Albspirit

Media/News/Publishing

Clark: Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark, tha se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, bashkëpunimi ekonomik në mes të dy vendeve do të jetë i pashmangshëm.

Ai foli në një diskutim të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë  në shënim të 26-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe 21-vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Gjenerali Clark – i cili iu priu sulmeve ajrore ndaj caqeve serbe më 1999 – inkurajoi Kosovën që të përqafojë bashkëpunimin rajonal me fqinjët si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, madje edhe Serbia, siç njofton OEAK.

“Përfundimisht, Serbia do të duhet të pranojë pavarësinë tuaj dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë i pashmangshëm”, citohet të ketë thënë Clark.

Ai u bëri thirrje liderëve të Kosovës që të ndjekin qeverisjen e pastër, unitetin politik dhe të mbajnë një baraspeshë të fortë ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat.

“Vetëm qeveritë nuk mund të nxisin rritjen – ju nevojitet sektori privat, veçanërisht në teknologjinë e informacionit dhe shërbime, ku talenti dhe aftësitë gjuhësore të Kosovës mund të shkëlqejnë”, tha Clark.

Në bashkëbisedimin me drejtorin ekzekutiv të Odës Amerikane, Arian Zeka, gjenerali Clark tha se Kosova ka një pozicion shumë të rëndësishëm strategjik, duke ofruar paralajmërimet e para për kërcënimet ndaj stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

“Bota po e shikon Kosovën dhe mënyra më e mirë për të forcuar sigurinë e saj është përmes zhvillimit ekonomik dhe investimeve, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara”.

Duke adresuar rolin e Kosovës në çështjet rajonale dhe globale, gjenerali Clark theksoi rëndësinë themelore të sundimit të ligjit, duke i kërkuar Kosovës që “të jetë krenare për të, ta forcojë atë dhe ta përdorë atë për të ndërtuar besimin e investitorëve”.

Ai bëri thirrje për investime në infrastrukturë dhe energji, duke vënë në dukje rezervat e bollshme të linjitit të Kosovës, si dhe duke avokuar për transformimin dixhital të vendit, përmirësimin e sistemeve tatimore, lidhjen në brezin e gjerë të internetit dhe sigurinë kibernetike për të luftuar dezinformimin dhe përmbysjen e jashtme./KosovaPress

Please follow and like us: