Brisilda Trajko: Poezi drejtuar vetes
Ti, që je ndalur në mes të rrugës,
duke kërkuar një gjurmë që të kthejë,
dhe sheh pasqyrat e thyera,
pa mundur të gjesh fytyrën tënde.
*
Mos harro, ajo që kërkon nuk është jashtë, është aty, brenda teje, në çdo hap të heshtur që ke bërë, në çdo lot që nuk ke lëshuar, në çdo shpërthim që ke mbajtur në vete,
duke menduar se mund të vazhdoje pa të.
*
Ti, që je ndalur, ngrihu, ngrihu dhe shikoje këtë rrugë që të duket pa fund. Nuk je vetëm Shpirti yt është shkëmb, më i fortë se çdo copëz që ke humbur, më i fortë se çdo dhimbje që ke bartur.
*
Shih, brenda teje,
në pasqyrën e shpirtit tënd,
do të shohësh dikë që të do,
dikë që ka qenë aty gjithmonë,
pavarësisht se sa larg e ke ndjerë.
E njeh? Po, jam unë.
*
Jam unë ajo që do të të ndihmoj,
ajo që do të të mbështes,
bashkë do të kërkojmë të gjesh atë që ke qenë,
dhe do të gjesh se nuk ka asnjë rrugë të humbur,
por vetëm rrugët që kanë për të të udhëhequr
aty ku duhet të jesh,
aty ku do të kuptosh se ke qenë gjithmonë aty.