Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Manjani: Përgjegjësia për ruajtjen e të dhënave hetimore i takon prokurorisë

Edhe njëherë, nuk na duhet shumë nëse kishte hakerim apo jo të emaileve të SPAK. As kush e bëri hakerimin dhe për ç’qëllim. Ky është film për tu parë nga ata që pëlqejnë telenovelat. Pyetja ime është përse gjenden në publik dhe në celularët apo sqetllat e politikanëve materiale hetimore, të cilat përdoren në media për të gjykuar njerëz pa gjyq?

Përse media dhe deputetë të opozitës disponojnë dhe publikojnë përgjimet e Sky Ecc, përgjimet e bëra nga prokuroria me vendim gjykate për çështje e persona të ndryshëm, rezultatet e kontrolleve të banesave apo të celularëve të njerëzve në hetim, dëshmitë jo gjyqësore të personave të penduar e çdo material tjetër hetimor?!

Publiku ka marrë vesh në kohë reale, madje në disa raste shumë më shpejt edhe se avokatët e çështjeve, të dhëna hetimore për persona të ndryshëm. Përse ndodh kjo?! Publiku ka bërë gjyqe popullore e me natyrë politike mbi të gjitha çështjet e SPAK, pikërisht se janë përhapur të dhënat që duheshin ruajtur.

A i shihni gjyqet popullore nëpër studio televizionesh mbi bazë të këtyre të dhënave hetimore?! Nuk ka asnjë shans që gjykimi në sallën e gjyqit të jetë i drejtë dhe i pandikuar, kur më parë të ka gjykuar turma.

Hakerimi i emaileve (nëse ka hakerim) për të nxjerrë emrat deputetësh nën hetim, nuk e mbulon dot një veprimtari 6-vjeçare gjyqesh popullore me të dhëna hetimore të SPAK. Është absurde, kur nga njëra anë hetohet për nxjerrje të dhënash e fiks në atë ditë botohen të dhënat e përgjimeve të bëra ndaj Erion Veliajt, fjala vjen.

Për disa të dhëna ndalohet publikimi, disa të tjerave jo. Ndërkohë që askush nuk merr përgjegjësinë ligjore për mos ruajtjen e të dhënave te SPAK, kjo përgjegjësi kërkohet te media!!!! Të puthsha mendjen, o shtet!

Please follow and like us: