Albspirit

Media/News/Publishing

Eva Vatoci: Një pamje që vret

Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse, në disa zona, kur fejohen vajzat, tabakaja mbushet me para.

Duket si një skenë e largët, e ngrirë në kohë, ku monedhat bien me zhurmë mbi bakrin e ftohtë dhe në ajër mbetet një jehonë e vjetër, një jehonë që më bën të ndalem e të mendoj: pse?

A është kjo një formë nderimi? Një simbol gëzimi që familja e djalit ofron për të pritur nusen siç e do zakoni, me dorën plot dhe zemrën hapur? Apo është hija e një mendësie të vjetër, ku vlera e vajzës matet në metal e jo në dashuri?

Ka diçka që më vret në këtë pamje. Si një pazar që bëhet pa fjalë, por me shumë sy që vështrojnë! Si një kujtim i hidhur nga kohët kur vajzat nuk kishin zë, vetëm fat. Dhe unë s’e di nëse kjo është festë, apo një skenë që duhej të kishte mbetur në të kaluarën.

Traditat kanë forcë. Ato lidhen me kujtesën, me rrënjët, me përkatësinë. Por ndonjëherë, rrënjët mbërthehen në tokë të plasaritur dhe është koha që të pyetemi: çfarë po ruajmë me kaq përkushtim? Një gjest të bukur, apo një hije që s’e kemi guximin ta përballojmë?

Please follow and like us: