Albspirit

Media/News/Publishing

Ivica Petroviq: Serbia e Vuçiq nën lupën e NATO-s

Protesta në Serbi, tensione në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë: përse Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq biseduan për herë të dytë brenda vetëm pesëmbëdhjetë ditësh?

Protestat në Serbi, por edhe ngjarjet në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë, megjithatë tërhoqën vëmendjen e politikës ndërkombëtare. Pas shpërfilljes disamujore të rebelimit studentëve dhe qytetarëve, disa politikanë perëndimorë, ndër të tjera, shprehën mbështetjen e tyre për integritetin territorial të Bosnjës e Hercegovinës, por bënë edhe komente të kujdesshme për valën e pakënaqësive në rrugët e Serbisë. Duket se deridiku është bërë e qartë se mbështetja për stabilokracinë e Aleksandër Vuçiqit nuk është garanci e madhe për stabilitetin rajonal dhe se takimet e drejtpërdrejta të disa zyrtarëve ndërkombëtarë me Presidentin e Serbisë po bëhen më të shpeshta.

Serbia – faktor jostabiliteti

Detajet e këtyre takimeve kryesisht nuk i janë bërë publike, përveç frazave të zakonshme për gatishmërinë për përmirësimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e paqes. Por, gjithsesi është interesant fakti që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Marko Rutte, është takuar me Aleksandar Vuçiqin dy herë brenda vetëm pak javësh. Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike tha për DW se kjo është një shenjë e sigurt se temë kryesore e takimit është Serbia: “Kjo tregon se Serbia është në prag të një rreziku të madh të sigurisë dhe se sjellja e autoriteteve serbe i kontribuon këtij procesi, gjë që e ka tërhequr vëmendjen e NATO-s, me që Serbia ka edhe rëndësi rajonale. Me gjasë, temë do të etë edhe përdorimi/mospërdorimi i armëve zanore dhe që pushteti të bëjë gjithçka që të shmanget konflikti i armatposur me qytetarët. Më duket se është veçanërisht i rëndësishëm paralajmërimi që të vihen nën kontroll forcat paraushtarakëve dhe parapolicore, të cilat janë të lidhura ngushtë me krimin e organizuar dhe me biznesin e drogës”, thotë Janjiq. Në këtë kontekst, bashkëbiseduesi ynë veçon faktin se, gjatë bisedës së mëparshme me Vuçiqin, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka tërhequr vëmendjen në zgjidhjen e çështjes së Banjskës: “Ky nuk është vetëm detyrim ndërkombëtar i Serbisë. Duhet të bëhet çarmatosja dhe vënia nën kontroll e të ashtuquajturës ‘Mbrojtje Civile’, e cila u aktivizua edhe gjatë protestës së 15 marsit. Duhet të çmontohet struktura drejtuese saj, e cila gjendet në Serbi”, thotë Janjiq.

Paralajmërimi diplomatik për Vuçiqin

Aleksandar Vuçiq, i cili ka folur në Bruksel, ka thënë se me Marko Rutten ka biseduar për sjelljen e KFOR-it dhe të NATO-s në Kosovë, por edhe për situatën në Bosnjë e Hercegovinë. Përsa i përket situatës së tensionuar në Bosnje e Hercegovinë, Dushan Janjiq beson se Vuçiq ka marrë një “paralajmërim diplomatik se koha ka mbaruar dhe se nuk ka më vend për të ashtuquajturat lojëra të dyfishta dhe të trefishta të mbështetjes ose mosmbështetjes së Milorad Dodikut. Gjithashtu, është një paralajmërim – gjë që është kompeterncë e Ruttes – që të mos ndodhë edhe atje diçka si ajo që ka ndodhur në Banjskë. Serbia duhet të dëshmojë se ka qëndrime të qarta politike dhe ndoshta edhe më shumë se kaq, të dëshmojë se ka mekanizma efektivë të sigurisë për të reduktuar rreziqet”, thekson Janjiq. Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cilësuar si “konstruktiv” takimin me Vuçiqin në Bruksel dhe ka treguar se në takim është diskutuar për hapat konkretë të Serbisë në rrugëtimin drejt BE-së dhe për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ajo ka theksuar gjithashtu “rëndësinë e shoqërisë civile dhe mediave të pavarura në këtë proces”. Një formulim i tillë sigurisht nuk do të pritet me entuziazëm nga opinioni në Serbi, siç nuk janë pritur as deklaratat e përmbajtura të mëparshme të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për regjimin e Aleksandër Vuçiqit. Me shumë gjasa, kjo vetëmsa do ta thellojë më shumë mosbesimin ndaj BE-së në Serbi.

Besimi i humbur

Megjithatë, Dushan Janjiq tërheq vërejtjen se “para së gjithash, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte në shënjestë të kritikave për shkak të deklaratave të Marta Kos. Kemi parë shprehje mirënjohjeje për ata që gjoja e kanë mbrojtur sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, kurse tani të gjithë e dimë se ata në të vërtetë kryen një sulm ndaj qytetarëve”, vëren Janjiq./dw

Please follow and like us: