Albspirit

Media/News/Publishing

Irma Kurti sjell librin e katërt në shqip të poetit Germain Droogenbroodt

Libri titullohet “Dëshmitarë të një kohe” dhe botohet nga shtëpia botuese “Youcanprint” në Itali.  Ky është libri i katërt i autorit në gjuhën shqipe pas “Imazh qielli” botuar në Prishtinë të Kosovës dhe nga “Youcanprint” në Itali në 2022; “Lulja jetëshkurtër e kohës” botuar në vitin 2023 si dhe “Pika vese” botuar në 2024. Të gjitha librat janë përkthyer nga poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti.

Nga parathënien e përmbledhjes poetike “Dëshmitarë të një kohe” të shkruar nga Rafael Carcelén veçojmë: “Libri i ri me poezi i Germain Droogenbroodt-it, përfaqëson një pikë kthese të rëndësishme në karrierën e tij tashmë të gjatë, e cila përfshin më shumë se një duzinë veprash poetike, disa antologji dhe botime në tridhjetë vende të botës. Ndonëse në tri pjesët që përbëjnë përmbledhjen do të gjejmë qasje dhe interesa të ndryshme tematike, të gjitha konvergojnë në atë shtyllë kurrizore që përbën një stil konciz dhe sugjestionues që e bën atë unik. Pas leximit, duket qartë se poeti na tregon përmes kontrastesh sesi është realiteti në të cilin jetojmë sot dhe si duhet të jetë ai për të patur një jetë vërtet dinjitoze. Kështu, ndërsa kërkimi i njeriut duhet ta çojë atë drejt dritës (siç shprehet në një nga poezitë në hyrje të librit), realiteti që dëshmojmë na çon, përmes tuneleve nëntokësore të sistemit teknokratik, drejt errësirës më të frikshme. Por nëse ka një gjë që Germain Droogenbroodt-i nuk humbet dhe që poetët nuk humbasin kurrë, ajo është shpresa”.

GERMAIN DROOGENBROODT ka lindur në Rollegem të Belgjikës. Ai është poet, përkthyes, botues dhe promovues i poezisë moderne ndërkombëtare. Ka përkthyer rreth tridhjetë libra me poezi gjermane, angleze, franceze dhe kastiliane. Shtëpia botuese POINT (POesía INTernational), e themeluar nga ai vetë, ka botuar më shumë se tetëdhjetë libra me poezi nga vende të ndryshme të botës.

Krijimtaria e tij poetike është e shumanshme. Germain Droogenbroodt-i jeton dhe shkruan që nga viti 1987 në Altea, një vend piktoresk dhe artistik përballë bregut mesdhetar të Spanjës. Për shkak të karakterit universal të veprës së tij – poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar në 30 vende – si dhe personalitetit të tij, ai është ftuar shpeshherë në lexime dhe konferenca në shumë vende, si në Austri, Çeki, Sllovaki, Egjipt, Rumani, po edhe në Kore, Kinë, Tajvan, Nepal, Japoni e Meksikë. Po ashtu, ai është nominuar për çmimin Nobel për letërsinë në vitin 2017.

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar.Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël.

Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme letrare në Shqipëri, Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Liban e Kinë. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në 2021 u nderua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve.Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Sëitzerland në Zvicër. Ka fituar gjithashtu çmimin prestigjoz Naji Naaman Literary Prize, 2023 në Liban.

Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhepërkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.Ajo ka botuar mbi 100 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime.Librat e saj janë botuar në 19 vende të botës.

Please follow and like us: