Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Këmisha e dinjitetit

Të shihja tek ecje paksa i krekosur. Doja të të lexoja mendimin, por e di, se nuk mund të depërtoj dot atje ku nuk më lejohet, ndaj brenda kufirit të dijes, mundohem të rendis mendimet e drejta, fjalët e drejta dhe të denja… po po, të denja, dhe mendova, a ishte vërtet ajo këmishë e modës që kishe veshur, këmisha e dinjitetit tënd? Oh, jo… sepse një këmishë nuk mund të mbajë stampë dinjiteti! E dimë, se reklama nuk është për shpirtin por për trupin… dhe vërtet, ke filluar të kujdesesh për format, por këmisha që ke veshur nuk tregon se ke vullnet për t’u stërvitur për shpirtin. Stërvitja e shpirtit nuk kërkon vulën e modës së tregut të veshjes.

Ecën disi i shkujdesur… I ndjen vështrimet rreth e rrotull… Ndihesh mirë… Vallë nga këmisha që ke veshur? E bukur vërtet, me ngjyrën e stinës, por ja tek të del përpara një fëmijë lypës. Eh, nuk ke kohë të merresh me të tilla vogëlsira… Janë shtuar shumë, e dinjiteti i këmishës që ke veshur, nuk lejon të biesh kaq poshtë! Por nuk i reziston tundimit të mëvonshëm, tek ulesh të freskosh gurmazin me një pije paksa të shtrenjtë. Këmisha që ke veshur do bëjë të vezullosh atje ku je ulur, me pamje paksa të menduar por joshëse, ti e di se sa… I ke llogaritur mirë veprimet dhe ja tek del shansi për të treguar se je vërtet ai, njeriu me këmishë dinjiteti.

Rrëkëllen disa gllënka, dhe nxjerr nga çanta e dorës një bllok të vogël, jo se do të shkruash kushedi, por ta do puna. Stilolapsi është blerë relativisht i shtrenjtë për kohën, por dinjiteti nuk të lejon të mbash tjetër markë, (llogari më vete kjo!)

Hedh mbi fletën e bllokut disa rreshta, tek vështrohesh nga dhjetë palë sy kuriozë dhe me veprime të ngadalta, me delikatesë, e mbyll bllokun përsëri dhe e vendos në çantën e dorës. Përfundon edhe gllënkat e fundit të pijes, e teksa paguan duke lënë bashkshish të majmë, (se ta do nderi i këmishës së dinjitetit), del me trupin drejt, duke vënë syzet firmato që ta zbehin rrezen e diellit që t’i vret sytë.

Takon dikë… i sjellshëm, me fjalë të zgjedhura, se je ai… njeriu që ke veshur këmishën e dinjitetit… dhe largohesh me buzëqeshje të stampuar në fytyrë, e teksa largohesh, je përsëri ti, me veten tënde, me mendimet e tua, me qëllimet e tua, me dëshirat e tua, fshehur brenda këmishës së dinjitetit që ke veshur, që pak po ta prekesh thërrmohet, zhubroset, ç’bëhet, sepse përbërja e saj nuk përmban atë, të vërtetën, të bukurën, por falsitetin, e teksa ecën kokëlartë dhe i krekosur, ajo këmishë është vula e falsitetit, e ftohtësisë së shpirtit, e mohimit të së vërtetës.

Njeriu është lakmitar prej së gjalli, por sapo e kapton këtë jetë, kupton se ka qenë i mashtruar nga lakmia, por jo nga dashuria!

Veshja e bukur nuk ta zbukuron shpirtin. Shpirti i vranët është si koha e vranët, që pret të derdhë rrebeshin e shiut, e i mardhur nga të ftohtët quhesh i pastrehë në kohën e dashurisë.

Fjala e dashurisë nuk do stilolaps të bukur për t’u shkruar. Atë mund ta shkruash kudo, edhe me një degëz peme. Fuqia e saj ndez shpirtin për së gjalli, dhe me fuqinë e saj mund të kapërcesh malin më të lartë të jetës.

Nuk mbulohet imoraliteti i shpirtit i veshur me këmishë “dinjiteti”, se gënjeshtra gënjeshtër është, kohën e ka të shkurtër e jo të gjatë. Koha e saj është një çast, por koha e së vërtetës është e përjetshme …

Të shoh e më dhimbsesh, e teksa largohesh me fallsitetin mbi supe, u luta për ty… ashtu siç do doja të lutesh edhe ti për mua!

24 Mars 2025.

Please follow and like us: