Zana Tako: Rrënja e besës
Një thirrje, një lutje prej njeriu,
drejtuar shpirtit, pa ditur se ku!
Sytë vështrojnë përtej dhimbjes,
kraharori buçet prej vetëdijes,
fjala zhurmon brenda kataraktit të dëshirës,
drejtuar shpirtit, për ku?
*
Nënë, babë, bir, motër e vëlla,
bashkuar në thirrje, në lutje.
Zemërimi shpall luftë,
lotët mprehin dhimbjen,
drejtuar prej shpirtit, për ku?
*
As vetë nuk e di o njeri,
ti motër, nënë, vëlla e baba.
Rrethuar me fëmijë,
ngjizur nga dashuria që lëngon prej mëkatit,
drejtuar shpirtit, për ku?
*
Ngarkuar me brenga shpirt i lodhur,
kërkon e nuk gjen,
lutesh e pret,
me varfërinë dehesh,
si me një gotë plot me helm.
*
E rëndë është dhimbja,
i rëndë është mjerimi.
Ecën e fjalosesh me kotësinë,
me shpirt të ngarkuar, për ku?
*
Pak dashuri kërkon nëpër botë,
ti nënë, baba, motër e vëlla.
E shtrenjtë për t’u dhuruar,
por pa dashurinë jeta kuptim nuk ka!
*
Kush ta vodhi dashurinë,
kur me të bëje gosti?
Kush ta vodhi lumturinë,
kur me të ngiheshe deri në agim?
*
Për pak dashuri kërkon lëmoshë,
ti nënë, baba, motër e vëlla.
Me fëmijë shtrënguar në gji,
i etur shpirti për pak dashuri.
*
Përse e humbe rrugën,
ti nënë, baba, motër e vëlla.
Kush ta vrau besën?
Kush ta mori prokopinë?
Kush të la jetim pa dashurinë?
*
Me shpirt të humbur,
me besë të tradhtuar,
me rrënjë të shkulur,
Zotin tënd e ke harruar!
*
Motra vajton nënën,
nëna vajton burrin.
Vëllai tradhton babanë,
se rrënjën e besës të shkulur e kanë!
*
Mbollën në zall,
pinë sa u nginë,
e lanë pas burrërinë.
Duke tradhtuar dashurinë,
u ç’burrëruan me tradhtinë!
*
Besa e thyer shkul rrënjën e dashurisë!
Besa e thyer mort i mbjellë në pabesi!
Vaditur me lot e gjak virgjëreshash,
për të kënaqur epshin tënd o njeri!
*
Me besë të thyer,
me shpirt të cunguar,
me dashuri të mohuar,
vjen një kohë për të kuptuar,
vjen një kohë për të mësuar,
se humbja nuk quhet pasuri,
se varfëria e shpirtit,
nuk të bën të pasur o njeri!