Lawrence Alma-Tadema – “Trëndafilat e Heliogabalusit”, 1888
Senad Guraziu – Ars Poetica, Mars 2025
Zor t’ketë vrasje më të “butë” dhe më të parfumosur sesa me petale lulesh. Dhe padyshim lulet janë diç si dhuratë hyjnore – ashtu ia themi, sikur ashtu besojmë. Nëse dashuria “dhuratë hyjnore”, atëherë pse t’mos jenë dhe lulet, sikur ashtu e angazhojmë logjikën : ) Tekefundit mitologjia na thotë se lulet qenë zbutur e zbukuruar falë poetit të lashtë, Orfeut. Falë Orfeut lulet qenë pajisur me aromat, me ngjyrësinë, me bukurinë, me laryshinë, me ëmbëlsinë… falë zërit të ëmbël të tij.
Sipas mitologjisë Orfeut ia kemi borxh shumçka – me ta dëgjuar këngëtimin e tij elegjiak, pothuaj gjithçka e florës dhe faunës qe zbutur e përkulur atëbotë. Elegjitë e tij (me rastin e vdekjes së të dashurës, gruas Euridika) ishin tepër drithëruese, gjithçka e gjallë qe zbutur, e edhe lulet qenë bërë lule, qenë bërë mrekullia vetë… këto lulet që na mahnisin.
Mirëpo imagjino të të vrasin me lule, të të ngulfasin, të ta zënë frymën me petalet e trëndafilave… dhe atë pasi t’kanë ftuar në festën më marramendëse që ke përjetuar në jetën tënde, pasi t’i kesh ngopur me epshe e me qejfe, pasi t’jesh kënaqur deri në limit.
Jashtëzakonisht ide “origjinale” dhe vrastare, vrasje më të “butë” dhe më të parfumosur sesa me petale lulesh, thjesht s’do kujtohej kush ashtu, përveç perandorëve të Romës. Dhe atë ndoshta jo të gjithë, s’duhet harruar as ky “detaj”, bie fjala Nero s’do dinte ashtu, s’pati qenë origjinal me asgjë, s’qe kujtuar as Kaligula… askush, përveç perandorit Heliogabalus : )
Në pikturën “Trëndafilat e Heliogabalusit”, artisti britaniko-holandez Alma-Tadema e paraqet njërin nga momentet më famëkeqe në jetën e perandorit Heliogabalus. Sipas burimit origjinal, “Historia Augusta”, perandori Heliogabalus i pati përdorur manushaqet dhe lule të tjera për t’i mbytur mysafirët e vet.
Mirëpo piktori Alma-Tadema i përdor trëndafilat si metodë vrastare të perandorit – sipas autorit James W. Singer, artisti donte t’ishte më i përafërt me saktësinë e kohës viktoriane. Gjatë epokës viktoriane të vonë, kur artisti Alma-Tadema e punoi këtë pikturë, në gjuhën viktoriane të luleve (të njohur si floriografi), trëndafilat e përfaqësonin epshin dhe dëshirën – thoshte autori James Singer në artikullin e vet, vitin e kaluar.
Në “Historia Augusta” thuhet se perandori Heliogabalus i ftoi disa mysafirë të caktuar në pallatin e tij, në një mbrëmje për t’marrë pjesë në festën e organizuar. E që dihet (nënkuptohet) festat e tilla ishin evente festive me pije, dehje, orgji, shthurje (thjesht s’kishte frerë as frenime, ishin “mbrëmje” romake, mbrëmje me perandorin, mbrëmje të shoqërisë së lartë romake, as mizat s’guxonin zzzzz : )
Pas disa orësh duke pirë verë të rëndë, të dehur e të përhumbur, të shthurur duke i shkëmbyer dashuriçkat (partnerët seksualë), të ftuarit do ishin të rraskapitur, të dehur, të intoksikuar nga vera, për një kohë do festonin, do shëtisnin andej-këndej sallës, dhe derisa ashtu të përhumbur në delirin e festës, në një moment tavani sipër tyre u hap dhe petalet e luleve filluan të binin nga lart. Në fillim rënia e butë e petaleve do ia shtonte bukurinë festës, afërmendsh pamje magjepsëse, mbase dukej si ëndërr, duke e parfumosur atmosferën me aromë lulesh.
Aroma do i guduliste shqisat, fragranca do bënte të ndjeheshin thuase diku lart në retë dhe kënaqësia festive vetëm sa vinte duke u rritur. Problemi është se rënia e luleve s’dinte të ndalur, të ftuarit s’e dinin që rënia e petaleve s’do ndalej kurrë, petalet vazhdonin e vazhdonin, dhe shtresa mbi dysheme filloi të lartësohej, thuase synonte të bëhej ndonjë qilim i trashë i perëndeshës së luleve, Klorisa (apo dhe Flora, le t’jenë të dyja, edhe ajo e grekëve, edhe e romakëve : )
Fillimisht deri në zogthin e këmbës, pastaj deri nën gjunj, petalet binin e binin pandalur, njësoj sikur kristalet e dëborës që shtresëzohen mbi fushën. Thuase petalet ishin të pashtershme, tavani nuk shteronte, ujdisje perandorake, binin e s’pushonin ashtu nga qielli, si ndonjë kaskadë a ujvarë-floriadë.
Sa më shumë lule që binin dhe i mbulonin mysafirët e dehur, aq më shumë koha kalonte dhe ata ndjeheshin të përgjumur. Të ftuarit thjesht do ngulfateshin në “pellgun” e luleve, shtresë që rritej pafundësisht. Dalngadalë dhe ajri sikur nis e rëndohej, zor të merrnin frymë, do ia fillonin me gulçimet dhe frymëmarrja prore vështirësohej. Duke qenë se ishin të kurthuar s’mund të iknin nga skena, portat s’hapeshin, pa lejen e perandorit s’mund të shkoje kund.
Dhe nga ana tjetër lulet binin pa pushim, trupat e tyre do ishin të “zhytur” komplet në pellgun e thellë prej petalesh. Alkoolizimi i kokave ishte i pandalshëm po ashtu, vera do e bënte të veten, fryma do mungonte, oksigjeni i pamjaftueshëm në frymën e tyre, petalet dhe pluhuri i luleve të shtypura do u hynin në mushkëritë dhe duke qenë të dehur, të rraskapitur, dalngadalë do i humbnin ndjenjat dhe shkurt, do vdisnin ashtu në detin prej petalesh.
Të mbulur, të heshtur, s’piptinte gjë, të parfumosur, të asfiksuar, të vdekur… as që i shihte kush.
Thuhet se perandori Heliogabalus qe argëtuar jashtëzakonisht me pamjen dhe me ngjarjen, ideja për “vrasjen me lulet” thuase pati qenë ide e shkëlqyer, ndjehej fort i kënaqur dhe vazhdoi me kënaqësinë duke pirë verën e tij, ashtu i qetë. Ajo mbrëmje festive dhe vrastare do ishte argëtimi i vërtetë dhe pa hile, vetë apogjeu i mbrëmjes së perandorit.
***
Heliogabalusi ishte një perandor romak që sundoi nga v. 218 deri 222 të erës sonë. Gjatë mbretërimit të shkurtër 4-vjeçar, ai e mahniti (pothuaj deri në pështirosje) shoqërinë romake me stilin e jetës jashtëzakonisht të shthurur. Për shkak të mënyrës së tij dekadente të jetesës dhe të shkeljeve ndaj normave seksualistike të kohës dhe të religjionit, do e rrethonin skandale të shpeshta. Ishte një perandor jashtëzakonisht i papëlqyeshëm dhe përfundimisht i largoi dhe ata që, eventualisht dhe e mbështesnin regjimin e tij, tekefundit fillimisht, derisa ende nuk e njihnin, dhe meqë interesat e tyre politike ishin të lidhura. Mënyra e tij e jetesës dhe shthurjet që ai i mbështeste, ahengjet që i organizonte, duhet të kenë qenë tejet të papranueshme, sëshpejti do vinin dhe pasojat, si rrjedhojë pas vetëm katër vite sundimi, perandori Heliogabalus do vritej nga vetë familja e tij.