Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Ruka: Baladë terri për veten

Nga gjumi u zgjova një natë i mekur,

mes territ s’kuptoja jam gjallë a i vdekur?

Thash’ mos jam poshtë, akoma s’e di,

shiun e dëgjoj, pse s’më lag ky shi?

Shiu rënka jashtë, troket te dritaret,

ndryshe çukit qelqin, ndryshe godet varret.

Jashtë rënka shi, brenda bën thëllim,

njeri po lag tokën, tjetri shpirtin tim.

Nga qielli zbret njëri, nga brenda bie tjetri,

shiu apo vdekja, kush është më i vjetri?

Tokën e than era, shpirtin kush ta thajë,

moj e zeza mendje, pse më shtyn në vaj?

Po sikur, o zot, kur të vdes vërtet

askush të mos ndodhet për dy lot të shkretë?

Njerëzit që janë taksur të më qajnë mua

të jenë larg a vdekur, o lumë e përrua!

Dhe në errësirë mendjen dysh e çaj,

“mjeri, unë i mjeri”, them veten të qaj.

Që të mos lë pas asnjë peng prej zemre,

vetëm avull malli dhe asnjë lloj brenge.

Po lotët ku janë, ku janë fshehur lotët,

mos i derdha vallë të gjithë për shokët?

Ndaj po lë si peng një baladë për vete,

si bohçen e vdekjes nëna në sepete.

Le të jetë në libër, ju mos e lexoni,

këtë faqe libri mos e numëroni.

Vijoni më tutje ku është dashuria,

Vjosë do ta gjeni në këngët e mia…

Jashtë rënka shi, brenda bën të qarë,

haj medet, moj jetë, o zakon i marrë!

Tiranë, 27 mars 2014.

Please follow and like us: