Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Katjusha Pogaçi dhe bota e saj poetike universale

Emri i poetes Katjusha Pogaçi, ka zënë një vend të nderuar, në poezinë shqipe, qysh në vitet ’80 të shek. XX, krahas poeteve të nderuara si: Natasha Lako, Adelina Mamaqi, Edi Shukriu, Vojsava Nelo, Mimoza Ahmeti, Klara Kodra etj.

Poezia e Katjusha Pogaçit të impresionon për freskinë dhe origjinalitetin e saj, por edhe për mënyrën e konceptimit dhe të organizimit përmes një strukturimi interesant që vjen nga një prirje e natyrshme e kësaj poeteshe për kapjen e çasteve. Në parathënien e librit “Një gotë diell”, poetesha thotë: “Vibrimi njerëzor për ngjarjet, rrethanat dhe përthyerjet brenda botës së autorit, pasqyron një periudhë e vend të dhënë”.

Kështu, në librin e saj me lirika moderne, poshtë çdo poezie vihet një datë e caktuar, gjë që shoqëron ngacmimin e autores prej frymëzimit dhe kontaktet e saj me botën reale. Mirëpo poezia e saj nuk pasqyron asnjë ngjarje apo ndodhi. Ngjarjet fshihen në një sfond të largët, ndërsa ajo që del në pah është më tepër çfarë kanë shkaktuar këto ngjarje në shpirtin e ndjeshëm të poetes dhe çfarë përfitojmë prej tyre.

Thënë që në fillim, pa u nisur nga ndonjë element i entuziazmit të natyrshëm, poezia e saj të emocionon për gjetjet dhe konceptimet interesante për mendimet që, sa kapin çastin, aq marrin edhe vlerën e natyrshme universale dhe të imponojnë një qëndrim që vjen si jehonë e bukur e realizimit estetik të tyre, ku autorja zbulon të bukurën e shpirtit njerëzor: “Ikja është një femër/me kostum blu/rrugën merr për qiell/apo thjesht diku”.

Motivin e ikjes- do ta gjejmë në këtë vëllim dhe ky motiv do të transfigurohet e do të marrë trajtë të tillë përmes një vargu plot imazhe e befasi këndellëse-e në këtë ikje, në këtë rendje drejt të njohurës dhe të panjohurës, ajo kërkon një “gotë diell”, pse udha ka gjithmonë edhe ftohtësi, edhe ngrohtësi, ajo vishet me të gjitha ngjyrat dhe, kur shfaqet grija, duhet patjetër të vijë ngrohtësia. Gota e diellit metaforizohet dhe merr një kontekst të motiveve që vijnë prej udhëtimit të poetes. Prandaj edhe ciklet e poezive janë ndarë me muajt e vitit, në këta muaj, ajo jep poezinë që ka shkruar për çdo muaj dhe me datë të caktuar.

Duket se poezia e saj në këtë vëllim, organizuar në formën e një ditari intim, vjen si një përjetim i fuqishëm sa konkret, aq edhe transcendental, një përjetim që shkrihet e mblidhet në emocione të përmbajtura, që tregojnë natyrën e poezisë së saj-si një lirikë filozofike dhe meditative brenda konturimit modern dhe qasjes ndaj ngacmimit poetik, duke e shpërfaqur atë përmes një mendimi të hollë e plot mençuri. Ajo kujdeset për fjalën, trishtohet për inflacionin dhe inflamacionin e saj, prandaj shpërthen: “Shumë fjalë të kota paska bota/si mulli pa kokrra/si furrë që bukë nuk pjek/sa fjalë pa brumë e pa kripë paska bota/vajmedet”!

E gjithë kjo me këto vargje është një klithmë e heshtur ngjethëse kundër boshësisë së kësaj kohe që poetesha kërkon ta mbushë me estetikën e fjalës së saj dhe që ia arrin, që këtë ta japë mirë. Por këtë boshësi ajo nuk e lë në pamjen e saj, ky është vetëm një perceptim poetik që kthehet në konceptim. Ajo nuk e pranon zbrazëtinë, prandaj vendos aty disa shenjëzime që luftojnë me harresën e që s’mund të harrohen. Janë disa piketa të vetvetishme, të cilat poetesha i vë natyrshëm dhe që përcaktojnë rrugën e rritjes së saj përmes ecjes.

Si emigrante, ajo vendos atdheun, të parën piketë. Pastaj njerëzit e dashur e njëkohësisht edhe vende të tjera ku njeh e takon të panjohur. Poezia e saj mbushet me mbresa dhe tejçon e përcjell harmonishëm dhe të pastër këtë mbresë përmes realizimit dhe gdhendjes së fjalës së zgjedhur. Në këtë kuptim, krijimtaria e saj poetike të nxit ta lexosh dhe i ngjan një poeme të shpirtit dhe të mendimit njerëzor.

Si artiste e fjalës, poeteshën e ngacmon natyra, pra, bota mbushet me madhështinë e saj, madhështinë e njerëzve dhe të vendeve të ndryshme. Fjalët e kota dhe mendjet e lodhura vetëm sa përkohësisht na krijojnë atë ndjenjë trishtuese dhe kurrë nuk mund ta lëkundin ndjenjën e kërkimit dhe të perceptimit ndaj së bukurës: “Pikat e shiut/bien pa ngut/vijnë si kujtim” dhe, në udhëtimin e saj ku ikja ngjan e përkohshme, ajo mbart edhe kujtimet si një barrë që e lehtëson përmes të shprehurit poetik.

Poezitë e saj të shkruara herë në Gjirokastër e herë në Itali, po edhe herë në avion, gjatë fluturimit për diku, mbartin një peshë të caktuar emocionale dhe motivohen prej gjendjeve shpirtërore të qeta, por të hovuara në brendësi për shkak të kujtesës apo të çastit të drejtpërdrejtë që ia ka sjellë inspirimin poetes: “Po bie një muzg/me ndriçim të brishtë/njëra-tjetrën hanë/retë ngjyrë mavi”.

Imazhi virtual që krijon folja “hanë” nuk është veçse një brengë përhumbëse për një çast të caktuar ku poetesha ndjehet e pushtuar nga magjia e natyrës. Si poeteshë që i këndon hapësirës, ajo nxitet nga ajo dhe thotë: “Hapësira si liria/nuk ka fund sa të përket/po kufiri i saj mbaron/nëse tjetrin ti e prek”, vargje të shprehura me finesë dhe me sintetizim të njëkohshëm të shprehjes së tyre.

E në këtë hapësirë, gjithnjë del atdheu, vendlindja (Gjirokastra), dalin malet, fushat. Atdheu teksa ajo është mbi qiej, zhduket si imazh- por zmadhohet në zemër me atë çfarë ai është gdhendur dhe lëviz nëpër ndjesi. “Për Gjirokastër-Tepelenë/janë mbledhur retë shtëllungë/dielli i vjeshtës i ndriçon/e nëpër to sikur nxjerr shkumë”. Vargje të tilla ku vizatohet me pak detaje peizazhi i atdheut gjejmë në këtë vëllim jo pak dhe ato shkruhen thjeshtë si konstatim i gjetur që kalon më pas në një konceptim ideor të veçantë dhe që të godet me ndjenjën e hollë dhe mendimin përçues e goditës.

Motivi i gruas është një nga motivet e këtij vëllimi, i cili vihet re në disa poezi të realizuara e me peshë. Për gruan ajo thotë: “Nuk jemi veshja/as makijazhi/as kombinim i bardhë e zi/po jemi vlera që ka hapi/mbi takë të lartë me madhështi”. Gruaja në përditshmëri shkrihet si motiv me motivin e jetës. Shpesh poetja i drejtohet jetës dhe e shndërron atë në motiv, duke e parë te vetja e saj, por edhe të shkrirë këtë motiv në një kuptim më të gjerë, kur ajo i zbulon kësaj jete bukurinë dhe madhështinë e saj, por edhe çaste të ndryshme pesimizmi, trishtimi apo të mungesës së kuptimit të saj për shkak të absurditetit tejveprues. “Pasarelë e jetë/lëkundet mbi lumin me shkumë/Fryn era./Përtej qiell i murrmë/Jam apo nuk jam unë”.

Natyrisht, për një poet apo poeteshë, jeta shihet ndryshe. Ajo shihet si ideal kërkimi, duke zbuluar prej saj ato shfaqje që syri i zakonshëm nuk i shikon. Dhe është për të ardhur mirë që poetesha jetën e shikon në këtë dimension. Kjo ndjesi të imponohet vetvetiu dhe mirësia rritet. Është mirësia e jetës dhe dashuria për të, pavarësisht nga momentet që nuk të sjellin ndonjë të re dhe përbëjnë rëndomtësinë e saj. Dhe këtë bukuri ajo e gjen te vendet, por edhe te njerëzit, te gjithçka që jeta e pranon si të mirë dhe të bukur dhe që ndërtohet e merr tharm prej saj.

Uni poetik i poetes ndoshta është nxitja kryesore që të ndihemi pranë poezisë së saj dhe ta shohim e përjetojmë këtë poezi përmes ndjesish të bukura e të freskëta, përmes një vargu shprehës dhe të punuar mirë, ku fjala gjendet në vendin e saj. Ndoshta në një libër të mirë ekziston vështirësia e zgjedhjes së vargjeve për t’i dhënë si ilustrim të një mendimi kritik dhe vlerësues për këtë vëllim me vjersha. Në një vëllim si ditar lirik ku emocioni jepet në plotësinë e tij të shprehur dhe në masën e duhur dhe ku mendimi poetik përcillet përmes veshjes metaforike apo me imponimin prej detajit mund të përcjellësh sa e sa mendime që vijnë si asosacione prej imazheve të realizuara..

Duke të futur në një botë të pasur përjetimesh që vijnë prej një poezie të frymëzuar dhe të shkruar jashtë çdo kërkimi për modën e fjalës dhe figurën e fryrë dhe të abstraguar me tepri, poetesha arrin të na imponohet me këtë botë dhe të na sjellë një poezi të çliruar e të futur në rrjedhën e një ligjërimi në trajtën e një bisede të ngrohtë me ato gjetje poetike apo sende të ndryshme prej nga shkëndijohet një botë tejfryme e frymore aq edhe sa jepet një botë konkrete. Këtë poetja arrin ta ndërthurë bukur në një raport harmonizimi të njëmendtë pa artifice.

Poezia e Katjusha Pogaçit përgjithësisht është e shkurtër, me ndonjë përjashtim. Stili i saj është i rrjedhshëm pa ngërçin më të vogël dhe që të jep kënaqësinë ta lexosh deri në fund, ku ideja vjen me forcën transmetuese të saj krejt qetësisht dhe e shtresuar. Poetja i përmbush emocionet përmes laryshisë së temave dhe motiveve dhe jo vetëm kaq, ajo të prek dhe të ndjell edhe me metaforat që ndërton dhe figurat e tjera letrare, të cilat ndërtohen natyrshëm dhe pa bujë e me kuptimësi që zbërthejnë indin e idesë.

Titulli metaforik “Një gotë diell” i shkon më së miri këtij vëllimi, se shpreh kuptimin shtresor për pak ëmbëlsi në ikje-dhe ikja shprehet si motiv kërkimi drejt sendërtimit të ëndrrës. Dhe kështu ajo ndez vazhdimisht një ëndërr: “Me re e rreze/sytë bëjnë ylberin”, një ëndërr që është një zgjim përherë që përftohet nga ajo çfarë poetja zbulon si të bukur dhe e afron artistikisht para lexuesit dhe dashamirësit të poezisë. “Duke qenë se lëvizja nga një vend në tjetrin tani është një realitet, ndjenja lëviz më shpejt se fiziku”, thotë autorja. Dhe kjo ndjenjë lëviz e pështjellohet si trajektore malli apo herë të tjera drejtpërdrejt, duke sjellë një botë që lëviz dhe konkretizohet pa bujë, përmes një poezie fluide dhe konkrete njëkohshëm.

Në ikje-ardhje e sërish në ikje për t’u kthyer sërish aty ku u nis, poetja e mbart kujtesën jo thjesht si nostalgji, por si energji për ta integruar me të tashmen e për t’i ngacmuar mendimet, duke rikrijuar kështu gjithëkohësinë e lëvizjes në një rendje pambarim drejt njerëzores dhe së bukurës… E në këtë ikje ajo merr ngrohtësinë e atdheut, por edhe të njerëzve, të çasteve e zbulimeve, të cilat përmes detajeve të funksionalizuara artistikisht dhe konceptimit modern, na japin një poezi të realizuar lirike dhe meditative.

Në parathënien që poetja e mirënjohur Katjusha Pogaçi i bën vëllimit të saj poetik “Jetoj për ty”, thotë se “poezia është një ditar lëvizës që rrek realitete në evoluim”. Kjo thënie shpërfaq imazhe të një koncepti të thellë estetik pasi lexon poezinë e saj në vëllimin poetik “Jetoj për ty”, një vëllim që plotëson dukshëm kufijtë e estetikës së fjalës dhe arrin të na bindë për konturimin dhe evoluimin e mendimit poetik brenda një hapësire intelektualiste, ku shprehet shqetësimi dhe vetiu vjen përvoja mbi çka duhet menduar për jetën, për sendet, për atë që njeriu shikon, provon dhe imagjinon në një udhëtim të pandërprerë horizonteve të vendeve dhe të jetës.

Poezia e Katjusha Pogaçit, në këto dekadat e fundit, më së shumti objektivizon dhe materializon poetikisht përpjekjen për të kumtuar mesazhe dhe ide të qenësishme mbi kuptimet e kësaj bote, mbi objektet dhe sendet, mbi jetën dhe shkëndijimet që japin ato. Pra, poezia e saj, është meditative dhe kjo përsiatje të çon me një fuqi kreative të njëmendtë te zbulesat që poetja bën. Shqetësimi intelektualist vishet me një frymë të ngrohtë dhe elegante femërore, me një brishtësi elegante, ku lexuesi ndien dhe përjeton botën e një femre të emancipuar: “Takohemi te lumturia/Sonte në orën pesë,/Po s’erdhe,/Mjegulla ka shkuar/Pas malit/Diellin të presë…”.

Siç shihet në këto vargje, poezia e saj i ikën imazhit konkret dhe kërkon rrugë të mendimit përgjithësues dhe të fton ta kërkosh mendimin në kontekste të gjera dhe universale, që ndodhin për çdo njeri e në çdo kohë. Moderniteti i shprehjes dhe vargu i rrjedhshëm e i kultivuar në trajtën e sentencës, herë-herë të sjellin vetiu një mendim dhe një pëlqim kur lexon këtë poezi, e cila mëton të shprehë e të pasqyrojë një botë transcedentale, ku shprehet shpesh ankthi i kërkimit dhe i sqarimit edhe pse të mjegullt -ekzistencial.

Vetmia, ankthi, përjetimet e zakonshme të njeriut modern, një farë tejngopje apo indiference ndaj sendeve, është një tematikë tjetër, e cila zgjerohet nga mendimet që përvijojnë kontraste të lehta të shënuara nga ngjyra me pak nuancë diferencuese. Kjo duket më së miri te poezia “Darka”, një poezi e shkruar në trajtën e një ligjërimi të shtrirë përmes një vargu që zgjatet si vetë mërzia. Poetesha ngre një peizazh mbrëmjeje, ku përmes fjalëve të qeta në dukje e nën to lëviz një dramë e heshtur e një jete njerëzore.

Shpesh, në krijimtarinë e saj, poetesha Katjusha Pogaçi e ngre dhe e vlerëson mendimin poetik, duke e përthekuar me çaste të zakonshme të jetës, me çaste të jetës moderne, të vetmisë apo deri-diku të mungesës së shpresës, apo të limontisë së jetës moderne, mbushur me mërzi, stres e dilema të pafundme: “Ç’është vallë kjo tollovi/Buron në tokë a vjen nga toka,/Po çmendem unë a çmendesh ti/ Apo është çmendur gjithë bota”? Sidoqoftë, në këtë botë nuk duhet ndërprerë kënga, ajo bëhet e domosdoshme si ajri i saj, megjithëse ajri është i ndotur: “Mos e ndërpre këngën e lirës/Se harpa thyhet thellë në shpirt,/Si një burim ku hidhen llumra,/E mblidhet komb diçka në grykë”…

Poetesha që ka udhëtuar në vende të ndryshme të Evropës dhe që ka marrë impresiono nga këto udhëtime, por edhe që këto impresione kanë ndikuar në një vetpërmbajtje dhe mundësi për të shprehur ndjenjat përmes saj, sjell në këtë vëllim poezinë e thellimit në ide dhe qasje metaforike përmes idesh dilematike e herë konstruktive të mirëqena.

Udhëtimet e bëjnë atë të flasë për muzetë historikë, për krahët e avionit, për qiellin, tokën duke kërkuar, sajuar e shprehur imazhe që kërkojnë të shtyjnë kufijtë e mendimit si në përtejkohë apo në përjetësi. Kështu, vargu i saj shpreh dëshira fluide e të qëndrueshme, të kapshme e të ajërta dhe që përcjellin emocionin e thellë të udhëtimit. E në këtë udhëtim ajo nuk vonon të marrë atë çka mendon për poezinë që e shoqëron kudo, kur shprehet: “Poezia është si gurët/rri sekush në vend të vet/siç rinë malet, drurët, pyjet/herë të do e herë të vret”.

Në ciklin “E kemi shtëpinë në rrugë”, poetesha e kërkon fjalën si Diogjeni në këtë botë moderne, ku njerëzit memecërojnë dhe shkëmbehen me njëri-tjetrin të heshtur, ndërsa fjalët me një inflacion të pashtershëm i shkruajnë vetëm në rrjete sociale, në këtë botë, ku autorja thotë “Dashuria është shtëpia ku ne kemi ftohtë”. Kjo ndjesi moderne që shpaloset vetiu e sjell poezinë e saj afër komunikimit që tenton më tepër të gjykojë përmes këtij komunikimi, përmes një ligjërimi ndikues në perceptimin e tablove të shoqërisë së sotme.

Tek jo poeteshë vëmë re një aspekt tjetër të artit të saj poetik, shumësinë e motiveve dhe kjo shumësi shoqërohet me një vërshim fjalësh. Denduria e fjalës si pasuri është tipar kryesor i stilit të kësaj poeteje me një talent të spikatur, çka tregon se ajo e thërret në çastin e duhur fjalën për ta shoqëruar e materializuar imazhin në një mënyrë të natyrshme. Kjo pasuri lëndore dhe njëkohësisht motivore e sjell domosdoshëm edhe pasurinë e fjalës si vërshim dhe materializim, duke përcjellë imazhe estetike që të mbeten në mendje.

Për poeten: “Gjërat s’janë terren i mbyllur/ndodhin hapur në një skenë/bashkë me to në skenë ti sillesh/herë aktor, lolo, sufler” dhe kjo tregon se poetesha ndodhet në këtë magji të dyndjes së fjalës, nën magjinë e artit të fjalës. Ajo shpërfaq një botë të gjerë prej gruaje dhe jo vetëm, por edhe prej artisteje dhe të qëndrimit angazhues për ta njohur, përvetësuar e manifestuar të bukurën, ndërsa futesh dhe shijon një botë të gjerë estetike të gdhendjes së fjalës përmes kapjes së çasteve mbresëlënëse që afron poetesha Katjusha Pogaçi.

Ajo është gruaja që “Luftoj me çdo rrudhë në këmishë/por jo me rrudhat e mia”, (poezia “Unë gruaja” f. 130), një poezi që shpreh kuintesencën e botëndijimit të saj përballë kësaj jete dhe bote të kursyer, shprehur me kundërvënie dhe me befasi që priren shpesh nga banaliteti dhe mungesa e kuptimit, që arrin shpesh në banalitet. Por poetesha nuk dorëzohet, sepse: “Jeta është si një betejë/gjithnjë rri gati për luftë/gjithnjë, thotë, mbaj me vete/një armë të fortë e një të butë”. Dhe ajo poetesha shprehet: “Bëj detyrën time/shkruar me formulën e gjakut”, (poezia “Shkruar me formulën e gjakut”, f. 142.).

Uni poetik është mjaft i gjerë dhe bota ndiesore mjaft e thellë dhe medituese, çka është tipar qenësor dhe i lavdërueshëm i kësaj poeteshe, që të nxit në këtë libër shkruar me kulturë poetike dhe me thellësi imazhesh e përjetimesh intelektualiste. Përmes kësaj bote të trazuar shprehet shqetësimi i njeriut të sotëm, sidomos i gruas së ditur dhe të kulturuar, e cila jeton për këtë botë dhe kjo botë ende nuk e kupton mirë dhe asaj i duhet të përsërisë klithmën ekzistenciale “Jetoj për ty”, dmth, eja më kupto, merr nga bukuria dhe shpirti im, bëhu më e bukur, më me shpirt, shmangi prapësitë dhe dilemat që ngrihen prej paaftësisë për të kuptuar njeriun, se gjërat janë më të thjeshta, më konkrete dhe më të prekshme, mjafton të kemi dëshirën për t’i parë e për t’i kuptuar.

Ky un i fuqishëm intelektual sjell një poezi refleksive, e cila objektivizohet përmes gjetjeve në ato objekte që janë të zakonshme dhe kështu përmes të zakonshmes autorja depërton në dramat e jetës që e zakonshmja mbulon, duke sjellë kështu psikologjinë e kohës së sotme, trazuar nga ndjesi e mundime që mundohen ta kapërcejnë të rëndomtën dhe të shkojnë tek ajo që ia vlen të jetohet dhe të përjetohet pastërtisht.

Poezia e Katjusha Pogaçit ka një ndjenjë të përmbajtur jo të hovshme dhe të hapur, siç ndodh në poezinë tradicionale dhe kjo e afron atë me modernitetin, por njëkohësisht një mendim të përpunuar me finesë dhe me zgjuarsi, veshur me figuracionin e duhur larg kërkimeve manieriste, pra, ajo është spontane, si një ligjërim i lirë dhe i begatë që të tërheq me sugjestionin e gjetjes dhe të mendimit. Si e tillë, kjo poezi duhet lexuar pikërisht për këtë tipar flladitës që afron vetiu. Imazhet e saj afrojnë një përpjekje të vazhdueshme të poetes për t’u thelluar në to dhe për të sjellë një botë ndjesish të larmishme, të cilat afrojnë botën jo vetëm të një gruaje, po të njeriut në përgjithësi, në rrethanat e jetës së sotme, të njeriut të distancuar që jeton në një botë virtuale e që përpiqet të dalë nga ajo e nuk del dot, megjithatë ai përpiqet dhe kërkon ta shpëtojë shpirtin e tij përmes artit dhe komunikimit me të bukurën.

Poetesha shpesh herë në muzën e saj kërkon të shkruajë kohën e saj dhe kohën në përgjithësi si nocion: “Me halën e pishës në sqepin e zogut/me brushën e diellit në perëndim/ në zhegun e nxehtë mbi koren e tokës/shkruaj kohën time nën ritmin tim”. Vëmë re se koha dhe njeriu janë dy raporte që vendosen dukshëm dhe padukshëm në poezinë e Katjusha Pogaçit, ato përbëjnë një binom trandeshent të pandalshëm dhe brenda kësaj përmase të filozofimit, poetesha shpalos një botë njerëzore në përpjekje për t’u indentifikuar në shurdhërinë e kohës. Kështu, koha shndërrohet në një metonimi plot kumbime e prej së cilës derivojnë mjaft ngjarje dhe këndshikime të mprehta për to, që transfigurohen në shqetësime poetike të mirëfillta.

Poetesha Katjusha Pogaçi, duke patur një përvojë të gjatë krijuese, e gdhend vargun me një kujdes të veçantë, duke shmangur teprimet, çka flet për një zotësinë e saj si gazetare dhe poete, por edhe si njeri i kulturës. Ajo ka botuar librat “Fjala jonë”-poezi (1983),”Shkruaj kohën”-poezi (2016),”Një gotë diell”-poezi (2021) dhe ky është vëllimi i saj i katërt. Siç shihet, ajo nuk është ngutur të botojë shpesh, por ka bërë kujdes që botimet e saj në intervale të gjata kohore, të tërheqin vëmendjen, çfarë edhe ia ka arritur dhe ka mundur me sukses, që poezinë e saj ta nisë në një udhë të sigurtë për pritje me interes nga lexuesi.

Ajo është poete që të tërheq për zbulesat dhe befasinë e mendimit që të intrigon vetiu, por njëkohësisht për metaforën si shkrirje dhe lëndë frymëzuese në formëzimin e konstruktit të vjershës. Moderniteti dhe eleganca e shprehjes poetike të saj, përveç shenjës së talentit, që lajmërojnë, tregojnë edhe për një poeteshë me kulturë, me përvojë, që zotëron mirë teknikat e të shprehurit, por edhe që di e ia arrin që ato t’i japë bukur, duke sjellë natyrshëm forcën tërheqëse në leximin e poezisë së saj.

Në vëllimin poetik “Jetoj për ty”, ashtu si edhe në vëllimet e mëparshme poetike, përmes pasurisë motivore dhe këndvështrimeve që mundëson, ajo sjell edhe një larmi shprehjesh poetike, gjallëria e të cilave spikatet me imazhe tërheqëse plot verë dhe që të befasojnë, duke bartur një botë të thellë emocionale, si dhe përjetime që të çojnë vetiu në horizontet e poezisë bashkëkohore europiane.

Tiranë-Vlorë, dhjetor 2024.

Please follow and like us: