Albspirit

Media/News/Publishing

Prore tundime për avancime, prore sfidash prometeike!


Senad Guraziu – Ars Poetica, Prill 2025

(prushi i “krizalidës” sonë falur nga Prometeu prore e pandërprerë është ajo energjia brenda nesh e pashtershme, shtytja dhe inercioni qenësor që t’mësojmë, që t’përparojmë, t’i mbajmë ndezur llambat e dijes, t’i avancojmë filozofitë, artet, shkencat… gjithçka)

***
Sipas shkollarëve sot thuhet se koncepti “Gadishulli Ballkanik” u krijua nga gjeografi gjerman August Zeune, në v. 1808, i cili gabimisht i pati konsideruar malet e Ballkanit si kryesore, apo si sistem malor dominues i Evropës Juglindore. Ndërsa në greqishten e lashtë Gadishulli Ballkanik njihej si “Gadishulli Haemus”. Dy mijëvjeçarë më herët, sipas shkrimeve të Ovidit (në Metamorfozat e tij) mbreti Haemus i Trakisë, ishte i biri i Boreasit (e ky ishte perëndia i erës së veriut – në mit. greke Boreasi ishte njëri nga perënditë që i përfaqësonin erërat (anemoi), vëllezërit e tij ishin Zefiri, era e perëndimit, Eurosi, era e lindjes dhe Notosi, era e jugut).

Sipas Ovidit, mbreti Haemus qe ndëshkuar nga Zeusi, duke e shndërruar atë në malin i cili ka mbetur i njohur eponimikisht me emrin e tij. Sipas mitit, Haemusi mbret por ishte kot, plot fodullëk e mendjemadh, me gjasë e pati krahasuar veten dhe gruan e tij, mbretëreshën Rodopa, si ekuivalentë me Zeusin e me Herën. Për arsye të kësaj arrogance zotat i shndërruan ata në male, njohur tani si Malet e Ballkanit, dhe ose Malet Rodope (sipas emrit të mbretëreshës).

T’i ofendoje zotat ishte e pafalshme, e sidomos ta ofendosh krye-zotin e Olimpit… s’ke çfarë pret tjetër, natyrisht, të takon ndëshkimi hyjnor. Shikuar nga aspekti mitologjik, besimi, guximi, ambicia e Haemusit për t’i sfiduar hyjnorët mbase do ishte diç si mishërim i temës rreth mendjemadhësisë njerëzore, motiv ky i zakonshëm në mitologji. Ndëshkimi, ngjashëm si në rastet apo në shembujt tjerë (psh. ndëshkimi i Marsiasit, me rjepje sëgjalli, nga Apolloni, pasi Marsiasi e pati humbur kontestin muzikor ndaj tij) na flet si shenjë paralajmëruese për kufijtë e ambicies njerëzore.

Ndëshkimet mitologjike të hyjnorëve ndaj vdekatarëve mbase duhet “lexuar si leksione”, si mësime të thjeshta por kyç, si shtylla kryesore, shumë të rëndësishme rreth natyrës së kufizimit të përpjekjeve njerëzore. Në rastin e mendjemadhësisë së Marsiasit miti e nxjerr në pah kompleksitetin e arritjeve artistike dhe sfidat me të cilat përballen ata që e aspirojnë madhështinë (pothuaj sikur gjithmonë jemi aspirantë, jemi të vetëdijshëm se “gjykojmë” me parametra relativistikë, madhështia e mirëfilltë artistike sikur prore ngelet e paarritshme).

Mitit dhe emrit të Ballkanit (eventualisht) mund t’i kthehemi pak më vonë, shkurtazi le ta rrahim pakëz “mendjemadhësinë”, le ta shkapurisim analogjinë e arrogancës së Haemusit me ca raste tjera të ndëshkimeve hyjnore; ka sa të duash raste a shembuj, përveç mbretit Haemus e kemi Marsiasin, e kemi të ngratën Najoba, i kemi Tantalat, Sizifat etj. ka plot shembuj mitologjikë.

***
Krahasuar me sfidat dhe me tendencat tona (kah lartësimi dhe përkryerja), në aspektin mitologjik nënkuptohet që zotat janë ndryshe, perënditë ashtu-kështu janë krijuesit tanë, hyjnorët veç janë të përkryer. Ndërsa njeriu gjithmonë dhe pandërprerë duke u zhvilluar, duke u përmirësuar, duke u përsosur, që nga gjeneza. Dhe atë duhet t’i jemi fort mirënjohës Prometeut, falë tij dhe jemi këtu ku jemi, çapitemi me hapat e vegjël të zhvillimit e të avancimit. Prushi i “krizalidës” sonë falur nga Prometeu prore e pandërprerë është ajo energjia brenda nesh e pashtershme, shtytja dhe inercioni qenësor që t’mësojmë, që t’përparojmë, t’i mbajmë ndezur llambat e dijes, t’i avancojmë filozofitë, artet, shkencat… gjithçka.

Madje dhe me politikat, nuk është vetëm Fizika si shkencë e rëndësishme, as vetëm Kimia, Teknologjia, Kozmologjia… por të gjitha. Ndoshta një ditë mirëfilli do jemi në gjendje t’i avancojmë shkencat sociale aq shumë, sa pastaj do dimë t’i “ndalim” apo t’i izolojmë dhe vetë luftrat, të gjitha ngatërresat. Do mbizotërojë tutje paqja, koherente dhe e pacenueshme, universalisht. Thuase diku thellë brenda nesh, ashtu na pëlqen të idealizojmë. As diktatorët, as perandorët, as fashistët, as nazistët, as Putinat e futurizmit, as Aresat dhe as Marsat thjesht s’do kenë shans.

Anise, bazuar në romanet, në letërsinë, në fantazitë, në fanta-shkencat, në sagat filmike të Hollivudit, në tabllotë e piktorëve, na takon dhe të zhgënjehemi me faktet e ardhmërisë së humanizmit. Bie fjala as në Star Wars, as në Trade Wars (të Trumpizmit të kohës sonë, meqë ra fjala dmth. si shembull), as në Star Trek-at e ardhmërisë, sado larg t’jenë në kohë, kurrë s’do u shmangemi luftrave dhe ngatërresave politike.

Ky fakt është tepër dekurajues, s’e mohon askush, aspak s’na pëlqen sepse e dimë thelbin e saktësisë, ëndrrat kurrë s’na gënjejnë; s’ka roman as Sagan, as James Joyce as Asimov, asnjë shkrimtar, asnjë ekspert-futurist, as Hollivud as Bollivud që na ngushëllon – luftrat prore dhe gjithmonë do na ndjekin, përherë do ngelin të pashmangshme. Ashtu thonë librat e shkrimtarëve, sagat e tyre, me miliona faqesh na flasin për luftrat, aty-këtu dhe për negociatash politike (gjoja për ta arritur paqen).

Le t’i “lidhim” gjërat, për të cilat e kemi fjalën., le t’flasim me ca shembuj më të “skajshëm” të imagjinatës, që s’kanë asgjë t’bëjnë me realitetin tani, por vetëm me fantazinë njerëzore. Dihet se saga e ashtuquajtur “Star Wars” e George Lucas, ishte diç si “lindja” e gjithë fantashkencës filmike të mëpastajme të Hollivudit. Star Wars… dhe pastaj i kemi të gjitha marramendjet tjera varg e varg (në atë nivel dmth., pasi Metropolis-i i gjermanëve dikur gjatë fillim-shekullit XX, dhe plot filmash të ngjashëm deri në të 1960-70-at nuk i “afrohen” sagës së Star Wars).

Mirëpo gjithashtu dihet se nga ku qe frymëzuar George Lucas, Stars Wars rrënjët i kishte në frymëzimin e “Dune” të v. 1965, roman i shkrimtarit Frank Herbert. Ky roman me titullin “Dune” përshkruhet shpesh si romani më i shitur i fanta-shkencës në histori. Sot Dune është jashtëzakonisht markë e madhe hollivudeske (njësoj si Star Wars, si Star Trek, e të ngjashme). Dune tashmë është diç si ekskluzivitet mediatik i fantashkencës amerikane, por që dmth. pati filluar me romanin Dune të Frank Herbert. Edhe Dune, edhe Star Wars, edhe Star Trek… dhe plot markash tjera i kanë sjellur industrisë së Hollivudit me miliarda e miliarda verdhushkash.

Vendndodhja fiksionale politike, shkencore dhe shoqërore nga shkrimet e Frank Herbert njihet si universi Dune, ose Duniverse. E “çuditshme” pakëz, do thosha, dhe njëkohësisht interesante është se si shkrimtari Herbert, futurizmin e tij të qytetërimit njerëzor (për Dune) e bazon fillimisht në vetë historinë e shekullit të kaluar, në historinë e freskët (të kohës së tij). Romani i tij do vinte në v. 1965, filmi i parë i Star Wars do ishte në v. 1977, mirëpo Herbert flet për “futurizmin” duke folur psh. për bombat atomike të hedhura në Japoni. Do e sqaroj këtë pakëz më poshtë, me dy-tri fjalë.

Ndërsa komploti romanesk i Dune (nëse bën të shprehem kështu) flet për ngjarje e ndodhi dhjetra mijëra vjet në të ardhmen. Saga “Dune” na flet për një qytetërim që i ka ndaluar madje të gjitha “makinat e avancuara”, të gjitha makinat e të “menduarit”, ku përfshihen kompjuterët, gjithçka robotike, secili android a krijesë robotike, dhe gjithçka që posedon inteligjencë artificiale.

Derisa Asimov (si shembull krahasues), për shkrimet e veta fanta-shkencore gjatë një kariere të tërë dhe ndër panumër romane i përdor pikërisht kompjuterët dhe krijesat robotoide, androidët, simbiantët makinalë e ku di unë çfarë… për ta kapërthyer disi sundimin e universit të paskajshëm. Shkrimtari Herbet bën diç që s’e ka bërë askush, ky me qasjen “ndryshe”, e zgjedh pikërisht të kundërtën e Asimov – ky i “përjashton” të gjitha makinat kompjuterike.

Në rastin e Frank Herbert, çdosecila makinë që s’eshtë e thjeshtë, ta zëmë si traktorët e fermerëve, si buldozherët, si makinat e rënda të së tashmes për t’punuar në minierat etj. ky tashmë e “shfarosë”, e zhdukë, e përdor madje një “revolucion-xhihad” si luftë vendimtare të njeriut ndaj makinave inteligjente. Në vend të tyre, qytetërimi (sipas idesë së Herbert) ka zhvilluar disiplina të avancuara mendore dhe fizike, si dhe teknologji të avancuara që i përmbahen ndalimit, dhe ose i përkushtohen zhdukjes pa kompromise të gjithçkaje si inteligjencë artificiale.

Diç tepër e rëndësishme për këtë qytetërim të imagjinatës së Herbert, diç si jetësore është “erëza” nga planeti i ashpër dhe shkretinor, Arrakis (një lloj lëngu i kaltër imagjinar – mendohet se Herbert në fakt thjesht pati parodizuar me grykësinë që lidhet me naftën). Ky planet Arrakis është i vetmi burim i njohur për “lëngun” e veçantë, burimi i vetëm që njihet në univers, dmth. është diç si substanca më e vlefshme e universit. Nëse e ke kontrollin mbi këtë substancë, atëherë do t’thotë se e kontrollon gjithë universin.

Për t’qenë e mundur “vjelja” e kësaj substance duhet ta kesh nën kontroll apo si pronë planetin Arrakis. Vëtëm në dunat e shkretëtirave të Arrakis (që u ngjajnë dhe në fakt i përfaqësojnë dunat e Saharasë) mund t’kihet qasje në lëngun e kaltër magjik, askund tjetër në univers. Ndërsa “lëngu i kaltër”, ndër panumër aplikime të tjera, shërben psh. për hiper-kërcimet ndëryjore, meqë qyetetërimi i ka ndaluar robotikat dhe inteligjencat a la artifiça, si zëvendësim navigatorët e veçantë që kujdesen për rutat e universit, tashmë e përdorin këtë substancë për t’i arritur aftësitë mendore që lidhen me menaxhimin e rrugëve ndërgalaktike dhe të hartave yjore etj. Kokat e tyre, thjesht duke e përdorur “lëngun magjik” mund t’i zëvendësojnë super-teknologjitë kuantike lidhur me inteligjencën artificiale etj. etj.

E cekëm se si shkrimtari Herbert, futurizmin e tij të qytetërimit njerëzor (për Dune) e bazon fillimisht në vetë historinë e shekullit të kaluar, në historinë e freskët me atomikat. Ja si e përshkruan Herbert, do mundohem sa më shkurt t’jetë e mundur, pakashumë siç vijon: praktika e mbajtjes së rezervave të armëve atomike, si pjesë integrale e mbrojtjes së akëcilës Shtëpi Perandorake, filloi kur armët bërthamore primitive u shpikën në Terra-n e Vjetër, në prag të Diasporës së Vogël. Atomikat qenë shpikur nga Ajnshtajni, i cili punonte për Shtëpinë Uashington. Në Dune të Herbert, “shtëpitë perandorake” i posedojnë planetet komplet, kolonitë planetare etj. etj. dhe kryesohen nga Perandori, i cili merret sundimin, me drejtimin politik, me perandorllëkun e gjithë universit

Kur Ajnshtajni ia doli atëbotë në përpjekjet e tij për t’i ndërtuar këto armë, dy nga të parat (dmth. 2 bomba atomike) u përdorën për ta zgjidhur një mosmarrëveshje tregtare me Shtëpinë Nippon (dmth. Shtëpia Perandorake e Japonisë – siç e dimë, 1 në Hiroshima dhe 1 tjetër qe përdorur në Nagasaki). Këto armë ishin të natyres aq primitive, më pak se 1 milion viktima u shkaktuan nga shpërthimet. Por duhet të kihet parasysh se e gjithë perandoria (dmth. Herbert e ka fjalën për perandorinë 1-planetare Terra e Vjetër, dmth. Toka) në atë kohë i kishte vetëm tre miliardë subjekte (3 miliardë banorë), Perandoria e Vjetër nënkuptonte një planet të vetëm.

Demonstrimi bërthamor, ndonëse i pavërejtshëm për standardet e mëvonshme (më tepër si demonstrim simbolik), shërbeu për dy qëllime: shkatërrimi i dy qyteteve të vogla dhe kërcënimi për shkatërrimin e qyteteve tjera, kërcënimi e detyroi Shtëpinë Nippon t’ia lëshonte rrugët fitimprurëse tregtare të Paqësorit, Shtëpisë Uashington.
Dhe zotërimi i armëve të vetme atomike të Perandorisë (Terra e Vjetër) i dha Shtëpisë Uashington prestigjin dhe fuqinë që i nevojitej për ta zhvendosur Shtëpinë Windsor (dmth. këtu Herbert e “zhvendos” paksa historinë, duke aluduar në shkëputjen e Amerikës, me arritjen e pavarësisë, nga zgjedha Britanike : )

Si t’ia fillosh përshkrimit të ardhmërisë së njeriut më “absurdisht” se shembulli i Herbert, pothuaj si ndonjë ironi gjeniale – e përdorë frikën e skajshme, tragjedinë fundimtare, armët më shkatërrimtare (të cilat njeriu primitiv, njeriu i perandorisë Terra e Vjetër, armët e veta “primitive” atomike veç i ka përdorur). Por vallë nëse duhet shkatërruar planeti komplet, për t’i mbajtur gjoja nën kontroll planetet tjera me “frikën e shfarosjes”, atëherë pse duhet monstruozitetet atomike t’jenë armë gjoja jo-primitive, gjoja bombash atomike të “avancuara”?! Kujt iu dashka avancimi nëse thjesht duhet ta arrijnë shkatërrimin, shfarosjen?! Edhe bombat “primitive” në perandorinë Terra thjesht dinë të shkatërrojnë, asgjë tjetër.

Më bukur se Herbert sikur askush s’e ka “paketuar” absurdizmin. Më larg se Frank Herbert askush s’ka shkuar me imagjinatën romaneske. Shembulli “Dune” flet për dhjetra-mijëra vite në të ardhmen, i cili shembull u paraprinë dhe super-sagave Star Wars e të tilla, dhe njëkohësisht të njëjtat i tejkalon. Meqë “vizionarit” fanta-shkencor George Lucas (njësoj si dhe Issac Asimov), i nevojiten robotikat dhe të gjitha veglat futuristike, as Lucas as Asimov nuk i “përjashtojnë”, përkundrazi, i përdorin si joshje për ta gudulisur fantazinë.

Kufizimi i tyre me robotikat, me teknologjitë luftarake, me armët e futurizmit, është vetëm imagjinata, asgjë tjetër. Bie fjala Lucas i përdor makinat vrastare “droideka” (hekura robotoidë, shkrirë e bërë një me IA, i cakton madje dhe termat si të quhen). Ose e krijon një “Death Star”, armë gjigante sa një planet komplet, për ta shkatërruar cilindo planet… ku eventualisht, mund ta kenë strofullën rebelët kundër perandorisë. Ose për ushtritë e “klonuara”, për armadat robotike i përdor madje dhe gjeneralët “e hekurt”, robotë me zemrën dhe trurin e gjallë, qoftë “alienikë” a humanoid, por gjithçka tjetër prej hekuri : )

Njëri nga më të famshmit (prej të tillëve) mbase do ishte Gjenerali Grievous, cili shërben si Komandant Suprem i Droid-Ushtrive të Konfederatës së Sistemeve të Pavarura. Imagjinoje marramendjen konfederale të galaktikës, imagjino çfarë supremacie komanduese, imagjinoje postin dhe përgjegjësinë si Komandant Suprem i Droid-Armadave Galaktike. Ku është Pentagoni… e ku Galaktika, nuk “përputhet” aspak : )

Grievous përshkruhet si strateg i shkëlqyer ushtarako-galaktik, duke i shërbyer devotshmërisht Perandorisë, me flotën e madhe udhëton nga skaji në skaj të galaktikës, duke i pushtuar botët, duke luftuar madje dhe kundër Xhedajve (anise Gjenerali Grievous bie herorikisht, gjatë një dueli me njërin nga Xhedi-t vritet).

Lucas kujdeset për listat dhe skematurat aq të sakta të ushtrive, thuase 1000 herë më saktë e më detajisht se ushtritë përnjëmend dikur të Fuhrerit. Gjeneralët e Star Wars, le që janë të panumërt por janë të kategorizuar më mirë se ushtritë e sotme reale të Pentagonit. Lucas i përdor specifikat e gjeneralëve si komandantë galaktikë (Pentagoni s’ka të tillë, okay i ka tashmë ata të Space Force, por asnjëri prej tyre ende s’e ka vizituar as Hënën, 1 a 2 prej tyre e kanë vizituar stacionin ISS atje lart në orbitë, e saktë kjo por jo Hënën. Pa ku të flitet për kampanjat ushtarake kryq e tërthuer galaktikave, as imagjinata nuk funksionon : )

Lucas flet me detaje marramendëse për oficerë galaktiko-perandorakë, për strategë ushtarako-galaktikë, për ekspertë taktiko-galaktikë, për planifikues strategjiko-galaktikë, për strategë perandorak galaktikë, për gjeneralë shtypës të kryengritjeve rebele të perandorisë, aneskaj galaktikës etj etj. për çmos. Flet sepse i duhen, për ta “përshkruar” natyrën e njeriut dhe të specieve imagjinare të universit. Lucas kujdeset për skemat aq të sakta të ushtrive apo të armadave robotike sepse ai e “di” që luftrat janë të pashmangshme. E dinte xha Homeri se çfarë zbavit natyrën njerëzore, se çfarë e gudulisë fantazinë e njeriut, na i la epikat e Trojës, Odiseadat… e t’mos e dinte George Lucas.

Sepse ndoshta kurrë s’do ketë përparime në këtë drejtim, sepse dhe Frank Herbert, me “shembullin” totalisht ndryshe, duke i zhdukur robotikat, të gjitha veglurinat e lidhura me inteligjencën artificiale, por as ky s’ka si i zhduk luftrat dhe ngatërresat. Edhe në Dune të Herbert, Shtëpitë Perandorake të sistemeve planetare luftojnë mes vete dhe kanë sa të duash mosmarrëveshje e ngatërresa. Edhe Shtëpitë Perandorake, dhjetra-mijëra vite në të ardhmen, në kohën e “Dune”, njësoj siç tani shtetet e fuqishme me armët bërthamore (si ShBA, Federat Ruse, India, Pakistani, Kina etj) e ruajnë njëfarëlloj “status-quo” politiko-ushtarake bazuar në rezervat e armëve për shkatërrimin në masë, armë që mund t’i shfarosin plenetet komplet.

Perandori galaktik “kollitet” dhe i mban disi nën kontroll, por dhe vetë Pernadori e di se një “harresë” e vockël, një detaj i keqllogaritur i politikave, një lapsus çfarëdo diplomatiko-politik… dhe hooop dikush do rreshtohet kundër Perandorit – sakaq do jetë duke e sfiduar vetë Shtëpinë Perandorake.

Nëse panumër shkrimtarë dhe vizionarë janë lodhur me shkrimet e tyre, nëse “memet” e miliona romaneve deri sot, të miliona filmave, të miliona ideve fanta-shkencore… t’na jenë “gabim”, atëherë lum-e-lum për njerëzimin, atëherë është tjetër gjë. Urojmë t’jetë ashtu. Por e dimë se dhe vetë Ajnshtajni sikur thoshte (ai me tjera fjalë, ne mund ta themi dhe ndryshe) fillimisht janë ëndrrat – pastaj vijnë shkencat, ëndrrat mund ta mbështjellin gjithë universin, ëndrrat janë filizat e flashkët, njomësia intelektuale, ata filizat e parë të ideve për avancimet. Sipas Ajnshtajnit, ëndrrat në njëfarë mënyre sikur u paraprijnë dhe vetë shkencave.

Nëse nga e ardhmja shumë e largët e romaneve dhe ideve fanta-shkencore të panumër shkrimtarëve “fluturojmë” dhe i kthehemi mitologjisë, nëse dhe hyjnoret e mitologjisë prore me luftë, nëse dominionet e tyre tokësore aq komplekse dhe sisteme të koklavitura, nëse dhe hyjnorët gjithmonë të ngatërruar, me politikat e me intrigat ndaj njëri-tjetrit, madje kemi “domene” të specializuara hyjnore, ka madje dhe perëndi enkas të luftës, romakët thuase nuk preknin në tokë nga krenaria për Marsin e tyre kryelartë : ) dimë për panumër perëndi e perëndesha që i “shkaktojnë dhe i udhëheqin” luftrat e njeriut, atëherë i bie se jemi të lidhur, s’mund t’jemi më të mirë dhe as nuk është nevoja ndoshta, gjoja të shtiremi më pacifistë sesa vetë zotat.

***
Nëse krahasohen simbolizmat e lirës (së Apollonit) dhe i aulosit të Marsiasit (instrument i shpikur nga Marsiasi) sikur jokushtimisht na imponohet respekti ndaj përkryeshmërisë hyjnore. Ashtu-kështu zotat e meritojnë respektin, andaj dhe i kemi shpikur aq shumë religjione, besime, adhurime, me mijëra sosh, nuk ndalemi madje as sot e kësaj dite. Aneskaj Evropës e Amerikës paganizmi “klasik” duke lulëzuar në të tashmen, si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e njeriut perëndimor.

Neo-paganizmi modern i Evropës së madhe e përfaqëson ringjalljen e besimeve të lashta mitologjike, duke u rilidhur me “mostrat e mendimit” dhe me traditat e paraardhësve. Hollivudi na i servir pa ndërprerë sa Torat me çekanë fluturushër, sa Odinat, sa Tritonat, sa Poseidonat (gjoja si Aquaman-a : ) Për një dekadë të vetme hollivudeske u kthyen në filma fantazitë dhe vizatimet e 4-5 dekadave të Marvel. Dihet se animizmi, besimi në krijesat shpirtërore, besimi në “fuqitë mbinjerëzore”, janë aspekte integrale të religjioneve moderne neo-paganistike.
Pakëz dhe është për t’u habitur, qëkur ndodhë paralelisht me avancimet në drejtimin tjetër… në tjetrën anë duke e patur dhe avancimin artistik e shkencor, si askurrë më parë gjatë zhvillimit. Them se është dhe për t’u habitur, shkencat e mirëfillta dhe artet tona kurrë s’kanë qenë më të avancuara, kurrrë s’kanë qenë në nivelin e bashkëkohësisë sonë, si shembull dmth.

E përmendëm më lart si “habi” që George Lucas në Star Wars i përshkruan botët fiksionale por i shpik skemat piramidale luftarake aq të detajuara. Nuk reshtim duke përparuar as me luftrat as me armatimet, përparojmë në të gjitha drejtimet, tashmë të luftuarit e quajmë madje “art luftarak” : ) E përdorim vetë paradoksin – e kthejmë vetë artin kundë jetës, sepse arti është përkrahje e jetës, jo e kundërta. Kemi madje dhe “akademi” për luftën. Shkurt, avancimet tona sa i përket luftimit tashmë i konsiderojmë “art luftarak”.

Se mos vetëm me luftrat e me armatimet, nuk reshtim duke eksperimentuar madje dhe me “bukurinë” e me estetikat, edhe në këtë drejtim kemi përparuar jashtëzakonisht. Sepse, falë Prometeut, natyra e njeriut është paracaktuar t’mos ndalet kurrë me avancimet. Le ta marrim ndonjë shembull (pa shembuj fjalët sikur pezullojnë, ngelin bosh diku në ajri).

Kemi shpikur lloj-lloj pudrash, losionesh, vajrash, medikamentesh, afrodiziakë, lloj-lloj XTC (ecstasy, lloj-lloj ekstazash), nxitës të shqisave, sa e sa L’Orealat e Jador-at i njeh bota, sa e sa parfumet et. etj. Shkurt, kurrë s’kemi qenë më të “bukur” se tashmë, kurrë s’kemi patur fragrancash siç i kemi tani… padyshim, me Titanë e me Olimpianë, të gjithë 12 zotat e Olimpit do na e kishin lakmi për parfumet e për industrinë e bukuri-stileve. Sidomos perëndeshat, të gjitha varg e varg, me Demetra e me Athina do ngelnin gojëhapur, do shpërnguleshin nga Olimpi në Paris dhe kurrë s’do iknin nga aty : )

Dhe të gjitha këto avancime, siç e cekëm më lart, padyshim falë Prometeut, atij ia kemi borxh gjithçka, secilin hap të avancimit shkencor dhe artistik, gjithçka të qytetërimit tonë. Zjarri i tij, i brendshëm dhe i jashtëm, na solli këtu ku jemi sot, duhet t’i jemi mirënjohës paskajësisht. Borxhi ndaj Prometeut kurrë s’mund të shlyhet, sepse sado të avancohemi me shkencat e me artet, prore do ketë një hap tutje, prore do ketë një vijë e “pashkelur nga ne”, do ketë një humnerë e pakapërcyeshme, do ketë ndonjë kufizim (ana e përtejme do jetë e panjohur për ne), prore do ketë një tundim tutje, një sfidë tutje prometeike.

Sa për Zeusin dihet, do kishim ngelur të “prapangelur” sa mos pyet, do ishim atëherë e përjetësisht, mozomokeq. S’po them të zhdukur si dinosaurët, si reprosaurët, totalisht të shfarosur, të shuar nga ekzistenca… por duke u vërdallur diku në askundësi epokave të akullnajave. Apo mbase diku pllajave, savanave, prerive, padyshim ende duke e fshirë pluhurin me mjekrat e gjata shpellave të kohës së gurit.

Shumkush “lajthitet” me gjykimet, por dhe thuase na pëlqen t’i mjegullojmë kronikat e së vërtetës me merimangat e harresës. Thuase dhe vetë ai poet-Bajroni i famshëm qe lajthitur duke pandehur se “borxhi ndaj Prometeut është paguar me statujën e Davidit”. Sipas Bajronit statuja ishte e përkryer artistikisht dhe jashtëzakonisht homo-erotike, e përfaqësonte bukurinë e përkryer mashkullore. Kështusoj ishte dhe diç si “dëshmi” e krijimtarisë së përsorur njerëzore.

Bajroni aludonte se Davidit i mungonte vetëm fryma, dhe do ishte i gjallë, do frymonte dhe do ishte i bukur… njësoj siç dhe Bajroni vetë që ishte i gjallë. Por ishte gabim sa s’ka më, nudistika e Davidit vërtet e pati tunduar Bajronin, mirëpo ky fenomen ishte diç si “problem” tij, askush s’i kishte faj që e tundonin sa femrat po aq dhe meshkujt. Sipas meje ishte ky gabo-gjykimi më i madh i atij Bajronit të madh, borxhi ndaj Prometeut kurrë s’mund të shlyhet, ishte gjykim 100% i pasaktë, pothuaj gjykim i pafalshëm : )

***
Sidoqoftë, le t’i kthehemi mendjemadhësisë sonë, kur bëhet fjalë për “përkryejen” hyjnore që na sfidon, për ambicjet tona, dhe për të gjitha detajet që lidhen me rrugën tonë zhvillimore.

Ndëshkimi i rëndë dhe ekstrem nga Apolloni i Marsiasit (me vdekje, duke e rjepur sëgjalli) me gjuhën mitologjike sikur na fton të reflektojmë mbi marrëdhënien e ndërlikuar, jashtëzakonisht komplekse mes arteve si frymëzim hyjnor dhe mes përvojës njerëzore (duke qenë muzika si art – dhe dmth. miti ndërlidhet me të gjitha artet e shkencat). Miti sikur mëton t’na e kujtojë ekuilibrin delikat mes ambicies sonë dhe përulësisë ndaj përkryeshmërisë hyjnore. Sepse, nëse frymëzimi është hyjnor, nëse idetë dhe frymëzimet vijnë nga Muzat, atëherë na takon të përulemi ndaj madhështisë (së panjohur, por që e ndiejmë). Na takon ta njohim atë vijën, atë kufirin, nga ku e andejshmja prore ngelet e panjohur për ne.

Siç dihet, lira e Apollonit simbolizon rendin, qytetërimin dhe harmoninë kozmike. Vetë Apolloni e përfaqëson natyrën e lartësuar artistike, si pasqyrim i idealeve hyjnore. Ai u prin dhe i frymëzon vetë Muzat, të gjitha Muzat varg e varg hedhin valle duke e frymëzuar njerëzimin. Ai vetë është perëndia i muzikës dhe i arteve, dhe jo vetëm (në mitologji është perëndi i lidhur me shumë koncepte). Apolloni është thjesht mishërim i përsosmërisë hyjnore, e përfaqëson idealin e mjeshtërisë artistike. Aftësia apollonike me muzikat e me lirat nuk është thjesht produkt i talentit dhe stërvitjes, siç është rasti me talentin dhe arritjet njerëzore, por aftësia e tij është e lidhur dhe me disiplinën, me të paarritshmen hyjnore dhe me favorin e perëndive.

Në rastin e kundërt të lajthitjes së Marsiasit, aulosi vërtet qe shpikur nga ai dhe ishte instrument që e zotëronte më bukur se askush tjetër, askush nga njerëzorët s’mund të shtyhej me zotësinë muzikologjike të tij, e dinin dhe vetë Muzat (të cilat pastaj do ishin dhe si “arbitrat” e kontestit mes tyre).

Mirëpo aulosi si instrument njerëzor s’mund të krahasohej me lirën që merr pothuaj tipare “magjike” nën gishtat e Apollonit. Aulosi i Marsiasit ishte i lidhur me emocionet e papërpunuara, me lakoren e nxënies apo të mësimit, me dështimet e aty-këtushme dhe me kembëngultësinë për avancimin, me kaosin dhe me aspektin e hapave fillestarë të muzikës.

Aulosi i tij si instrument do ishte diç si epitomë e përpjekjes njerëzore për zhvillimin, pozitivitet dhe atribut i mrekullueshëm i njeriut (falur dikur nga Prometeu), mirëpo aulosi e mishëron frymën e pazbutur të natyrës dhe spontanitetin e përvojës njerëzore, s’bën dhe s’mund të krahasohet me lirën apollonike, me vetë simbolin e harmonisë kozmike.

Qëkur themi se arti është krijim në emër të avancimit, arroganca ndaj Apollonit (arrogancë ndaj vetë perëndisë së arteve, ndaj “misionareve” kozmike, Muzave) do ishte e pafalshme. Nëse jemi të vetëdijshëm për hapat e vegjël të fillimit, gjatë rrugës sonë krijuese dhe të rafinimit artistik, sikur do duhej ta dinim se të madhërishmet Muza e përjetësojnë frymëzimin hyjnor apollonik. Ato sikur prore e përherë na sfidojnë ngapak me lloj-lloj idesh e frymëzimesh, por dhe na mbajnë për dore, sikur janë guidat tona të arsyes.

Nëse përballemi me sfidat e krijimtarisë së mundimshme (arti kurrë s’është i “lehtë”), në kërkim e sipër të përkryerjes artistike, na takon t’jemi të vetëdijshëm dhe rreth jopërkryeshmërisë sonë. Rruga jonë artistike (apo shkencore, cilado qoftë) është rruga e të përkryerit, nuk është vetë përkryerja. Njësoj pakashumë siç ia thuhet dhe për jetën, për gjallimin tonë; jeta është rruga, shtegu ynë, është rrugëtim, udhëtim – nuk është “destinacion”.

Please follow and like us: