Jamie Shea e quan inkurajues bashkëpunimin ushtarak Kosovë – Shqipëri – Kroaci
Prishtinë, 22 mars 2025 – Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, e ka quajtur inkurajuese deklaratën për bashkëpunim ushtarak mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila u nënshkrua në Tiranë, më 18 mars.
Ai ka thënë se marrëveshja e nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të të tri shteteve nuk është drejtuar kundër Serbisë.
“Të tria vendet e kanë bërë të qartë se marrëveshja e tyre e mbrojtjes nuk është e drejtuar kundër Beogradit, por është krijuar për të rritur bashkëpunimin mes tyre. Është domethënëse që vendet e tjera në rajon kanë treguar shpejt një interes për t’iu bashkuar marrëveshjes trepalëshe. Është inkurajuese që vendet e rajonit po marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe e bëjnë këtë duke ndihmuar njëri-tjetrin”, ka thënë Shea për Televizionin publik të Kosovës, RTK.
Shea ka thënë se është domethënëse që edhe vende të tjera të rajonit kanë shprehur interes për t`iu bashkuar kësaj marrëveshjeje.
Beogradi ka reaguar ashpër kundër nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë – Shqipëri – Kroaci, duke e cilësuar atë si provokim pët Serbinë. Autoritetet serbe i ka penguar sidomos fakti se Shqipëria dhe Kroacia e konsiderojnë Kosovën si faktor të barabartë në fushën e mbrojtjes dhe se Shqipëria dhe Kroacia nuk e kanë konsultuar fare Serbinë për nismën e tyre.
Ministria e Jashtme e Serbisë u ka kërkuar shpjegime të detajuara të marrëveshjes ministrive homologe të Shqipërisë dhe Kroacisë. Por, ministrat e mbrojtjes së të tri vendeve kanë thënë se marrëveshja nuk është kundër askujt.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kanë thënë se Beogradi s’ka përse konsultohet për marrëveshjet e bashkëpunimit me vendet e rajonit apo me cilindo vend apo cilëndo organizatë qoftë.
“Kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë kohët kur Serbia pyetet për çkado qoftë. Ne jemi shtet sovran, i pavarur, vendimet i marrim vetë në përputhje me interesat tona dhe me synimin paqen dhe stabilitetin në rajon, synim që rrezikohet vetëm nga Serbia, askush tjetër”, ka th՞në Presidentja Osmani të premten.