Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Një kapitalizëm i egër është lëshuar zinxhirësh

Ukraina e ka paguar shtrenjtë përballjen heroike me pushtimin rus: dhjetra mijëra të vrarë, qindra mijëra të plagosur, disa milionë të ikur jashtë vendit, një pjesë e mirë e infrastrukturës e shkatërruar, rreth 20% e territorit e zaptuar nga ushtria ruse. Çmim tej mase i shtrenjtë!

I shtrenjtë, por jo i mjaftueshëm thonë Trump e të tijtë dhe shtojnë se Ukraina duhet t’u paguajë mbrapsh amerikanëve gjithë shpenzimet që këta kanë bërë për ta mbështetur ushtarakisht.

Jo vetëm e pretendojnë por kanë gjetur edhe mekanizmin për ta realizuar: Washington, shkruante Financial Times, po kërkon që Ukraina dhe SHBA të krijojnë një fond të përbashkët investimi për të ndarë midis dy vendeve të ardhurat nga projektet e naftës, gazit dhe mineraleve të rralla të Ukrainës. Derisa të shlyhen gjithë harxhet e deritanishme të mbështetjes ushtarke amerikane, Ukraina nuk parashikohet të marrë gjë nga shfrytëzimi i pasurive të saj.

Nuk do ta njohim ndihmën ushtarake amerikane si hua, deklaroi dje president Zelensky dhe shtoi se versioni i ri i marrëveshjes për mineralet e rralla, paraqitur nga amerikanët, është shumë më i pafavorshëm për ukrainasit sesa ai që nuk u nënshkrua dot në takimin e dështuar me Trump e Vance në Washington. Kësaj i thonë të biesh nga shiu në breshër.

Duke lexuar lajmin m’u kujtua një opinionist i Washington Post që javë të shkuara thoshte: Një kapitalizëm i egër është lëshuar zinxhirësh rrugëve të Amerikës.

Rrugëve të gjithë botës, mund të thuash dhe të shtosh: mjerë popujt e vegjël, të varfër dhe me fqinjësi problematike.

Please follow and like us: