Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: Kur një tiran vdes

E SHKRUAR NE DITËN E VDEKJES SË DIKTATORIT

Enver Hoxhën e krijuam të gjithë,

Ti zyrtar i lartë servil,

Që i rrije me frikë, që i rrije me tmerr,

Që i buzëqeshje pranë, që i aprovoje çdo fjalë

Dhe me vete thoje

         -A është i kënaqur me mua, vallë?

*

 Enver Hoxhën e krijuam të gjithë

Ti poet i hymnizimeve marramendëse,

Që i përdorje metaforat

Si prostitutat kremin kur bëjnë makiazh,

Dhe pastaj tinëzisht ngushëllojnë veten

-Sidoqoftë, i gjithi nuk u dhashë!

*

Enver Hoxhën e krijuam të gjithë,

Ti punëtor i turnit të tretë,

Që besoje

Se uji turbullohet rrugës,

Se te burimi, sidoqoftë, ka pastërti,        

Të shoh me dhëmbje uluritëse

Se si qan në ditën e vdekjes së tij.

*

Enver Hoxhën e krijuam të gjithë,

Edhe ti që e urreje kur ishte gjallë,

E megjithat’ nuk bërë kurr atentat;

Kur një tiran vdes nga një sëmundje e natyrshme,

Do të thotë se vetë Kombi

Është i sëmurë pak.

Shkruar me 11 Prill 1985. Botuar së pari në vitin 1990.

Please follow and like us: