Senad Guraziu: Stephen Fry – “Historia nuk përsëritet, ajo rimohet”
Stephen Fry – “Historia nuk përsëritet, ajo rimohet” (Mark Twain)!
(senad guraziu – ars poetica, 27 mars 2025)
Para 2-3 ditësh, si mirënjohje për punën e tij të palodhshme rreth kauzave mjedisore, bamirësisë, shëndetit mendor etj., gjatë ceremonisë prestigjioze në kështjellën Windsor, Stephen Fry u nderua me titullin kalorës nga Mbreti Charles. Titulli “Knight” (Fisnik, Kalorës) është njëri nga nderimet më të larta në Mbretërinë e Bashkuar.
Lidhur me mirënjohjen në fjalë, vetëm 1 ditë pas ceremonisë në Windsor, do ta ftonin në Holandë për një intervistë të shkurtër, Fry do ishte i ftuar për emisionin “Lubach” (Arjen Lubach) – tashmë pronë eter-ike e RTL të Holandës. Do ishte emisioni i parë nën kulmin e RTL-së, e dija shkakun e ftesës, por natyrisht nuk dija se për çfarë do flisnin. Po jua sjell pikat më kryesore, përgjigjet e Fry (aty-këtu të shkurtuara), rreth 2-3 çështjeve mjaft intersante që u përmendën gjatë intervistës (fjalët e tij për mua janë të qëlluara dhe të sakta).
Stephen Fry flet për tri C-jat e rrezikut, të ardhmërisë (ndaj nesh, ndaj shoqërisë, ndaj kulturës, ndaj shkencës së pafajshme etj.). Sfera kulturologjike, mediat sociale janë ndotur, kultura në përgjithësi duke u helmatisur, ngjashëm si lumenjtë që i patëm ndotur e helmuar dikur gjatë “bumit” industrial. Fry e përmend mentalitetin fashistoid të Evropës, të Amerikës, dhe faktin që shkrimtari Mark Twain pati thënë “Historia nuk përsëritet, ajo rimohet” – duke e paralelizuar të tashmen tonë me vitet ’30 të shek. të kaluar, kur shoqëritë thuase kapluar nga ngërçi e amullia s’bënin asgjë t’i kundërviheshin fashizmit që po e ngryste horizontin.
| – – –
…Ka mënyra të ndryshme për t’folur për mitet. Joseph Campbell mitet i quante “ëndrra publike”. Mitet janë ëndrra publike, është pasqyrim se si ndihemi (si masë, si publik). Psh., në ditët tona të gjithë flasin për Inteligjencën Artificiale, rreth idesë se IA do evoluojë në diçka që ne s’mund ta kontrollojmë. Kemi krijuar entitete, i kemi krijuar një lloj ‘krijesash’ që mendojnë. Në rregull, a qartë se ato ende s’munden mirëfilli ta bëjnë këtë, por kushedi, ndoshta një ditë dhe do munden të mendojnë. Dhe kjo është ajo nga çfarë ne kemi frikë.
Mendoj se grekët e lashtë ishin diç si pararendja jonë sa u përket të “tilla” frikërave. Ata thoshin se perënditë na krijuan neve, se zotat i krijuan njerëzit (këtu Stephen Fry flet për Zeusin si kryezot i Olimpit, për drojën e tij, për ‘gabimin’ e Prometeut, për zjarrin që Prometeu ia fal njeriut… jo vetëm ‘zjarrin’ si epërsi për t’i krijuar dhe përdorur teknologjitë, por dhe zjarrin e brendshëm, për ambicjet dhe shtytjen, pastaj si Zeusi e dënon Prometeun etj).
Tani kemi arritur në të njëjtën pikë të historisë. I krijuam krijesat makinale, gjysma e njerëzimit thotë: Mos ua jepni vetëdijen. Ne s’duhet të kalojmë nga IA në IPA (Inteligjencë e Përgjithshme Artificiale). Nëse e bëjmë këtë, ato krijesa makinale një ditë mund të duan t’na heqin qafe. Atëherë ne jemi kthyer në diç si ato perënditë e dikurshme.
Ndoshta kjo ka ndodhur dhe më parë (ndoshta i njëjti cikël duke u vërtitur): dikush mbase do i ketë krijuar perënditë (e grekëve të lashtë), të cilët hyjnorë i hoqën qafe krijuesit e tyre, dhe më pas na krijuan neve njerëzve, pastaj ne i hoqëm qafe perënditë (pikërisht siç përputhet dhe mitologjia) dhe i krijuam krijesat makinale, të cilat rishtas do na heqin qafe neve njerëzve… e kështu me radhë.
Ndonjëherë sikur në kokën time e shoh imazhin e gjithë familjes njerëzore të ulur në plazh, me shpinën kah deti. Ata ndërtojnë kështjella prej rëre, luajnë kriket në plazh ose merren me çfarëdo tjetër si lojra, futboll ndoshta. Ndërsa pas shpines sikur të gjitha rrymat e detit kthehen në një cunami. S’është vetëm IA, por dhe kompjuterët kuantikë, zgjatimet bionike të trupit – robotikat, ndërveprimi mes trurit dhe kompjuterit, kompjuteri e kontrollon trurin dhe anasjelltas, siç e kemi parë tashmë këtë. Pastaj materiale të reja, nanotubtha dhe gjërash të tilla nano-teknologjike, përpunimi gjenomik, qelizat staminale etj.
Të gjitha këto gjëra sikur duke u ngjeshur në një valë gjigante baticore, ndërsa ne ulur duke lozur me shpinën kah deti, dmth. jo mirëfilli të përgatitur. Dhe kush janë tre armiqtë e shkencës dhe teknologjisë së pafajshme? Sipas meje në anglisht fillojnë me 3 C-jat – Countries, Companies, Criminals.
E para C, “Countries”, shtetet, vendet që posedojnë dhe zhvillojnë armë autonome. Aq e frikshme kjo gjë. E keni parë se ç’mund të bëjnë ato drone, ato zgjoje dronike? Mund të vrasin, ta likvidojnë këdo me teknologjinë “facial recognition” (njohjen e fytyrës) dhe me një armë të montuar, fluturojnë dhe vzzzz fijuuuu shuhesh, s’ekziston më. Dhe nëse Putini i hedh njerëzit nga dritaret ose i helmon, atëherë edhe kjo. Dhe shtetet do t’i inkuadrojnë armët autonome në mënyra të frikshme.
C-ja e dytë është “Companies”, qëndron për kompanitë, për firmat. Kompanitë e përdorin shkencën thjesht për arritjen e fitimeve. Ato thjesht e helmojnë botën tonë, në kuptimin ngjashëm siç dhe gjatë revolucionit industrial që ndërtonim fabrika të entuziasmuar, ishte diç e mrekullueshme, ende s’e dinim që lumenjtë po helmohen. Dhe është e njëjta gjë me mediat sociale dhe me teknologjinë e së tashmes. Mirëpo lumi që ndotet e helmohet tani është e gjithë kultura jonë. Ka shumë ndyrësirë që noton në të. Atmosfera (kulturologjike) është e ndotur dhe toksike për t’marrë frymë të pastër, dhe gjendja po përkeqësohet.
C-ja e tretë është “Criminals”, sigurisht kriminelët. Këto 3 C-ja pra do ta përdorin IA (Inteligjencën Artificiale) më shumë se mjekët, ose më shumë se shkencat e mjekësisë. Ka shumë gjëra në këtë drejtim për t’u frikësuar.
(në këtë pikë, prezentatori Lubach ia shton pyetjen: Si ta mbrojmë pra veten nga të gjitha ato gjëra të tmerrshme?)
Këtu unë zë në thua, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit (s’ia them hiç : ) Nuk dua t’jem tepër serioz, ti mbase dhe e këputë këtë pjesë interviste, por këto që i përmenda më lart përkojnë me ngritjen e fashizmit në Evropë dhe ne Amerikë. S’e kam fjalën patjetër për nazizmin, por për adhurimin e fuqisë, për adhurimin e pushtetit, për bullizmin, për përbuzjen ndaj shteteve të vogla, gjoja të dobëta, në sytë e tyre. Ai qëndrim fashistoid, që mendohej i vdekur, është rikthyer.
Dhe pastaj i dëgjon njerëzit në bar duke thënë: janë kthyer fashistët. Atëherë mendoj, shih si e pranojmë dhe asgjë (asfare rezistencë), thjesht themi se janë kthyer fashistët. Ndërsa gjithmonë kemi thënë ose jemi çuditur për vitet 1930, vallë pse nuk e ndaluan fashizmin? Sepse dhe ata njësoj si ne sot, thjesht thoshin “janë kthyer fashistët” (por s’ndërmerrnin diç ta ndalonin). E sotmja dhe vitet ’30 të shek. të kaluar kanë plot ngjashmëri të forta, anise gjithmonë është dhe ndryshe, afërmendsh. Mark Twain, shkrimtari amerikan, pati thënë “Historia nuk përsëritet. Ajo rimohet”. Edhe e tashmja (krahasuar me kohën e fashizmit të shek. të kaluar) kështu duket.
| – – –
(shtesë, koment rreth “Sir” – s. guraziu)
Me nderimin e lartë kalorsiak, kuptohet pastaj duhet përdorur “Sir” (para emrit, ngjashëm siç kur e përdorim Dr., apo Prof. etj), anise unë vetë mendoj se kjo “Sir” do duhej t’vlente strikt vetëm për britanikët – assesi t’na imponohet dhe neve të tjerëve.
Unë e respektoj por nuk e përdor kurrë, as në përkthime as në asgjë (e respektoj si simbolikë – si respekt për personin që nderohet, pa u ndjer i ‘obliguar’ ta përdor, qëkur nderimi i tillë ka t’bëjë me intersat dhe normat britanike, jo patjetër me ato universale).
S’di me çfarë duhet krahasuar – por imagjino nëse do duhej dhe kinezët të kujdesen për parashtesat e tilla “kalorsiake”, thuase britanikët na i respektuakan titujt e “Partisë së Punës” së Kinës : ) meqë ra fjala dmth. po flas si respekt për rendin shoqeror të kinezëve, pasi ashtu saktë dhe me detaje nuk i di titujt e Kinës, gjatë një shekulli pothuaj (që nga Mao e këndej) mund t’kenë shpikur dhe Kinezo-komunistët lloj-lloj titujsh, ashtu-kështu si frymorë janë 2-3 herë më shumë se gjithë Evropa bërë bashkë : )
Si opinion, si integritet personal, sa për vete dmth. (nuk u përzihem as kinezëve as britanezëve), kur është fjala për “Sir” them kështu si shaka, meqë dihet se historia ishte paskajshëm “ironike” rreth fitimit dhe humbjes së “fisnikërisë kalorsiake”. Mbretëria e Bashkuar dhe politikat eliteske të britanezëve dikur qenë lajthitur duke e “fisnikëruar” madje dhe liderin e fashishtëve italianë Benito Musolinin, po po… atë Duçen famëkeq të historisë.
Ose bie fjala me nderimin “kalorsiak” qe nderuar dhe ish-Presidenti i Zimbabvesë, Robert Mugabe, apo dhe “diktatori komunist” i Rumanisë, ai arroganti i pandreqshëm, Nicolae Ceaucescu. Të gjithëve (dhe këta janë vetëm si shembuj) më pastaj u qe hequr “kalorsia” fisnike, Musolini qe lënë pa fisnikërine në v. 1940, Mugabe në v. 2008, Çaushesku në v. 1989, vit kur i ngrati diktator dhe pati ikur në botën tjetër, deri sa kur dhe vdiq (nga dora e vetë popullit të vet). Merre me mend “ironinë”, britanezët dhe as Mbretëresha (tashmë e ndjerë, ndjesë pastë) thjesht s’kishin info se Çaushesku mund t’ishte një “diktator eventual… dhe atë madje mos pyet, aso komunist” : )