bashku me atë. Para nesh ecte imam Veizi veshur me mantelin karakteristik të hoxhës. Një grua para neshtë hidhte grurë duke bërë një rrugë në formën e rrugës së milingonave. Dy djem të rinj mbanin në duar nga një sini me karamele ku qirasnin të gjithë dasmorët që ishin në sheshin e Vilës. Dëgjoheshin urimet: “Të trashëgohet! Me jetë të lumtur çiftit”! Orkestra vazhdonte punën e saj. Ndërsa vallja dhe kënga kishin ‘pushtuar’ oborrin e Vilës, Xhidaja më thotë ngadalë: “Para portës së Vilës janë dy fëmijë që mbajnë njëri një pjatë me mjaltë e tjetri një qese me grurë dhe një legen me ujë. Do ta derdhësh legenin me ujë me këmbë dhe do të futësh gishtat tregues në pjatën me mjaltë dhe do të lyesh pragun dheparmakun e portës. Kujdes kur të hysh brenda, do të hedhësh këmbën e djathtë. Do të marrësh qesen me grurë dhe do të hedhësh grurë në korridorin e Vilës dhe në dhomën ku do të hysh brenda ku janë graria. Do të qëndrosh te karrika, nuk do të ulesh, por do të nusërosh deri sa të vijë një djalë i vogël 3-vjeçar. Do të përulesh për ta puthur. Djali do të ngrejë vellon, do të të zbulojë fytyrën. Do të ulesh në karrike dhe do ta mbash djalin në prehër. Mbaj mend këto që të thashë se kështu e ka ana jonë”! I regjistrova në mendje të gjitha ato që më tha Xhidaja. Te porta e Vilës, ai u shkëput nga unë dhe nis të takohej me të gjithë miqtë dhe shokët që kishin ardhur në dasmë. Ai ishte dhe zot shtëpie. Të gjithë e përqafonin dhe e uronin nga zemra: “Jetë të lumtur”! Në hyrje të portës veprova si më tha xhexheja. Derdha legenin me ujë, lyeva gishtat tregues me mjaltë, bëra pragun dhe parmakun e portës së Vilës. Mora qesen me grurë, hodha këmbën e djathtë kur hyra në portëdhe hodha grurë në korridor dhe në dhomën ku ishin graria. Po nusëroja. Hyri në dhomë imam Veizi dhe zbatoi ritet duke më uruar mirëserdhjen dhe jetë të lumtur në emër të Zotit. Imami doli nga dhoma dhe hyri një djalë i vogël 3 vjeç. Më solli një buqetë me lule të bukura. U përkula dhe e putha. Ai më ngriti vellon dhe më zbuloi fytyrën. U ula në karrike dhe e mora djalin në prehër. Gratë filluan këngën:
O ti moj kunata jonë!
Këtu ku të shkelën këmbët!
Këtu ty të rënçin dhëmbët!
Dhëmbët dhe dhëmballat!
Kockat dhe kokallat!
***
Sa e linte një grua këngën e merrte tjetra.
Ku të zuri sonte nata?
Moj kunatë qafë gjata!
Te kopshti me lule shumë!
Ku dhëndrri nuk fle gjumë!
***
Burrat u sistemuan. Po binte muzgu. U ndezën llambat të cilat ishin vendosur nga tre në secilën dhomë. Sheshi i Vilës ndrinte nga dritat e fenerëve që ishin vendosur në çdo cep të sheshit. Sazet vazhdonin. Nga dritarja e dhomës ku isha shikoja kombinimi e valleve shqiptare (mallakastriote), kosovare dhe çame. Kërceu dhe ai një valle pleqërishte së bashku në nipin e tij që e quanin Qamil Hamzo. Në dhomën e burrave dëgjohej kënga që i bënte jehonë kryengritjes së Rrapo Hekalit.
Del o lumi i Povlës-o!
Del ore, të dalim-o!
Të pjekur në Povël-o!
Të mëdhenjtë të vegjël-o!
***
Në dhomën e grave nisi kënga:
Ulu mal të dal Hëna!
Na ka ardhur një thëllëzë brenda!
Syri i saj si ulliri!
Djali jonë si floriri!
Një nga plakat e lagjes ia mori këngës:
Nënë Xhidaja t’u bëfsha unë!
Mësoje nusen për punë!
Mësoje për jashtë e brenda!
Se kështu na i do zemra!
Ia kthen përgjigjen nënë Xhidaja:
Hanko moj harrove fare!
E kemi nusen kosovare!
Ç’ia sheh syri ia bënë dora!
Do mësoj dhe vajzat tona
E kemi nusen nga Dardania!
Shiko si ndriçon shtëpia!
Pa shiko si qesh avllia!
Djali ynë s’ka të sharë!
E kemi xhevahir djalë!
Nga dhoma e burrave dëgjohej kënga dhe dollia. Dasma vazhdoi deri më të gdhirë. Rreth e qark Vilës fluturonin pëllumbat dhe dallandyshet…
U përmend sikur të ishte zgjuar nga një dremitje ose nga një endërr që të fut në labirinthet e veta. Bardhësia e dëborës shkëlqente nga rrezet e diellit. Megjithëse ishte Shkurt, dita ngjante si një ditë Maji. Të gjithë po ndiqnin në heshtje zërin e bukur dhe melodioze të saj. – Nuk është ftohtë! – tha. Nxorri nga gjiri një foto tjetër ku kishte dale me atë dhe me dy fëmijët e vegjël si dypëllumba. E vështroi foton me kërshëri, e puthi dhe iu drejtua të gjithëve:
– Përjetoj çaste lumturie në këtë foto. Nuk e harroj atë moment kur lindi vajza dhe ai më tha: “Zemra ime do i çojmë emrin e nënës sime Sabire”! U përlota dhe nuk e bëra fjalën dy. “Gjëja më e shtrenjtë në këtë botë është nëna”, më tha. Por kur ftuam në banketin e lindjes së vajzës Baba Salim Njazi Dedei, ai na u kthye dhe tha: “T’iu rrojë Sabireja dhe me fat”. Edhe kur lindi djali Raufi më tha: “Simboli im në jetë mbetet babai! Jam betuar! Ku ka çuar gjurmët im at, unë do të çojë kokën! Ndaj dhe emrin e djalit do t’i vendosim emrin e babait, Hajredin! Babai është udhërrëfyes për fëmijët. Prindërit mbetën të pavdekshëm. Ata janë të ‘prangosur’ në zemrën e fëmijëve”, më tha dhe më përqafoi. Ai përqafim ndrin si drita e diellit në shpirtin tim!
U ngrit dhe i puthi të gjithë. Edhe pëllumbin që erdhi i qëndroi mbi supe. – Do të shkojmë deri te “Mësonjëtorja e parë”. Të vendosim dhe atje një buqetë me lule. U nisën. Të shoqëruar nga tufa e pëllumbave që fluturonin mbi truallin e Vilës dhe shkuan drejt “Mësonjëtores së parë”.
MITI I SHEJTANIT, APO SHEJTANËT QË U BËNË MIT. EPOKA E ZGËRBENJVE
Kisha dëgjuar për ‘Mitin e Shejtanit’, por zanafillën e tij nuk e dija. Disa mikrolegjenda ishin mpleksur në trurin tim dhe ma kishin bërë mendjen lesh-arapi. Edhe sot më tingëllojnë si zile disa shprehje popullore që janë ngurtësuar dhe kanë marr trajtën e shprehjeve më të përdorshme nga njerëzit: “Ik more shejtan, me kë flet me atë shejtan, mos e beso se të gënjen ai shejtan, mo u merr me atë shejtanin e përroit, djalin e ke shejtan dhe nuk rri urtë në klasë, e ndau nusen ai shejtan, e kur u martua dhe ai shejtan, jepi një karamele atij shejtani, ku ka burra sot janë bërë të gjithë shejtanë, medet-medet ka ardhur koha e shejtait, kur bëhen shejtanët bashkë nuk lënë dy gur bashkë, janë bërë të gjithë shejtanë dhe kanë kapur të gjitha institucionet shtetërore, qeverisin shejtanët, po pse me shejtanin do të rrijë unë…”. Do të kisha vazhduar edhe më me këto shprehje mbi shejtanin, por ajo që më çudit është se asnjëherë nuk e kuptova etimologjinë e kësaj fjale. Diku në anektoda e përralla kisha hasur kuptimin e kësaj si dhe ç’ka më kish treguar gjyshja për ‘rrënjët’ e kësaj fjale që do të thotë ‘njeri i praptë, matrapaz, hajdut, injorant, idiot, kriminel, tradhëtar, maskara, sherrxhi, mashtrues, hileqar, servil, qylaxhi, kurvar, pra të gjitha veset më të këqia të njeriut. Pra sipas mendjes sime fjala shejtan është simbol i këtyre fjalëve të përdorura nga njeriut si simbol i veseve të këqia. At-mëmëdheu ynë nga këta shejtanë ka vuajtur dhe vuan dhe sot. Gjatë gjithë jetës më bren pyetje interesante: Kush i solli? Si mbinë në këtë truall? Po a do të zhduket shejtani? Po më mundon dhe pyetjet që më bënë nxënësit për origjinën dhe etimologjinë e emrit ‘Shejtan’. Po sipas disa mikromiteve, tashmë të kthyera në mikrolegjenda spjegimet nuk më dilnin dhe nuk i ktheva dot përgjigje nxënësve. Për të shuar kureshtjen vendosa të ftoj “Lisin e Moçëm” për një kafe se ai patjetër e di zanafillën e tij. Kështu bëra. E mora atë në telefon dhe i thashë për të pirë kafe te lokali buzë rrugës kombëtare ku zakonisht mblidheshin burrat për t’u llafosur. Telefonata ime e bëri kureshtar “Lisin e Moçëm”. U vesh me atë kostumin karakteristik, vuri në kokë një kapele beretë, mori ‘Shkopin magjik’ dhe doli nga shtëpia. Mbërriti buzë rrugës përballë lokalit ku po e prisja unë. Ai s’ para i ka qejf bisedat e kafeneve. E ftova për kafe. – Jo!- më tha – do ta pinë më vonë. Do të shkojmë atje! – dhe më tregoi me shkop ‘Ullirin e lashtë’. E kuptova. U nis. Unë e ndoqa nga pas. Ishte e Diel ora 16.00. Mbasditja e fundit e Majit të datës 31, kur ky muaj ishte bërë gati për t’i dorëzuar çelsat Qershorit. Ai do të ndodhej atje ku bëhej ceremonia protokollare e dhënies-marrjes në dorëzim të çelsave të muajve ndaj njëri-tjetri. Ishte krijuar një rit ku ceremony të tilla bëheshin në vendin e quajtur ‘Çezma e thatë’, afër rrugës kombëtare. Çezma e ndërtuar me mur guri 2 metër të larte, me sofate të ngritur 1 metër nga toka. Mbas ardhjes së ujët të pijshëm në fshat në vitin 2000, ajo çezmë ishte kthyer si ‘kuvend burrash’. Edhe ajo ka mikrolegjendën e saj. 5 metra më larg ishte ‘Ulliri i lashtë’. Në këto ceremoni ai do të ishte i pranishëm çdo fund muaj si dëshmitar i “Lisit të Moçëm”. Kisha dhe unë fatin të merrja pjesë në këtë ceremoni festive ku stina e Pranverës i dorëzonte çelsat stinës së Verës. Ndryshe çezmës i thoshin ‘Çezma e paqes’ dhe ‘Ulliri i paqes’. Si duket emërtimi i tyre kishte lidhje me legjendën e kuvendeve të Pleqësisë së fshatit kur kishte ndonjë mosmarrëveshje midisbashkëfshatarëve. Dhe me argëtimin e burrave ku atë shesh te ‘Ulliri i lashtë’ e përdornin si vend për të luajtur letra, domino, shah, hyç me nëntë (lloj loje me 9 gurë) etj. Burrat i kishin vënë dhe nofkën ‘Vendi i gallatave’ (humorit, batutave, shakave). Mbasi freskoheshin te çezma, ata uleshin tek ‘Ulliri i lashtë’ për të luajtur, për të bërë humor me njëri-tjetrin si dhe për të gjetur fjalën. E thënë më troç për të gjetur paqen me njëri-tjetrin sepse jemi vllezër, or të shkretën! Mbiemrin ‘e thatë’ nuk dihet kush ia kishte vënë çezmës dhe për çfarë arsyesh. Edhe ky hall ishte ‘mister’ më vete. Ndërsa mbiemrin ‘Paqe’ për shkak të arritjes së marrëveshjes nga ana e senatit të Pleqësisë në pajtim me njëri-tjetrin të bashkëfshatarëve. Ishin bërë të zakonshme kuvendet te sheshi i ‘Ullirit të lashtë’. Aty ishin përgatitur dhe ulset, (ndenjëse, shilte) të bëra me lëkurë dashi ku mbas kuvendit i çonin në çatallin e Ullirit. Kishte dhe disa tavolina të vogla, në formën e sofrës, të rrumbullakta që përdoreshin për lojra të ndryshme (edhe tavolinat viheshin te shalaqja në çatallin e ullirit). Dashur pa dashur ajo shalaqe përdorej si ‘magazinë’. Për t’u mbrojtur nga shiu i mbështillni tavolinat dhe ulëset me plasmas. Aty uleshin, bisedonin dhe luanin ata pak burra që kishin mbetur se të tjerët kishin ikur në kurbet. Mbas bisedës dhe lojës tavolinat dha ndenjëset vendoseshin te‘magazina’. Shesh i ‘Ullirit të lashtë’ dukej si sale parlamentare.
Shkuam te çezma. U freskuar. U ngjitëm te ‘Ulliri i Lashtë’. Morën ndenjëset dhe u ulëm.
– Ç’hall ke? – më pyeti “Lisi i Moçëm”.
– Më pyetën nxënësit për ‘Mitin e Shejtanit’ dhe nuk dija asgjë për t’u kthyer përgjigje, – i thashë.
– Ata nxënës që të kanë pyetur janë më shejtanë nga shejtani!- më tha duke qeshur. Pastaj ra pak në mendime dhe vazhdoi: – Eh! more bir!… Zoti e ka futur shejtanin në shishe dhe ai prapë ka dale dhe e ka bërë dynjanë paçavure (rrëmujë). Atmëmëdheu nga këta shejtanë ka vuajtur dhe i ka paguar të gjitha kusuret. Këta quhen ndryshe dhe jezitë, të mallkuarit e Perëndisë. E kanë mendjen vetëm për punë të mbrapshta, – më tha.
– Po si kanë ardhur këta në jetën njerëzore?- e pyeta.
– Miti i Shejtanit lidhet me qëniet inferiorë, ndofta e ka burimin edhe me alienët e sotëm të cilave njerëzit nuk u jepin dot shpjegime por nisën të hamendësojnë. Shejtani ka si simbol njerëzit e “prapë”, por modifikohet si të gjitha llojet e kafshëve dhe qeniet njerëzore përballë vetvetes dhe me njëri-tjetrin. Pra tregon një luftë të njeriut për te sfiduar vështirësitë e jetës. Miti është kompleks duke u kthyer në legjenda interesante. Origjina e tyre është e hershme deri në lashtësi. Duke mos u dhënë dot shpjegim veprimeve marramendëse të tyre, njerëzit filluan të mendonin se këto janë qënie inferiore të krijuara nga Zoti për të mbajtur në ankth dhe tension qënien njerëzore. Duke i kallur tmerr, frikë, njeriut nga këta ‘Alienë’. Ata shfaqeshin në forma të ndryshme kafshësh, qëniesh njerëzish të cilët ndryshonin dhe shfaqeshin në çdo moment. Njeriu i pagëzoi me emrin ‘Shejtan’. Vendlindja e tyre është ‘Shkiau’. Nga ai u përhapën në të gjithë Ballkanin. Edhe në At-mëmëdheun tonë që andej kanë ardhur. Është një mit i veçantë që tashmë është kthyer në legjendë, të cilën unë po e tregoj. Tek ne vjen në disa variante, të cilat ashtu si i kam dëgjuar po i tregoj. Titullohet “Pashai dhe shejtani”. Ai që u bë sebep që i pranoi në sarajet e veta dhe i shpërndau në gjithë At-mëmëdheun.
– Si? – i thashë – kanë jetuar bashkë me pashallarët?
– Po, po! – më tha. – Ata jetojnë dhe do të jetojnë në jetën tonë të përditshme!
Po e vështroja me habi. Ai vazhdoi: – Në Pashallëk u përhap nami se në Çifliku e Pashallëkut janë pare disa malukatë (qënie dhe kafshë njerëzore) të shpifur nga pamja fizike dhe që nuk linin “dy gurë bashkë”, pra bënin shumë prapësira si në qytet ashtu dhe në fshat. Pashai urdhëroi suitën e vet t’i kapin dhe t’i sillnin në Pallatin e Pashallëkut. Ai dha urdhër se i donte të gjallë. Kështu një numër i madh jeniçerësh të suitës së tij u hipën kuajve, morën shpatat dhe u nisën për t’i kapur. Vendodhja e shejtanëve ishin shpellat, përrenjë ku i kishin dhe si vend qëndrimi. Mileti u thoshte palaço ose ‘shejtani i përroit’, ndërsa të moshuarit u vunë nofkën ‘Qoftëlargu’. Suita e jeniçerëve i ndoqi këmba-këmbës. I nxorri nga përroi. Ata vrapuan për të mos rënë në duart e jeniçerëve, por përpara u doli një arë me grurë. ‘Qoftlargu’, udhëheqësi i tyre u thotë shokëve: “Qëndroni mos lëvizni”! Suita e jeniçerëve u çudit. I rrethuan. Suitës së jeniçerëve u bëri përshtypje qëndresa e shejtanëve. I lidhën dhe i çuan te Pashai. Suita i tregoi historinë Pashait. Para Pashait ata u paraqitën si njerëz të veshur me kostum të kollarisur që të jepnin pamjen e një ‘intelektuali’, si i thonë fjalës burra shteti dhe me kulture. Formën e tyre, portretin fizik e ndryshonin sipas situatave (qejfit) në çdo moment. Herë bëheshin njerëz, herë kafshë, herë shpendë, herë zvarranikë dhe hera-herës si kafshë të egra. Këto qënie po çudisnin racën njerëzore. Pashai kishtesiguruar informacion të plotë nga agjentët e vet të Policisë së Fshehtë se ata ishin qënie inferiore të çuditshme. Prandaj vendosi të zbuste tonet e bisedësme ta duke kërkuar të moseë ashpërsojë gjuhën e të molloisurit me ta duke u nisur nga motoja: “Një dorë që s’mundet puthet”! Pashai i pyeti: – Pse qëndruat përpara arës me grurë dhe nuk ikët me vrap? Qoftlargu i tha: – Vetëm me bukën e gojës nuk bëjmë shaka! E kemi porosi nga naltmadhëria jonë që “Buka nuk shkelet”! Vetëm buka e gojës na zë sytë. Me të nuk ka shaka! Prandaj për të mos e shkelur atë qëndruam. Ke dëgjuar kur njerëzit betohen për bukën dhe për Zotin”! Dhe shtoi: – Më mirë shkojmë llafosemi me burrat e Pashallëkut se sa me bekshinjtë (rojet) e Pashallëkut! Ja ku na ke! Ç’ke për të thënë thuaje! Ne jemi burra dhe gra që vdesim vetëm njëherë dhe vdesim në këmbë!
– Pse edhe ju Pashallëk jeni atje ku keni lindur? – i pyeti Pashai.
– Sipas molloisjes që bëre zotrote paskemi tipare të njëjta! – i tha ai, Qoftlargut.
– Pashallëk e kaluar Pashallëkut. Edhe ne kemi parimet tona demokratike! Gjithë jetën luftojmë për demokraci! Ky është misioni ynë! Prandaj kemi ardhur në planetin e Tokës! Ne udhëhiqemi nga motoja: “Prapa rrëmujë e përpara lëmsh” deri sa ta ndreqim ose ta prishim këtë jallane!- i tha Qoftëlargu Pashait.
– U kuptova !- tha Pashai. U mendua pak dhe vazhdoi dialogun me ta: – A bëjmë një marrëveshje bashkë?
Shejtanët panë njëri-tjetrin në sy dhe ia bënë me kokë Qoftëlargut.
– Çfarë marrëveshje? – i tha Kryeshejtani.
– Ju të punoni në administratën time si një ekip ekselencë! – u tha Pashai.
– Dakort! – u përgjigjën në grup e njëzëri shejtanët.
Pashai lëshoi fermanin ku të njoftohej Kabineti i Pashallëkut për arritjen e kësaj marrëveshje ku të shtrohej një darkë historike për nder të arritjes së saj. Dhe banorët e Pashallëkut të mos kishin më frikë nga këta shejtanë! Të shkonin dhe të punonin në çiflik pa frikë. Për ta rron Pashai i cili është garant për jetën e tyre. Porositi juristët e Pashallëkut të përpilonin Draftin e Marrëveshjes. Të mblidhej senati i kryepleqëve, ku çdo gjë të bëhej me shkresa! Dhe tha me vete “tani do të hanë me lugë të florinjtë! Pashallëku ynë ka nevojë për ekspertë mendjesh! Dhe këta na i dërgoi peshqesh Allahu! Paskemi lindur me këmishë (fat)”! Shejtanët kishin prurë ‘Çekun e bardhë’ me vete ku të gjithë njerëzit, banorë të Pashallëkut do t’i thoshin “ik pirdhu fukurallëkut”, – përfundoi “Lisi i Moçëm”.
– Po pastaj ç’ndodhi me ta? – e pyeta ‘Lisin e Moçëm’.
Ai vazhdoi: – Mbas firmosjes së marrëveshjes nga të dy palët (për shejtanët firmosi Byroja Politike e Shejtanëve, ndërsa për Pashallëkun Byroja e Pleqësisë). U shtrua një darkë e madhe e pa parë në sarajet e Pashallëkut. Të nesërmen shejtanët filluan punë në institucionet më kyçe të Pashallëkut. Pra Pashai ishte formalisht për Pashallëkun. Administrata u zvëndësua nga shejtanët. Pashai nuk mbante përgjegjësi për prapësitë e shejtanit. Përgjegjësia ishte individuale, mjafton që Pashait uji t’i shkonte në mullirin e tij.
– Po kishin shkollë këta shejtanë për të drejtuar kësisoj institucione? – e pyeta.
Qeshi dhe më tha: – Kishin shkollën e ‘përrenjëve’, të të paudhëve, të injorancës, të marifeteve, të intrigave, të gënjeshtrës, të cmirës, të zilisë, të hakmarrjes, të servilit, të urrejtjes, të marifetit, të korrupsionit, të vrasjes! – më tha duke i rënë trungut të ‘Ullirit të Lashtë’ me shkop sikur ulliri të ishte fajtor për ardhjen e tyre dhe për gjëmat e mëdha që ata bënin.
– Po më vonë si vajti fati i Pashallëkut? – e pieta duke e vështruar në sy.
Hoqi në zemër dhe m’u drejtua: – Ja pasojat e tyre po i vuajmë ne sot. Pashallëkun e coptuan, ndezën luftën dhe vëllavrasjen mes vëllezërve. Duke u udhëhequr nga motoja “Armiku më i madh i yti është vëllai yt”! Ke shkuar ndonjëherë te dentisti të heqësh dhëmballën dhe ai të lë rrënjët pa shkulur! – më tha “Lisi i Moçëm”. Ja kështu janë dhe rrënjët e Shejtanit, të cilave i ka At-mëmëdheu. Paudhësitë e shejtanit janë të shumta. Tradita e tyre vazhdon. Besoj se i ke dëgjuar historitë makabre, rrëngjethëse, me qindra raste ku vëllai vret vëllain për një arë, për një ledh, për një kufi. Ku janë shuar dhe mbyllur shumë dyer shtëpish. Evlati vë dorë mbi nënën dhe mbi babanë e vet. Ku prindërit vë dorë mbi fëmijën e tij. Tani ligjet e pashkruara nuk gjejnë zbatim dhe këta shejtanë i kanë mbytur në det. Ku familja ka marrë tatëpjetën, ku të rinjët po ikin në kurbet, ku fshatrat dhe qytetet po mbeten shkretë. At-mëmëdheu (Shqipëria-Kosova-Çamëria) i lutet Zotit për zhdukjen e Shejtanit, Lanetit, Qoftëlargut, Malukatit, Palaços, Të paudhit…
I zoti i lokalit na solli kafen e mbasdite dhe raki te sofatin i ‘Çezmës së thatë’. U ngritën dhe shkuam atje. I zoti i lokalit ishte një babaxhan burrë me humor të lezetshëm. Uruan njëri-tjetrin. Pimë kafen. Falenderuam të zotin e lokalit. U ngritën dhe shkuam te vendi. I zoti i lokalit iku te kafeneja e tij. “Lisi i Moçëm” vazhdoi: – Edhe kjo çezmë ka disa mikrolegjenda që kanë lidhje me shejtanin. Po t’i tregoj më tepër për të shuar kureshtjen tënde.
Po e dëgjoja me vëmendje. Ai vazhdoi: – Kjo çezmë ka parë me sytë e saj me mijëra mëkate të bëra nga shejtanët gjatë gjithë rrjedhës së historisë së saj. Ajo është aq e vjetër sa është autoktonia e tokës së saj ku ajo rrjedh së bashku me bëmat, heroizmat, trimëritë e Martirëve, të cilët kanë pirë ujë tek ky burim. Çezma ka pritur me qindra kuçedra që nuk e kanë mbyllur dot. Sa breza ka ushqyer ajo me ujë e saj nuk dihet nëse eshtë me e vjetër se ‘Ulliri i lashtë’ apo kanë lindur një ditë. Legjenda flet se ajo është më e hershme. Martirët janë përplasur me shejtanët sa herë ata kanë dashur ta prishim atë. Levendët që kanë luftuar me armë gjatë gjithë rrjedhës së historisë në dorë kanë pirë ujë te kjo çezmë. Kalimtarë, udhëtarë të vendit dhe të huaj janë freskuar dhe kanë pirë ujë aty. Ajo ka pritur dhe pushtues të ndryshëm duke u shuar etjen nga vapa e Korrikut e Gushtit gjatë luftrave të zhvilluar në këto troje. Këtu kanë pirë ujë pëllumbat, bilbilat, zogjtë e natyrës që fluturonin dhe i jepnin jetë këtij trualli. Këtu shuanin etjen edhe kuajt e luftëtarëve, që të kur ktheheshin në darkë nga ugaret këtu gjejnë çlodhje e tyre.
– Po si ka mundësi që ndodhitë bashkëjetojnë me shejtanët? – e pyeta.
U mendua pak dhe nisi të flas: – Kur njeriu del nga binarët e qënies njerëzore e ka të vështirë të kontrollojë veten. Ai kthehet më një kafshë më të çuditshme nga shejtanët duke harruar çdo vlerë njerëzore të bekuar nga Zoti. Ndofta kjo si një mallkim nga Zoti dhe kjo bëhet kur mungon shkolla e Fisnikërisë, dija, kultura dhe familja. Kur njeriu e tejkalon cakun e kulturës njerëzore dhe bie në cakun e kulturës së kafshëve të egra. Por shejtanët kanë bërë mëkate të mëdha. Gjatë Luftës së Dytë Botërore disa prej shejtanëve i kanë hedhur kufomat e ushtarëve të vrarë në një vend të quajtur ‘Vrima e lakuriqëve” ku pjesët e trupit të tyre kanë dala në një lum të quajtur “Osa”. Këtu te kjo çezmë kanë pirë ujë Birbilenjtë, të cilët kënduan dhe luftuan për At-mëmëdheun.E shikon këtë! – më tha. Nxorri nga gjoksi një fotografi. Vura re se nga sytë i rridhnin lotët: – Është fotografia e Bilbilit, Martirit dhe Nacionalistit Idriz Dano Hodaj nga Drizari i Mallakastrës, i cili u vra në mënyrë makabre nga shejtanët, qoftlargu. Ia prenë kokën dhe ia ngulën në hurin e një gardhi. Kufomën e hoqën zvarrë nëpër rrugët e fshatit Kalivaç (Tepelenë) vetëm e vetëm për të për të tmerruar njerëzit.
– Por çfarë kish bër ky “Rob i Zotit”, Idriz Danua? – e pyeta.
Fshiu lotët me shami dhe m’u drejtua sikur donte të nxirrte një duf, në formën e një mllefi, urrejtjeje ndaj mëkatarëve: – Kish luftuar kundër italianëve, ish kryetar i çetës së fshatit kundër pushtuesve, pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, bashkëluftëtar me Ismail Qemalin, Hajredin Fratarin etj. Pjesëmarrës në të gjitha kuvendet e burrave kur bëhej fjalë për organizimin e luftës kundër Italisë fashiste në vitet 1939-1943 dhe për të ruajtur nga vëllavrasja midis banorëve të trevës së Fratarit. Kish mundësuar hapjen e shkollës 7-vjeçare të trevës së Fratarit me qendër në lokalitet e në vitin 1934 ndërtoi dhe godinën e shkollës me shpenzimet e veta në Symizë, Mallakastër! Mbas Luftës së Dytë Botërore ata vranë Martirët, duke mos i varrosur. Disa martirë u nxorrën nga varret, eshtrat ua hodhën nëpër lumenj, gremina duke përdorur skenat më të tmerrshme që kishte ndodhur gjatë gjithë rrjedhjes së historisë së Atmëmëdheut si në Shqipëri, Kosovë dhe Çamëri. Kjo çezmë dhe ky ulli janë dëshmimtarë të të gjitha akteve të parrëfyera të vampirëve me emrin shejtan. Te çezma e thatë për të freskuar sytë në atë mbasdite të 31 Majit mbërritën ata pak burra që jetonin në fshat. Pasi u freskuar u ngjitën te sheshi i “Ullirit të lashtë” si për të vazhduar traditën për të luajtur domino ose letra, i cili ishte bërë ritual i përditshëm bashkë me humorin. Në rast shiu këtë ritual ata e vazhdonin në lokalin buzë xhadesë. Por darka e 31 Majit bëhej edhe më e çuditshme ku zhvillohej loja e ndërrimeve të muajve ecila ishte bërë ritual i përmuajshëm nga fëmijët se të rinj nuk kishin mbetur më në fshat. Fëmjët ndaheshin në dy grupe, të paraqitur me veshje karakteristike për çdo muaj në formën e karnavaleve. Vendiishte ‘Çezma e thatë’ dhe ‘Ulliri i lashtë’. Fëmijët nëpërmjet lojës së tyre përcillnin mesazhet e Paqes, Dashurisë, Mirëkuptimit, Sinqeritetit, Harmonisë miidis njerëzve. Këto mesazhe realizoheshin me marrëveshje në lojën e fëmijëve në prani dhe të të rriturve. Pra sheshi i ‘Ullirit të lashtë’ dhe sofistët ktheheshin si një amfiteatër gjigant ku pëllumbat vazhdonin të fluturonin mbi truall nga “Mësonjëtorja e parë” te “Tempulli i Kalamatrëngut”, te “Çezma e thatë”, “Ulliri i Lashtë” tek “Rrënoja” dhe në të gjithë trevën e tyre të dashur.
U ndava me “Lisin e Moçëm” e i thamë njëritjetrit natën e mirë. E përcolla atë deri te shtëpia. Të nesërmen në shkollë u shpjegova nxënësve simbolikën e fjalës shejtani, qoftlargu, malukati, palaço, sinonime të njëri-tjetrit. Të gjithë simbolizojnë njeriun keqbërës. Nga dritarja e gjimnazit të shkollës së mesme “Hajredin Fratarit” vështroja pëllumbat që fluturonin mbi truall.
FUNDI QË MË BËN FISNIK
Kur Zot krijoi Lis-Mëmëdheun i dha atij natyrën e bukur përrallore dhe një koshere me bletë që ajo të gumëzhinte dhe të shtohej pa i hyrë dikujt në pjesë me emrin Arbëri. Lis-Mëmëdheu hodhi rrënjë dhe nisi të forcohet, të lulëzojë. Ajo epokë u quajt “Epoka e Skënderbeut” dhe është epoka më e ndritur në jetën e Lis-Mëmëdheut. Por!… Zgërbenjtë e huaj e pushtuan për 500 vjet. Deri sa zgërbelli turk ‘theu qafën’. Dhe Bletët e Lis-Mëmëdheut të shpërndara nëpër botë u mblodhën dhe riformuan Kosheren e Bletës më 28 Nëntor 1912 në Vlorën heroike me emrin Shqipëri. Zgërbenjtë e huaj, në bashkëpunim me ata vendas, në vitin e mbrapshtë 1913 e coptuan, e grabitën, e gërryen, e ‘vranë’ Lis-Mëmëdheun sipas interesave të tyre. Pra kanë kaluar 112 vjet nga ajo kohë. Shumë bletë të Lis-Mëmëdheut sakrifikuan dhe jetën në mbrojtje të ‘Kosheres’. Nëpërmjet përpjekjeve dhe sakrificave Lis-Mëmëdheu ashtu i copëtuar arriti të mbijetojë. Mbas vitit 1944 lindi një shpresë për popullin se Bletët e shpërndara të Lis-Mëmëdheut do të mblidheshin në Koshere. Por ç’ndodhi? Kosherja e Lis-Mëmëdheut u mbush me ‘Zgërbenj’ në ortakëri me grerëzat dhe merimangat. Dhe filluan t’i helmojnë bletët dhe mizat e tyre një nga një edhe veten e tyre kushdo që dilte jashtë urdhërit të Mbretit ZgërbellEnver Hoxhës në ‘Emër të Popullit’. Sa ‘populli’ u bë shumë i neveritshëm edhe tek vetvetja për ‘gradën shkencore’ që i kish dhënë ‘Mbreti Zgërbell’ për helmimin e Bletëve në ‘Emër të Popullit’, sipas spiunimit të grenxave dhe merimangave. Në vitet 1990 lindi një shpresë se Bletët do të mblidheshin në Koshere. Këtë radhë Zgërbenjtë, në emër të Demokracisë, u majmën më tepër dhe bletëve nuk u mbeti gjë tjetër vetëm se të shpërndaheshin nëpër botë. Në koshere janë përsëri Zgërbenjtë. Zogjët po ikin një e nga një. Dallandyshet nuk kthehen më. Këtu kanë mbetur vetëm ‘poplat’, natyra dhe bukuria e Lis-Mëmëdheut. Por kur do ua kthejnë Zgërbenjtë kosheren Bletëve?! Kësaj pyetjeje akoma nuk po i vjen përgjigja. Nuk dihet sesa do të duhet të presim, por Familja Fratari me birin e saj më të madh, Dëshmorin e Pavarësisë, Heroin e Kombit, Hajredin Rakip Fratari, atij që edhe hapi të parën shkolle shqipe në Mallakastër, bashkëshortes, zonjës së madhe dhe të mençur Sabrete, Vila, trashëgimtarit të tyre Majorit Rauf Hajredin Fratari, Pishtar i Demokracisë, nacionalist dhe luftëtar antikomunist deri në fund të jetës, gruas së tij të bukurës, të vuajturës dhe të diturës Ganimete Gjilani Fratari si dhe pasardhësve të tyre Sabire Fratari Halili dhe Hajredin Rauf Fratari… trashëgimtarët e tyre do u mbeten brezave si një model i përkryer i qëndresës, forcës së karakterit, dashurisë për njerëzit, thjeshtësisë, bujarisë, diturisë, por mbi të gjitha atdhedashurisë dhe fisnikërisë. Ata i falën atdheut dijen, pasurinë, rininë, dashurinë dhe në fund i dhuruan edhe jetën, atë që ikën dhe nuk të vjen më. Ata, sikur edhe shumë familje të tjera nga të gjitha anët e At-mëmëdheut krijuan pa kuptuar shkollën më të madhe të jetës, Akademinë e Fisnikëve!