Albspirit

Media/News/Publishing

Rei F. Hodo dhe përmbledhja poetike “Blu psalm”

Sadik Bejko & Çerçiz Loloçi

Shtatë cikle me rreth 65 poezi dhe një cikël më vete midis me gjashtë poema është sfida e radhës e poetit Rei F. Hodo në përmbledhjen më të re, titulluar “Një psalm për detin”, botimet Jozef.

Në ciklin e parë “Ose thënë ndryshe” autori ka përfshirë shtatë poezi ku rreket të shpjegojë misionin e poetit që endet në disa vargje për veten dhe të tjerët, në fatin e krijuesve që zgjohen dhe vdesin mbi strofa, në dëshirën shpesh të pamundshme për të mos pasur fatin e Golgotës apo në apoetozën e lashtë të trishtimit, për ëndrrën që fle nën dallgë dhe për Akerontin zë gjysmë-mekur me shpirt të patretur.

Autori shkruan:

mes urash të ngritura nga eshtrat e buzëqeshjeve

më bëhet se kapërcej kufinjtë e kohëve që mbushen

edhe nga të vdekurit edhe nga të gjallët.

…kohët lundrojnë në barka prej shpirtrash të vdekur

le të fluturojnë zogjtë për atje ku duan.

Poezia “gjysmë e shekulluar ose një poemë për veten dhe të

tjerë…”.

Në poezinë tjetër “Vetes ose poetëve që zgjohen mbi vargje”, me motive nga vargjet e Fatos Arapit:

diku larg ngrimani mbi vargje varrin

në shekuj të tjerë

ku kjo botë e sotmja s’ka kurrëfarë shëmbëlltyre.

Në poezinë vijuese titulluar një kryq ose poezi për një Golgotë që s’do të bëhet e imja, autori nënvizon:

një kryq që ta var poezinë dhe poetin brenda meje

rrethuar nga një vijë e blertë natyre

për të mos e lënë dhimbjen

të jetë sa dhimbja e jetës.

Cikli i dytë, që përbën edhe titullin e përmbledhjes poetike i merr motivet nga një prej deteve më të bukur në Mesdhe, siç është ai Adriatik ku autori eksploron raportet e durrësakëve me të, çka ëshët një veçanësi ndryshe nga banorët e lumenjve ata të fushave me një lumë apo të tjerë syresh që jetojnë mes malesh. Më sollën hapat te ty sërish/që njësoj të më dhembë plaga jote/të më gjakosen gishtat si peshkatarëve/nga grepat që thyhen thonjve të tyre si gladiatorët, pohon autori. Apo në një poezi tjetër: mbledhur në tokën e detit gjithçka/si një kupë e mbushur me mbrëmje/si një kupë e mbushur me gjithë tokën e detit. Poezi të tjera të realizuara mjeshtërisht janë edhe “Kthimi i detarëve”, “Kontratë me detin”, “Poema e trishtimit”.

“Dyrrahut” titullohet cikli i tretë që përmbledh 9 poezi, 5 prej tyre pa titull.

supet e betontë të qytetit mbështjell

me një të hedhur valësh deti

prej së largmi

si dhëmbë të mrehur uji shkëmbinjtë e murrmë

që mbi shpinë mbajnë këmbët e qullura.

Një nga qytetet më të rëndësishme shqiptare, ndërtuar midis shekujve VIII-IX para Krishtit, me ulje-ngritjet e veta në epoka të ndryshme kohore vjen në këtë përmbledhje në një mënyrë tjetër, në anën poetike të tij, ku autori kërkon të lëjë gjurmët e vet në larminë e poetëve të hershëm dhe të rinj. Secila poezi të ngjet sikur është vazhdim i njëra-tjetrës, pa përsëritje, por me një përkujdesje të përkorë për të dhënë shumanshmërinë e tij.

qyteti s’përgjumet dhe s’përgjumesh as ti

që në kthinë të tij

zgjatesh dhe zbret nga hëna

për të mbetur personazh kryesor në këtë poezi. (Pa titull).

Apo:

në zgjime o Zot hidhmë atje ku

flitet me gjuhën e pulëbardha

vargjet që bukë u bëheshin mjellmave

në liqenin e pazë.

Gjashtë poemat e Rei Hodos zënë vend në ciklin e katërt ku autori shfaqet më i plotë, më i realizuar, krijues me ndjeshmëri të thella.

vetmia e përqafon me dashuri qënien time

rritet bashkë me mua

ecim të dy në udhën buzë bregut

ëndrrat të dy i fshehim në brigjet e gurëve

gjumemi të dy në shtratin e nimfave pa ëndërrime

zgjohemi të dy dhe frymojmë të dy

në një det trishtimi. (vetmia e përqafon me dashuri qenien time).

Në poemën vijuese “kanë çelur karafilat”, autori shkruan:

poetët zbresin kudo me dy parashuta

që i bëjnë t’u ngjasojnë Don Kishotëve

pa qenë të tillë

por të etur për dashuri

aq sa bën të mbërrijnë edhe në dehje.

Rei F. Hodo nuk parapëlqen rimën, por priret nga poezia e mendimit, që të fut në reflektim dhe të detyron t’i rikthehesh, të monologosh me vetveten; ai kërkon të jetë i pangjashëm, të thyej tabu dhe konvencione të mëhershme dhe të sotme si dhe të ndjesh muzikalitetin e vargut nga njëri krijim në tjetrin.

Cikli i pestë “gegnisë”, si edhe në përmbledhjen e mëparshme, është një tentim i autorit për të shkruar në dialektin më të madh të hapësirës shqiptare por falë mjeshtërisë nuk ndjen kurrfarë kërcitje.

Pjesa më e madhe e poezive përfshihen në ciklin e gjashtë, “poetëve të tjerë” ku autori, duke qenë pjesë e republikës së poetëve, ashtu si në vëllimin e mëparshëm, u rikthehet motiveve të autorëve të tij të preferuar, Teodor Kekos e Fatos Arapit, Visar Zhitit e Luljeta LLeshanakut, Yves Bonnefoy-t e Attilio Bertolucci-t, Pablo Nerudës e Bardhyl Londos, Tomaz Salamun e Garcia Lorkës, Sadik Bejkos e Azem Shkrelit, Xhevahir Spahiut, Ali Podrimjes e të tjerë.   

Dy ciklet përmbyllës: “Erosit” dhe “Trubullirë”, përkatësisht me 9 dhe 5 poezi kanë gjithashtu krijime të bukura, që e veçojnë Rei Hodon si autor të spikatur, mjeshtër i zhbirimeve, eksplorues në motive të hershme e të sotme, ku krahas muzikalitetit të vargut, ka edhe tablotë e jetës intime, të fjalës së zgjedhur dhe të figuracionit që të emocionon nga kreu në fund.   

Please follow and like us: