KE: Tërheqja e Rusisë nga Ukraina, kusht kryesor për heqjen e sanksioneve të BE
Tërheqja e forcave ruse nga territori i Ukrainës do të jetë një nga kushtet kryesore për heqjen ose ndryshimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Moskës. Kështu njoftoi zëdhënësi i Komisionit Evropian, në përgjigje të kërkesës së Rusisë për rishikimin e masave ndëshkuese, citon noa.al.
Komisioni theksoi se pozicioni i BE-së mbetet i pandryshuar: sanksionet kundër Federatës Ruse janë vendosur për shkak të agresionit të saj ushtarak ndaj Ukrainës dhe do të qëndrojnë në fuqi deri sa të arrihet një tërheqje e plotë nga territori ukrainas.
“Ne i kemi vendosur këto masa si përgjigje ndaj veprimeve të paligjshme dhe të pajustifikueshme të Rusisë. Për çdo rishikim të tyre, nevojitet ndryshim konkret i sjelljes nga ana e Moskës”, tha zëdhënësi i Komisionit.
Sipas tij, çdo vendim për zbutjen apo heqjen e sanksioneve do të merret në mënyrë unanime nga vendet anëtare të BE-së dhe do të bazohet në realitetin në terren, jo në kërkesa të njëanshme.
BE ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë që prej vitit 2014, të cilat janë përforcuar ndjeshëm pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.