Albspirit

Media/News/Publishing

Edmond Kaceli: Qyteti im është Itaka ku s’do mbërrij kurrë!

Lëshoj hapat e lagun në qytetin tim
dikur më njihnin gjethet e pemëve, gropat e rrugës
qentë endacakë…
Njerëzit nuk më njohin më!
Pemët janë ndërruar
Shitësit e gazetave kanë heshtur
S’ka aromë shtypshkronje në Lis
As gazetat me lajme të reja!
Lajmet e fundit: Njoftime vdekjesh nëpër shtylla betoni!
Pallate betoni mbysin frymën e qytetit…

N’sa eci, harruar në harresë,
mbyllur në nostalgji pakuptim…
një qen rrugësh më afrohet me shpresën e një kafshate
Më sheh drejt në sy! Argo endacak
ndjen trishtimin, melankoninë, dhe vetminë e harresës time
ua shton halleve të veta! Largohet duke hungëruar lehtë
Më bëhet vetja Odise kthyer në Itakën e braktisur
Ku s’ka Penelopë që thur e shthur pëlhurën me motive zadrimore…
Mëtonjësit e fronit i vrau koha, ose hëngrën njëri -tjetrin!
Shpejtoj hapat…
Largohem drejt anijes -makinë
I huaj… Nuk jam Odiseu…Kush e di!
Qyteti im është Itaka ku s’do mbërrij kurrë!

Lezhë -Itali 2025.

https://zekthi.blogspot.com/2025/03/odise-ne-qytetin-tim.html?m=1&fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR0AgjopIR1UO0uJf2PmFYM-1R7b2-fmkOzkUrEwlegffOG26_orsQucSNE_aem_sPmOP-qNzzprEXps4_xyug

Please follow and like us: