Xhemail Peci: LYUDMILA MAKEY, NJË BASHKATDHETARE E DENJË E TARAS SHEVÇENKOS
I. Një bashkëbisedim për admirim
Në një nga rubrikat e saj të shumta kulturore, gazetarja e emisionit Art Tema të Radio Televizionit të Kosovës, Lumira Kelmendi përmes një interviste, shpalosi në plotni portretin e gazetares dhe piktores ukrainase, Lyudmila Makey. E veçanta e kësaj kronike ishte fakti se iu dha hapësirë një intelektualeje ukrainase, e cila përpos prirjes së saj profesionale si gazetare, shquhet edhe për dhuntinë e saj krijuese si piktore. Në rrjedhën e një bisede e cila u zhvillua në rrafshin e një komunimikimi të lirshëm, të natyrshëm e të vetvetishëm, u dëshmua se fjala e folur bukur bashkon në një emision, një mision krejtësisht të veçantën të artit dhe kulturës si ura lidhëse mes kombeve por njëkohësisht edhe vizionin se si arrihet deri tek liria e shumëpritur, jo vetëm me fjalën e shkruar apo të fulur, por para së gjithash e mbi të gjitha, me gjuhën e veçantë të luleve. E mirëpritur në Kosovë, si gazetarja e para ukrainase, e cila kishte arritur në vendin tonë si pasojë e luftës në Ukrainë, e nderuar dhe e respektuar në rrethin ku jeton, ku krijon dhe ku gjakon për lirinë e kombit të vet, gazetarja dhe piktorja Lyudmila Makey u mirëprit njëlloj edhe nga gazetarja kosovare, Lumira Kelmendi. Që të dyja, pra edhe Lyudmilën e edhe Lumirën, i bashkon fakti se që të dyja i kanë shërbyer dhe i shërbejnë me devotshmëri profesionit të tyre fisnik-gazetarisë, dhe që të dyja, si Lyudmila edhe Lumira e kanë përjetuar luftën në gjakimin e tyre drejt lirisë. Për më tepër se kaq, ato i bashkon edhe një dhunti e përbashkët, dhuntia e rrallë e komunikimi mjaft të çiltër, e një bashkëbisedimi të një rrafshi kulturor në të cilin ato shpalosin ide, mendime, e vizione të përbashkëta, në një ligjërim krejtësisht fjollor.
Madje, ato zhvilluan një bashkëbisedim për admirim, duke lënë përshtypjen sikur ishin takuar kohë më parë, sikur ishin dakorduar për të synuar rrugëtimin sa të veçantë po aq edhe të vështirë, në fushën e gazetarisë, ku parimet e vërtetësisë së informacionit mëtojnë t’I shërbejnë misionit dhe vizionit të cilit lajmëtarët e dritës dhe prijatarët e së vërtetës, i kanë shërbyer dhe i shërbjenë gjitmonë, me një përkushtim proverbial, si dhe me një besim të pathyer se terri gjithmonë është lëbyer nga drita, se heshtja gjithmonë është mundur nga fjala, se kronikat e kohës jo rrallë i kanë shërbyer dhe i shërbejnë kujtesës kolektive, në të cilën kultura dhe arti përbëjnë një nga hallkat më të rëndësishme të krijimtarisë shpirtërore të popujve.
II. Mitrush Kuteli: Taras Grigoroviç Shevçenko-poeti vigan i Ukrainës. Një shpirt vigan dhe heroik, fjala e tij – pasqyrë e shpirtit dhe e dhembjes së atdheut të tij
Në librin e tij ‘Shënime Letrare’ të botuar në Tiranë, mjeshtri i rallë i prozës shqipe Mitrush Kuteli, autori i poemthit epiko-tragjik për Kosovën, atdhetari të cilin diktatura e varrosi për së gjalli, veç tjerash do të shkruante për Shevçenkon: ‘Vetë Boçkovski, djemtë edhe “pilotka” – si i thesha me të qeshur vogëlushes së bardhë dymbëdhjet vjeçare, me flokë ngjyrë-kashte – e dinin përmendësh një pjesë të veprës së tij. Më pëlqente fort ritmi i tij i plotë, muzikal, me përsëritje sugjestive e sidomos metrika e tij specifike, me alternativitet tetë e gjashtë rrokje, kaqe e aftë për shprehjen e tallazeve të dhembjes. Edhe pikërisht dhembjen këndon poeti Shevçenko. Në një kohë kur ndjehesha fort i mjeruar, vjershat e tija ku këndohet dashurija e tokës lindore me një idhullatri pa shoq, mburimet e kodrave, ujrat e lumënjve të skuqura me gjakra luftrash, valët e kaltra të detit të larguar – shpesh vjen në vjershat e tija vargu nostalgjik (“sinee more”) dhe përmbi të gjitha, trimëritë dhe vojtjet e një populli të skllavëruar, – vinin e më ndisnin një llambadhe drite në shpirt.’ Më tej, Kuteli me një të vërtitur të lehtë të penës së tij, tërheq një paralele mes botës së tij dhe shkrimtarit ukrainas: ‘Shumë gjëra e ndanin, pa fjalë, botën time nga bota e tij, po që të dyja këto botë i bashkonte, përnjëmend, fjala e zjarrtë e Shevçenkos
Shkruan ai vetë:
E dinja mirë se vetëm piktura munt të ish për mua një profesion me fitime, po, në vend të ndjek studimin e mistereve të saj nënë udhëheqjen e të pavdekëshmit Brjulov, fillova të shkruaj vjersha për të cilat askush nuk më pagonte, vjersha të dhembëshme të vendit tim të cilat do binin më von si një barrë e rëndë në shpirtin tim e do më kushtonin lirinë e fituar me kaqe mundime. Po ç’munt të bënja unë? Kur gjendesha përpara veprave të Brjulovit unë mendohesha në “kobzarët” e dheut tim. Në hijen e parfumuar të ateljerit të tij luksoz, unë ëndëronja stepën time të dashur, varret e saj të larta, Dniprin – plak edhe gjithë Ukrainën time të mjeruar, me bukurit e saj virgjine dhe të trishtme”. Ky kontrast rrjedh nga fakti se Taras Shevçenko nuk ish një artist i thjeshtë, një fytyrë kontemplative, egoiste, po një shpirt vigan dhe heroik i cili jo vetëm se ndjente thellësisht vuajtjet e një populli të skllavëruar po edhe desh t’i shprehë botërisht këto dhembje.’
Por ajo që do t’i përshtypje të veçantë Kutelit, do të ishte roli i poetit si mishërimi i lirisë së kombit të tij, si zë-dhënës e shpresëdhënës i lirisë e cila do të vinte patjetër: ‘Ca më fort ay desh të këputë zinxhirat e robërisë politike-ekonomike moskovite. Këto të gjitha nuk munt të shpreheshin e të mernin zë përmjet artit kontemplativ të pikturës. Ato lypnin një shprehje dinamike, tingëllonjëse, që vetëm poezija mund ta jepte. Dhe pikërisht poezisë (një Golgotha, kur është poezi e vërtetë) iu kushtua mish e shpirt ish-skllavi Shevçenko. Më 1840 nxori në dritë të parën përmbledhje të vjershave të tija. E kish emrin “Kobzar” – emër që mbajnë këngëtorët e rapsodive të vendit. Vjershat ishin shkruar në stilin e thjeshtë e turbullonjës të këngëve popullore. Po në një gjuhë të ëmbël, si nuk pat shkruar askush përpara tij. Gjithë Ukraina u trondit nga fjala e tij që ish pasqyra e shpirtit dhe e dhembjeve të saj. Taras Shevçenko këndonte edhe qante: këndonte bukuritë e vendit të vet, trimëritë edhe lavditë e hatmanëve luftëtarë, lirinë që kish mbretëruar dikur; qante: vojtjet e kombit të robëruar. Dhe mburon nga kjo vepra e Shevçenko-s një dashuri e egër, pagane, për kombin dhe vendin e vet si s’ka tjatër.’ Përfundimisht, duke e përmbyllur gdhendjen e poetit të madh ukrainas, Kuteli vë në pah se ai vuri në shërbim të një kauze të shenjtë gjithë dhuntinë e tij krijuese: ‘Në të famshmen “Zapovit” muzika e së cilës më pat turbulluar aq fort n’atë vend të largë, Taras Shevçenko shkruan: “Gjer të mos shoh se kombi im është i lirë unë nuk njoh as Perëndi” (vargun “Ja ne znaiu Bogu” Fedia Boçkovski ma kujtonte si themel ateismi. Po Fedia im nuk kish lëçitur gjithë veprën e Shevçenko-s pa cenzurën e vitit 1940). Dhe sepse poezija nuk mjaftonte për të këputur zinzhirat e skllavërisë (vetë ay pat bërtitur “Kajdani porvite!” – “Këputni zinxhirat!”) hyri në organizatën “Kiril edhe Metodi” brenda së cilës vepëronin fytyrat më të zgjedhura të kombit të vet. I ndjekur prej kohe u burgos më 1847. Pas disa kohë burgu të rëndë e bënë ushtar dhe e dërguan syrgjyn në një kumpanjë të dishiplinës, në Asinë Qendrore, kur ndenji dhjetë vjet. Me dorën e vet Cari kish shkruar dënimin e tij më të ashpër: “Do ndalohet të shkruajë e të pikturojë”. Po tinës e në burgje e në syrgjyne poeti vazhdoi të shkruajë. U lirua më 1857 dhe u këthye më parë në Nijni-Novgorod dhe më vonë në Petrograd, gjithmonë nënë vërejtjen e policisë. Vetëm më 1859 mundi të shohë vendin e tij ku dhëmbjet e skllavërisë vazhdonin. Iku dhe së andejmi. Kërkonte pak qetësi po nuk e gjente asgjëkund. Nuk kish as shëndet të mirë. Me gjithë këto vazhdoi të punojë. Vdekja nuk vonoi ta marrë në krahët e saj. Kjo ngjau në Petrograd, më 26 Shkurt 1861, kur nuk kish mbushur dyzet e shtatë vjet. Tingëllon aktuale dhe është tepër përmbajtësore poezia e Shevçenkos, e cila ka përmasat e një testament të mirëfilltë, e titulluar Amaneti:
Kur të vdes, të më mbuloni
Te ndonjë kodrinë,
Që ta shoh gjithnjë, vëllezër,
Mëmën Ukrainë;
Të vështroj me gaz në zemër,
Fushën pa kufi.
Të vështroj si derdhet Dnjepri,
Si buçet ai,
Si vrapon mes Ukrainës,
Drejt e për në det,
Do t’i lë më nj’anë aherë,
Fushat dhe rrëketë;
Do të ngjitem lart në qiell
Perëndinë të shoh,
T’i flas hapur e t’i lutem,
Se tani s’e njoh.
Kur të më mbuloni mua,
Prangat flakini,
Derdheni në shesh të luftës
Gjakun për liri!
Dhe në familjen e madhe,
Të re dhe të lirë,
Ma kujtoni fjalën time
T’urtë dhe të mirë!…
Një zemër-thirrje dhe një parandjenjë e veçantë e poetit kombëtar. Një varg i latuar me një dhunti të theksuar poetike, një përjetim i veçantë dhe një sfond ku mishërohet aq bukur dhe aq fort figura monumentale e poetit me atdheun e tij, me tokën e tij, me lirinë e pritur dhe të adhuruar aq shumë. Është domethënës fakti se poezia përfundon me parandjenjën e pjesëmarrjes në famlijen e madhe, të re dhe të lirë, siç shprehet poeti i cili si trashëgim u lë brezave, fjalën e tij të madhe si një porosi të madhe e të paharruar për atdheun e tyre të shumëvuajtur. Shevçenko shkroi shumë dhe mbrojti figurën e gruas ukrainase, sa trimnëreshë aq edhe punëtore, sa e zgjuar aq edhe luftëtare. Gjenerata të tëra u rritën me vargjet e poemës së tij Katerina (një dashuri e braktisur sa edhe e lënduar nga i dashuri, si pasojë e së cilës ajo bën vetëvrasje), vargje të cilat popullii i Ukrainës i di përmendësh dhe të cilën Shevçenko e përjetësoi edhe në pikturë. Ai u bë zëdhënës i fatit të përbuzur e të pambrojtur të gruas ukrainase.
III. Lyudmila Makey-një bashkatdhetare e denjë e Taras Shevçenkos
Shpesh, duket sikur nuk ka rastësi. Sfondi i kohës trazohet, toka një pellg gjaku, frymëzimet shëmbëllejnë me njëra-tjetrën, fate njerëzish që kryqëzohen në rrokullimë të shekujve, vargje që për sfond kanë përpunime të nduarduarta parafytyrimesh të shumta, lule që sfidojnë luftën, drita që e mund terrin. Fjala vjen, në poezinë Mendimet e mia, Shevçenko shkruante:
Lulet e mia, fëmijët e mi,
Pse ju kam ledhatuar,
Pse ju kam mbrojtur?
A qanë një zemër në botë,
Siç kam qarë unë me ju?
Ndërkaq, historia sikur përsëritet sërish. Më 1847, nga Fortesa Orska, përtej Kaspikut ku ishte internuar me urdhër të Carit, në poezinë Lart në mal kujtoj Ukrainën, Shevçenko shprehte dhembjen dhe mallin e tij:
O vend i dashur, fati im,
Kur do të kthehem në Ukrainë?
Ndërkaq, në poezinë tjetër Pa liri, njëlloj si poeti polak Adam Mizkijeviç, do të gjakonte për lirinë e shumëpritur:
I dëbuar e në vetmi,
Vitet ikin kot e pa liri.
Njëlloj sikurse Shevçenko, frymon edhe bashkatdhetarja e tij. Gjakon edhe ajo njëlloj si poeti i vet kombëtar. Ajo flet përmes pikturës, sepse siç është thënë piktura është poezi që flet. Komunikon përmes saj. Shpalos perla të një arti tradicional, ku talenti i saj ka vulën e veçantë. Ekspozita e saj në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës i dha shkas gazetares Lumira Kelmendi për një bashkëbisedim, të cilën që të dyja e filluan në gjuhën shqipe, dhe të cilin e vazhduan më tej në në gjuhën angleze. Një bashkëbisedim për artin tradicional të Ukrainës, si pjesë e UNESKO-e ku shquhet prirja dhe dashuria e ukarinasve për të zbukuruar shtëpitë e tyre. Lyudmila i kthehet artit tradicional plot pasion dhe dashuri. Ajo është piktorja e cila shpalos ngjyrat e ylberit me dëshirën sa njerëzore aq edhe artistike që këto ngjyra aq të bukura dhe aq të dashura, t’i kthehen sërish Ukrainës dhe lirisë së saj. Kam një gropë të madhe të zezë në shpirtitn tim! – thotë piktorja, dhe kësaj grope të madhe, këtij sfondi të errët ajo ia vë kundruall lentat e ylebrit, shpresën dhe ëndrrën se të gjitha ngjyrat e ylberit pas luftës, sërish do t’i kthehen atdhuet të saj, Ukarinës. Petrykivka (‘formë tradicionale e artit dekorativ dhe trashëgimi kombëtare e Ukrainës’), është universi ideal i Lyudmilës, duke u frymëzuar nga gjyshet, të cilat kanë punuar këtë art para se më shumë se njëqind vjetësh, thekson gazetarja Lumira Kelmendi, e cila bashkëbisedon por edhe shijon me vëmendje e përplot admirim veprat artistike të Lyudmilës, duke shtuar se Lyudmila është e foksuar në natyrë, veçanërisht në lule dhe zogj. Ndërkaq, duke folur me po aq pietet, Feride Rushiti vuri në pah se: ‘Ngjyrat janë ato që e bëjnë Lyudmilën të lumtur’ duke e vënë më tej në spikamë figurën shumëdimensionale të Lyudmilës, në fushën e pikturës, shkrimit, dokumentimit, organizmit etj., ku siç tha zonja Rushiti, ‘ajo shkrinë gjithë energjinë e saj krijuese’. Duke e shpalosur në plotni portretin krijues të bashkëbisedueses së saj, gazetarja Lumira Kelmendi dëshmoi prirjen e saj të një ligjërimi sa lakonik po aq edhe domethënës, dëshmi e një shijeje të veçantë estetike në të cilën ajo vlerëson si të bukurçn ashtu edhe të madhërishmen: ‘Në çdo prekje të penelit shihet që artistja Lyudmila Makej shpalos dashurinë për atdheun, dhimbjen dhe shpresën, ku drita mbi një sfond të errët triumfon dhe merr jetë me ngjyra të reja, duke ndërthurë estetikën popullore ukrianase me një vizion modern artistik… Çdo pikturë e prezentuar në këtë ekspozitë, është dëshmi e guxmit dhe e qëndrueshmërisë që ka mbijetuar mes sfidave të luftës’. Një bisedë e zhvilluar me respekt të ndërsjelltë, përplot takt, elegancë, profesionalizëm, mirësi; bisedë e foksuar në të tashmen dhe në të ardhmen e piktores, duke veënë në pah se ‘ajo ruan traditën dhe e përuron atë gjithandej nëpër botë, duke bashkuar tradicionalen me modernen’. Përkatësisht, siç u shpreh me konsideratën e veçantë dhe vlerësimin e merituar edhe bashkëbiseduesja Tetiana Kresylnikova, duke thënë: ‘Pikturat e saj nga thellësia e zemrës paraqesin kombinimin e mundësive dhe dashurinë e saj për vendin e lindjes. E dini, ajo arrin jo të krahasoj por të kombinoj kulturën ksovare- shqipatre me ate ukrainase. Ajo edhe këndon. Kështu, shpirti i saj është një zog i lirë. Mund të këndojë, të pikturojë, eshtë tejet e rëndësishme që ajo arrin të shfaq kryeveprat e saj para njerëzve, e këta njerëz kanë ardhur sot t’i shohin. ‘
IV. Kur flasin lulet
Piktorja ukrainase Lyudmila Makey foli me gjuhën e luleve. Dhe nuk është rastësi që lulet janë pjesë e pandashme e shpirtvae krijues. Ajo u shpreh mjaft bukur duke theksuar një të vërtetë të madhe, se ‘veprimtaria artistike dhe publike është për shpirtat tanë.’ Nuk është rastësi që pararendësi i saj i madh e edhe ajo vetë, luleve u kanë dhënë një hapësirë të konsiderueshme: bukurisë dhe magjisë së ngjyrave të tyre, njëlloj ci cicërimave të zogjve. Nuk është rastësi që poetët si Naim Frashëri apo edhe Sharl Bodler, do të titullonin kryeveprat e tyre poetike me simbolikën e luleve. Nuk është rastësi që bota e luleve triumfon mbi botën e armëve, bota e zogjve triumfon mbi botën e vringëllimave të armëve, sepse historikisht paqja triumfon mbi luftën.
Nuk është prandaj thjesht një koincidencë takimi i dy gazetareve, takimi i dy kulturave, takimi i dy bashkëbisedueseve. Prologu i kësaj interviste ishte përshëndetja që Lyudmila ia fali Lumirës duke e përshëndetur shqip, dhe se epilogu i saj ishte sërish në shqip: ‘Ju faleminderit shumë! Ju uroj lumturi dhe suksese, edhe dashuri’! Ka kaq shumë finsikëri, ka kaq shumë bujari, ka kaq shumë respect dhe mirënjohje, ka kaq shumë kulturë, kaq shumë takt, kaq shumë art në një përshëndetje si kjo. Një përshëndetje si kjo, nuk është thjesht një modesti, më shumë se kaq, një përshëndetje si kjo, është vetvetiu një madhështi. Në të vërtetë, me shumë takt dhe me një elegancë të veçantë, gazetarja dhe piktorja Lyudmila Makey apostrofoi një emër të përveçëm, e që ishte emri i bashkëbisedueses së saj, por në simbolikën e një shprehje aq kuptimplote e përplot mirënjohje, domethënia ishte shumë më e gjerë: ‘E dua Ukrainën, por Kosova është shtëpia ime e dytë dhe do të jetë pëjetësisht në zemrën time’. Lyudmila Makey gjithsesi se është një zemër e madhe, e cila shpalos një kulturë të madhe. Ajo flet aq bukur shqip, dhe këndon njëlloj po në shqip, gjë që e ka dëshmuar me kryevargun e këngës Mora fjalë! Ndërkaq, gazetarja Lumira Kelmendi dëshmoi sërish dhuntinë e saj proverbiale për gazetarinë televizive, por edhe profesionalizmin e saj, intuitën e saj të mrekullueshme prej bashkëbisedueseje, prirjen për intervista të pregatitura mirë e përplot përkushtim, së bashku me diskursin e një bisede ku shpalosen dhe lartësohen vlerat e mirëfillta të artit. Nuk ka gati fushë të kulturës që nuk e ka përfshirë në rubrikat e saj, nuk ka talente që nuk ka afirmuar para publikut ardtdashës, nuk ka vlera të cilave nuk u është gëzuar, sa herë që ka përgatitur kronikat e saj, si brenda ashtu edhe jashtë atdheut. Në misionin e saj fisnik të një jete të shkrirë në mikrofon, ajo afirmon vlerat kulturore kombëtare dhe u kushton vëmendje të veçantë edhe vlerave kulturore të popujve të tjerë, duke mishëruar kaq bukur kombëtaren me universalen dhe duke e shndëruar kështu mikrofonin e saj në një ogur të bardhë. Prandaj, edhe kësaj radhe kemi sa kënaqësinë njëlloj dhe krenarinë që të shprehim ndenjat e respektit më të thellë e të falenderimit të veçantë, të mirënjohjes pa kufi e të vlerësimit më të lartë, si për Lyudmilën ashtu edhe për Lumirën!