Albspirit

Media/News/Publishing

Veis Sejko (1912-1985) dhe drama e tij e panjohur “Hakmarrja”

Nga Sakip CAMI

Pak fjalë për autorin

Veis Sejko që ka shkruar edhe me pseudonimin Mark Mikelini, Taraboshi, Korespondenti, lindur në Konispol më 1912, mësimet e para marrë në Shkodër, mbaruar për jurispondencë në Itali, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste, është një autor i lënë në harresë (sikurse shumë të tjerë), i cili ka shkruar libra me tregime që në vitin 1943.
V. Sejko si njohës i gjuhës serbo-kroate ka bërë një studim me shumë vlera për eposin e kreshnikëve duke ndriçuar elementët e përbashkët shqiptaro-arbëreshë dhe ato serbo-kroatë në epikën e kreshnikëve të Alpeve dhe duke hedhur poshtë pretendimet serbe për eposin e kreshnikëve , epos që i përket periudhës 1170-1389.
Këtë studim e vlerëson Kadare në librin :”Autobiografia e popullit tonë në vargje”, Ernest Koliqi dhe gjuhëtari Eqerem Çabej. Në vitin 1943 me pseudonimin Mark Mikelini, Veis Sejko ka botuar vëllimin me tregime ”Përpara maturës” me 14 tregime origjinale. Në vitin 1955 ka botuar vëllimin me tregime ”Orë të vështira”, në vitin 1958 ka botuar vëllimin ”Ngjarje të zakonshme”. Drama “Hakmarrja” është botuar në revistën “Nëntori” në vitet 50 dhe është pak e njohur. Drama “Hakmarrja” e merr temën nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare e popullit tonë. Ngjarjet zhvillohen në Dibër, në pjerrësitë perëndimore të malit të Korabit në verën e vitit 1943. Drama trajton jo vetëm luftën kundër pushtuesve fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por edhe fenomenin e gjakmarrjes gjatë luftës si dhe luftën ndaj denigrimit të grave dhe vajzave.
Në qendër të dramës është Bardha një vajzë 18 vjeçare, të cilën prindërit e kanë fejuar pa dëshirën e saj me Ashim Tafën, kapiten milicie, bashkëpunëtor i forcave pushtuese italiane.
Bardha është e dashuruar me Zenelin, partizan 20 vjeçar në batalionin e Dibrës dhe për të mos u martuar me Ashimin kërkon të shkojë në çetën partizane. Por komisari i batalionit partizan nuk pranon që Bardha të vijë partizane pa miratimin e së ëmës, Libades, dajës, Sinanit dhe familjes, megjithë këmbënguljen e dy të rinjve, pasi Ashim Tafa dhe reaksioni do ta shfrytëzojnë për të sulmuar partizanët si njerëz që rrëmbejnë vajza dhe i dërgojnë me zor në mal, partizane, aq më shumë kur në Dibër akoma nuk kishte vajza partizane e mentaliteti për femrën ishte kanunor.
Situata rëndohet pas vrasjes nga hasmi i të jatit të Bardhës. Miku i shpisë, Jonuz Tafa, i ati i Ashimit e siguron Libaden për çdo nevojë të mortit, por Libadja i kërkon që të shkojë në Korab e ti sjellë të bijën e të vëllain, që nuk dinë gjë për gjëmën e ndodhur.
Ajo betohet se do ta marrë gjakun e burrit fill pas varrimit. Dishajt dhe Bashajt thellojnë hasmërinë.
Ndërkohë në Korab dëgjohen krisma armësh. Ashim Tafa së bashku me milicët italianë sulmojnë çetën partizane por tërhiqen pasi lanë gjashtë të vrarë.
Bardha vjen në shtëpi dhe e ëma i tregon në dollap pushkën e hakmarrjes ndaj gjaksit. Bardha edhe vajzë edhe djalë shtëpie betohet se do të marrë gjakun e të jatit.
Majori italian Silvestër në shtëpinë e Ashim Tafës udhëzon që kjo vrasje për hasmëri e Ali Ramës të propogandohet në popull si vepër e komunistëve dhe partizanëve.
Vrasja e të jatit nga Maliq Disha, i afërmi i Zenelit, njeriut që dashuron, e bën Bardhën që kjo dashuri të kthehet në urrejtje.
Ashim Tafa organizon rrëmbimin e Bardhës, pas kthimit të nishaneve të fejesës, por ky organizim dështon.
Në shtëpinë e Bardhës troket për ndihmë Zeneli i plagosur gjatë një sulmi ndaj komandës italiane dhe Libadja i hap derën, e strehon dhe i mjekon plagën. Lufta kundër okupatorit nuk përzihet me gjakmarrjen, oj bijë, i thotë Bardhës.
E vërteta del në shesh. Ali Ramën nuk e vrau Maliq Disha, por Ashim Tafa për të akuzuar Zenel Dishën dhe partizanët.
Jonuzi i kërkon të birit, Ashimit, që të largohet nga rruga e tradhëtisë dhe e vëllavrasjes, por ai tashmë është zhytur thellë.
Bardha dhe Zeneli shpallin fejesën dhe dalin të dy partizanë…
Kjo dramë, e shkruar nga një shkrimtar pjesëmarrës direkt në luftën antifashiste, dallohet për vërtetësinë e ngjarjeve, saqë lexuesi që njeh krahinën, është në gjendje që prapa emrave të personazheve, të vendosë emrat realë të autorëve dhe aktorëve veprues të kohës.
Mendoj se drama shqipe në 100-vjeçarin e fundit ka subjekte të jashtëzakonshme, të cilat teatrot shqiptare duhet t’i venë në skenë e t’ja paraqesin publikut.

Please follow and like us: