Albspirit

Media/News/Publishing

HASENI KUSHO, DËSHMORI FUSHËBARDHAS QË RA NË VITIN E MBRAPSHTË 1997

(Në përkujtim të dëshmorit Haseni Sulo Kusho (25.1.1961 – 25.5.1997), njeriut të mirë, ushtarakut të ndershëm dhe të përpushtuar, që la emër të mirë si kuadër ushtarak në Degën Ushtarake të Gjirokastrës, por edhe në repartin elitar të Brigadës së Tankeve në në Brigadën e Tankeve në fshatin Arshi Lengo. Vendimi nr.13, i Këshillit të Rrethit të Gjirokastrës më datë 29.10.1999 në mbështetje të kërkesës së Komandës së Divizionit “Labëria” si dhe në mbështetje të dekreteve të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 45588 datë 18.10.1969, dhe dekretit nr.7199 datë 21.1.1998 vendosi t’i japë titullin “Dëshmor i Atdheut”, kapter Haseni Sulo Kusho me motivacion: “rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e pasurisë ushtarake nga bandat e armatosura”, firmosur nga kryetari i këshillit të rrethit Jani Dako në Gjirokastër; ndërsa Komisioni Qëndror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” pranë Ministrisë së Mbrojtjes i ka njohur statusin me Vendim nr. 2 , datë 19.10.2002 i njeh Haseni Sulo Kusho statusin “Dëshmor i Atdheut” dhe  familjes së tij i ka dhënë flamurin me simbolin “Familja e Dëshmorit të Atdheut”).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Fushëbardha e njerëzve të shquar, të mençur dhe punëtorë që kanë shkruar histori

Fushëbardha është fshati i shquar në historinë e krahinës dhe përtej saj në Labëri. Bijtë dhe bijat e këtij fshati kanë historikun e familjes si një copëz të historisë së fshatit. Një ndër fiset e njohura është padyshim dhe oxhaku “Kusho”. Gjyshi i Haseniut, Ramadani ishte njeri i mençur, i njohur dhe i respektuar në Fushëbardhë. Njerëzit e thjeshtë dhe jo vetëm e cilësonin ….. si një burim i njohurish mençurie për brezat, pasi ndihmonte të rinjtë për të mësuar rëndësinë e punës së palodhur dhe për ta respektuar natyrën. Ai ishte për nga natyra i thjeshtë, por përmes kësaj thjeshtësie kishte ndikim në jetën e fëmijëve, pasi mbështeste me këshilla të vlefshme për jetën dhe mbi të gjitha ta donin punën. Ai u kujdes për Haseniun sikurse për gjithë fëmijët e tjerë dhe ia transmetoi atij shumë vlera, të cilat Haseniu i mbajti gjithmonë në zemër deri në frymën e fundit. Në linjën prindërore babai i Haseniut, Sulo Kusho ishte një njeri shumë i fortë dhe i mençur. Ai ishte një model pune dhe përkushtimi për gjithë fëmijët, ishte insistues që të ruhej dinjiteti dhe morali, dhe që të rinjtë të përpiqeshin për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të krijuar një shoqëri më të mirë e të qëndrueshme. Dashuria njerëzore dhe respekti kultivohej që në fëmijëri  dhe mbetej një postulat i trashëgueshëm në breza. Haseniu ishte pjesë e një familjeje të madhe, një familje e zgjeruar dhe plot vlera njerëzore. Ata ishin dhe janë plotë njëmbëdhjetë vëllezër dhe motra. Motra dhe vëllezër të Haseniut janë: Arife, Qëndrime, Shade, Margarita, Thëllëza,Tomorr, Izmir, Bashkim, Zeman, Astrit. Kushtet e vështira ekonomike e bënë këtë familje të kenë unitet dhe gjithmonë dashuri të madhe për njëri-tjetrin. Kjo i ndihmoi të përballonin të gjitha sfidat e jetës. Përballimi i jetës sikurse ju erdhi e bënë këtë familje të fortë, të mbarë dhe të gjindshëm për njeri tjetrin. Haseni Sulo Kusho dhe gjithë fëmijët e tijerë erdhën në jetë si një bekim familjar në Fushëbardhë të Gjirokastrës, në një familje të thjeshtë nga dy prindër të dashur, Sulo dhe  Sheko Kusho. Familja e oxhakut Kusho, ishte me tradita atdhetare, gëzonte respekt dhe mirënjohje në Fushëbardhë dhe në fshatrat përreth të Krahinës së Kardhiqit dhe të Rrëzomës, ku fshati Fushëbardhë kishte tokat bujqësore deri në vitin 1956. Në linjë stërgjyshrore por dhe babai e gjyshi i Haseniut kanë qenë pjesë e të gjitha zhvillimeve historike fushëbardhase, në krahinë të Kardhiqit, por dhe në zhvillimet përtej qafës së Skërficës, në Rrëzomë e Delvinë dhe më gjerë në Labëri.

*

Haseniu, biri i dashur i Fushëbardhës i përkushtuar ndaj punës dhe njerëzve

Haseni Sulo Kusho lindi më 25 janar 1961 në fshatin Fushëbardhë të rrethit të Gjirokastrës, në një familje të thjeshtë nga prinërit e mirë Sulo dhe Sheko Kusho, njerëz të ndershëm e punëtorë, të cilët i dhanë Haseniut, sikurse gjithë fëmijëve të tjerë edukatën e duhur, ndjenjën e thellë të punës dhe të përkushtimit ndaj familjes dhe atdheut. Që kur ka qenë fëmijë ka qenë rrethuar nga vlera të forta të bashkëpunimit dhe respektit, vlera që formësuan personalitetin e fortë dhe të vendosur. Haseniu ishte një pjesë e një oxhaku të madh familjar me shumë vëllezër dhe motra, një traditë e dekadave që shkoi dhe që fëmijët në fshat rriteshin së bashku me shumë dashuri dhe përkushtim për njëri-tjetrin. Ata ishin të varfër, por e kishin njëri-tjetrin dhe nuk e ndjenin varfërinë, prandaj kjo ishte arsyeja pse i mbijetuan çdo vështirësie dhe kapërcyen çdo hall e brengë, që për kohën ishin jo të vogla. Mungesa e kushteve ekonomike nuk i pengoi ata të kishin një lidhje të fortë me njëri-tjetrin, dhe të ndihmonin gjithmonë çdo anëtar të familjes. Dashuria për jetën, punën, familjen ishte thelbësore në jetën e Haseniut dhe të të gjithë fëmijëve të tij të Sulo Kushos. Haseniu kreu fillore dhe tetë vjeçare në shkollën “Karafil Bello” në fshatin e lindjes në Fushëbardhë. Ai kishte etje për dituri dhe pati përparim relativisht të mirë në mësime.

Pas kryerjes me sukses të kësaj shkolle që duhet thënë që në vitin 1975 që përfundoi shkollën Haseniu, Shkolla e Fushëbardhës ishte ndër shkollat më elitare të rrethit të Gjirokastrës dhe kjo ishte një ndihmë e madhe për gjithë nxënësit e këtij fshati, pasi shkolla ju garantonte një të ardhme të suksesshme. Në vitin 1976-1980, Haseniu ndoqi studimet në shkollën e mesme.

Pas përfundimit të shkollës së mesme ju përgjigj thirrjes për ktyerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ku pas kryerjes së karantinës, shërbeu denjësisht në një nga repartet eleitare të Korpusit të Dytë të Këmbësorisë (K2K) që ishte Korpusi i Gjirokastrës. Dega e organizim mobilizimit e përzgjodhi Haseniun për të shërbyer në batalionin e Ndërlidhjes së Korpusit e më pas të Divizionit Labëria të Gjirokastrës, në Cepon historike të kuvendeve, të luftrave të shumta dhe të betejave në të gjitha periudhat. Këtu ishte edhe Vendkomanda e Korpusit e më pas e Divizionit pranë Manastirit të njohur të Cepos. Detyra  ushtarake si ndërlidhës e rriti dhe e bëri profesionist në Ndërlidhje një nga shërbimet luftarake të Ushtrisë mjaft e vlerësuar në të gjitha kohrat. Nuk ishte e rastit që ushtarët që shërbenin në Ndërlidhje e kishin mësuar si aksiomë proverbiale popullore se “Pa ndërlidhje nuk ka drejtim dhe pa drejtim nuk ka fitore”. Në ushtri lart në Cepo u njoh me shok dhe eprorë profesionistë nga më të zotët e ish-Ushtrisë Popullore (Sot Forcat e Armatosura). Ditët e shërbimit ushtarak kaluan shpejt dhe detyra ndaj shtetit”, kështu thirrej në atë kohë, e përmbushi me sukses të plotë, me përgjegjësi dhe me disiplinë. Në Cepo pranë Manastirit në vendin e Zotave, këtij karakoll mijravjeçar i mbushur me ngjarje heroike, kuvende, ku “shkruhej” e ardhmja e gjithë trevës së krahinës e më gjerë, në Cepon e kuvendeve dhe luftrave Haseniu mësoi shumë profesionalisht. Atje u njoh me shumë shokë nga e gjithë Shqipëria, por nga ana tjetër Ai u rrit dhe u formua edhe më shumë, hodhi shtat dhe u burrërua pasi ushtria sikurse thoshin të moçmit të pjek e burrëron, të bën të aftë dhe të përgatiste për jetën, për sfidat e vështirësitë, që për kohën ishin të shumta. Kështu pas përfundimnit të ushtrisë, duke qënë në distancë të afërt me fshatin e lindjes Fushëbardhë zbriti në rrugën automobilistike dhe sosi me një frymë në familjen e tij ku u prit me gëzim. Përfundimi i ushtrisë festohej më shumë se përcjellja për ushtar. Haseniut i hanin duart për punë dhe nuk ja përtonte kurrë punës. Ai ishte i dashur dhe i respektuar nga bashkëmoshatarët, shokët e klasës dhe veçanërisht shokët e miqtë e rinj që zuri në jetën ushtarake. Kështu ai  punoi  si punëtor në kooperativën “35 dëshmorët” e Cepos, edhe kur ishte Kooperativa Fushëbardhë e Zhulat, edhe kur u përbashkuan të gjitha fshatrat në një kooperativë të vetme për të kooperuar zhvillimin e të gjithë fshatrave për ato që kishin drejtim bujqësor me ato që kishin zhvillim blektoral. Fushëbardha e Haseniut në atë kohë kishte një gjallëri të jashtëzakonshme pasi kishte gjeologjinë, ndërmarrjen e kërkimit të mineraleve, investimeve, të druve, blektori më shumë dhe bujqësi më pak. Hallet dhe sfidat e kohës ishin për Haseniun si për të gjithë bashkëfshatarët e tjerë. Haseniu në moshën 23 vjeçare  krijoi familjen e vetë, pasi ai u njoh dhe u martua me znj. Ervehe Dobro (e datëlindjes 28.3.1964). Ervehe Dobro/Kusho, bashkëshortja e Haseniut, ishte një grua e fortë dhe e përkushtuar, e cila e mbështeti Haseniun gjatë gjithë rrugëtimit të jetës së tij, duke krijuar një familje të lumtur dhe duke edukuar fëmijët me dashuri e përkujdesje të madhe.

Ndërkohë shkoi për të kryer me rekomandimin dhe lejen e Këshillit të fshatit Fushëbardhë edhe kursin për shofer në Shkozet të Durrësit përgjatë një viti. Kjo i dha edhe avantazhin që të punonte si shofer me makinën “Zis” të kooperativës, ku detyrat i realizonte me sukses dhe ishte në mëbështetje të njerëzve dhe të hallexhinjve që sa vinin e shtoheshin në kohët e vështira të ndërrimit të pushtetit në Shqipëri. Shoferat e Fushëbardhës ishin edhe zgjidhësit e halleve të shumta të kohës, të transportit dhe jo vetëm pasi Fushëbardha ishte një fshat i madh dhe me një aktivitet të konsiderueshëm në krahinë, por edhe shumë bashkëfshatarë ishin përhapur në të gjithë vendin tonë me detyra si oficerë, mjekë, inxhinierë, mësues etj., dhe kthimi i tyre në vendlindje ishte i papërballueshëm vetëm me një “koriere” ose më vonë autobuzin e Skënder Veliut, ndërkohë që prej vitit 1948 kur u hap për herë të parë nga ushtria rruga automobilistike e Fushëbardhës (fillimisht nga burimi i Bubës dhe më pas nga rrepet e Agait), shoferat e Fushëbardhës kanë qenë Kadri Onjea, Stakonof Shalari, Ismet Çarçani, Teno Golemi, Haseni Kusho, Ëngjëll Bineri, Shpëtim Caca, Ëngjëllush Golemi, Zhuli Tefa, Bari Veliu, Bebi Bineri, Raif Çarçani, Manxhar Basho, Fatmir Sharaf Golemi, dhe shumë të tjerë ju “jepnin një dorë”, dhe mblidhnin shkollarët dhe të larguarit nga fshati Fushëbardhë në të gjithë Shqipërinë, i sillnin në qendër të fshatit në Zhërmë të gjithë drejt vatrave të tyre familjare. Në pikëpamje historike rruga e Fushëbardhës nisi më 1848-ën katër vjet pas çlirimit nga bijtë e Fushëbardhës dhe jo vetëm, në këtë rrugë eci edhe Haseni Kusho dhe shoferat e tjerë të fshatit mes malesh. Kështu emri i Haseni Kushos u bë një emër i njohur dhe i dashur në vitet e fundit të rregjimit të kaluar e deri sa u shua në fundmajin e vitit 1997, vit që ngeli në memorien e përjetësisë shqiptare. 

*

Sërish me detyrë ushtarake, kësaj here kuadër në Degën Ushtarake Gjirokastër

Në vitin 1991, që ishte edhe viti i fillimit të tranzicionit në Shqipëri kalon në një detyrë tjetër nën uniformë ushtarake në Degën Ushtarake të rrethit të Gjirokastrës me gradën ushtarake “kapter”. Përgjatë dy viteve 1991-1993 punoi në degën e organizim mobilizimit të Gjirokastrës duke kryer detyra të ndryshme. Haseniu u bë i njohur dhe tregohej i papërtuar. Detyra nuk ishte e lehtë dhe mobilizimi ushtarak kishte hallet e veta të shumta, ndërkohë që edhe era demokratike fryu edhe në Shqipëri dhe djemtë e rinj shqiptarë gjirokastritë dhe atë të fshatrave të saj tashmë kishin zgjedhje e zgjidhje, edhe duke e braktisur detyrën dhe duke shkuar në rrugën e emigrimit. Por Haseniu kishte veti qëndrueshmërie dhe serioziteti në detyrë, duke qenë shpirtërisht dhe bindshëm i përkushtuar ndaj mijionit dhe përgjegjësive të ngarkuara. Në vitin 1993, ai u transferua në Brigadën e Tankeve në fshatin “Arshi Lengo”, ku punoi për katër vjet si shofer i Shervoletit të Ushtrisë tek reparti i njohur i Tankeve, ku njerëzit nuk zgjidheshin por përgjidheshin. Shumë shpejt do të fitonte zemrat e shokëve, eprorëve dhe vartësve dhe u shndrua në një figurë e rëndësishme për brigadën dhe ushtarët, duke kontribuar në mbrojtjen e Atdheut dhe në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Shoferi i Shervoletit kishte një rol të rëndësishëm në lëvizjen e njësive ushtarake dhe transportimin e materialeve të nevojshme për operacionet e ndryshme. Përkundër angazhimit të tij të palodhur dhe të papërtuar për familjen dhe detyrën, tragjedia ndodhi në vitin e mbrapshtë të 1997-tës. Tragjedia duke e çuar shtetin deri në buzë të greminës ishte për të gjithë, por një ngjarje edhe më tragjike do të ndodhte në fundmaj të vitit 1997. Kështu atë fundmaji të 1997, Haseni Sulo Kusho, në moshën më të bukur rinore, u vra barbarisht nga banditë kriminelë, një akt i cili tronditi të gjithë komunitetin e Gjirokastrës, shokët e miqtë e tij të shumtë kudo ku ishin si dhe Fushëbardhën e tij të dashur. Lajmi për humbjen e jetës së tij shkaktoi një dhimbje mjaft të thellë për familjen, miqtë, të afërmit, bashkëfshatarët, dhe ishte një humbje e madhe për njësinë ushtarake ku shërbente ndershmërisht dhe me përkushtim. Pas vdekjes, bashkëshortja e tij, Ervehe, mori përsipër të rrisë dhe edukojë fëmijët e mbetur jetim. Ajo vazhdoi të jetojë në Fushëbardhë, duke u siguruar që fëmijët të merrnin një edukatë të mirë dhe të përparonin në jetë, të bëheshin të aftë për ta përballuar jetën dhe nga ana tjetër të kujtonin babain e tyre që nuk u dha para vështirësive por dhe në çastet e fundit të jetës nuk e kurseu jetën për mbrojtjen e pasurisë së popullit. Aktet e larta sublime nuk mund të përshkruhen me fjalë. Pas përgatitjes së dokumentacionit nga komanda ushtarake e kohës e Divizionit “Labëria”, Haseni Sulo Kusho shpallet me plotë të drejtë me vendim të posaçëm dhe unanim të Këshillit të Rrethit të Gjirokastrës me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Ky akt vlerësimi dhe titull i lartë i nderit ju dha për sakrificën sublime dhe kontributin e tij të çmuar për vendin, familja e tij ndjeu krenari për vlerësimin, sikurse edhe fshati i lindjes, Fushëbardha, krahina e Kardhiqit, Labëria. Maksima proverbiale shqiptare, se “njeriu harrohet kur nuk kujtohet” është plotësisht e vërtetë, pasi Haseni Kusho kujtohet gjithmonë si ish-ushtarak, njeri i drejtë, i ndershëm dhe i përkushtuar, i cili dha gjithçka për mbrojtjen e pasurisë ushtarake shtetërore, për djersën e mundin e popullit. Ai jeton në zemrat e familjarëve, fëmijëve të tij dhe të gjithë atyre që e njohën si njeri me vlera të mëdha, shembull të dashurisë njerëzore për familjen dhe për Atdheun.

*

Ushtaraku shembullor dhe njeriu i mirë Haseni Kusho nuk harrohen kurrë

Haseni Kusho i përballur me të keqen, në vitin e mrapshtë të 1997-ës, ngeli dëshmor i përjetësisë shqiptare. Haseniu në moshën 36 vjeçare më 25 maj 1997 në përballje me bandat kriminale, ka lënë pas bashkëshorten dhe katër fëmijët, tre vajza dhe një djalë. Pas vrasjes së Haseniut, e shoqja Erveheja mori përsipër rritjen e katër fëmijëve, dhe e bëri këtë me shumë forcë e dashuri, duke iu siguruar atyre një të ardhme të mirë, një grua fisnike që ka sakrifikuar shumë për të mbajtur të gjallë kujtimin e bashkëshortit të saj dhe për të edukuar fëmijët në mënyrë të denjë dhe me krenari për babain e tyre. Me vdekjen e tij familja kthehet në Fushëbardhë. Të katër fëmijët e dëshmorit Haseni Kusho aktualisht kanë krijuar familjet e tyre dhe përfaqësojnë denjësisht familjen me status dëshmori të njeriut të mirë të dashur dhe të respektuar, të Haseniut tonë të shtrenjtë dhe të paharruar. Vajza e madhe, Ervisa Kusho/Tefa 36 vjeçe, është martuar dhe ka dy fëmijë. Ajo ka mbaruar studimet për mësuesi dhe punon si mësuese në një shkollë, ka një karrierë të qëndrueshme dhe është një nënë e përkushtuar për fëmijët e saj. Vajza e dytë, Sheko Kusho 32 vjeçe, është infermiere dhe jeton në Gjermani, ka ndjekur studimet për infermieri dhe ka arritur të ndihmojë shumë njerëz, duke e përkushtuar jetën e saj për shëndetin dhe mirëqenien e të tjerëve. Djali, Denis Haseni Kusho 30 vjeç, është i martuar dhe është aktualisht punonjës policie. Ai ka përfunduar shkollën e lartë dhe ka zgjedhur të shërbejë në forcat e rendit, duke kontribuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Vajza e vogël, Afrora Memushi 28 vjeç është e martuar dhe jeton në Greqi me bashkëshortin dhe dy fëmijët, ka ndjekur studimet dhe ka krijuar familjen e saj. Vrasja e Haseniut ishte një akt sa makabër edhe barbar, që solli shumë dhimbje dhe trishtim tek fëmijët e vegjël dhe tek mbarë opinioni publik, solli dhimbje në Fushëbardhën e tij të dashur, prandaj edhe  do të mbahet mend përgjithmonë si njeri i përkushtuar që dha gjithçka për të mbrojtur familjen dhe pronon ushtarake shtetërore. I përballur me të keqen, në vitin e mrapshtë të 1997-ës, Haseniu ngeli dëshmor, ngeli në kujtesën e brezave të ushtarakëve si mbrojtës i pronës ushtarake, të shenjtë në misionin e shenjtë të mbrojtjes së Atdheut. Fakt është se Haseni Kusho ka merituar përjetësinë dhe mirënjohjen kombëtare. Nga dosja e dëshmorit fushëbardhas kemi evidentuar se, “Vendimi nr.13, i Këshillit të Rrethit të Gjirokastrës më datë 29 tetor 1999 në mbështetje të kërkesës së Komandës së divizionit “Labëria” si dhe në mbështetje të dekreteve të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 45.588 datë 18.10.1969, dhe dekretit nr.7199 datë 21.1.1998 vendosi t’i japë titullin “Dëshmor i Atdheut”, kapter Haseni Sulo Kusho me motivacion: “rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e pasurisë ushtarake nga bandat e armatosura”, firmosur nga kryetari i këshillit të rrethit Jani Dako në Gjirokastër. Eshtrat e tij prehen në Fushëbardhë edhe pse meritojnë që në bazë të ligjit për dëshmorët të prehen në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës. Në kuadrin e 15 vjetorit të rënies në maj të vitit 2012, që ishte edhe viti i 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, organizata e dëshmorëve dega Gjirokastër në bashkëpunim me pushtetin vendor vendosën grumbullimin e eshtrave dhe vendosjen në varrezat e dëshmorëve, por nuk u mundësua një gjë e tillë nga familjarët e tij, por ligji ka prioritet përballë dëshirave të familjarëve edhe pse gjykohet se do të prevalojë dhe mundësohet çvendosja e eshtrave sipas ligjit në një kohë të përshtatshme. Komisioni Qëndror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” me Vendimin nr. 2 , datë 19.10.2002 i ka njohur Haseni Sulo Kusho statusin e titullit të lartë “Dëshmor i Atdheut” dhe  familjes së tij i ka akorduar simbolin “Familja e Dëshmorit të Atdheut”.  Me ndarjen e tij nga jeta, Haseniu hapi nje plagë shumë të madhe, jo vetëm për familjen e tij, bashkëshorten e fëmijët, por edhe për të afërmit dhe shoqërinë që e vlerësonin si njeri të drejtë, të dashur, të përkushtuar, human, një ushtarak të devotshëm, që punoi bazuar në trinomin e njohur të shtetarit ushtarak shembullor për detyrën-nderin-Atdheun. Haseni Kusho, dëshmori i Fushëbardhës dhe i gjithë Shqipërisë, do të ngelet i paharruar në zemrat e familjarëve të tij si dhe të gjithë atyre që e njohën, të kolegëve ushtarakë dhe të mbarë shoqërisë.

*

Nëpër faqet e shtypit ushtarak shqiptar: “Vetëflijim për detyrën dhe atdheun…”

Nëpër faqet e shtypit të shkruar shqiptar është një emër i njohur autor i qindra shkrimeve, Nuri Draçi, i cili shkruante “Nënoficeri Haseni Kusho që u flijua për mbrojtjen e pasurisë ushtarake”: Tridhjetegjashtëvjeçari nga Fushëbardha e Gjirokastrës, Haseni Kusho, ishte nënoficer dhe shofer në repartin e Arshi-Lengos, gjatë ditëve të trazuara të marsit të mbrapshtë 1997. Një ditë, më 15 mars të këtij viti, te Ura e Lumit në Gjirokastër, vonë kur po kthehej me makinën e tij ushtarake në familje, i dalin në rrugë katër hajdutë të armatosur. “Na jep makinën”, i thanë kriminelët. “Edhe sikur jetën të më merrni makinën s’e jap se është pronë e Ushtrisë, është pronë e popullit”, i tha aty për aty Haseniu. Atë çast banditët sikur ndërruan mendje dhe ikën. Por erdhen sërish një ditë tjetër, më 25 maj 1997 afër shtëpisë së Haseniut. Ai banonte afër parkut të makinave ushtarake që ky nënoficer shembullor i kishte nën ruajtje. Kriminelët e kishin ndarë mendjen për të vjedhur pasurinë ushtarake. Haseniu mori automatikun dhe i paralajmëroi ata të mos e vidhnin repartin. Por ata me natyrë krimineli… qëlluan mbi Haseniun. Njëzetëeshtatë plumba ranë mbi trupin e djaloshit trim Haseni Kusho…Për aktin heroik të rënies në detyrë për mbrojtjen e pasurisë ushtarake,.. Këshilli i Qarkut, Bashkia e rrethit, Komiteti i Veteranëve, Kryesia e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Gjirokastrës, me vendimin Nr. 2, datë 19 tetor 2002, e shpallën “Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ceremoni atëhere morën pjesë nga Këshilli i Qarkut, Bashkia, Komiteti i Veteranëve, Kryesia e organizatës së Dëshmorëve, Komanda e Brigadës së Tankeve, Divizioni Ushtarak “Labëria” i Gjirokastrës e banorë të zonës së Kardhiqit. Ishte një vlerësim për këtë akt heroik të Haseniut, por edhe në emër të jetës se 4 fëmijëve të tij, të bashkëshortes, Ervehesë, të motrës së tij, Margarita…. Ndjenja e solidaritetit e demostruar nga banorët e Kardhiqit në raste të tilla të vështira për familjen e Haseniut u duk në faktin që ata ndihmuan për të ngritur banesën e re për familjen e këtij të riu, të rënë në detyrë. Motra e dëshmorit Margarita falenderoi, përfaqësuesit e pushtetit, deputetin e zonës, drejtorinë arsimore Gjirokastër e kryetarin e komunës Cepo Kardhiq, që dhanë dy bursa falas për fëmijët e dëshmorit. Sot vajza e madhe Ervisa Kusho ka mbaruar universitetin në degën për arësimtare kurse vajza e dytë Sheko Kusho mbaroi për mjekësi. Familja, fëmijët, Fushëbardha mbajnë lartë dhe nderojnë vlerat e larta të dëshmorit Haseni Kusho”. Ndërsa poeti lab nga Picari i Kurveleshit ndjenjën poetike për dëshmorin fushbardhas Haseni Kusho e derdh tek libri me poezi “Puthje në Mermer”, të vitit 1999, faqe 45: “I thjeshti, i dashuri: Nuk më bëjnë duart,/ të shkruaj për ti,/ s’të kam harruar,/ shoku Haseni,/ S’më hiqet nga mendja,/ ajo ditë maji,/ kur plumbi të mori,/dhe s’të deshi fati!/” Eja dhe një herë,/ Në Gërhot e Degë,/ kur me shokët tok,/ do pimë kafenë,/ Fëmijët do të rriten,/ ti s’do vish më prapë,/ Denisi është burrë,/Ti s’të lë në baltë!/ Me ngarkesë vitin, / e kaluam prapë,/ po ti Haseni,/ ke rrugë të gjatë,/Më ka ngelur mendja,/ nga e zeza natë,/të kujton motra,/ viti u mbush prapë,/Ah i shkreti plumb,/që të preu jetën,/fëmijët la në rrugë,/baba s’ka tjetër!/ E kam të vështirë,/të shkruaj vargje,/për shokët e mi,/të rritur me halle,/e deshe ushtrinë, /i qëndrove afër,/shtëpinë e ndërtove,/të plasi në vatër,/do të shkojnë vite,/do të kujtojmë ti,/i thjeshti, i dashuri,/shoku ynë Haseni!/ Çdo ditë fëmijët vijnë,/kujtojnë lemerinë,/Pa ti as ujë s’pinë,/presin të lësh shërbimin!/të shkruaj për shokët,/dukem si i huaj/ kur ata kujtoj,/i kam dashur e do t’i dua”.

*

Shembulli i ushtarakut atdhetar dhe emër i nderuar në kujtesën e shokëve

Haseni Kusho, një emër i nderuar në kujtesën e shokëve”, do të shkruante gazetari ushtarak Afrim Imaj, në gazetën “Ushtria”: “Shumë njerëz në Gjirokastër, kur bie fjala për gazetën “Ushtria”, të veçojnë një fakt disi të veçantë: “Në periudhën e krizës së madhe të vitit 1997, kur shumëkush u harrua edhe me të gjallët, ajo gjeti mundësinë për të kujtuar e bërë homazh për katër nga oficerér e talentuar të këtij qyteti, që ranë një ditë maji duke sistemuar municionet në grupdepot e Picarit Madje në prefekturen dhe bashkine eqytetit, kujtojnë se ky akt i shtypit ushtarak, u bë shkak i fillimit të procedurave për t’i nderuar me titullin e “Dëshmorit të Atdheut”. Po nëse ta njohin këtë nder gazetës “Ushtria” në Gjirokastër, njëherazi të shfaqin edhe një lloj “rezerve”, e cila lidhet sërish me homazhin ndaj të rënëve. Ta kujton atë një plak i moçëm me emrin Dule Shehu nga Kurveleshi, ta vë në dukje Anastas Gurma, komandant i divizionit “Labëria”, ta përsërit Xhevrie Bakëri nga Palortoja e vazhdojnë më tej Arianit Muho drejtori i Shtëpisë së Oficerëve, Kujtim Zeneli, një ish oficer në tanke… “Rezerva” e tyre shfaqet natyrshëm e thjeshtë: “Bëtë mirë që ngritët obeliskun për katër oficerët e Picarit, po pse harruat Arseni Kushon, kapterin nga Fushëbardha që ra një javë pas tyre e trimërisht si ata më emër të detyrës”.  Nënkolonel Rrapo Nisllaj, shef i shtabit të divizionit, bashkë me dosjen e përgatitur nga komanda dhe e adresuar për institucionet përkatëse qysh një vit më parë për ta dekoruar me titullin “Dëshmor i Atdheut”, shpalos përmbledhtas jetëshkrimin e Arseni Kushos, komandantit te togës së transportit të brigadës së tankeve. Eshtë një jetë e thjeshtë që nis me një fëmijëri të vështirë, ku djali nga Fushëbardha do të rritej jetim te daja Nevruz Veizaj. Në “Curiculumin” e Arseniut kanë mbetur pak gjëra, përfundimi me rezultate të shkëlqyera i shkollës së mesme, kryerja e shërbimit ushtarak me distiktivin shembullor dhe 15 vjet të jetës me uniformë me gradën e kapterit, në fillim në batalionin e xhenjos, në degën ushtarake e së fundi ne brigadën e Arshilengos. Po në kujtesën e shokëve, Arseni Kusho ka lënë një jetëshkrim, shumë më të gjere se kaq. Aleks Shajkua, shefi i stërvitjes së divizionit “Labëria”, i cili ka punuar vitet e fundit me të, e kujton si një ushtarak shembullor, “njeriun që e dashuronte me shpirt detyrën dhe teknikën”, “vartësin model në zbatimin e urdhërave, Bashkim Bellua, shef i shtabit të brigades se tankeve, veçon lidhjet e alerta té tij me repartin, dashamirësinë e sinqeritetin në marrëdhënie me eprorët e vartësit. Pëlllumb Sina vë në dukje merakun dhe pasionin e Haseniut, për të mbajtur automjetet e teknikën jo veten në gatishmëri, por edhe te pastra “xixë”. Për t’i qendruar edhe më pranë detyrës, komandanti i togës së automjeteve, do të vendosej edhe me familjen në një objekt ushtarak të përshtatshëm për banesë pranë repartit. Në kushte disi të vështira, Arseniu bashkë me ringritjen e strehëzës së re, nuk do shkëputej për asnjë çast detyrës: Afërsia me repartin do t’i jepte mundësi të rikthehej ay edhe pasditeve, madje në disa raste deri natën vonë për t’i shërbyer teknikës përkushtim dhe me merak mjeshtri. Tronditjen e fillimmarsit të ’97, Arseniu do ta përjetonte me dhimbjen e një gjëmës së madhe. Qëndresa në ballë të shokeve përë mos lejuar turmat që të plaçkitnin repart ishte e vendosur. Qau me dënesë si femijë, të thonë shokët, kur pa rrënimin e depove armaturave, teknikës. Nëpër plumba mori shevërletin kamioçinë dhe e futi në oborrin e shtëpisë. Për ditë të tëra e ruajti me pushkë në dorë nga banditët. Kështu deri pas mesnatës e 25 majit…1997. “Ishite ora rreth 4 e mëngjesit, kujton Erveheja, e shoqja e tij. Krisi një e shtënë pushke gardhi e pastaj disa zëra që e thirrën. Rrëmbeu pushkën e doli në oborr. Mos babi, mos do të të vrasin, iu lut me lot në sy vajza Ervisa që me sa duket e ndjeu. Mos, i thash edhe unë. Po ai nuk u kthye prapa. Pranë sheverletit i hodhën një granatë që i ra në kokë. Pastaj breshëri të tëra mbi trup…”. Deri këtu të përcjellin nëpër jetën e tij shokët dhe dashamirësit e Haseni Kusho. Një jetë e thjeshtë, me 36 pranvera dhe një vdekje heroike në krye të detyrës, ballë për ballë ne maskat kriminale. Më tej, vijon një lloj stepje, madje edhe një pakënaqësi e atyre që e shoqërojnë me aq sa dinë për ushtaraku shembullor deri më 25 maj 1997. Erveheja bashkë me katër fëmijët e ka lënë strehëzën pranë brigadës së Arshilengos dhe ka shkur të jetojë në fshat, në vendlindje, mes halle të pafundme e braktisur disi nga përkujdesja e shtetit. Propozimet e proçedurat kanë ne vit që “flenë” nëpër sirtare zyrash. Haseni Kusho, me atë që bëri, ka mbetur në kujtesën e shokëve dhe biografinë e repartit si shembulli i ushtarakut atdhetar, njeriun e përkushtuar deri në vetëflijim për detyrën dhe atdheun”.

*

Burimet e Studimit: Dosja e dëshmorit të Atdheut Haseni Sulo Kusho pranë Departamentit të Dëshmorëve të Atdheut në Ministrinë e Mbrojtjes; Burime nga gazetat e shkruara nga Afrim Imaj dhe Nuri Draçi; të dhëna nga arkivi familjar nga e bija e dëshmorit Ervisa Haseni Kusho/Tefa; të dhënë nga bashkëfshatarë dhe kolegë të punës; Vendimi nr.13, datë 29 tetor 1999, i Këshillit të Rrethit të Gjirokastrës bazuar në kërkesën e Komandës së Divizionit “Labëria” si dhe në mbështetje të dekreteve të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 45.588 datë 18.10.1969, dhe dekretit nr.7199 datë 21.1.1998 vendosi t’i japë titullin “Dëshmor i Atdheut”, kapter Haseni Sulo Kusho; Vendimi nr. 2, datë 19.10.2002, i Komisioni Qëndror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” që i ka njohur Haseni Sulo Kusho statusin “Dëshmor i Atdheut”; Prof. Zaho Golemi, Prof. Bernard Zotaj “Dëshmorët e Atdheut”, Tiranë: Realstamp, 2012, faqe, publikuar në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar; nga Fondet Dokumentare nga AQFA Brigadën e Tankeve në “Arshi Lengo” të RU 8555 Gjirokastër; nga fonde dokumentare të QPR-së pranë MM, Mete Peçi, “Puthje në Mermer”, poezi, Toena, 1999, faqe 45-47; Periodiku i gazetës së SHKA “Fushëbardha (2003-2020), që gjendet në Bibliotekën Kombëtare; Periodiku i gazetës “Ushtria” “Labëria”, “Dielli”, “Veterani”, “Kushtrim Brezash”, Periodiku i revistës “Pavdekësia” si dhe publikime te portalit te mirenjohur shqiptar “Albspirit”.

Please follow and like us: