Zelensky: SHBA i ofroi Ukrainës versionin e ri të marrëveshjes për mineralet
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi sot se SHBA-ja i ka ofruar Kievit një version të ri të marrëveshjes së mineraleve.
Të dielën, delegacionet nga Ukraina dhe SHBA-ja zhvilluan konsultime në kryeqytetin saudit Riad, të cilat ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov i përshkroi si produktive.
Të dy palët zhvilluan një raund të dytë bisedimesh më herët sot, pas një takimi të veçantë midis delegacioneve amerikane dhe ruse të hënën.
Duke folur për gazetarët në kryeqytetin ukrainas Kiev, Zelensky tha se ekipi i tij e ka informuar atë për marrëveshjen e re të propozuar nga SHBA-ja, të cilën ai e përshkroi si një marrëveshje të madhe dhe gjithëpërfshirëse nga perspektiva amerikane.
Zelensky tha se aktualisht nuk ka detaje në lidhje me atë se si Shtetet e Bashkuara besojnë se duhet të duket një marrëveshje e madhe për mineralet duke theksuar se dokumenti do të përpunohet mes të dyja palëve.
Ai më vonë vuri në dukje se marrëveshja do të votohet nga Verkhovna Rada, parlamenti i Ukrainës, pasi të dy delegacionet të përfundojnë punën e tyre në lidhje me marrëveshjen.
Presidenti ukrainas shtoi se çështja e termocentraleve bërthamore të vendit të tij nuk është përfshirë në marrëveshje./atsh