Vlora Obertinca: Ylli i parë i lirisë
Poezi kushtuar kushërirës sime dhe heroinës së parë shqiptare në Kosovë që u vra gjatë protestave me 27 Mars 1989, nga forcat policore serbe në Prishtinë. Femra e parë shqiptare që u vra në mes të dy luftërave, asaj të Luftës së Dytë Botërore dhe luftës së vitit 1999. Ajo, si shumë heronj të tjerë shqiptarë dha jetën për liri dhe pavarësi të Kosovës. Lavdi!
Shukrije Obertinca – Ylli i Parë i Lirisë
Në pranverën kur dhimbja lulëzoi në gur,
Kur zemrat shqiptare rrihnin si kurrë,
Një zë u ngrit – i njomë, por i kthjellët,
Një zemër vajze që guxoi si diell.
Shukrije Obertinca, 16 vjeçare,
Doli në protesta për të drejtat shqiptare.
Në Prishtinë, më 27 Mars ‘89,
U vra nga forcat serbe, lamtumirë pa thënë.
Nje vit para Ylfete Humollit, ajo e para ra,
Si heroina e parë që Kosovën e la.
Jo në heshtje, por në britmë të rinisë,
Për flamur, për gjuhë, për shpirt të Arbërisë.
Mbesa e Isa Obertincës me lavdi,
Krahu i djathtë i Gjon Serecit në histori.
Nga gjak trimi e gjysh me pushkë në dorë,
Shukrija trashëgoi atdhedashurinë që s’vdes kurrë.
Me gjak të njomë njollosi trotuar,
Por lart mbi qiell u ngjit si flakadan.
Sot ajo jeton në çdo flamur që valon,
Në çdo zemër që për liri këndon.
Ti nuk ishe thjesht një vajzë e re,
Ishte kombi që flet sot përmes teje.
Ti nuk u fike, por u bëre shpresë,
Një këngë që s’hesht, një dritë që s’vdes.
Ndaj sot të nderojmë me lot e me lavdi,
Shukrije e Kosovës, bija e lirisë.
Me ty filloi rruga drejt dritës së plotë,
Je zëri që ringjallet, në çdo votër, çdo tokë.
Post Scriptum
7 mars 1989. Është ditë e hënë. Shukrije Obertinca, një nxënëse 16-vjeçare nga fshati Lismir, niset drejt Prishtinës. Jo për të shkuar në shkollë, siç bënte zakonisht të hënave, por për të protestuar. Rrethanat po i rritnin para kohe fëmijët… Katër ditë më parë, nën rrethimin e tankeve, ishin miratuar amandamentet kushtetuese që ia largonin Kosovës edhe atë autonomi që e kishte brenda ish-federatës jugosllave. Kosova po futej në një vorbull të ri dhe të pakthyeshëm politik, spiralja e të cilit nuk do të pushonte gjer në qershor ’99. Shukrija në Lismir do të kthehej në arkivol. Ishte vrarë atë ditë nga policia jugosllave në qendër të Prishtinës. Një këngë do të këndohej shpesh ato ditë: “Moj Shukrije Obërtinca, je trimneshë si Shotë Galica”. Ato ditë nuk u ndalën protestat. Po atë ditë, në Prishtinë u vranë edhe katër protestues – Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli dhe Mustafë Veselaj. Në tërë Kosovën, më 27 dhe 28 mars u vranë 28 demonstrues, u arrestuan dhjetëra dhe u plagosën qindra të tjerë. Në ato muaj, përllogaritjet flasin për rreth 100 demonstrues të vrarë në krejt Kosovën. Serbia, duke vrarë një fëmijë si Shukrija, paralajmëroi masakrat në fëmijë e pleq që ndodhën më 1999. Në anën tjetër, Shukrija, duke rënë dëshmore, paralajmëroi se vajzat dhe djemtë e Kosovës nuk do të zmbrapsen përballë Serbisë së fuqishme, siç edhe ndodhi më 1999.