Zaho Golemi: KUVENDI DHE BESA SHQIPTARE NË SENICË TË DELVINËS
(Në kuadrin e 255 vjetorit të Kuvendit të Senicës (1770-2025), ose “kuvendi i palcimit/ pajtimit”, të mbajtur më 25 mars 1770 (ditën e diel) nën drejtimin e legjislatorit të madh popullor agait të njohur Idriz Sulli dhe me mbështetjen e fuqishme të organizatorit dhe mikpritësit seniciot kryeplakut e drejtuesit të çetës patriotike të fshatit Senicë Kostë Prifti)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Në historikun e trevës labe dhe përtej portës së parë të Labërisë, përtej Fushëbardhës e qafës së Skërficës është një fshat historik që ka shkruar epope mençurie, trimërie e atdhetarie. Kështu Senica e Delvinës, ky “ballkon” bukurie për mbarë Rrëzomën ka qenë disa herë mikpritëse dhe bashkëpunuese me fshatrat përreth. Senica ka vënë gurë themeli në historinë e trevës së zonës dhe ka jetuar, punuar e luftuar në vëllazëri shekujve me fshatrat përreth. Nuk është e rastit që disa nga fiset e saj janë edhe përreth fshatrave të tjerë edhe ndonjëherë me mbiemra të ndryshëm por me rrënjë gjaku të përbashkuara, sikurse ishin dhe janë Çarçanajt e Fushëbardhës dhe Gjikajt e Senicës së Rrëzomës dhe në thellësi të shekujve dhe me Gjikajt e Qeparoit. Është e njohur nga Revista “Shejzat” e themeluar nga Ernest Koliqi më 1957 në Romë (e përkohshme albanologjike; revistë që gjendet edhe online nr.1-10 janar-tetor 1974). Këtu flitet për dhjetë shekuj më parë pasi Eqerem Bej Vlora e ngriti në art me publikimin e parë, që është një model kulturor dhe informative për marrëveshjen e vitit 1081 të Papa Zhulit. Në Senicë dhe përreth saj jemi në truallin me moshën e maleve, janë këtu që kur ka lindur jeta. Nderi dhe liria janë jetësuar në përjetësi për Seniciotët sikurse edhe për fqinjët e përjetshëm Fushëbardhën, Zhulatin kala historike, Kardhiqin e 18 lagjeve, që e njohën historian e udhëtarë historikë, Plesatin e Cepon kala natyrore e vendin e Kuvendeve, Shtëpëzin, Picarin, Kolonjën Humelicën dhe Golemin, të gjitha bashkë si një gjerdan në llogoren e shekujve, me Senicën e kuvendit të palcimit/besës, me gjithë trevën labe e më gjerë. Nëpër shekuj lufta për liri dhe çlirim dhe mbrojtja e trojeve ishte zanat, një zanat luftëtari që i mblidhte gjithmonë bashkë në kushtrim lufte.
Kuvendi i Senicës u mblodh në 25 mars 1770 (ditën e diel) dhe u quajt “kuvendi i Senicës” ose “kuvendi i palcimit/pajtimit”, ndërkohë që kuvendi tjetër do mblidhjej pas tre vitesh tek Rrapet e Agait, edhe pse duhet thënë që është i njohur historikisht edhe betimi i famshëm i vitit 1610, pra 415 vite më parë: “Mu bëftë harram gjiri i mëmës dhe moslënça bina po shkela benë dhe po ndërrova fenë”. Një mesazh që kapërcen shekujt. Kuvendi i Senicës i vitit 1770 pati pjesëmarrje të kapedanëve të të gjitha trevave nga Labëria e Çamëria, Delvina, Himara dhe më gjerë. Kuvendi udhëhiqej nga burri i mençur Idriz Sulli (soji i Përodajve), ku krahu i djathtë i Idrizit ishte senicioti i mençur e trim Kostë Prifti. Ata u bënë baballarët e krahinave jugore të vendit, udhërrëfyes në kundërshtimin e ligjeve të egra osmane për nizamllëkun, gjykatat, taksat e rënda etj. Objekti, vendi e roli i kuvendit të Senicës vjen deri në ditët tona me vargje që u gërmëzuan në kujtesën e njerëzve dhe nuk u harruan asnjëherë. Ja si shkroi “sekretaria e kuvendit të Senicës”, jo me shkresë arkivore për mungesë shteti, por me vargje: “Dëgjuar e parë kini,/Në Senicë u bë pajtimi,/ Fshatra e kaza u mblodhë,/ Pleqësia e anës tonë,/Të krishterë e muslimanë,/ Ca me mushka e ca me kalë,/ Te përrallet në lëndinë,/ Flet Idrizi me të mirë:/ Mbani vesh o kapedanë,/ Të madhe ju bëj rixhanë(lutjen),/ Të mençur e pleq me radhë,/ Të lidhemi besë e fjalë,/ Se të gjithë trimat u vranë,/Mbetën shkretë këto anë,/ Vritet shoqi me vëllanë,/ Bëhet qejfi hasmit tanë,/ S’jemi turq e mercenarë, (një varjant tjetër është: S’jemi turq, as venecianë),/ Jemi gjithë shqipëtarë,/ Kemi një gjak e një farë,/ Nga soji i Arbërit të parë…”. Idriz Sulli ngeli në memorien kombëtare pse mençurisht shkoi në Senicë më 1770, duke u bërë përbashkues i gjithë rrethinave, kazave e nahijeve të Jugut, në Kuvendin e Senicës, ku vargëzimi popullor thotë: “Gjëmon vëndi me oshtima,/Vijnë kalorës, vijnë trima,/Nga Himara, nga Smokthina,/Nga Labova nga Delvina…”, që i jep dimension në mbarë jugun e vendit për pjesëmarrje të gjerë dhe angazhim serioz. Kënga u rregjistrua dhe u kiç në mendjen e njerëzisë, nuk u harrua kurrë në breza, këndohet e ndonjëherë dhe përsoset në vargje rrugës, por ruan anonimatin popullor për këtë organizim të pazakonshëm kuvendor në Senicën historike. Edhe sikurse thamë që nuk kishim “sekretari kuvendi”, kishim rapsodin popullor vigjilent që rregjistroi pjesëmarrësit përmes këngës, edhe pse nuk rregjistroi autorësinë duke i vendosur emrin “popull”.
Emrat e kapedanëve janë gdhendur në këngë: “…Kristo Koka nga Vunoi,/Jani Milo nga Himara,/Spiro Gjika nga Qeparoi,/Miho Gjini nga Piqerrasi,/Qesko Hila nga Lukova,/Hajdin Shehu nga Kalasa,/Stefan Prifti nga Shënvasia,/Kolë Mili dhe Jano Kumiu nga Nivicë Bubari,/ Dajkua i Lëkurësit (ka mundësi që emërtimi “dajkua” sipas burrave të moçëm të ketë qenë dajkua i tekstshkruesit popullor ose si vëllai i nënës së Kostë Priftit),/Bedo Hodo nga Borshi,/Demir Dosti agai i Kardhiqit,/Kostë Prifti nga Senica, Toto Rusha Progonati,/Idriz Sulli nga Zhulat Fushëbardha,/Osman Sina nga Tatzati,/Sheh Sejkati nga Filati,/Dalani nga Konispoli,/Kallapodhi i Delvinës,/Zoto Mahmuti Smokthina,/Igumeni i Katerinës nga Çamëria,/Allajbeu i Navarricës, si dhe mjaft të tjerë, që kënga si përmend emrat e tyre, por që është e njohur që ishin prijësat e kapedanët e çdo fshati, por edhe më gjerë. Kuvendi i Besës në Senicë ishte historike për trevën dhe historinë e shqiptarëve, ishte moment i bashkimit e pajtimit mes komuniteteve fetare dhe etnike. Kuvendi u udhëhoq bindshëm dhe mençurisht nga figura të njohura si: Idriz Sulli, një figurë e njohur e mençurisë dhe miku i tij i besës dhe betejës për drejtësi Kostë Prifti që hapi dyert mikëpritëse të seniciotëve.
Kuvendi ishte një mirëkuptim i plotë për zgjidhje konfliktesh dhe për bashkëjetesë e harmoni fetare. Në kohën kur shumë pjesë të Ballkanit përlesheshin në konflikte fetare e etnike, Kuvendi i Besës në Senicë përfaqësoi shembullin më tipik të tolerancës fetare dhe bashkëjetesës në këtë krahinë lavdiplote. Element deciziv i Kuvendit ka qenë vendosja e një atmosfere të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit, pavarësisht besimimeve fetare. Në atë kohë ishin vendosur si simbole të dy besimeve të pranishme, Bibla dhe Kurani në një kamare ku janë edhe sot e kësaj dite, një simbolikë e bukur e zgjidhur mençurisht, ku vlerat e bashkëjetesës dhe respektin ndaj njëri-tjetrit, qëndronin mbi interesat individuale. Kuvendi i Besës në Senicë përveç çështjes së bashkëekzistencës paqësore ndërfetare u ndal gjatë edhe tek fenomenet problemore shoqërore dhe politike të kohës. Fokusi ka qenë tek ndalja e fenomenit të gjakmarrjes e hakmarrjes, si një pengesë e madhe për stabilitetin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare. Kuvendi miratoi dhe dha mesazhe të qarta për bashkëjetesë e bashkëpunim ndërmjet komuniteteve të ndryshme aq shumë të dëshirueshme. Përmes përpjekjeve për të zgjidhur konfliktet dhe për të vendosur parime të përbashkëta të drejtësisë dhe respektit, pjesëmarrësit në Kuvendin e Besës në Senicë demonstruan vullnet të plotë për një shoqëri të drejtë, të ndershme dhe të qëndrueshme.
Historia i njeh tashmë dy kamaret e 1770, në Senicë ku u vendosën Kurani dhe Bibla, si librat e shenjtë, vendosën Ungjilli dhe Kurani, për t’u betuar secili pjesëmarrës, sipas besimit të vet, me një akt demostrativ jetësor, filozofik e patriotik. Rreth një shekull pas Kuvendit të Senicës, Vaso Pasha (1825-1892) shkroi vargjet manifest të Rilindjes Kombëtare shqiptare, lapidar të shekujve: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Bibla dhe kurani në Senicë, por dhe në Taroninë pranë Fushëbardhës e Zhulatit, u bënë simbol i bashkimit pa dallim feje, hasmërie, pa gjaksi dhe pa hajdutëri, të gjithë në një front kundër sundimit të gjatë osman. Ky kuvend mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, duke treguar aftësinë e popullit shqiptar për të zgjidhur konflikte dhe për të përparuar drejt një të ardhme të përbashkuar. Në lidhje me datën e saktë disa historianë e lidhin me kalendarin “allaturka” dhe “allafrënga” pra data e mbledhjes në 25 mars i shtojnë dy javë dhe e rregjistrojnë më 10 prill dhe vijueshmërinë tre ditore të kuvendit, por më mirë këtë çështje e zgjidhin burimet më të besueshme dokumentare edhe përtej arkivave shqiptare, pse jo edhe në Vatikan, në arkivin osman dhe arkivat e Venedikut e më gjerë. Tre vite pas Kuvendit të Senicës u mbajt një tjetër kuvend i planifikuar që në Senicë të mbahej në një vend asnjëanës tek Rrapet e Agait pranë Taroninës. Ky kuvend solli për zbatim “shtatë Shartet e Idriz Sullit” që u bënë të detyrueshme për zbatim për gjithë trevat e Jugut.
Këto gjenden edhe në përmbledhjen që u ka bërë Prof Ismet Elezi edhe në botimin e mirënjohur “Kanuni i Labërisë”. Senica tashmë përbri autostratës së re dhe që deri brenda fshatit ka shkuar rruga asfalt vitin që kaloi është rilindur. Bijtë e këtij fshati vijojnë traditat mbajnë unitetin dhe miqësinë me të gjithë, duke rrezatuar zemërbardhësi, miqësi e kulturë, duke nxjerrë në pah se janë pasardhës të denjë të botës seniciote stërgjyshore. Besa e Kuvendit është kthyer në festë të përvitshme natyrisht me nismëtarët vizionarë të Senicës me kryetarin e fshatit të Besëlidhjes, Llambi Nika, Kryepleqësia e Senicës, kryetarin e Shoqatës “Besëlidhja e Vëllazërisë Seniciote”, Albert Jorgji si dhe personalitete të tjerë.
Senica e Kuvendit të Besës, me Memorial të ri pret bashkëfshatarë, bashkëkrahinarë, turistë, miq e dashamirës për t’i njohur me burrërrinë, unitetin në kohët më të vështira të pushtimit. Të gjithë kujtojnë sot misionin e përmbushur të Kuvendit të Senicës, misionin e bashkimit, të organizimit dhe drejtimit të kundërshtimit dhe përballjes luftarakle kundër pushtuesve osmanë. Nga Kuvendi i Sencicës vijnë mesazhe e vlera uniteti për të gjitha kohrat ku baza e vendimeve të saj ishte: (1) organizimi dhe drejtimi i luftës së bashkuar kundër pushtuesve osmanë për ruajtjen e kufijve dhe sinoreve të të parëve; (2) u vendos me përparësi për dukuritë shoqërore të kohës, kryesisht uniteti ndërmjet besimeve, harmonia dhe mirëkuptimi i ndërsjelltë fetar në kundërshti me ligjet e ashpra dhe të egra osmane; (3) u vendos të luftohej kundër bandave kriminale e hajdutëve, që endeshin sa andej-këtej dhe prishnin qetësinë, dëmtonin pronat e pasuritë; (4), në planin social, Kuvendi u shpreh njëzëri kundër fenomenit të gjakmarrjes e hakmarrjes; (5) kuvendi vendosi kundërshtimin e pagesave të taksave dhe tatimeve të shfrenuara osmane; (6), pjesëmarrësit njëzëri ishin kundër dërgimit të djemve askerë në viset e huaja, duke kërkuar që nizamllëku të bëhej në vilajetet shqiptare; (7) u vendos për lidhjen dhe unitetin midis banorëve të krahinave të Jugut të hapësirës shqiptare. Ndërkohë që paria e Kuvendit të Senicës risolli në vëmendjen e të gjithëve ritin e lashtë shqiptar të ritit të ceremonialit të Lidhjes së Besës, ku akti i Besëlidhjes u muarr mbi një shpellë në qendër të Senicës, ku sot është memoriali i derdhur në bronz, duke risjellë edhe një herë besëlidhjen e traditës shqiptare të duarbashkimit që këtë mesazh kaq të lashtë e simbollin e përmban edhe Shoqata “Besëlidhja Seniciote”, e mirënjohur për aktivitetet e saj. Labëria në dhjetë shekujt e fundit ka bërë dhjetra kuvende si “Kuvendi i shpellës së Papa Zhulit (1081), Kuvendi i Senicës (1610), i Himarës e Senicës (1770), Kuvendi i Rapeve të Agait, Taroninë (1773), Progonatit e Picarit (1846), Kuvendi i Mesaplikut (1847), Kuvendi i Gjirokastrës (1880); Kuvendi i Frashërit (1880); Kuvendi i Cepos (1911), Kuvendi i Vlorës 28.11.1912; Kuvendi i Shtëpëzit (10.4.1914); Kuvendi i Barçallasë (1920); Kuvendi i Kuçit (1924) etj. Çdo kuvend ka fizionominë dhe historinë e tij, vendimet, pjesëmarrësit, aktet sublime për të drejtën zakonore dhe për luftë kundër pushtuesve dy shtyllat themelore të mbijetesës shqiptare. I tillë ka byrë në histori edhe kuvendi i Senicës. Idriz Sulli dhe Kostë Prifti ditën të shikonin në dritë të syrit rrezikshmërinë e të ardhmes së Kombit Shqiptar dhe pa rezerva mund të themi se i paraprinë mençurisht periudhës së rilindjes së Kombit Shqiptar, jo mbi bazë besimesh fetare, por mbi bazën e lidhjes së gjakut dhe gjuhës kombëtare amtare. Me besim u ruajt i paprekur besimi deri në ditët e sotme. Senica, ku ballkon plot dritë vendosur përreth kishës së Shën Dhimitrit është i vetmi me besimin ortodoks mes shtatë fshatrave të Rrëzomës, por është fshat me rrënjë e lavdi historike, edhe pse Besën Seniciote do ta kujtojmë përherë, për atë çka i dha fshatit, krahinës, Labërisë, Jugut të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.